Author Archives: philippe.morlhon@mouvement-up.fr

6 – NË ÇFARË MËNYRE KUPTOHET NËSE NJË IMAZH ËSHTË I FALSIFIKUAR?

NOCIONE KRYESORE

 

Sikurse për metodën e verifikimit të informacionit, pyetjet e duhura duhet të shtrohen edhe për të identifikuar një imazh të falsifikuar.

 

1. Analizoni me kujdes imazhin: disa manipulime ose efekte fotografike vërehen lehtë kur shikohet me kujdes. Disa elemente specifike të imazhit mund t’ju japin informacione të rëndësishme edhe në lidhje me kontekstin, datën, vendin etj..

 

2. Verifikoni llojin e faqes web ku e keni konsultuar imazhin. Nëse është rrjet social, verifikoni llojin e llogarisë që e ka shpërndarë /transmetuar imazhin.

 

3. Verifikoni identitetin e autorit ose të shpërndarësit të imazhit (a është gazetar? Ekspert i temës që po trajtohet?). Cili është qëllimi i tij, a kërkon të na informojë apo të na manipulojë?

 

4. Kryeni një kërkim në kah të kundërt të imazhit (duke përdorur Google Images) për ta gjetur burimin e informacionit. Në cilin medium është transmetuar për herë të parë? Shumë shpesh, në internet, imazhet shpërndahen, transmetohen dhe nganjëherë edhe deformohen, dekontekstualizohen ose interpretohen. Prandaj, është e rëndësishme të zbulohet se nga ka ardhur lajmi. Pastaj shikoni datën e publikimit të imazhit. Në ditët e sotme, informacioni vjetërohet shpejt dhe, shpesh, ndodh që është kundërshtuar/verifikuar më parë.

 

SHEMBULL KONKRET

 


 

Nëse i besojmë kësaj fotoje të shkrepur në qytetin Aleksinac në Serbi, e postuar në grupin Facebook Udruženi građani Srbije: “drunjtë janë rrëzuar për shkak të 5G”. Kjo foto është shfaqur edhe në grupe tjera në Serbi, si, për shembull, në grupin Facebook “STOP 5G mreži u Srbiji”.

 

Megjithatë, ky “lajm” është krejtësisht i rremë. Sipas faqes web Raskrikavanje.rs, që e ka verifikuar lajmin e rremë, këto drunj nuk janë rrëzuar për shkak të 5G. Në fakt, kjo foto është shkrepur gjatë punimeve komunale të rehabilitimit të një rruge të qytetit Aleksinac në Serbi.

7 – ÇFARË ËSHTË TEORIA KONSPIRATIVE?

NOCIONE KRYESORE

 


Një teori konspirative është një grup i strukturuar hipotezash dhe argumentesh, të manipuluara me qëllim që të ushqejnë një narrativë, një ideologji apo një diskurs dhe t’i japin atij një aspekt koherent dhe logjik. Ky diskurs kërkon të demonstrojë ekzistencën e një grupi të vogël njerëzish të fuqishëm që planifikojnë fshehurazi veprime të paligjshme dhe të dëmshme që ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve.

 

Teoria e konspiracionit pretendon se qëllimi i saj është zbulimi i “të vërtetës” dhe zgjidhja e një “misteri”. Në realitet, shpesh, kjo është një formë e kundërshtimit të diskursit zyrtar dhe të “sistemit”, një diskurs “në kundërshtim”, një mosbesueshmëri. Këto teori adoptojnë një vizion të vetëm dhe të thjeshtuar (E Mira kundrejt së Keqes) e cila harron kompleksitetin e botës.

 

Zakonisht, teoritë e konspiracionit shfaqen pas ngjarjeve të rëndësishme apo edhe traumatike (sulme, aksidente, luftë, epidemi, krizë ekonomike) për t’u dhënë atyre një shpjegim të thjeshtë dhe të kënaqshëm.

 

 


SHEMBULL KONKRET


Shembull i një teorieje konspirative: shpërbërja e Jugosllavisë

 

Në Ballkan qarkullojnë thashetheme nga më të ndryshmet për të shpjeguar shpërbërjen e Jugosllavisë në vitin 1991. Kështu, në disa vende, miti sipas të cilit kjo shpërbërje është shkaktuar nga ndërhyrja dhe vullneti i fuqive të huaja është shumë i përhapur. Disa fajësojnë CIA-n, dhe sipas tyre CIA e kishte vazhduar luftën e saj kundër regjimeve socialiste në Ballkan pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989. Teori të tjera akuzojnë Gjermaninë madje edhe Vatikanin, që ishte bërë aleat i Kroacisë Katolike për arsye të ndryshme. Në këtë rast, teoria konspirative mundëson:

  • Të shpjegohen ngjarjet në një mënyrë të thjeshtuar, të kuptueshme dhe të pranueshme për të gjithë.
  • Të paraqesë anën e saj si viktimë e ngjarjeve botërore dhe rajonale, duke krijuar kështu një ndjenjë padrejtësie dhe indinjate.
  • Që ngjarjeve të rëndësishme politike t’u jepet një origjinë e jashtme, duke u pastruar kështu nga të gjitha format e përgjegjësive.

