Author Archives: philippe.morlhon@mouvement-up.fr

KAPITULLI 15 – ANIMOJ NJË WORKSHOP INKUBIMI NË MEDIA

Si të filloni

 

  1. Hapat e parë
    Hapi i parë është krijimi i një ekipi me njerëz shumë të motivuar i cili do të punojë për të nisur projektin dhe për ta realizuar atë. Ky ekip është “bërthama e fortë” e stafit të redaksisë. Mund të afroni edhe bashkëpunëtorë të rastit ose të rregullt të cilët do të marrin përsipër kronikat, fotot, krijimin e efekteve zanore, mikro-trotuaret, intervistat, rrjetet sociale, shpërndarjen online të podcast-eve, programimin e të ftuarve. Pastaj duhet të përpilohet një listë e të gjitha fazave të krijimit të mediumit tuaj dhe të bëhet ndarja e përgjegjësive sipas dëshirave të çdonjërit (çdonjërës).

  2. Përcaktoni formulën, gjeni identitetin 
    Shtroni pyetjen mbi qëllimet e mediumit: a kontribuon në aktivitetet e një shkolle të mesme, të një shoqate? A promovon të shprehurit e sa më shumë të të rinjve? A inkurajon debate midis të rinjve me temën e mediumit?

    – Përcaktoni grup targetin tuaj: Nxënësit e një shkolle? Anëtarët e një shoqate? I gjithë komuniteti?
    – Edhe çështja e tonit është thelbësore: A dëshironi të privilegjoni humorin? Satirën? Një qasje të thelluar dhe të dokumentuar të temave përmbajtësore? Një stil të drejtpërdrejtë apo më shumë letrar?
    – Edhe çështja e zgjedhjes së titullit (dhe logos) duhet të merret seriozisht, sepse do të ndihmojë që të veçohet mediumi juaj e të afirmohet identiteti i tij dhe do të marrë pjesë gjithashtu në reputacionin e tij.
    – Në fund, duhet të vlerësohen kushtet materiale që kanë të bëjnë me mediumin tuaj sipas periodicitetit dhe ritmit të publikimit. Numri i anëtarëve të ekipit tuaj, puna dhe disponueshmëria e tyre janë faktorë të rëndësishëm, por edhe pajisjet dhe buxheti që keni në dispozicion.

  3. Zgjidhni recetën për mediumin tuaj
    Për të ruajtur interesin e audiencës tuaj, për të mobilizuar vëmendjen e saj dhe për të stimuluar kureshtjen ndaj saj, metodat e trajtimit të lajmit duhet të variojnë.

    Në vijim janë caktuar zhanret kryesore gazetareske që janë në dispozicionin tuaj:

    Reportazhi, hulumtimi dhe intervista janë zhanret kryesore të gazetarisë.
    Opinioni, editoriali, lajmi i shkurtër, kronika, kritika, raporti, portreti, mikro-trotuari ju ofrojnë një gamë të larmishme që do t’ju mundësojnë shumëllojshmërinë e mediumit tuaj.

  4. Ndërtoni temën tuaj
    – Përcaktoni këndin
    Zgjedhja e një teme është vetëm hapi i parë. Ju nuk do të jeni në gjendje të përfshini të gjitha aspektet e temës që keni zgjedhur. Do të fitonit një artikull shumë të gjatë, tepër të ngarkuar dhe të vështirë për t’u lexuar, me pak fjalë, do të mund të humbisni audiencën tuaj. Prandaj, është e nevojshme të zgjidhni një kënd, domethënë një këndvështrim, të zgjidhni aspektet e veçanta të temës që dëshironi të theksoni, ndërsa lini anash aspektet tjera.
    Shembull: podcast-i është një temë, pozita e grave në podcast është një kënd.

    – Gjashtë pyetjet themelore
    Për të shkruar një artikull, studenti në gazetari duhet t’i bëjë vetes këto pyetje: kush? çfarë? kur? ku? në çfarë mënyre? pse?

