DOKUMENTI N°17 (SHTOJCË) – UDHËZUES I APLIKACIONIT MADMAGZ

KRIJIMI I NJË REVISTE ONLINE ME MADMAGZ

 

1 – Identifikohuni (në Facebook, Google ose identifikues të llogarisë suaj Madmagz).

2 – Zgjidhni modelin që i përshtatet më së miri projektit tuaj editorial. Për të zgjedhur modelin më të mirë, shihni paraprakisht modelet e propozuara.

3 – Vendosini revistës suaj një titull, një numër dhe një temë.

4 – Nëse dëshironi të realizoni revistën tuaj në ekipe, ndani detyrat e secilit anëtar të projektit. Janë të mundshme disa role, me më pak ose më shumë të drejta: «super kryeredaktori», «kryeredaktori», «redaktori».

5 – Shtoni faqet e revistës suaj (4 faqe minimum). Gjatë kësaj etape, përzgjidhni rubrikat e faqes sipas planit editorial të projektit tuaj (kopertina, tabela e përmbajtjes, editoriali, artikujt).

6 – Vendosni llojet e ndryshme të përmbajtjes në faqet përkatëse (tekstet, linqet, imazhet, videot, podcast-et).

7 – Publikoni revistën tuaj (veprim i pakthyeshëm). Mund të bëhet një shikim paraprak (preview) online ose të shkarkohet një pdf para se të miratohet versioni përfundimtar i revistës.

8. Shpërndajeni revistën e juaj përmes një linku, përmes emailit ose në rrjetet sociale!

 

FAQOSJA DHE INTEGRIMI I PËRMBJATJES SUAJ

 

Për ta faqosur revistën, shkoni te rubrikat që gjenden në anën e majtë të ekranit të cilat përmbajnë kategori të ndryshme të faqeve: kopertinë, përmbajtje, editorial, artikull…). Secila nga këto kategori ju ofron zgjedhje të shumta të faqosjes.

Ju mbetet të zgjidhni atë që doni ta përdorni dhe që i përshtatet më mirë përmbajtjes suaj!

Për të vendosur një dizajn, mjafton të bëhet zgjedhja e tij dhe të aprovohet. Gjatë krijimit të revistës suaj, do të mund të shtoni ose të hiqni faqe falë dritares «preview» e formuar nga një katror me viza, i cili ju mundëson t’i shihni të gjitha faqet e revistës. Pastaj, mjafton të zgjidhni butonin + ose – për të shtuar ose hequr një faqe.

Për të modifikuar një faqe, klikoni në tab-in që paraqet një faqe dhe një laps. Tab-i në formë shigjete ju mundësojnë të lëvizni faqet tuaja.

Për të edituar një faqe, klikoni tab-in i cili paraqet një faqe dhe një laps. Do të mundeni, kështu, të rregulloni elementet e ndryshëm të faqes tuaj: titullin, tekstin ose fotot, për shembull.

Klikoni në zonën që dëshironi të modifikoni (titulli ose teksti) që përmbi faqe të shfaqen mjetet për modifikim (bold, italic, nënvizim, renditje…). Mund të bëni edhe zoom për të përshtatur madhësinë e faqes suaj.

Kujdes, zonat e teksteve nuk mund të zgjerohen, prandaj nuk duhet të vihet tepër tekst sepse ai rrezikon të pritet.

Për ta modifikuar/shtuar një foto, klikoni mbi të. Keni dy mundësi zgjedhjeje: ju mund të zgjidhni një imazh nga kompjuteri i juaj ose ta shkarkoni një nga interneti (duke e kopjuar e pastaj duke e ngjitur linkun e fotografisë në anën e majtë), pastaj do ta aprovoni.

Pasi ta keni shtuar fotografinë, mund t’i rregulloni kuadrin. Piktogramet nën fotografi ju tregojnë nëse cilësia e imazhit e lejon një publikim në internet dhe/ose në letër. Për një rezultat më të mirë, duhen zgjedhur imazhe cilësore dhe me madhësi të mjaftueshme. Nëse dëshironi, mund të shtoni një imazh tjetër me cilësi më të mirë duke klikuar te «të ndërrohet imazhi», pastaj të aprovohet.

 

 

BASHKËPUNIMI: TEORI

 

Të shohim bashkë funksionimin e një opsioni shumë të pëlqyer nga përdoruesit tanë: bashkëpunimi. Të realizosh një revistë shkollore me Madmagz u jep mundësinë që të punoni vërtetë bashkë. Dhe për këtë, secili ka një rol me përgjegjësi të ndryshme.

 

Super kryeredaktori :

  • Krijon revistën prej llogarisë së tij.
  • Është i vetmi që mund ta publikojë revistën.
  • Ai mund të ftojë kryeredaktorë dhe redaktorë, por edhe të heqë bashkëpunëtorë. Por kujdes, nëse e largon një kryeredaktor, atëherë edhe ndihmës redaktorët do të largohen automatikisht nga bashkëpunimi, po ashtuedhe faqet e tyre!
  • Ai mund të shtojë faqe, t’i modifikojë, por edhe të modifikojë ose të heqë faqet e bashkëpunëtorëve.

 

Ai edhe mund të ftojë persona të tjerë që të bashkëpunojnë në revistën e vet, dy kategori personash në dy nivele të ndryshme: kryeredaktorët dhe redaktorët e thjeshtë – duke u dërguar linqe specifike bashkëpunimi.

 

Kryeredaktori:

  • Mund të krijojë faqe.
  • Mund të ftojë bashkëpunëtorë (redaktorë).
  • Mund t’i modifikojë dhe t’i heqë faqet e bashkëpunëtorëve të tij.
  • Mund t’ia dërgojë faqet e tij dhe ato të bashkëpunëtorëve superkryeredaktorit që ai t’i shtojë apo jo në revistë.

 

Redaktori :

  • Mund të ftohet nga kryeredaktori ose nga vetë superkryeredaktori.
  • Mund të shtojë ose të modifikojë faqe që mund t’ia dërgojë kryeredaktorit ose super kryeredaktorit, nëse ai e ka shtuar atë.

 

Pra kemi një strukturë hierarkike.