 

Sipas historianëve, në fakt, sikurse për shumicën e ngjarjeve politiko-historike të kësaj rëndësie, kemi të bëjmë me një përzierje të shkaqeve të shumta, shumica e të cilave janë të brendshme: kriza ekonomike që kishte prekur vendin qysh nga goditja e dytë e naftës e vitit 1979, rivalitetet midis republikave që ishin përkeqësuar etj..

8 – SI PËRHAPET GJUHA E URREJTJES NË MEDIA?

NOCIONE KRYESORE

 

Gjuhë e urrejtjes quhet një shprehje urrejtjeje që mund të marrë formën e një fjalie, një teksti, një tingulli, një imazhi ose një videoje që shpreh refuzimin, urrejtjen ose frikën ndaj tjetrit dhe që ofendon njerëzit e targetuar, duke bërë kështu që të nxitet një ndjenjë urrejtjeje.

 

Kur shprehja bëhet publikisht, kjo mund t’i shtyjë dëshmitarët e këtij diskursi që të ndiejnë urrejtje ndaj disa personave, të zgjedhin një anë dhe nganjëherë të nxisin përsëri shprehjen e urrejtjes me një nivel të ngjashëm të dhunës ose me një nivel të rritur nga efekti i grupit. Atëherë, flitet për nxitje të urrejtjes.

 

Zakonisht, gjuha e urrejtjes online stigmatizon origjinën, ngjyrën e lëkurës, gjininë, orientimin seksual, përkatësinë fetare ose botëkuptimin e një pakice, për të gjeneruar rreth saj armiqësi dhe diskriminim. Interneti dhe rrjetet sociale kontribuojnë në përhapjen masive të kësaj gjuhe të urrejtjes përmes mungesës së konfrontimit të drejtpërdrejtë (virtual). Për më tepër, përmbajtja e urrejtjes në internet merr më shumë vëmendje dhe përhapet më gjerësisht.

 

Këto përmbajtje të bazuara në paragjykime, frikë dhe besime të rreme, bashkë me mungesën e të menduarit kritik, shpien në një gjuhë gjithnjë e më të dhunshme, duke theksuar ekzistencën e një komuniteti ‘mish për top’, përgjegjës dhe fajtor, dhe pastaj duke ushqyer amalgame dhe një ndjenjë të paranojës. Lajmet e rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale luajnë një rol të madh në përhapjen e këtij diskursi të urrejtjes dhe të dhunshëm.

 


SHEMBULL KONKRET


Në vitin 2019, gati të gjitha mediat e Bosnjë-Hercegovinës kanë shpërndarë një thashethem që qarkullonte në rrjetet sociale: “Migrantë kanë sulmuar një të mitur afër stacionit të trenave të Sarajevës”. Por hetimet e policisë së Sarajevës kanë treguar se ky lajm ishte rezultat i një manipulim lajmi që kishte për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj komunitetit të migrantëve të pranishëm në vend. Në të vërtetë, njerëzit, duke filluar nga babai i viktimës, kishin thënë se sulmi ishte kryer nga migrantë edhe pse nuk ka qenë e mundur që ta dinë, duke përhapur kështu thashethemet.

Kjo gjuhë urrejtjeje e rreme është paraqitur së pari kur njëra nga faqet web më të vizituara në vend, Klix.ba, e ka dhënë lajmin e sulmit të prezumuar të një 17 vjeçari në Sarajevë nga migrantët. Ky lajm ishte shoqëruar nga një fotografi ku shihej një person i rrahur në një ngushticë të errët. Por, pas hetimeve, policia ka treguar jo vetëm se sulmi nuk ishte vepër e «migrantëve», por edhe që nuk kishte ndodhur aty ku thoshte faqja web, afër stacionit të trenave.

 

Ky stigmatizim i migrantëve përmes lajmeve të rreme është i shpeshtë në Ballkan, si në mediat e shkruara, ashtu edhe në rrjetet sociale.

9 – ÇFARË ËSHTË FACT-CHECKING-U?

NOCIONE KRYESORE

 


Verifikimi i fakteve
(fact-checking) është një teknikë e verifikimit në kohë reale ose shumë të shpejtë të vërtetësisë së fakteve dhe të saktësisë së shifrave dhe e lajmit të paraqitur në media nga personalitete politike ose publike dhe nga ekspertë.

 

Fact checking-u bën të mundur edhe vlerësimin e nivelit të objektivitetit të mediave në trajtimin që ato i bëjnë informacionit. Viteve të fundit, fact-checking-u është bërë praktikë e gjithëpranishme si mjet për luftimin e përhapjes së lajmeve të rreme.

 

Verifikimi i fakteve bëhet i domosdoshëm përballë zhvillimit të teknologjive digjitale dhe të rrjeteve sociale për dy arsye: fillimisht, ngaqë një lajm apo një imazh manipulohet çdo herë e më lehtë dhe pastaj, ngaqë ato shpërndahen shumë lehtë në rrjete sociale (çdo minutë 350.000 tweets postohen në Twitter).

 

Ndonëse fact-checking-u është një mjet i mirë për ta dalluar të vërtetën nga e pavërteta, nuk është e pamundur që gazetarët që verifikojnë lajmet të gabojnë ose të mos kenë mundësi t’i verifikojnë realisht disa informacione, kështu që, edhe këtu inkurajohet kujdesi dhe mendja kritike për të ditur kur t’i besojmë një mediumi për fact-checking dhe kur një çështje meriton të trajtohet me kujdes.