 

Krijimi dhe jetësimi i një mediumi

 

  • Simuloni një Mbledhje të Redaksisë:
    – Duke organizuar një mbledhje të redaksisë, së pari do t’i mblidhni dhe do t’i prezantoni aktorët e ndryshëm të mediumit tuaj dhe do të përcaktoni edhe emrin e edicionit të lajmeve.
    – Kjo, pastaj, ju mundëson të diskutoni rreth vijës editoriale, temave që do të trajtohen, këndeve të ndryshme të mundshme, por edhe formateve (reportazhe, intervista, debate, lajme flash).
    – Kjo redaksi duhet të takohet, në rastin më të mirë një herë në javë ose të mbahen takime të rregullta për të favorizuar angazhimin e secilit.
  • Ndarja e roleve:

    Kjo do të jetë edhe një mundësi për të:
    – Ndarë rolet e “gazetarëve”, “ekspertëve”, “prezantues(e)ve”, “teknikëve” (kameraman, montazher), për të përcaktuar detyrat e secilit.
    – Orientuar aktivitetin e secilit person, për t’i ndihmuar që të përgatisin detyrat e tyre (hulumtim, pyetësor, reportazh, ndërhyrje).
    – Formuar grupe (dyshe, treshe) sipas dëshirave dhe shkathtësive të secilit.
    – Të rinjtë, pastaj, duhet të krijojnë identitetin vizual të mediumit të tyre.
     -Trajneri mund të hyjë bashkë me të rinjtë në faqen e internetit “Canva” (https://www.canva.com/) (logo, banner, ilustrim …). 
    – Trajneri mund t’i referohet edhe mjeteve të ofruara nga Madmagz, i cili është i specializuar në krijimin e gazetave (të shtypura dhe online) për të rinj: https://madmagz.com/ (shih dokumentin 17).
    – Shpërndarja dhe valorizimi i një lajmi: Për ta bërë përmbajtjen tuaj të dukshme në faqet e internetit si WordPress, është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje elementeve shtesë të valorizimit të artikullit, siç janë: titulli, kapitujt, fotot, ekstraktet e shkurtra që do të shfaqen në motorët e kërkimit.
    – Këto elemente duhet të jenë tërheqëse për të kapur shpejt vëmendjen dhe kureshtjen e lexuesit.
    – Tag-ët (fjalët kyçe që lidhen me tematikat dhe temat e trajtuara në artikull) janë gjithashtu të rëndësishme, sepse mundësojnë një referencë më të mirë.
    – Rrjetet sociale mund të jenë hapësira për t’u shprehur dhe për të shpërndarë përmbajtje online, por edhe hapësira për valorizim. Mos hezitoni të jeni të pranishëm në disa media sociale në mënyrë që përmbajtja të jetë e qasshme për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Tekstet e valorizimit duhet të jenë të shkurtra dhe të qarta.

  • Pavarësisht llojit apo mjetit të mediumit (foto, video ose audio), janë të domosdoshme linqet për faqe tjera.

    Një artikull që përmban një ose më shumë nga këto elemente shihet shumë më tepër sesa një artikull që përmban vetëm tekst dhe nuk mundëson ndërveprimin me hapësira të tjera.

  • Duhet gjithashtu të kemi kujdes ndaj nivelit të gjuhës që nuk duhet të jetë as shumë letrare dhe as shumë e thjeshtë.

KAPITULLI 7 – QASJA NË INFORMACION ME MENDIM KRITIK

Mendimi kritik si koncept në thelb të edukimit mediatik

 

Në kuadër të edukimit mediatik, nocioni i mendimit kritik do të thotë ekzaminimi i vëmendshëm i informacioneve që disponohen duke i dokumentuar dhe duke ia nënshtruar analizës së provës. Është një analizë kritike që refuzon amalgamet, përgjithësimet e shpejta, paragjykimet dhe fjalët pa dëshmi. Në përgjithësi, është një aftësi për të rezonuar në mënyrë autonome, racionale dhe të vetëdijshme. Është gjithashtu një aftësi për të analizuar dhe për të kuptuar përmbajtjen mediatike, duke marrë parasysh synimet e autorëve.

 

Mendimi kritik bazohet në tri parime:

 

  • Parimi i autonomisë: të qenit të aftë për të menduar në mënyrë personale, pavarësisht nga njerëzit që na rrethojnë, pavarësisht nga rrethi ynë.
  • Parimi introspektiv: të qenit të vetëdijshëm për limitet tona në kuptimin e fenomeneve, si dhe nga ndikimi i paragjykimeve tona kognitive, i emocioneve tona dhe të të tjerëve mbi gjykimin dhe besimet tona.
  • Parimi i të mësuarit : mendimi kritik mësohet dhe fitohet përmes prurjes së njohurive dhe të pyetjeve që e pasojnë zgjimin intelektual. Mund të ketë forma konkrete të tij siç janë krahasimi i hipotezave ose verifikimi i burimeve të lajmit.