 

Në të njëjtën mënyrë, redaktorët ia dërgojnë faqet e tyre kryeredaktorëve të cilët ia dërgojnë super kryeredaktorit për miratim. Nëse kryeredaktori nuk është i kënaqur, ai mund t’ia kthejë redaktorit. Nëse superkryeredaktori ia ka dërguar drejtpërdrejtë një link bashkëpunimi një redaktori, ai mund t’ia dërgojë drejtpërdrejt faqet e tij.

 

Kur superkryeredaktori është i kënaqur, kur i ka verifikuar dhe aprovuar të gjitha faqet, ai mund t’i shtojë në revistë.

 

 

BASHKËPUNIMI NË PRAKTIKË

 

Gjatë këtyre minutave shpjegimi dhe demonstrimi ju do të mund t’u ndani bashkëpunëtorëve të ndryshëm të revistës rolet e redaktorëve dhe të kryeredaktorëve. Siç e pamë më herët, bashkëpunëtorët mund të kenë disa detyra dhe funksione: super kryeredaktorë, kryeredaktorë ose redaktorë.

 

Super kryeredaktori mund të ftojë një numër të pafund bashkëpunëtorësh në revistë. Këta do të mund të krijojnë faqet e tyre dhe t’ia dërgojnë bashkëpunëtorëve të tjerë.

 

Për të ftuar bashkëpunëtorë, ju mund të ndani njërin nga linqet e bashkëpunimit që ju është dhënë në fillim të realizimit të revistës suaj. Për këtë qëllim, duhet të klikoni në ikonën “Ftoj bashkëpunëtorë”.

 

(Bashkëpunëtorët ju mund t’i ftoni edhe gjatë editimit, falë një piktogrami të pranishëm në pamjen e përgjithshme të revistës, do t’i kthehemi më poshtë kësaj pike).

 

Rregullat e bashkëpunimit:

  • Bashkëpunëtorët që do të ftoni do të kenë akses në hapësirën e tyre për të krijuar faqe që mund t’jua dërgojnë për verifikim dhe që ju mund t’ua ktheni për modifikim.
  • Kur të mblidhen të gjitha faqet, super kryeredaktori mund ta publikojë revistën.
  • Mund të krijohet edhe një rol ndërmjetës, kryeredaktor, për të formuar nën-ekipe.

 

Në këtë rast ju jeni pronari. Duhet të klikoni tab-in «Kuptova», ju propozojmë që pastaj t’i menaxhoni bashkëpunëtorët tuaj.

 

Në këtë faqe, ju mundeni:

  • T’i dërgoni një link bashkëpunimi kryeredaktorit ose redaktorit dhe duke i kopjuar linqet që paraqiten dhe duke ua dërguar pastaj atyre.
  • Kur keni bashkëpunëtorë, ju mund t’u dërgoni faqe ose të hiqni bashkëpunëtorin me ndihmën e ikonës shigjetë dhe të shportës.

 

Tani të vihemi në vend të kryeredaktorit i cili pranon linkun. Ai duhet ta shënojë emrin e tij dhe të klikojë te «bashkëpunim».

 

Në hapësirën e tij, kryeredaktori :

  • nuk ka akses te revistën në tërësi.
  • Ai mund të krijojë faqe me modelin e krijuar nga superkryeredaktori dhe t’ia dërgojë.
  • Sapo faqja t’i jetë dërguar superkryeredaktorit, do të zhduket nga ndërfaqja e kryeredaktorit.

 

Si superkryeredaktor, ju i pranoni faqet dhe mund t’i konsultoni, t’i modifikoni, t’i hiqni ose t’i ktheni në rast nevoje për modifikim.

 

Për ta kthyer, duhet vetëm të zgjidhet faqja dhe të klikohet në tab-in e kthimit të faqes. Kur ajo të kthehet, faqja nuk del më në ndërfaqen e superkryeredaktorit, por te ajo e kryeredaktorit që do të mund ta modifikojë e pastaj ta dërgojë.

 

Për ta menaxhuar listën e bashkëpunëtorëve tuaj, duhet të klikoni te ikona që simbolizon tri persona.

 

Kryeredaktori mund të ftojë bashkëpunëtorë dhe t’i menaxhojë duke klikuar në ikonën poshtë majtas të ndërfaqes (përmbi butonin pauzë). I vetmi dallim është që kryeredaktori mund t’u dërgojë redaktorëve linqe të bashkëpunimit.

 

Redaktori do të mbërrijë në një kryefaqe ku do t’i kërkohet emri, ai pastaj do të ketë akses në hapësirën e tij dhe mund të krijojë faqe në të njëjtën mënyrë si u shpjegua më herët. Do t’i duhet t’ia dërgojë faqet e tij personit që e ka ftuar drejtpërdrejtë për miratim ose korrigjim.

 

Kur t’i ketë marrë, korrigjuar dhe miratuar të gjitha faqet, superkryeredaktori mund ta publikojë revistën.

 

PUBLIKIMI I REVISTËS

 

Më në fund erdhi koha e publikimit të revistës suaj!

Kur të finalizohet revista, mund ta publikoni. Por para kësaj, është e rëndësishme të bëhen disa verifikime:

  • mund të bëni një rishikim online të revistës suaj (ikona ‘sy’).
  • ose mund të shkarkoni në pdf HD me dukjen e revistës suaj (ikona ‘faqe’).
  • atëherë mund të verifikoni që teksti, imazhet, janë të pozicionuar mirë dhe të verifikoni cilësinë e imazheve.


Kujdes
:

  • Numri i përgjithshëm i faqeve duhet të jetë një shumëfish i numrit 4 dhe numri minimal i faqeve duhet të jetë baraz me 4. Nëse nuk e respektoni njërën nga këto dy rregulla, nuk mund ta publikoni revistën tuaj.
  • Publikimi i revistës është i pakthyeshëm.

Për ta publikuar revistën, duhet të shtypet «Publiko».

Para se ta publikoni revistën tuaj, mund të ndryshoni:

  • titullin
  • numrin

Mbetet vetëm të shtypet «publiko».

Urime, sapo krijuat revistën tuaj të parë Madmagz!