 

SHEMBULL KONKRET


Në shumicën e vendeve të botës, disa media ose organizata specializohen në fact-checking-un, ndonjëherë me profilizime (çështje ndërkombëtare, shkencë, mjedis, etj.). Në rajonin e Ballkanit veprojnë disa organizata të fact-checking-ut:

Bosnje dhe Hercegovinë : Raskrinkavanje.ba

Mal i Zi: Raskrinkavanje.me

Maqedonia e Veriut: Metamorphosis Foundation

Serbi : Istinomer

Shqipëri : https://faktoje.al/

 

Duhet thënë se disa institucione i kanë intensifikuar hulumtimet dhe bashkëpunimin mes tyre në kuadër të valës së lajmeve të rreme, e cila është rritur gjatë pandemisë së Covid-19. Për shembull, Facebooku ka lançuar një program «për verifikimin e fakteve dhe për luftën kundër dezinformimit», program i cili përfshin 70 organizata të licensuara të fact-checking-ut nga mbarë bota. Artikujt e identifikuar si të rremë vihen sa më poshtë në renditjen e lajmeve. Kjo teknikë i ul konsultimet të lajmeve të rreme mesatarisht me 80%.

SEANCA 5 – QYTETARIA ONLINE

AFTËSITË QË DUHEN FITUAR

 

  • Jam në gjendje të përcaktoj se çfarë është një teori konspirative
  • Jam në gjendje të identifikoj një media qytetare
  • Njoh mënyrat për të luftuar kundër konspiracionizmit

PYETËSORI PËR VLERËSIMIN E PJESËMARRËSVE

 

P1 : Çfarë e dallon një media qytetare nga një media tradicionale?

  • A : temat e trajtuara
  • B : prania e gazetarëve profesionistë
  • C : mjetet e shpërndarjes së informacionit
  • D : përdorimi i humorit

 

P2 : Cili nga propozimet në vijim nuk i përkufizon teoritë e konspiracionit?

  • A : tregim që vë në skenë grupe njerëzish që veprojnë në hije
  • B : ligjërim teorik që duket koherent dhe “logjik”
  • C : qasje historike dhe shkencore e bazuar në lajme të verifikuara
  • D : grup i strukturuar hipotezash dhe argumentesh të manipuluara

 

P3 : Gjuha e urrejtjes mund të rritet nga:

  • A : lajmet e rreme
  • B : paragjykimet dhe stereotipet
  • C : edukimi
  • D : frika dhe refuzimi i tjetrit

 

P4 : Në cilat forma mund të ekzistojnë mediat qytetare?

  • A : kanalet televizive
  • B : blogjet
  • C : gazetat
  • D : grupet Facebook/Twitter

 

P5 : Cilat janë pasojat e teorive të konspiracionit?

  • A : gjenerojnë gjuhë të urrejtjes
  • B : na mbyllin në një logjikë mosbesimi dhe besimi të rremë
  • C : u bashkohemi teorive të padëshmuara
  • D : e vënë në pah të vërtetën

 

P6 : Si të luftohet në mënyrë efektive konspiracionizmi?

  • A : duke e kontrolluar dhe duke e kufizuar përmbajtjen e urrejtjes dhe informacionin e rremë
  • B : duke i ndaluar rrjetet sociale
  • C : duke u tallur me konspiracionistët
  • D : duke zhvilluar mendjen kritike të qytetarëve

 

P7: Çfarë është qytetaria digjitale?

  • A : t’i përkasësh një hapësire virtuale
  • B : mënyra sesi përdoruesit e internetit sillen dhe ndërveprojnë në internet
  • C : të tregosh sjellje dashamirëse dhe t’i respektosh praktikat më të mira në internet
  • D : një letërnjoftim online

 

 

PËRGJIGJET E PYETËSORIT

 

  • P1 : A B C
  • P2 : C
  • P3 : A B D
  • P4 : B D
  • P5 : A B C
  • P6 : A D
  • P7 : B C

SEANCA 4 – TË DEKODOHEN MEDIAT E NDRYSHME

AFTËSITË QË DUHEN FITUAR

 

  • Jam në gjendje të identifikoj formate të ndryshme të informacionit

  • Kuptoj se çfarë vendi zë imazhi në përhapjen e infox-ave

  • Mund të përkufizoj një mit

 

PYETËSORI PËR VLERËSIMIN E PJESËMARRËSVE

 

P1 : Cila kompani e ka blerë YouTube-in në vitin 2006?

  • A : Microsoft
  • B : Coca-Cola
  • C : Ebay
  • D : Google

 

P2 : Cila teknikë nuk është manipulim me fotografinë/videon?

  • A : falsifikimi ose fotomontazhi
  • B : dëshmia e rreme
  • C : dekontekstualizimi
  • D : “Deepfake

 

P3 : Çfarë përmbajtje mund të gjeni zakonisht në Youtube?

  • A : informata të verifikuara nga gazetarët
  • B : video argëtuese
  • C : filma autorësh
  • D : kanale televizive live

 

P4 : Sa orë në ditë kalon mesatarisht një individ para ekraneve (në botë)?

  • A : 1 orë 38 minuta
  • B : 3 orë 26 minuta
  • C : 6 orë 42 minuta
  • D : 9 orë 14 minuta

 

P5 : Kinemaja mund të konsiderohet si

  • A : një media e kompletuar
  • B : një mjet për shprehje artistike
  • C : një rrjet social
  • D : një kanal i informimit publik

 

P6 : Për çfarë arsyeje përdoret imazhi edhe në infox-at?