 

Konkretisht, mendimi kritik në qasjen ndaj medias do të thotë:

 

  • Të informohesh: të gjendet kohë për t’u informuar, për t’i përballur informacionet njërin me tjetrin dhe për ta kuptuar informacionin para se ta gjykojmë, komentojmë ose shpërndajmë.
  • Të vlerësohet informacioni: të identifikohen dhe të verifikohen burimet e informacionit para se të aprovohen ato.
  • Të ndahen faktet nga interpretimet: të ndahen faktet e vërteta nga interpretimi i ngjarjeve.
  • Të krahasohen interpretimet: të gjejmë interpretimet e ndryshme që mund të ketë mbi një informacion dhe t’i pranojmë si të dhëna të shumta.
  • Të hierarkizohen interpretimet: interpretimet miratohen nga përvoja dhe hulumtimi, nga hipotezat dhe opinionet që lidhen me ato që ne besojmë. Pastaj i rendisim sipas rendit të legjitimitetit.

 

 

Puna gazetareske e verifikimit të informacionit

 

Mendimi kritik është në thelb të punës gazetareske dhe kërkon përpunimin rigoroz të informacionit para se të shpërndahet. Gazetari bën një punë kërkimi, investigimi, krahasimi të burimeve: duhet të mbështetet në analizën dhe në vënien në perspektivë të fakteve dhe të shpjegimeve të mundshme.

 

Puna gazetareske është edhe më esenciale në kohën e shoqërisë digjitale, ku kemi një rritje të lajmeve të rreme, imazheve dhe videove të falsifikuara në internet.

 

Në kuadër të edukimit mediatik, puna gazetareske e verifikimit të lajmit është thjeshtësuar dhe i është përshtatur praktikave të të rinjve në formën e një liste të praktikave të mira:

  • Verifikohet lloji i faqes web ku është konsultuar informacioni. Tab-et «legal mentions» ose «about» mundësojnë, zakonisht, identifikimin e llojit të faqes web që konsultojmë (blog, faqe humoristike, institucionale, etj…);
  • Shkohet deri në burim të informacionit. Shpesh, në internet lajmet ndahen, shpërndahen, dhe ndonjëherë deformohen, dekontekstualizohen ose interpretohen. Prandaj është e rëndësishme të gjendet nga vjen informacioni.
  • Shikohet data e publikimit të informacionit. Sot, një lajm e humb shpejt aktualitetin ose shpesh ndodh që është verifikuar ose demontuar më parë.
  • Verifikohet identiteti dhe besueshmëria e autorit të lajmit. A është gazetar? A është specialist i temës që e trajton.
  • Identifikohet qëllimi dhe synimet e autorit të lajmit. A ka për qëllim të na informojë? Të na manipulojë? Të na shesë diçka?
  • Bëhen pyetjet e duhura. Të qenit kureshtar dhe të qenit në gjendje ta vësh në dyshim autorin, pa përfunduar në mosbesim apo paranojë.

 

 

Rëndësia e aprovimit të burimeve

 

Burimi është vendi nga vjen informacioni, pikënisja e tij, thuhet ‘të shkojmë deri te burimi për të gjetur nga vjen një informacion’.

 

Verifikimi i dyfishtë i informacionit është njëra nga rregullat bazike më të rëndësishme të gazetarisë. Fatkeqësisht, shpejtësia në rritje e informimit, e lidhur pjesërisht me shfaqjen e rrjeteve sociale dhe me presionin ekonomik mbi audiencën, e kanë lëkundur këtë parim.

 

Një burim i besueshëm është më së shpeshti një person ose një strukturë e kualifikuar (një ekspert ose një person që ka njohuri në lidhje me temën) mbi një temë, që jep informacione mbi të.

 

Për të qenë më i besueshëm dhe që të ketë gjasa të konsiderohet si korrekt, një lajm duhet të jetë gjetur, konfirmuar nga burime të tjera lajmesh dhe/ose duhet të konsultohet në media të tjera. Thuhet atëhere që lajmi duhet të kryqëzohet për të qenë i verifikuar.