Mënyrat e publikimit:

 

Magazine Premium:

  • Kjo mënyrë e publikimit ju mundëson të shpërndani revistën tuaj me email me linkun e revistës online, por edhe në Facebook, Twitter ose ta fusni në faqen tuaj web ose në bllog falë kodit të integrimit i cili ndryshon varësisht nga faqosja që zgjidhni dhe nga madhësia në pixel e revistës suaj.
  • Pasi revista juaj të jetë publikuar, ju mund t’i shtoni interaksione: linqe, video, audio, gif-e, por edhe ta menaxhoni konfidencialitetin dhe të dini sa herë është konsultuar ajo!

 

PDF :

  • Kjo PDF është e përsosur për një lexim në ekran, por është i një cilësie të dobët në printim. PDF-ja është e disponueshme menjëherë pas blerjes duke klikuar në «shkarko».

 

PDF për printim

  • Është mënyra e rekomanduar e publikimit nëse dëshironi ta publikoni revistën me mjetet tuaja. Do të mund të zgjidhni në mes dy lloj printimesh: në shtëpi (në printerin tuaj) ose profesionale, te një shtypshkronjë (për një rezultat më të mirë).

 

 

FRYMËZIM DHE SHEMBULL

 

Gati e mbaruat punën! Ju ftojmë të vizitoni Bllogun e Madmagz Edu ku ka disa shembuj ku do të mund të frymëzoheni për të krijuar revistën e shkollës suaj.

 

Aty do të gjeni revista që janë krijuar nga nxënës të shkollës fillore, të shkollës së mesme, në kuadër të disa projekteve në shkollat e tyre, në klasë ose në grupe. Mund ta integroni projektin e juaj dhe të gjeni aksionet edukative që kryhen nga Madmagz.

 

Shembull : Nxënësit e klasës së katërt kanë treguar historinë e të Mjerëve në një revistë interaktive dhe bashkëpunuese, duke u fokusuar në këtë temë dhe në jetën e autorit, Victor Hugo. Nxënësit kanë shtuar zërin, video (kur shtoni video në revistën tuaj, mund t’i lexoni në formatin “tablet”). Ata kanë vënë edhe një link drejt faqes web të shkollës së tyre.

 

 

PËR MË SHUMË

https://madmagz.com/ faqja web Madmagz

https://madmagz.com/faq Frequently asked questions

AKTIVITETE PRAKTIKE ONLINE

PREZANTIM

 

Dokumenti vijues do t’ju udhëheq në animimin e aktiviteteve praktike online rreth edukimit për media. Këto aktivitete janë në anglisht.

Ju keni mundësi t’i udhëhiqni këto aktivitete përmes një videokonference, me një kohë për prezantimin e ushtrimeve, një kohë për praktikë dhe pastaj një kohë për raportime dhe debat virtual me të gjithë pjesëmarrësit.

 

Ju gjithashtu mund t’ua dërgoni linqet e ushtrimeve të rinjëve, si “detyrë shtëpie” që duhet të kryhet në kompjuter.

 

 

KUIZ ONLINE – TË DIHET TË IDENTIFIKOHEN FAKE NEWS-at

 

Kuizet online në vijim do t’i familjarizojnë pjesëmarrësit me metodën e verifikimit të fakteve. Ata ftohen të vlerësojnë nëse ndonjë artikull ose imazh është një informacion i verifikuar ose një lajm i rrejshëm. Ushtrimi i UNICEF-it i kushtohet posaçërisht luftës kundër manipulimit të informacionit rreth koronavirusit.

 

Kuiz online të ABC EDUCATION

“Real, LOLZ, oops or fake” – linku

Kuiz online të QUIZIZZ
“Media literacy and fake news” – linku

Kuiz online të FACTITIOUS
“E vërtetë apo e rrejshme : testoji shkathtësitë e tua si fact-checker përmes 6 niveleve ” – linku

 

Kuiz online të UNICEF-it :
“Fakte ose fiksion : vlerësojini njohuritë e juaj për sëmundjen e shkaktuar nga coronavirusi ”- linku

 

 

DEBATE RRETH PODCASTEVE TË “ON THE MEDIA”

 

ON THE MEDIA ka krijuar një seri podcast-esh që adresojnë çështjen e mediave, të informacionit dhe të lajmeve të rrejshme. Ne kemi zgjedhur 3 episode të cilat kanë një dimension pedagogjik veçanërisht interesant. Ju mund t’i ftoni studentët tuaj të dëgjojnë këto podcast, pastaj të nxitni debate online rreth shembujve konkret të teorive të konspiracionit, të urrejtjes online ose fushatave të dezinformimit.

 

Podcast 1 :
“Teoritë e komplotit bëjnë boom në Facebook” – linku

Podcast 2 :
“Konspiracionizëm dhe ksenofobi në mediat polake” – linku

Podcast 3 :
“Fushatat e dezinformimit rreth koronavirusit” – linku

 

 

ESCAPE GAME – LOJËRA IMERSIVE ONLINE RRETH EMI

 

Në mënyrë që t’i jepni një dimension konkret trajnimit në edukimin për media, ftojini studentët tuaj të bëhen vetë prodhues informacionesh ose të fake newsave përmes këtyre dy lojërave imersive online.

 

Bëhu reporter i ri i BBC-së

“Ireporter Game for students” – linku

Detyra e juaj si reporter i BBC-së është të mbuloni një lajm të minutës së fundit duke postuar historinë tuaj në faqen “BBC Live“. Historia juaj do të gjykohet mbi ekuilibrin midis saktësisë, impaktit dhe shpejtësisë.

 

Bëhu krijues i fake news-ave me FAKE IT TO MAKE IT

Lojë immersive online – link

Fake it to make it është një simulator i uebsajteve të lajmeve të rrejshme, i cili tregon pse dhe si manipulohen njerëzit. Lojtari luan aty rolin e një studenti i cili dëshiron të mbush fondet e tij me lehtësi në sajë të një uebsajti informacionesh të rrejshme, falë fitimit përmes reklamave dhe ndarjes në grupe (false) në rrjetet sociale.