  • A : është i lehtë për t’u shpërndarë
  • B : prej fuqisë së tij simbolike
  • C : është e vetmja mënyrë për të prodhuar lajme të rreme
  • D : manipulohet lehtë

 

P7 : Çfarë është miti?

  • A : një thashetheme që qarkullon për një kohë të gjatë
  • B : një fakt historik i besueshëm dhe i verifikuar
  • C : një konstruksion imagjinar që ka një funksion politik/shoqëror
  • D : një lloj ligjërimi shkencor dhe racional

 

 

PËRGJIGJET E PYETËSORIT

 

  • P1 : D
  • P2 : B
  • P3 : B D
  • P4 : B
  • P5 : C
  • P6 : A B D
  • P7 : C

SEANCA 3 – INFORMACIONI DHE DEZINFORMATA

AFTËSITË QË DUHET FITUAR

 

  • Tregoj mendim kritik

  • Kam kuptuar qasjen gazetareske e cila konsiston, ndër të tjera, në verifikimin e informacionit

  • Kam kuptuar rëndësinë e aprovimit të burimeve

  • Kam kuptuar nocionin e “infox” dhe rëndësinë e këtij nocioni në edukimin mediatik

  • Jam në gjendje t’u shmangem kurthevetë dezinformimit

  • I njoh fazat e ndryshme të “fact checking”-ut


PYETËSORI PËR VLERËSIMIN E PJESËMARRËSVE

 

P1 : Të tregosh “mendim kritik” do të thotë:

  • A : Të kritikosh gazetarët që nuk i respektojnë rregullat deontologjike të profesionit
  • B : Të mos besosh në lajmet që qarkullojnë në mediat tradicionale
  • C : Të mos besosh në lajmet që qarkullojnë në internet dhe në rrjete sociale
  • D : Të jesh në gjendje të mendosh në mënyrë autonome, racionale dhe të vetëdijshme ndaj një lajmi, duke marrë parasysh qëllimet e autorit

 

P2 : Reflekset e duhura që duhet pasur ndaj një lajmi janë:

  • A : Të verifikohen burimet; të veçohen faktet e vërteta nga interpretimet e ngjarjeve; të krahasohen interpretimet dhe të renditen duke favorizuar ato që bazohen në përvojë dhe kërkime, ndaj atyre që bazohen në hipoteza dhe besime.
  • B : Të verifikohen burimet; të analizohen interpretimet; të aprovohen nga një palë e tretë; të përpiqemi të kuptojmë se çfarë fshihet pas këtij lajmi duke i favorizuar interpretimet që bazohen në hipoteza dhe besime.
  • C : Të verifikohen burimet, të bëhen kërkime mbi autorin, numrin e artikujve që i ka shkruar ai mbi këtë temë, numrin e përdoruesve që e ndjekin atë në rrjete përpara se të aprovohet hipoteza e tij.
  • D : Të dyshohet në saktësinë e këtij lajmi dhe në qëllimet e autorit të tij, edhe nëse mbështetet në përvojë dhe kërkime.

P3 : Për ta aprovuar një informacion, mjafton:

  • A : të siguroheni që ky lajm të mos jetë gjetur në mediat sociale
  • B : ta njihni autorin e lajmit dhe t’i besoni
  • C : të gjeni se kush e ka publikuar lajmin fillimisht, të verifikoni nëse ai është me të vërtetë një person ose një strukturë eksperte për këtë temë, pastaj ta krahasoni
  • D : Të siguroheni që është publikuar në mediat tradicionale

P4 : Konceptet “infox”, lajm i rremë ose fake news përshkruajnë lajme:

  • A : që nuk u përkasin bindjeve të përgjithshme të qytetarëve dhe që paraqesin probleme në debatin publik
  • B : të fabrikuara, të falsifikuara ose të deformuara, të shpërndara vullnetarisht nga individë, me qëllim manipulimin e qytetarëve
  • C : që nuk mund të verifikohen, pavarësisht vërtetësisë së tyre
  • D : që transmetohen me shpejtësi shumë të madhe nga përdoruesit e internetit

 

P5 : Për t’iu shmangur kurtheve të dezinformimit, do të duhej:

  • A : të qarkullonin të gjitha llojet e informacioneve dhe t’u mundësohej më të rinjve ta ‘mprehin’ mendjen e tyre kritike
  • B : të fuqizoheshin platformat dhe “gjigandët e internetit”
  • C : të kufizohej liria e shprehjes në internet dhe puna e gazetarëve
  • D : të përgatitej popullsia për t’u përballur gjithnjë e më shpesh me lajme të rreme duke ofruar trajnime për edukimin mediatik

 

P6 : Edhe pse falë fact-checking-ut, mediat luftojnë kundër qarkullimit të lajmeve të rreme, ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse:

  • A : Disa çështje nuk mund të zgjidhen vetëm me një fact-checking, siç janë çështjet politike, të opinionit ose të moralit
  • B : Në këtë mënyrë mediat mund të shpërndajnë fake news të tjera
  • C : Gazetarët nuk janë në gjendje t’i verifikojnë të gjitha informacionet
  • D : Mediat motivohen gjithnjë nga qëllime financiare, gjë që ndikon gjithsesi në gjykimin e tyre