 

Ekzistojnë katër lloje kryesore burimesh:

  • Burimet institucionale: autoritetet publike, qeveritë;
  • Burimet e ndërmjetshme: shoqatat, organizatat profesionale, partitë politike, sindikatat;
  • Burimet personale: burime diskrete, madje, sekrete, që gazetari i ka brenda rretheve të pushtetit dhe rretheve profesionale;
  • Burimet e rastësishme: burime spontane, rrëfime të propozuara ose të kërkuara sipas rrethanave, dëshmitarë të një ngjarjeje;

KAPITULLI 6 – MEDIA DIGJITALE: RREZIQET DHE MUNDËSITË

Mundësitë dhe rreziqet e internetit për të rinjtë

 

Interneti dhe telefoni celular, përtej natyrës së tyre argëtuese, ofrojnë një formë të re të socializimit, të shkëmbimit dhe të qasjes në njohuritë e domosdoshme për fëmijët dhe adoleshentët sot. Këto teknologji të reja paraqesin mundësi të jashtëzakonshme për të përmirësuar cilësinë e jetesës së të rinjve në të gjithë botën dhe për të ofruar vetëm me një klik një sasi të pakufizuar njohurish në të gjitha fushat thelbësore të ekzistencës së tyre (arsimi, shëndetësia, shkenca, kultura, etj.). Por, progresi i epokës digjitale e ka çmimin e vet. Ky revolucion virtual ka krijuar rreziqe shpesh të ngjashme me ato të botës reale, me të cilat përballen të rinjtë në internet.

 

UNESCO i ka identifikuar dhe klasifikuar këto rreziqe me të cilat përballen të rinjtë në internet. Këtu përfshihen ekspozimi ndaj përmbajtjes pedofile, gjuhës së urrejtjes, lajmeve të rreme. Këto rreziqe janë të lidhura edhe me reklamat e papërshtatshme, mashtrimet komerciale ose manipulimin e të dhënave personale.

 

Edukimi është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur këtyre rreziqeve me të cilat përballet çdo përdorues i ri që lundron në botën digjitale. Përmes edukimit mediatik, është thelbësore që prindërit dhe mësimdhënësit t’ua transmetojnë të rinjëve praktikat më të mira në mënyrë që ata të jenë jashtë rreziqeve në internet.

 

Në veçanti me menaxhimin e duhur të identitetit digjital online, përmes vendosjes së parametrave në rrjetet e tyre sociale ose përmes mbrojtjes së të dhënave personale. Rritja e ndërgjegjësimit për qytetarinë online është po aq e rëndësishme: respektimi i privatësisë së të tjerëve, të menduarit para postimit të përmbajtjeve, respektimi i të drejtës së imazhit të shokëve… Të gjitha këto janë rregulla thelbësore për të parandaluar abuzime, siç janë ‘ngacmimet kibernetike’.

 

 

Rritja e ndërgjegjësimit tek të rinjtë për flluskat e filtrimit

 

Platformat digjitale si Google dhe Facebook përdorin algoritma për të na ofruar përmbajtje duke u bazuar në sjelljen tonë të përdoruesit, d.m.th. në veprimet tona të kaluara (klikime, pëlqime, blerje, historia e lundrimit në web.) Përmes algoritmeve, kompanitë digjitale na ofrojnë lundrim të personalizuar, bazuar në një analizë që synon t’u paraprijë pritjeve tona. Gjigandët e internetit synojnë të ndikojnë në sjelljen tonë për qëllime komerciale.

 

Ndikimi i algoritmeve nuk është i parëndësishëm. Kështu, përdoruesit e internetit dhe konsumatorët- dhe në veçanti më të rinjtë -, ballafaqohen me çështjen e flluskave të filtrimit. Flluska e filtrimit është “gjendja në të cilën ndodhet një përdorues i internetit kur informacionet në të cilat ka qasje në Internet janë rezultat i një personalizimi që bëhet pa dijeninë e tij“. Termi “flluskë e filtrimit” i referohet izolimit që krijohet nga ky mekanizëm: secili përdorues i internetit hyn në një version të ndryshëm dhe unik të rrjetit. Prandaj ekziston rreziku i qëndrimit të mbyllur në një univers digjital të ngushtë që vazhdimisht ofron lloje të njëjta të përmbajtjes. Ky izolim algoritmik varfëron në mënyrë të konsiderueshme burimet e informacionit, si dhe zvogëlon vëmendjen dhe aftësinë e mendimit kritik. Atëherë, përdoruesi privohet nga hapja teorike e premtuar nga interneti dhe nuk përfiton më nga një ballafaqim me shumësinë e ideve dhe mendimeve, një element në zemër të zhvillimit intelektual.

 

Për këtë arsye, edukimi mediatik duhet t’u mundësojë qytetarëve ndërgjegjësimin ndaj çështjeve dhe rreziqeve të izolimit algoritmik. Duhet të kuptohet mekanika e tij si një hap thelbësor për të shmangur ato rreziqe dhe për t’i pasuruar burimet tona. Ky është një kusht kryesor në mënyrë që interneti ta përmbush premtimin e tij fillestar të emancipimit dhe të lirisë.