 

 

AKTIVITETE ONLINE NË PLATFORMËN TALMIL

 

Seksioni për të rinjtë i platformës TALMIL ofron aktivitete praktike online, në mënyrë që të përcjellin nxënësit në mënyrë argëtuese në mësimin e koncepteve kryesore të edukimit për media.

 

Kuiz online :
“ Testoji njohuritë e tua për mediat dhe informimin!” – linku

 

Kuiz online :
“Info apo infox : a do të jesh në gjendje të identifikosh informacionin e vërtetë?” – linku

 

Aktivitete praktike online :
“ Bëhem reporter praktikant ” – linku

AKTIVITETI 2 – DEBATI LËVIZËS

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

‘Debati lëvizës’ u mundëson pjesëmarrëseve të vendosen në sallë sipas një pyetje të ngritur nga trajneri. Ky ushtrim është interesant sepse inkurajon pjesëmarrësit që të angazhohen dhe të jenë dinamikë.

 

Qëllimi i ushtrimit është të inkurajojë të rinjtë të reflektojnë rreth praktikave të tyre digjitale dhe rreth së drejtës në Internet.

 

Vërejtje: Pyetja nuk duhet t’i polarizojë dhe t’i ndajë pjesëmarrësit domosdoshmërish, do të shihet se pjesëmarrësit nuk mund të deklarohen për shumë pyetje.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI 

 

1. Përgatitja e sallës: Të rinjtë vendosen vetëm në një grup.

 

2. Duke përdorur një mjet vizual (PowerPoint projektohet në një ekran ose në një mur të bardhë), trajneri tregon një postim kontradiktor në një rrjet social (për shembull, një postim me një koment fyes nga një përdorues i internetit) dhe u kërkon pjesëmarrësve të pozicionohen fizikisht në sallë, duke thënë: «ata që mendojnë se kemi të drejtë ta bëjmë këtë gjë le të vendosen në njërën anë, ata që mendojnë se nuk kemi të drejtë, në anën tjetër». Askush nuk mund të qëndrojë në mes.

 

3. Pjesëmarrësit shkojnë në vendet e tyre.

 

4. Kur pjesëmarrësit të jenë pozicionuar, duhet të arsyetojnë dhe të shpjegojnë pozicionet e tyre, mbi bazë vullnetare ose me mjete të tjera të të shprehurit (duke kaluar një top për shembull). Kur njëra palë ta ketë dhënë një argument, është radha e palës tjetër të argumentojë. Nëse një argument i palës së kundërt konsiderohet i vlefshëm nga një pjesëmarrës, ai mund të ndryshojë anën.

 

5. Në fund të debatit dhe të shpjegimeve, do të propozohet një pyetje tjetër dhe pjesëmarrësit do të lëvizin, deri në fund të ushtrimit.

 

 

SHTOJCË

 

Shembull i një postimi përçarës dhe kontradiktor

Oulala ! @Oulala08514297 – 19 gusht 2019

Ligji i Kuranit ka përparësi mbi ligjin e republikës.

Kështu që Islami është i papërshtatshëm me demokracinë dhe republikën!

Ky sekt vdekjeprurës duhet të ndalohet në Francë, si në Slloveni ose në Kinë! “

 

AKTIVITETI 1 – Tabela e Praktikave të Mira online

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Qëllimet:

  • Të analizohen disa praktika që mund të përdoren online
  • Të inkurajohet qytetaria digjitale pozitive dhe e respektueshme
  • Të ushtrohet dialogu dhe argumentimi i opinionit tonë

 

Ushtrimi përbëhet nga një tabelë që duhet të plotësohet nga pjesëmarrësit dhe nga një listë e disa sjelljeve të mundshme në internet. Pjesëmarrësit duhet t’i klasifikojnë këto praktika/sjellje në ato që i konsiderojnë si praktika të mira ose të këqija.

 

Për më tepër, dialogu dhe argumentimi janë të domosdoshëm për ta kryer këtë aktivitet: prandaj, kërkohet prej pjesëmarrëseve që ta arsyetojnë zgjedhjen e tyre. Ky qëllim i fundit i dialogut arrihet në mënyrë më efikase me caktimin e një raportuesi për secilin grup, duke i inkurajuar pjesëmarrësit të arrijnë një mirëkuptim dhe të konsultohen me njëri-tjetrin përpara se të japin një përgjigje përfundimtare.

 

Variant i ushtrimit: Nëse në sallë nuk ka kompjuter ose tabelë, mund të printoni formularin e praktikave të mira në disa kopje, duke lënë në dispozicion shumë rubrika, në mënyrë që pjesëmarrësit t’i plotësojnë hap pas hapi, pas çdo propozimi.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI 

 

1. Përgatitja e sallës: Të rinjtë ndahen në dy ose tri grupe dhe u prezantohet dokumenti i Praktikave të Mira në tabelë me video projektor (ose në letër).

2. Pjesëmarrëseve u propozohen një nga një këta shembuj të cilët do t’i klasifikojnë:

  • Raportohet një koment urrejtjeje ose i dhunshëm nën një postim.
  • Pranohet kushdo në listën e miqve.
  • Bllokohet një përdorues në një rrjet social.
  • Debatohet me një person fyes në komentet e një videoje.
  • Jepen adresa ose informacione personale.
  • Postohet një foto e miqve tuaj pa i pyetur.
  • Përdoret i njëjti fjalëkalim për të gjitha rrjetet sociale.

3. Çdo përgjigje do të argumentohet nga grupet dhe do të hapë një mini-debat bazuar në reflektimet në vazhdim: Liria e shprehjes, moderimi i përmbajtjes urrejtëse, konspiracionizmi, shpifjet, (shih “DOKUMENTI 14 – QYTETARIA DIGJITALE” dhe “DOKUMENTI 12 – Sensibilizimi kundër urrejtjes online”).

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

Pjesëmarrësit mund ta plotësojnë këtë tabelë në distancë, duke ua dërguar tabelën dhe duke u dhënë shembuj të propozimeve që do të shënohen në tabelë.