 

 

PËRGJIGJET E PYETËSORIT

 

  • P1 : D
  • P2 : A
  • P3 : C
  • P4 : B
  • P5 : B, D
  • P6 : A

SEANCA 2 – MEDIA E RE

AFTËSITË QË DUHET FITUAR

 

  • Dalloj median tradicionale nga media e re

  • Kuptoj se si mediat sociale e shndërrojnë peizazhin e mediave

  • Kuptoj rreziqet dhe mundësitë e “gazetarisë qytetare” dhe të përdorimit të internetit nga të rinjtë

  • Jam i vetëdijshëm për ndikimin e algoritmeve në mënyrën sesi lundrojmë në internet

  • Kuptoj se si funksionojnë “flluskat e filtrimit” dhe kam përvetësuar metoda të lundrimit për t’iu ikur atyre

 

PYETËSORI PËR VLERËSIMIN E PJESËMARRËSVE

 

P1 : Në mesin e mediave tradicionale, gjejmë:

  • A : Facebook, Instagram, Tiktok
  • B : Televizioni
  • C : Twitter
  • D : Radioja

 

P2 : Rrjetet sociale dallojnë nga media tradicionale për nga:

  • A : Logjika e bashkëpunimit që i pëcakton ato
  • B : Serioziteti dhe profesionalizmi i përdoruesve të saj
  • C : Natyra interaktive e funksionimit të saj
  • D : Aftësia e tyre për të shpërndarë informacion cilësor te sa më shumë njerëz

 

P3 : Nocioni i “gazetarisë qytetare ” lidhet me:

  • A: Një praktikë që e shndërron çdo përdorues të mediave sociale në një prodhues të mundshëm lajmesh.
  • B : Përgjegjësinë e treguar nga përdoruesit e rrjeteve sociale në të gjitha rrethanat
  • C : Rëndësinë e trajnimit të gazetarëve me konceptet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit
  • D : Trajnimin gazetaresk që ofrohet për çdo përdorues të rrjeteve sociale

 

P4 : Gjigandët e internetit përdorin algoritme për të:

  • A : propozuar përmbajtjen që i përshtatet më së miri secilit përdorues
  • B : numëruar klikimet, pëlqimet dhe blerjet e bëra nga përdoruesit
  • C : verifikuar informatat që qarkullojnë në rrjetet sociale
  • D : ndikuar në sjelljen e përdoruesit për qëllime komerciale

 

P5 : Shprehja: Një përdorues është në një “flluskë të filtrimit” do të thotë:

  • A : Ai mund të përdorë në një numër të madh filtrash për të përmirësuar fotot dhe videot e tij
  • B : Ai konsulton vetëm faqe që përmbajnë “fake news”
  • C : Ai ka akses në vetëm një lloj informacioni për shkak të algoritmeve të vendosura nga gjigandët e internetit
  • D : Ai kalon shumë kohë në internet

 

P6 : Fillimisht, premtimi i internetit ka qenë:

  • A : t’u ofrojë përdoruesve akses në përmbajtje të personalizuara
  • B : ta favorizojë emancipimin dhe lirinë e përdoruesve të tij
  • C : t’u mundësojë përdoruesve të internetit të kenë akses në produktet e reja të konsumit përmes reklamave
  • D : t’i izolojë përdoruesit dhe ta testojë mendimin e tyre kritik

 

PËRGJIGJET E PYETËSORIT

  • P1 : B, D
  • P2 : A, C
  • P3 : D
  • P4 : A
  • P5 : C
  • P6 : B

SEANCA 1 – FUNKSIONET DHE MJETET E INFORMACIONIT

AFTËSITË QË DUHEN FITUAR

 

  • E di se çfarë janë lajmet dhe mediat
  • Jam në gjendje të citoj mediat kryesore të vendit tim
  • E njoh rrjetin e informimit
  • I kuptoj konceptet e “lirisë së shprehjes” dhe “lirisë së shtypit”, si dhe rolin e tyre në një shoqëri demokratike
  • I njoh parimet e mëdha deontologjike të gazetarisë
  • E kuptoj rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike

 

 


PYETËSORI PËR VLERËSIMIN E PJESËMARRËSVE

 

P1 : Në cilën periudhë janë shfaqur interneti dhe media e re?

  • A : Vitet 1970
  • B : Vitet 1980
  • C : Vitet 1990
  • D : Vitet 2000

 

P2 : Në shoqëritë demokratike, media përfaqëson:

  • A : Një mjet propagandistik për t’i manipuluar masat
  • B : Një kundër-pushtet
  • C : Një mënyrë për të zgjeruar debatin e ideve midis popullatës
  • D : Një mjet për komunikimin e programeve politike gjatë zgjedhjeve

 

P3 : Cili(at) kriter(e) mundëson(jnë) cilësimin e një lajmi në kuptimin gazetaresk?