KAPITULLI 5 – NGA MEDIA TRADICIONALE NË MEDIAT E REJA

Mediat tradicionale

Mediat tradicionale janë media që kanë ekzistuar para internetit; këto janë radioja, televizioni dhe mediat e shkruara. Nga vitet 1990 dhe me shfaqjen e teknologjisë digjitale, metodat e “konsumit/shpërndarjes së informacionit” evoluan, duke i detyruar këto media tradicionale ta përshtatin përmbajtjen e tyre për të qëndruar sa më afër audiencave të veta dhe thjesht për të mbijetuar. Si rezultat, shtypi i shkruar, radioja dhe televizioni janë rinovuar në strukturë për të ofruar versione “online” si dhe versione për smartphone dhe tableta. Përkundër këtyre mënyrave të reja të informimit, kemi parasysh se, qëllimi i medias tradicionale mbetet i njëjti: shpërndarja e të njëjtit lajm te një grup i madh njerëzish në të njëjtën kohë. I përket pranuesit të lajmit të zgjedhë nëse do ose jo t’i kushtojë vëmendje të veçantë lajmit që i drejtohet.

 

Këto media tradicionale dhe historike, të cilat karakterizohen nga një praktikë profesionale e gazetarisë dhe nga ngurtësia në formatet e tyre (kufizimet editoriale, periodiciteti), kanë reputacionin e tyre si aset kryesor. Ato konsiderohen ende sot si një burim i besueshëm informacioni, veçanërisht përballë shfaqjes së shpërndarjes së lajmeve përmes mediave sociale.

 

 

Mediat sociale

 

Nga viti 2004, janë shfaqur aktorë të rinj mediatik të cilët konkurrojnë me mediat tradicionale: media sociale (new media). Këto janë platforma digjitale, përmbajtja e të cilave gjenerohet nga përdoruesit dhe ku është thelbësor parimi i ndërveprimit ndërmjet përdoruesve të ndryshëm të internetit. Kjo logjikë bashkëpunimi është specifike për ueb 2.0: përdoruesit e internetit që dikur ishin spektatorë të faqeve të internetit, tani janë aktorë. Ndër mediat më të rëndësishme sociale sot kemi: Facebook, Youtube, Instagram, Twitter, Pinterest, Snapchat dhe Linkedin.

 

Mediat sociale, të cilat po bëhen një nga burimet kryesore të informimit për publikun, dhe veçanërisht për të rinjtë, dallohen nga karakteristikat specifike që e ndryshojnë thellësisht mjedisin mediatik. Këto platforma, në radhë të parë favorizojnë ndërveprimin: tani programet e lajmeve krijohen për t’u komentuar në rrjetet sociale dhe në veçanti në Twitter, që promovon shkëmbimin e ideve dhe reflektimin. Mediat sociale gjithashtu bartin fuqinë e çastit. Sot, me mjete si “LiveTweet”, përdoruesi mund të ndjekë një ngjarje ‘live’ pa qenë i pranishëm fizikisht. Ai e di se çfarë ka ndodhur shumë kohë para shfaqjes së pamjeve në lajmet e mbrëmjes. Mediat sociale kanë thyer edhe monopolin e fabrikës së lajmeve që dikur mbahej nga mediat tradicionale. Me platforma si Facebook, çdokush mund të jetë dëshmitar i një ngjarjeje dhe ta ndajë atë me botën brenda një sekonde. Prej kësaj praktike ka lindur “gazetaria qytetare“, e cila e shndërron çdo përdorues të medias sociale në një prodhues të mundshëm të lajmeve.

 

 

Informacioni në epokën digjitale: rreziqet dhe mundësitë

 

Shfaqja e formave të reja digjitale të informacionit (lajmet online, blogjet, Wikipedia, YouTube, rrjetet sociale, etj.) favorizon qasje më të gjerë në njohuri, në lirinë e shprehjes dhe në pjesëmarrjen qytetare. Sot verejmë se bashkëjetesa e mediave të shtypit, audiovizuale dhe online përmes mjeteve të shumta bën të mundur rritjen e qasjes në informim dhe krijimin e një kulture pjesëmarrëse, ku qytetarëve nuk u mjafton të konsumojnë lajmin, por ata tani kontribuojnë në mënyrë aktive në prodhimin dhe shpërndarjen e tij.