 

SHTOJCË

 

Shembull i tabelës të praktikave të mira online:

 

Praktika të mira online

Praktika të këqija online

   
   
   
   

 

AKTIVITETI 2 – Animimi i një fushate sociale online

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Qëllimet:

  • Përvetësimi i mjeteve të informimit dhe të komunikimit
  • Përdorimi i rrjeteve sociale për fushata sociale
  • Zhvillimi i mendimit kritik

 

Qëllimi i këtij ushtrimi është krijimi i një fushate sociale online nga pjesëmarrësit. Pasi të kenë zgjedhur temat që do të trajtohen (p.sh. çështje lokale që kanë të bëjnë me lagjen), si dhe një rrjet social përmes të cilit do të transmetohet përmbajtja e fushatës së tyre sociale, të rinjtë duhet të promovojnë një kauzë duke zgjedhur imazhet dhe fjalitë më të përshtatshme. Atëherë, përmbajtja e mediumit duhet të transmetohet në atë rrjet social.

 

Përkufizim :

Një fushatë sociale online mund të përcaktohet nga përdorimi i mjeteve të komunikimit dhe të marketingut në rrjetet sociale për të mbuluar një çështje sociale (mjedisi, feminizmi, racizmi, varfëria, etj.). Qëllimi i saj është promovimi i vlerave të caktuara, mobilizimi ose alarmimi i individëve, veçanërisht i përdoruesve të internetit, për çështje të rëndësishme shoqërore, apo edhe krijimi i një lëvizjeje (p.sh .: MeToo, Black Lives Matters, lëvizja serbe #1of5 milion, etj.).

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

  1. Përgatitja: Trajnerët, së bashku me të rinjtë, zgjedhin tema që do t’i trajtojnë në fushatat e tyre sociale në rrjetet sociale.
  2. Shpërndarja: Pasi të jenë zgjedhur temat, trajnerët formojnë disa grupe (varësisht nga numri i pjesëmarrësve). Secili grup punon mbi një temë dhe zgjedh rrjetin më të përshtatshëm social për ta animuar fushatën e tij.
  3. Kërkimi i informacionit: Në mënyrë që të krijohet një fushatë sociale efektive, pjesëmarrësit duhet të mbledhin informata mbi temat e zgjedhura në mënyrë që t’i kuptojnë çështjet dhe të prodhojnë/shpërndajnë mesazhin e duhur për ta mbështetur atë kauzë.
  4. Strategjia e komunikimit: Pjesëmarrësit duhet të mendojnë për strategjinë më të mirë online që duhet implementuar për ta përhapur mesazhin e tyre:

    – Identifikimi i audiencës së synuar (të rinj, të rritur, burra, gra etj.)
    – Zgjedhja e rrjetit të duhur social (p.sh .: Instagram për imazhin dhe Twitter/Facebook për videon dhe tekstin)
    – Lloji i mesazhit (tregim personal, humor, numra, mini-reportazh etj.)
    – Forma e mesazhit (fotografi, tekst, grafikë kompjuterike, video etj.)
    – Përdorimi i fjalëve të duhura ose “hashtag” në mënyrë që postimi të shpërndahet gjerësisht

  5. Ku do të shpërndahet fushata: Pjesëmarrësit mund të zgjedhin ta fillojnë fushatën e tyre duke e postuar përmbajtjen e tyre në llogaritë e veta personale ose të krijojnë një llogari specifike për fushatën.

AKTIVITETI 1 – Zbuloj një media qytetare

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Në këtë ushtrim, pjesëmarrësit trajtojnë temën e medias qytetare. Ata duhet t’i kuptojnë në mënyrë personale – por gjithmonë nën mbikëqyrjen e trajnerëve- ndryshimet dhe ngjashmëritë midis mediave tradicionale dhe mediave qytetare. Për këtë qëllim, ata duhet të krahasojnë në grupe disa lloje të mediave.

 

Secili grup duhet të lexojë dhe të analizojë një medium që trajnerët do t’ua sigurojnë (një gazetë ditore ose një link interneti të një edicion lajmesh, një faqe në internet, një blog, etj.). Nëse grupit të parë do t’i caktohet një media tradicionale (p.sh. një gazetë ditore), atëherë grupi i dytë do të analizojë një media qytetare (p.sh. një blog).

 

Pjesëmarrësit kanë të drejtë të bëjnë kërkime të shpejta në internet me kompjuter (por edhe me telefonat celularë të tyre).

 

Qëllimi i ushtrimit është që të dy grupet të bashkëpunojnë duke u përpjekur të përcaktojnë së bashku një përkufizim të mediave qytetare.

 

Pastaj trajnerët do të jenë në gjendje të thellohen më shumë në temën e mediave qytetare dhe të ndikimit të tyre në botën e informimit.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI ?

 

  1. Përgatitja e sallës : Pjesëmarrësit ndahen në grupe nëpër kompjutera.
  2. Pjesëmarrësit do të analizojnë mjetin që përdoret nga mediumi i propozuar (gazetë e shtypur; një edicion i lajmeve, një faqe web lajmesh, një blog, etj.).
  3. Pjesëmarrësit u përgjigjen disa pyetjeve.

    P.sh. : «përshkruani mediumin: a janë të nënshkruar artikujt? Nga kush? Çfarë informacionesh mund të gjeni? Si trajtohen ato? Cilit informacion i jepet përparësi? A ka reklama? Cilat? Në çfarë mënyre adresohet lajmi (analizoni titullin, tekstet, imazhet, etj.)? »

  4. Analiza kolektive e elementeve të identifikuara dhe krijimi i një përkufizimi të përbashkët bazuar në propozimet e pjesëmarrësve. Duke u nisur nga përgjigjet e pyetjeve, trajneri mund të fillojë të flasë për “media qytetare”.

 

NB – Përkufizim: Këto janë media, domethënë mjete (radio, TV, internet, etj.) përmes të cilave lajmi përcillet te një audiencë e gjerë. Në të njëjtën kohë, përdoret mbiemri “qytetare”, ngaqë autorët e këtyre artikujve dhe këtyre sondazheve nuk janë gazetarë profesionistë, por qytetarë të zakonshëm, qëllimi i të cilëve është të animojnë debate për çështje specifike ose probleme që kanë të bëjnë me shoqërinë në tërësi.