  • A : Fakti i cili raportohet duhet të ketë ndodhur më së largu para një jave
  • B : Fakti duhet të raportohet nga të paktën 4 media
  • C : Fakti i cili raportohet duhet të jetë i verifikuar dhe i verifikueshëm
  • D : Fakti i cili raportohet nuk duhet, gjithsesi, të jetë me interes për publikun

 

P4 : E drejta për lirinë e shprehjes u lejon gazetarëve të:

  • A : shprehin lirshëm atë që mendojnë
  • B : hetojnë liderët politikë
  • C : shpërndajnë informacione në rrjetet sociale
  • D : publikojnë përmbajtje që inkurajojnë diskriminimin e një grupi bazuar në besimin e tij

 

P5 : Ndër rregullat deontologjike që gazetarët duhet të respektojnë, janë:

  • A : e drejta për të ndryshuar dokumente të caktuara ose për të rregulluar imazhet në mënyrë që të përcillet një mesazh
  • B : detyrimi për të qenë kritik, i saktë dhe me integritet
  • C : e drejta për të punuar në një shërbim publik, në një institucion ose n ënjë kompani private
  • D : e drejta për të korrigjuar çdo informacion të shpërndarë që tregohet i pasaktë

 

P6 : Organizata jo-qeveritare që bën renditjen vjetore të Lirisë së Shtypit në botë është:

  • A : UNESCO
  • B : Kryqi i Kuq
  • C : Reporters Sans Frontières (Reporterët pa kufij)
  • D : Médecins Sans Frontières (Mjekët pa kufij)

 

 

PËRGJIGJET E PYETËSORIT

  • P1 : B
  • P2 : B, C, D
  • P3 : C
  • P4 : A, B, C
  • P5 : B, D
  • P6 : C

DOKUMENTI N°17 (SHTOJCË) – UDHËZUES I APLIKACIONIT MADMAGZ

KRIJIMI I NJË REVISTE ONLINE ME MADMAGZ

 

1 – Identifikohuni (në Facebook, Google ose identifikues të llogarisë suaj Madmagz).

2 – Zgjidhni modelin që i përshtatet më së miri projektit tuaj editorial. Për të zgjedhur modelin më të mirë, shihni paraprakisht modelet e propozuara.

3 – Vendosini revistës suaj një titull, një numër dhe një temë.

4 – Nëse dëshironi të realizoni revistën tuaj në ekipe, ndani detyrat e secilit anëtar të projektit. Janë të mundshme disa role, me më pak ose më shumë të drejta: «super kryeredaktori», «kryeredaktori», «redaktori».

5 – Shtoni faqet e revistës suaj (4 faqe minimum). Gjatë kësaj etape, përzgjidhni rubrikat e faqes sipas planit editorial të projektit tuaj (kopertina, tabela e përmbajtjes, editoriali, artikujt).

6 – Vendosni llojet e ndryshme të përmbajtjes në faqet përkatëse (tekstet, linqet, imazhet, videot, podcast-et).

7 – Publikoni revistën tuaj (veprim i pakthyeshëm). Mund të bëhet një shikim paraprak (preview) online ose të shkarkohet një pdf para se të miratohet versioni përfundimtar i revistës.

8. Shpërndajeni revistën e juaj përmes një linku, përmes emailit ose në rrjetet sociale!

 

FAQOSJA DHE INTEGRIMI I PËRMBJATJES SUAJ

 

Për ta faqosur revistën, shkoni te rubrikat që gjenden në anën e majtë të ekranit të cilat përmbajnë kategori të ndryshme të faqeve: kopertinë, përmbajtje, editorial, artikull…). Secila nga këto kategori ju ofron zgjedhje të shumta të faqosjes.

Ju mbetet të zgjidhni atë që doni ta përdorni dhe që i përshtatet më mirë përmbajtjes suaj!

Për të vendosur një dizajn, mjafton të bëhet zgjedhja e tij dhe të aprovohet. Gjatë krijimit të revistës suaj, do të mund të shtoni ose të hiqni faqe falë dritares «preview» e formuar nga një katror me viza, i cili ju mundëson t’i shihni të gjitha faqet e revistës. Pastaj, mjafton të zgjidhni butonin + ose – për të shtuar ose hequr një faqe.

Për të modifikuar një faqe, klikoni në tab-in që paraqet një faqe dhe një laps. Tab-i në formë shigjete ju mundësojnë të lëvizni faqet tuaja.

Për të edituar një faqe, klikoni tab-in i cili paraqet një faqe dhe një laps. Do të mundeni, kështu, të rregulloni elementet e ndryshëm të faqes tuaj: titullin, tekstin ose fotot, për shembull.

Klikoni në zonën që dëshironi të modifikoni (titulli ose teksti) që përmbi faqe të shfaqen mjetet për modifikim (bold, italic, nënvizim, renditje…). Mund të bëni edhe zoom për të përshtatur madhësinë e faqes suaj.

Kujdes, zonat e teksteve nuk mund të zgjerohen, prandaj nuk duhet të vihet tepër tekst sepse ai rrezikon të pritet.

Për ta modifikuar/shtuar një foto, klikoni mbi të. Keni dy mundësi zgjedhjeje: ju mund të zgjidhni një imazh nga kompjuteri i juaj ose ta shkarkoni një nga interneti (duke e kopjuar e pastaj duke e ngjitur linkun e fotografisë në anën e majtë), pastaj do ta aprovoni.

Pasi ta keni shtuar fotografinë, mund t’i rregulloni kuadrin. Piktogramet nën fotografi ju tregojnë nëse cilësia e imazhit e lejon një publikim në internet dhe/ose në letër. Për një rezultat më të mirë, duhen zgjedhur imazhe cilësore dhe me madhësi të mjaftueshme. Nëse dëshironi, mund të shtoni një imazh tjetër me cilësi më të mirë duke klikuar te «të ndërrohet imazhi», pastaj të aprovohet.