 

Rreziku kryesor i këtij peizazhi të ri mediatik është dezinformimi. Në të vërtetë, përdorimi masiv i rrjeteve sociale çon në reflektim mbi vërtetësinë e lajmit. Çfarë besueshmërie ka një individ kur flet për një temë? A i kontribuon ai thellimit të konfuzionit rreth çështjes së lajmeve të rreme, duke vështirësuar edhe më tej dallimin në mes të vërtetës dhe të pavërtetës në internet? Nga ky këndvështrim, gazetaria “klasike” ruan gjithë rëndësinë e saj. Misioni i përzgjedhjes, analizës dhe deshifrimit të lajmit mbetet kryesor për të.

KAPITULLI 2 – QËLLIMET PEDAGOGJIKE TË TRAJNIMIT

PËRKUFIZIMI I EDUKIMIT MEDIATIK

 

Sipas përkufizimit të dhënë nga UNESCO, edukimi mediatik ka për synim çdo qytetar ta bëjë aktiv, autonom dhe kritik ndaj çdo dokumenti apo mekanizmi mediatik, të cilin e pranon apo e shfrytëzon. Kjo disiplinë ka të bëjë me të gjitha mediat e shkruara, audiovizuale ose digjitale, pavarësisht mjetit teknologjik (shtyp i shkruar, radio, kinema, TV, media online, rrjete sociale, platforma digjitale). Nuk kufizohet në asnjë zhanër mediatik dhe prandaj mbulon të gjithë spektrin e komunikimeve: informues, ndikues, argëtues ose miqësor.

 

Gjithnjë sipas UNESCO-s, edukimi mediatik duhet t’i mundësojë çdo qytetari të përvetësojë gjuhën e medias dhe të trajnohet në mjetet e interpretimit, shprehjes dhe komunikimit përmes mediave. Në këtë kuptim, edukimi mediatik i përgatit individët që të jenë qytetarë të përgjegjshëm, të aftë për të kontribuar në zhvillimin e një shoqërie demokratike.

 

Kështu, shihet se edukimi mediatik është i lidhur ngushtë me edukimin qytetar. Përdorimi i mediave te të rinjtë – qytetarë të ardhshëm – në të vërtetë, kushtëzon në masë të madhe marrëdhëniet e tyre me shoqërinë, lirinë e shprehjes dhe kulturën. Për këtë arsye, edukimi mediatik mundëson që të vihen në pikëpyetje stereotipet, kurthet e diskursit, paragjykimet ose interpretimi i mesazheve. Në fund, disiplina synon të frymëzojë trajnerë dhe të rinj në zhvillimin e aftësive kryesore për t’i kuptuar çështjet bashkëkohore dhe për t’u pozicionuar si qytetarë aktivë, kritikë, krijues dhe solidar.

 

Por, mbase janë vetë studentët ata që e përkufizojnë më së miri edukimin mediatik. Kështu për shembull, një klasë që përfitoi nga një program EMI në Lycée Pierre de Coubertin në Francë e përmblodhi mësimin në këtë mënyrë: “Ne jetojmë në një shoqëri ku jehona e botës është e menjëhershme dhe shpesh e gabuar. Gjithçka kalon shumë shpejt, ndonjëherë tepër shpejt. Për shkak të shpejtësisë së shpërndarjes së rrjeteve sociale, po zgjerohet hendeku midis mediave tradicionale dhe popullsisë. Zakonisht, ne, të rinjtë të ‘hiperkonektuar’, jemi të parët që marrim dhe më pas transmetojmë informacionet. Prandaj ne jemi ata që duhet të mësojnë t’i deshifrojnë mediat dhe lajmet. Kështu që, ne jemi ata që duhet të edukohemi për mediat “

 

 

QËLLIMET PEDAGOGJIKE TË EDUKIMIT MEDIATIK

 

Aftësitë që duhen përvetësuar nga të rinjtë

 

UNESCO ka përcaktuar 6 afësitë kryesore që çdo i ri duhet të përvetësojë përmes edukimit mediatik:

  1. Të kuptojë punën e gazetarëve dhe funksionimin e mediave
  2. Të ketë njohuri mbi mënyrën e qasjes në informacion të besueshëm dhe mbi identifikimin e burimeve të këtij informacioni
  3. Të zhvillojë aftësitë e të menduarit kritik dhe aftësinë për të deshifruar informacionin
  4. Të ketë kujdes nga lajmet e rreme, konspiracionizmi dhe gjuha e urrejtjes
  5. Të zotërojë mjetet digjitale në mënyrë të arsyeshme dhe të përgjegjshme
  6. Të kuptojë sfidat e shoqërisë për të bërë zgjedhje demokratike të mirëmenduara.