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Trajneri ua dërgon të rinjve linkun ZOOM (ose në një platformë tjetër).
  2. Pasi të jenë mbledhur, të rinjtë ndahen në “grupe virtuale” dhe u caktohen mediat që duhen deshifruar (duke u dërguar një link të internetit).
  3. Të rinjtë mund të diskutojnë në lidhje me to falë sistemit të “sallave të ndara” që mundëson, për shembull, platforma e videokonferencës ZOOM.
  4. Trajneri dërgon linkun e pyetësorit (të cilin mund ta krijojë online, për shembull në faqen web https://www.dragnsurvey.com/en). Të rinjtë i përgjigjen pyetësorit, në mënyrë grupore.
  5. Analiza do të organizohet përmes platformës së videokonferencës. Trajneri mund të përdorë një faqe web “post it online” për të rikrijuar efektin tabelë (p.sh. https://note.ly/) dhe pastaj të moderojë debatin.

AKTIVITETI 2 – Analiza e një videoje konspiracioniste

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Qëllimi i këtij ushtrimi është identifikimi në mënyrë kolektive i “mjeteve” të përdorura nga konspiracionistët (zbulimi i një “misteri”, retorika, analiza e detajeve), si dhe identifikimi i mekanizmave audiovizuale të videove konspirative (muzikë e frikshme, zë robotësh, montazhi i orientuar, analiza e simboleve, etj.).

 

Preferohet që, paraprakisht, të zgjidhet një video në të cilën mund të gjejmë elemente dhe argumente konspirative të identifikueshme qartë në mënyrë që ta bëjmë ushtrimin më të kuptueshëm.

 

Në vijim janë dhënë disa nga elementet që duhet identifikuar në video:

 

1. Një atmosferë shqetësuese: shpesh vërejmë praninë e një zëri roboti ose zëri misterioz të shoqëruar me muzikë të frikshme (atmosfera e filmave horror, për shembull).

 

2. Efektet speciale: njësoj si atmosfera zanore, edhe efektet vizuale si vizatimet, fotomontazhet ose “morphing”-u (transformimi i një fytyre) mund ta përmbledhin në mënyrë personale teorinë dhe ta bëjnë atë të thjeshtë dhe të paharrueshme.

 

3. Një strukturë e mirë dhe një montazh i mirë i videos: realizimi, shpesh, ndjek një logjikë të caktuar, për shembull, fillon me elementin historik për të dhënë një përmasë shkencore. Përveç kësaj, edhe montazhi (renditja e imazheve) është me shumë interes.

 

4. Citate nga artikuj ose deklarata: për të dekontekstualizuar fjalitë e një artikulli, një reportazhi ose të thënat e një individi (politik, shkencor, etj.) dhe për t’i shërbyer kështu interesave të teorisë që duhet demonstruar.

 

5. Elemente të vërteta që mund të befasojnë: në këtë rast, nuk bëhet fjalë për dekontekstualizimin e një fakti ose një fjalimi, por për përdorimin e një fakti ose një imazhi të vërtetë, sikurse, për shembull, imazhe ose video të maceve që kanë një sjellje të çuditshme.

 

6. Elemente të pasigurta ose plotësisht të rreme: në mesin e pseudo-provave të teorisë së paraqitur, mund të futen disa elemente të trilluara, shumë të pasigurta ose të paprovuara në demonstrimin e teorisë duke forcuar kështu efektin e “mbërthimit argumentues”.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI 

 

1. Para ushtrimit, gjeni një video konspirative në lidhje me një temë aktuale ose një çështje specifike (sulmet, rendi i ri botëror, epidemitë, etj.).

 

2. Përgatitja e sallës: Pjesëmarrësit vendosen përballë tabelës ose ekranit. Videoja transmetohet me anë të një videoprojektori. Pjesëmarrësit udhëzohen të shkruajnë elementet e përdorura në video për të bindur shikuesit dhe të identifikojnë mesazhin kryesor të videos (identifikohen mjetet, forma e videos dhe kuptimi, përmbajtja).

 

3. Mbajtja e shënimeve: Pjesëmarrësit ftohen më pas të mbajnë shënime ndërsa shikojnë videon për t’i raportuar komentet dhe përshtypjet e tyre në fund.

 

4. Analiza kolektive: Pyesni pjesëmarrësit se çfarë elementesh kanë vërejtur dhe tregojuni elementet që ndoshta nuk i kanë parë. Në këtë fazë, diskutimi mund të zgjerohet duke iu referuiar videove që pjesëmarrësit zakonisht shohin në internet: A kanë parë ndonjëherë një video të tillë? Për çfarë temash? A janë bindur nga kjo video? A ishte videoja e drejtuar ndaj një komuniteti të veçantë, cilin armik paraqiste? (Politikat? Bankat? Etj.).

 

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Ky ushtrim mund të realizohet edhe në distancë. Trajnerët dërgojnë me email para seancës videon ose linkun e videos konspirative.
  2. Trajnerët dërgojnë linkun e videokonferencës ZOOM (ose të një platforme tjetër).
  3. Të rinjtë mund të punojnë në distancë përmes Google Drive, Framapad, etj. për të shënuar elementet më të rëndësishëm.
  4. Analiza do të organizohet përmes platformës së konferencës në distancë. Trajneri mund të përdorë një faqe “post it online” për të rikrijuar një efekt tabele (p.sh. https://note.ly/) dhe për të shënuar komentet e të rinjve. Ai pastaj mund të moderojë debatin.

AKTIVITETI 1 – Telefoni i prishur

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

“Telefoni i prishur” është një aktivitet në të cilin pjesëmarrësit luajnë dhe vërejnë së bashku deformimet që një fjalim ose një ngjarje mund të pësojë përmes shpërndarjes dhe transmetimit, në rrjetet sociale si dhe në jetën e përditshme. Ky ushtrim bën të mundur adresimin e çështjes së deformimit të opinioneve që qarkullojnë në internet dhe shpjegimin e këtyre deformimeve, si dhe pasojat që ato mund të shkaktojnë, veçanërisht nëse këto opinione u drejtohen drejtpërdrejt njerëzve ose një komuniteti.