 

 

BASHKËPUNIMI: TEORI

 

Të shohim bashkë funksionimin e një opsioni shumë të pëlqyer nga përdoruesit tanë: bashkëpunimi. Të realizosh një revistë shkollore me Madmagz u jep mundësinë që të punoni vërtetë bashkë. Dhe për këtë, secili ka një rol me përgjegjësi të ndryshme.

 

Super kryeredaktori :

  • Krijon revistën prej llogarisë së tij.
  • Është i vetmi që mund ta publikojë revistën.
  • Ai mund të ftojë kryeredaktorë dhe redaktorë, por edhe të heqë bashkëpunëtorë. Por kujdes, nëse e largon një kryeredaktor, atëherë edhe ndihmës redaktorët do të largohen automatikisht nga bashkëpunimi, po ashtuedhe faqet e tyre!
  • Ai mund të shtojë faqe, t’i modifikojë, por edhe të modifikojë ose të heqë faqet e bashkëpunëtorëve.

 

Ai edhe mund të ftojë persona të tjerë që të bashkëpunojnë në revistën e vet, dy kategori personash në dy nivele të ndryshme: kryeredaktorët dhe redaktorët e thjeshtë – duke u dërguar linqe specifike bashkëpunimi.

 

Kryeredaktori:

  • Mund të krijojë faqe.
  • Mund të ftojë bashkëpunëtorë (redaktorë).
  • Mund t’i modifikojë dhe t’i heqë faqet e bashkëpunëtorëve të tij.
  • Mund t’ia dërgojë faqet e tij dhe ato të bashkëpunëtorëve superkryeredaktorit që ai t’i shtojë apo jo në revistë.

 

Redaktori :

  • Mund të ftohet nga kryeredaktori ose nga vetë superkryeredaktori.
  • Mund të shtojë ose të modifikojë faqe që mund t’ia dërgojë kryeredaktorit ose super kryeredaktorit, nëse ai e ka shtuar atë.

 

Pra kemi një strukturë hierarkike.

 

Në të njëjtën mënyrë, redaktorët ia dërgojnë faqet e tyre kryeredaktorëve të cilët ia dërgojnë super kryeredaktorit për miratim. Nëse kryeredaktori nuk është i kënaqur, ai mund t’ia kthejë redaktorit. Nëse superkryeredaktori ia ka dërguar drejtpërdrejtë një link bashkëpunimi një redaktori, ai mund t’ia dërgojë drejtpërdrejt faqet e tij.

 

Kur superkryeredaktori është i kënaqur, kur i ka verifikuar dhe aprovuar të gjitha faqet, ai mund t’i shtojë në revistë.

 

 

BASHKËPUNIMI NË PRAKTIKË

 

Gjatë këtyre minutave shpjegimi dhe demonstrimi ju do të mund t’u ndani bashkëpunëtorëve të ndryshëm të revistës rolet e redaktorëve dhe të kryeredaktorëve. Siç e pamë më herët, bashkëpunëtorët mund të kenë disa detyra dhe funksione: super kryeredaktorë, kryeredaktorë ose redaktorë.

 

Super kryeredaktori mund të ftojë një numër të pafund bashkëpunëtorësh në revistë. Këta do të mund të krijojnë faqet e tyre dhe t’ia dërgojnë bashkëpunëtorëve të tjerë.

 

Për të ftuar bashkëpunëtorë, ju mund të ndani njërin nga linqet e bashkëpunimit që ju është dhënë në fillim të realizimit të revistës suaj. Për këtë qëllim, duhet të klikoni në ikonën “Ftoj bashkëpunëtorë”.

 

(Bashkëpunëtorët ju mund t’i ftoni edhe gjatë editimit, falë një piktogrami të pranishëm në pamjen e përgjithshme të revistës, do t’i kthehemi më poshtë kësaj pike).

 

Rregullat e bashkëpunimit:

  • Bashkëpunëtorët që do të ftoni do të kenë akses në hapësirën e tyre për të krijuar faqe që mund t’jua dërgojnë për verifikim dhe që ju mund t’ua ktheni për modifikim.
  • Kur të mblidhen të gjitha faqet, super kryeredaktori mund ta publikojë revistën.
  • Mund të krijohet edhe një rol ndërmjetës, kryeredaktor, për të formuar nën-ekipe.

 

Në këtë rast ju jeni pronari. Duhet të klikoni tab-in «Kuptova», ju propozojmë që pastaj t’i menaxhoni bashkëpunëtorët tuaj.

 

Në këtë faqe, ju mundeni:

  • T’i dërgoni një link bashkëpunimi kryeredaktorit ose redaktorit dhe duke i kopjuar linqet që paraqiten dhe duke ua dërguar pastaj atyre.
  • Kur keni bashkëpunëtorë, ju mund t’u dërgoni faqe ose të hiqni bashkëpunëtorin me ndihmën e ikonës shigjetë dhe të shportës.

 

Tani të vihemi në vend të kryeredaktorit i cili pranon linkun. Ai duhet ta shënojë emrin e tij dhe të klikojë te «bashkëpunim».