 

Aftësitë që duhen përvetësuar nga trajneret

 

Prandaj, trajnimi i trajnerëve në edukimin mediatik synon këto qëllime pedagogjike si vijojnë:

  1. Të kuptojnë se si EMI u mundëson qytetarëve të bëhen më aktivë, autonomë dhe kritikë ndaj mediave dhe mjeteve tjera të komunikimit ndaj të cilave ata janë të ekspozuar.
  2. Të kuptojnë se si EMI na mundëson të vëmë në pikëpyetje stereotipet, kurthet e diskursit, paragjykimet ose interpretimin e mesazheve.
  3. Të kuptojnë faktin se EMI mund të frymëzojë të rinjtë me prejardhje të ndryshme që të kuptojnë çështjet bashkëkohore dhe t’u mundësojë atyre që të pozicionohen si qytetarë aktivë, kritikë, krijues dhe solidarë.
  4. Të kuptojnë evolucionin e peizazhit mediatik, të dinë si t’i qasen çështjes së mediave me të rinjtë dhe të dinë të rrisin ndërgjegjësimin për përdorimin e përgjegjshëm dhe të mençur të “mediave të reja”.
  5. Të përvetësojnë njohuritë pedagogjike të nevojshme për të praktikuar EMI-në (udhëzime, koncepte kryesore dhe evolucionin e disiplinës) duke iu përshtatur të rinjve në veçanti. 
  6. Të zhvillojnë aktivitete praktike pjesëmarrëse specifike për EMI, për të lehtësuar përvetësimin e aftësive nga të rinjtë dhe organizimin e ushtrimeve pozitive për zhvillimin e shprehjes qytetare (fushata mediatike online, për shembull).

KAPITULLI 14 – QYTETARIA DIGJITALE

Çfarë është qytetaria digjitale?

 

Sot është e vështirë madje e pamundur të mos e përdorim internetin, si në jetën tonë profesionale, ashtu edhe në atë personale. Nëse interneti është gjithkund, është mirë që të mësohemi ta përdorim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo bëhet me një kontroll më të madh dhe me një njohje më të mirë të jetës sonë digjitale.

 

Përkufizim: Qytetaria digjitale përcakton mënyrën se si përdoruesit e internetit veprojnë dhe ndërveprojnë online. Ajo ka të bëjë kryesisht me sjelljen që e kemi gjatë shkëmbimeve tona online me përdoruesit e tjerë mbi tema të ndjeshme me karakter social ose politik. Të drejtat dhe detyrat që kemi në jetën reale janë identike në Internet. Sjellja jonë dhe ndërveprimet tona përcaktojnë edhe mënyrën se si të tjerët na shohin në Internet. Megjithatë, mënyra se si ndërveprojmë online nuk ka të bëjë vetëm me sjelljen tonë apo me postimet tona, ka të bëjë edhe me mënyrën se si e mbrojmë ne jetën tonë private, qoftë me fjalëkalimet tona, me lokacionin tonë apo me aktivitetin tonë të kaluar online.

 

Kështu që, qytetaria digjitale na fton që të kemi edhe një sy kritik mbi raportin tonë me internetin dhe mbi mënyrën se si e përdorim atë e, veçanërisht përballë informacioneve personale që, ndonjëherë, i ndajmë pa e ditur fare.

 

 

Praktikat e mira digjitale

 

Përkufizim: Termi «praktika të mira» i referohet edhe mënyrës se si do të duhej të sillemi që ta shndërrojmë internetin në një hapësire lirie dhe respekti të ndërsjelltë dhe, gjithashtu, rregullave që na kërkojnë të respektojmë faqet web dhe aplikacionet. Faqe të shumta web dhe shërbimet e internetit vendosin rregulla që e përcaktojnë sjelljen që duhet të kemi dhe të drejtën e përdoruesve.

 

Shembull: Aplikacioni Twitter propozon disa këshilla për përdorimin e mjeteve të tij: “Mendoni se çfarë po publikoni në Twitter: Ju jeni ata që e kontrolloni përmbajtjen e shpërndarë në Twitter apo në cilëndo faqe tjetër web-i. Mos publikoni kurrë informacione që i konsideroni si konfidenciale dhe mendohuni mirë para së ta shpërndani publikisht lokacionin tuaj. Kini kujdes nga bisedat që u kërkojnë koordinatat tuaja, të dhënat personale ose fjalëkalimet. Nëse keni ndonjë dyshim para se të postoni diçka në Twitter, ju këshillojmë që t’i shtroni vetes këto pyetje: Me cilin po i shpërndaj informacionet e mia? Çfarë lloji dhe sa informacione dua t’i shpërndaj tani ?Sa përdorues do të kenë qasje në informacionet e mia?” 