 

Fillimisht, një person trillon një tregim, e pëshpërit atë në veshin e fqinjit të tij, i cili bën të njëjtën gjë, e kështu me radhë, derisa të gjithë pjesëmarrësit të kenë dëgjuar dhe formuluar versionin e tyre të tregimit.

 

Gjatë një debati në fund të ushtrimit, trajnerët do të jenë në gjendje të adresojnë çështjen e interpretimit dhe paragjykimeve subjektive në shpërndarjen e informacionit.

 

Variantet e ushtrimit:

Pjesëmarrësit të parë mund t’i jepet një fotografi, një imazh ose një video e shkurtër, në mënyrë që ai t’i tregojë fqinjit të tij atë që sheh, ndërsa tjetri nuk e sheh imazhin pastaj ia tregon informacionin pjesëmarrësit tjetër dhe kështu me radhë. Në fund të ushtrimit, imazhi fillestar do t’i zbulohet grupit dhe do të analizohen ndryshimet që ka pësuar.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

1. Përgatitja e aktivitetit: Trajnerët duhet së pari të përgatisin një ose më shumë tregime për ‘telefonin e prishur’, ose të gjejnë fotografi që ilustrojnë një veprim ose një ngjarje në mënyrë që të ketë sa më shumë elemente për t’u marrë në konsideratë. Kompleksiteti i tregimit ose imazhit do ta bëjë ushtrimin më të vështirë.

 

2. Fillimi i lojës: Trajnerët japin udhëzimet dhe i tregojnë versionin e tyre të tregimit personit të parë, ose i tregojnë atij imazhin e zgjedhur

 

3. Organizimi: Fillimisht, pjesëmarrësit janë ulur dhe formojnë një rreth të madh. Pjesëmarrësi i parë e pëshpërit tregimin e tij (ose përshkruan një foto) në veshin e personit që është i ulur në anën e djathtë të tij. Ky i fundit pëshpërit versionin e tij në veshin e personit që është i ulur pranë tij derisa të gjithë ta kenë dëgjuar tregimin. Personi i fundit përsërit atë që ka dëgjuar me zë të lartë. Kështu që grupi krahason këtë version me atë që u tha nga personi i parë që filloi historinë duke trajtuar ndryshimet.

 

4. Analiza e përbashkët /debati kolektiv përmes përgjigjeve të pyetjeve (të shkruara në tabelë): Në çfarë mënyre ndryshoi historia pasi u tregua disa herë? Çfarë ndikon në mënyrën se si e dëgjojmë dhe interpretojmë lajmin? Si ndikojnë përvojat dhe interesat tona në opinionet tona? A ndodh ndonjëherë që njerëzit të dëgjojnë disa interpretime të ndryshme të së njëjtës histori dhe të fillojnë të pyesin se cili version është më i saktë? Nëse secili sheh dhe dëgjon gjithçka me pak ndryshime, në çfarë mënyr mund të kuptohet se cila histori është e saktë? Si ndiheni për ndryshimet që ka pësuar tregimi? Krahasoni ndjenjën e personit që nisi historinë me ndjenjën e pjesës tjetër të grupit. Po sikur ky tregim të jetë një histori personale dhe kuptimi i historisë të jetë modifikuar? A do të ishit të gatshëm të ndani historinë e këtij aktiviteti në internet?

AKTIVITETI 3 – “Heronjtë kombëtar” nëpër imazhe

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Qëllimet:

  • Të vetëdijesohemi për shumëllojshmërinë e këndvështrimeve në lidhje me ngjarjet e përbashkëta historike, si dhe perceptimet e ndryshme që kemi për figurat e mëdha politike të lidhura me to.
  • Të kemi një vështrim më kritik të historisë sonë kombëtare.

Pas këtij ushtrimi mund të bëhet një debat dhe një shkëmbim mbi mitet kombëtare dhe personalitetet që i përbëjnë ato.

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI 

 

1. Përgatitja e sallës: pjesëmarrësit në trajnim do të ndahen në grupe (sipas numrit të pjesëmarrëseve).

 

2. Pasi të jenë ndarë në grupe, pjesëmarrësit duhet të zgjedhin në mënyrë grupore se cilat figura ose politikanë kombëtarë historikë i konsiderojnë “heronj” ose të rëndësishëm dhe të shpjegojnë pse i vlerësojnë lart dhe krenohen me ta. Kjo pjesë e parë mund të zgjasë 10 deri në 20 minuta dhe pjesëmarrësit mund të zgjedhin një numër të pakufizuar personalitetesh.

 

3. Në rast nevoje, dhe nëse salla është e pajisur si duhet, pjesëmarrësit mund të përdorin kompjutera ose telefona celularë për të mbledhur të dhëna ose për t’i vendosur personalitetet e zgjedhura në kontekstin e duhur historik.

 

4. Pasi t’i kenë zgjedhur “heronjtë”, grupet ua prezantojnë të tjerëve listat e tyre dhe trajneri shënon emrat në tabelë, duke nënvizuar emrat që përmenden më shpesh.

 

5. Pjesa tjetër e ushtrimit përbëhet nga një fazë pyetjesh që duhet t’u drejtohet pjesëmarrësve. Në vijim janë dhënë disa shembuj të pyetjeve:

 

• A është befasuar dikush nga heronjtë e përmendur? Pse?

• A i njeh ndonjë nga ju të gjithë heronjtë e përmendur?

• Për cilat arsye njihen më së shpeshti heronjtë kombëtarë? Cilat vlera njerëzore i përfaqësojnë ata?

• Çfarë na shtyn t’i pëlqejmë disa heronj e jo të tjerë? Ku kemi mësuar t’i respektojmë ata dhe pse? A mendoni se, nëse ata do të jetonin ende sot, veprimet dhe vlerat e tyre do t’i shndërronin në heronj?

• A mendoni se heronjtë e përmendur janë universalë? A mendoni se të gjithë i konsideruan si heronj?

Këto pyetje duhet të hapin debatin me pjesëmarrësit.