 

Në hapësirën e tij, kryeredaktori :

  • nuk ka akses te revistën në tërësi.
  • Ai mund të krijojë faqe me modelin e krijuar nga superkryeredaktori dhe t’ia dërgojë.
  • Sapo faqja t’i jetë dërguar superkryeredaktorit, do të zhduket nga ndërfaqja e kryeredaktorit.

 

Si superkryeredaktor, ju i pranoni faqet dhe mund t’i konsultoni, t’i modifikoni, t’i hiqni ose t’i ktheni në rast nevoje për modifikim.

 

Për ta kthyer, duhet vetëm të zgjidhet faqja dhe të klikohet në tab-in e kthimit të faqes. Kur ajo të kthehet, faqja nuk del më në ndërfaqen e superkryeredaktorit, por te ajo e kryeredaktorit që do të mund ta modifikojë e pastaj ta dërgojë.

 

Për ta menaxhuar listën e bashkëpunëtorëve tuaj, duhet të klikoni te ikona që simbolizon tri persona.

 

Kryeredaktori mund të ftojë bashkëpunëtorë dhe t’i menaxhojë duke klikuar në ikonën poshtë majtas të ndërfaqes (përmbi butonin pauzë). I vetmi dallim është që kryeredaktori mund t’u dërgojë redaktorëve linqe të bashkëpunimit.

 

Redaktori do të mbërrijë në një kryefaqe ku do t’i kërkohet emri, ai pastaj do të ketë akses në hapësirën e tij dhe mund të krijojë faqe në të njëjtën mënyrë si u shpjegua më herët. Do t’i duhet t’ia dërgojë faqet e tij personit që e ka ftuar drejtpërdrejtë për miratim ose korrigjim.

 

Kur t’i ketë marrë, korrigjuar dhe miratuar të gjitha faqet, superkryeredaktori mund ta publikojë revistën.

 

PUBLIKIMI I REVISTËS

 

Më në fund erdhi koha e publikimit të revistës suaj!

Kur të finalizohet revista, mund ta publikoni. Por para kësaj, është e rëndësishme të bëhen disa verifikime:

  • mund të bëni një rishikim online të revistës suaj (ikona ‘sy’).
  • ose mund të shkarkoni në pdf HD me dukjen e revistës suaj (ikona ‘faqe’).
  • atëherë mund të verifikoni që teksti, imazhet, janë të pozicionuar mirë dhe të verifikoni cilësinë e imazheve.


Kujdes
:

  • Numri i përgjithshëm i faqeve duhet të jetë një shumëfish i numrit 4 dhe numri minimal i faqeve duhet të jetë baraz me 4. Nëse nuk e respektoni njërën nga këto dy rregulla, nuk mund ta publikoni revistën tuaj.
  • Publikimi i revistës është i pakthyeshëm.

Për ta publikuar revistën, duhet të shtypet «Publiko».

Para se ta publikoni revistën tuaj, mund të ndryshoni:

  • titullin
  • numrin

Mbetet vetëm të shtypet «publiko».

Urime, sapo krijuat revistën tuaj të parë Madmagz!


Mënyrat e publikimit:

 

Magazine Premium:

  • Kjo mënyrë e publikimit ju mundëson të shpërndani revistën tuaj me email me linkun e revistës online, por edhe në Facebook, Twitter ose ta fusni në faqen tuaj web ose në bllog falë kodit të integrimit i cili ndryshon varësisht nga faqosja që zgjidhni dhe nga madhësia në pixel e revistës suaj.
  • Pasi revista juaj të jetë publikuar, ju mund t’i shtoni interaksione: linqe, video, audio, gif-e, por edhe ta menaxhoni konfidencialitetin dhe të dini sa herë është konsultuar ajo!

 

PDF :

  • Kjo PDF është e përsosur për një lexim në ekran, por është i një cilësie të dobët në printim. PDF-ja është e disponueshme menjëherë pas blerjes duke klikuar në «shkarko».

 

PDF për printim

  • Është mënyra e rekomanduar e publikimit nëse dëshironi ta publikoni revistën me mjetet tuaja. Do të mund të zgjidhni në mes dy lloj printimesh: në shtëpi (në printerin tuaj) ose profesionale, te një shtypshkronjë (për një rezultat më të mirë).

 

 

FRYMËZIM DHE SHEMBULL

 

Gati e mbaruat punën! Ju ftojmë të vizitoni Bllogun e Madmagz Edu ku ka disa shembuj ku do të mund të frymëzoheni për të krijuar revistën e shkollës suaj.

 

Aty do të gjeni revista që janë krijuar nga nxënës të shkollës fillore, të shkollës së mesme, në kuadër të disa projekteve në shkollat e tyre, në klasë ose në grupe. Mund ta integroni projektin e juaj dhe të gjeni aksionet edukative që kryhen nga Madmagz.

 

Shembull : Nxënësit e klasës së katërt kanë treguar historinë e të Mjerëve në një revistë interaktive dhe bashkëpunuese, duke u fokusuar në këtë temë dhe në jetën e autorit, Victor Hugo. Nxënësit kanë shtuar zërin, video (kur shtoni video në revistën tuaj, mund t’i lexoni në formatin “tablet”). Ata kanë vënë edhe një link drejt faqes web të shkollës së tyre.

 

 

PËR MË SHUMË

https://madmagz.com/ faqja web Madmagz

https://madmagz.com/faq Frequently asked questions