 

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Trajneri krijon një link në platformën e videokonferencave ZOOM dhe ua dërgon të rinjve (trajneri mund të përdorë një tjetër platformë të cilën e njeh).
  2. Pasi të jenë mbledhur në të njëjtën “sallë virtuale”, të rinjtë ndahen në grupe nga trajneri (varësisht nga numri i pjesëmarrësve).
  3. Pjesëmarrësit duhet të zgjedhin në mënyrë grupore se cilat figura ose politikanë kombëtarë historikë i konsiderojnë “heronj” ose të rëndësishëm dhe të shpjegojnë pse i vlerësojnë dhe krenohen me ta. Kjo pjesë e parë mund të zgjasë 10 deri në 20 minuta dhe pjesëmarrësit mund të zgjedhin një numër të pakufizuar personalitetesh.
  4. Pasi të jenë zgjedhur “heronjtë”, grupet u paraqesin të tjerëve listën e tyre dhe trajneri shënon emrat në tabelë virtuale (ex. https://awwapp.com/# ), duke nënvizuar emrat që përmenden më shpesh.
  5. Grupet largohen nga videokonferenca kryesore dhe hyjnë në “sallat private” në ZOOM.
  6. Pjesa tjetër e ushtrimit përbëhet nga një fazë pyetjesh që duhet t’u drejtohen pjesëmarrësve. Në vijim janë dhënë disa shembuj:

    • A është befasuar dikush nga heronjtë e përmendur? Pse?
    • A i njeh ndonjë nga ju të gjithë heronjtë e përmendur?
    • Për cilat arsye njihen më shpesh heronjtë kombëtarë? Cilat vlera njerëzore përfaqësojnë ata?
    • Çfarë na shtyn të pëlqejmë disa heronj e jo të tjerë? Ku kemi mësuar t’i respektojmë ata dhe pse? A mendoni se nëse ata do të jetonin ende sot, veprimet dhe vlerat e tyre do t’i shndërronin në heronj?
    • A mendoni se heronjtë e përmendur janë universalë? A mendoni se të gjithë i konsideruan si heronj?

    Këto pyetje mund t’u dërgohen përmes një linku Framapad dy grupeve që takohen në «sallat private» në ZOOM.

  7. Prej këtij momenti, pjesëmarrësit duhet të bëjnë kërkime në internet për të mbledhur të dhëna ose për t’i vendosur personalitetet e zgjedhura në kontekstin e duhur historik.
  8. Pasi grupet t’i kenë përfunduar kërkimet e tyre dhe t’u jenë përgjigjur pyetjeve, ata shkojnë në “sallën kryesore” për ta filluar fazën e analizës. Trajneri mund të përdorë një faqe ” post it online ” për të rikrijuar një efekt tabele (ex. https://note.ly/) dhe për ta shfaqur atë drejtpërdrejt për të gjithë pjesëmarrësit përmes sistemit të ndarjes së ekranit.

AKTIVITETI 2 – SECILA FOTOGRAFI TREGON NJË RRËFIM

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Qëllimi: T’u tregojmë pjesëmarrëseve në trajnim se perceptimet tona janë të deformuara dhe ndikohen nga përvojat tona të mëparshme, nga pritjet tona, kultura jonë, etj., dhe se perceptimet që kemi për të tjerët ndikojnë në interpretimin tonë të sjelljeve të tyre.

 

Ushtrimi zhvillohet në disa faza. Fillimisht, trajneri u jep pjesëmarrësve fotografi të prera në gjysmë. Pastaj, pjesëmarrësve u kërkohet t’i “plotësojnë” fotot përmes informacionit që ata mund të nxjerrin nga imazhi në fjalë. Në këtë rikonstruktim do të ndikojnë perceptimet dhe mënyra se si ata i shikojnë të tjerët.

 

Pasi trajneri t’ua ketë treguar fotografinë të rinjve, së bashku do të identifikojnë elementet që janë përsëritur në historitë e tyre. Pasi t’i ketë shënuar këto elemente në tabelë, trajneri mund të fillojë një debat rreth stereotipeve dhe paragjykimeve, si dhe rreth rolit të miteve në mënyrën se si bashkëveprojmë me të tjerët.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI 

 

1. Trajnerët i japin çdo pjesëmarrësi nga një fotografi të ndarë në dy pjesë.

 

2. Pjesëmarrësit duhet të “plotësojnë” historinë e identifikuar nga gjysma e parë e fotos së prerë. Ata kanë 5 minuta kohë për ta shkruar tregimin.

 

3. Pjesëmarrësit duhet t’ia tregojnë të tjerëve atë që kanë shkruar. Nëse grupi është i madh, trajnerët mund të krijojnë grupe të vogla me 6-8 persona.

 

4. Trajneri tregon gjysmën e dytë të fotos dhe u kërkon pjesëmarrësve të rishikojnë përshtypjet e tyre.

 

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Trajneri përgatit ushtrimin paraprakisht dhe zgjedh foton. Fotoja e prerë duhet të mundësojë, pasi të rikonstruktohet, zbulimin e një realiteti më kompleks se ai që mund të tregojë fotografia jo e plotë.
  2. Trajneri ua dërgon të rinjve me email foton. Ai u dërgon edhe udhëzimet e ushtrimit si dhe linkun ZOOM (ose një platformë tjetër) për videokonferencën.
  3. Trajneri i ndan në grupe të rinjtë të mbledhur në videokonferencë.
  4. Secili grup punon në një platformë shkrimi si Google Drive, Framapad, etj. Të rinjtë duhet ta “plotësojnë” tregimin e identifikuar nga gjysma e parë e fotos së prerë. Ata kanë 5 minuta kohë për të shkruar historinë.
  5. Analizë: Trajneri mund të përdorë një faqe “post it online ” për të rikrijuar një efekt tabele (p.sh. https://note.ly/) për të shënuar elementet që dalin nga historitë e ndryshme. Ai, pastaj mund të moderojë debatin.

 

 

SHTOJCË : SHEMBULL I NJË FOTOGRAFIJE TË PRERË

 

 

Pjesëmarrësit në trajnim duhet ta “plotësojnë” foton me informacionet që mund të nxjerrin nga imazhi.

 

Këtu fotoja e plotë:

 

 

Fjala është për Gisèle Marie Rocha, muslimane braziliane që i bie kitarës në një grup heavy metal.