 

Por aplikacioni ka vërë edhe disa rregulla tjera thelbësore :

 

«Dhunë»: Ndalohet kërcënimi me përdorim të dhunës kundër një personi apo një grup personash. Ndalojmë, gjithashtu, çfarëdo apologjie të dhunës. Sjellje urrejtjeje: ndalohet kërcënimi i personave të tjerë, ngacmimi ose nxitja e dhunës kundër tyre në bazë të kritereve të racës, të prejardhjes etnike, të kombësisë, të kastës, të orientimit seksual, të gjinisë, të identitetit seksual, të përkatësisë fetare, të moshës, të handikapit ose të sëmundjes së rëndë.

 

Prandaj, është mirë të përkujtohet sa më shpesh se sjelljet tona virtuale kanë një impakt real mbi individët, dhe që ngacmimi online, për shembull, mund të shpierë në tragjedi në jetën reale.

 

Interneti është gjithashtu një mjet i mirëfilltë për qytetarët. Ai bën të mundur një qytetari më mirë të informuar dhe një demokraci pjesëmarrëse, sikurse edhe një qasje më të lehtë në informacion. Është mjet i cili mundëson debatin e ideve, komunikimin dhe që mund të përdoret për të lajmëruar rreziqe apo ndonjë të keqe të madhe për shoqërinë, siç është rasti i «informatorëve» që përdorin internetin për të denoncuar korrupsionin apo cenimin e lirive (shih filmin/dokumentarin «Citizenfour» të vitit 2014 për rastin Snowden).

 

Të ruhet një gjurmë digjitale dhe një shpirt pozitiv

 

Përkufizim :. Gjurma digjitale është tërësia e informacioneve që ekzistojnë në Internet si pasojë e aktivitetit tonë online. Është një imazh i yni, i ndërtuar nga sjellja jonë, postimet tona dhe zgjedhjet tona personale.

 

Prandaj, është e rëndësishme të ruhet sa më shumë një gjurmë digjitale pozitive ! Mund ta shkruajmë një blog mbi një temë specifike, të shpërndajmë talentet ose të xhirojmë një video tutoriale, të mbledhim fonde për një vepër bamirësie ose të marrim pjesë në organizimin eventesh. Lista e zgjidhjeve për të ndryshuar gjurmën digjitale në mënyrë pozitive është e pafund!

KAPITULLI 13 – PËR NJË PËRDORIM QYTETAR TË MEDIAVE

Çfarë është media qytetare?

 

Përkufizim: Në togfjalëshin «media qytetare» gjejmë fjalët «media» dhe «qytetar». Në të vërtetë, bëhet fjalë për media, domethënë mjeti (radio, TV, internet, etj.) përmes së cilit transmetohen lajmet te një audiencë e gjerë. Përdoret gjithashtu mbiemri “qytetar”, ngaqë autorët e këtyre artikujve dhe e këtyre hulumtimeve nuk janë gazetarë profesionistë, por qytetarë të thjeshtë që synojnë udhëheqjen e debateve mbi çështje specifike ose probleme që kanë të bëjnë me tërë shoqërinë.

 

Prandaj, lexuesi braktis qëndrimin e tij krejt pasiv dhe futet në ndërtimin dhe shpërndarjen e lajmit. Pra, pjesëmarrja është një element shumë i rëndësishëm në mediat qytetare. Kjo realizohet nëpërmjet radiove (online ose jo), por edhe blogjeve, vlogjeve (blogje që bëhen kryesisht përmes videove), podcast, etj. Kështu që, qytetarët e thjeshtë, studiuesit ose profesionistët e botës ndërvepruese mund ta marrin fjalën dhe të kenë qasje në një audiencë të gjerë.

 

Shembull: Në Shqipëri, blogu si angazhim qytetar, i krijuar në vitin 2007, nga Ardian Vehbiu, blogu “Peizazhe të Fjalës”, paraqitet si një hapësirë më vete dhe e pavarur, një model i qëndrueshëm në një peizazh mediatik shqiptar që përballet me ndryshime të shpejta, me reduktime progresive të burimeve financiare, me ulje të besueshmërisë dhe me politizim të madh. Sipas autorit të këtij blogu, “Blogu ishte menduar që në fillim si një “shenjtërore” e mendimit të lirë shqiptar, e mbrojtur nga frikësimet, fajësimet, poshtërimet, stigmatizimet, gjykimet, akuzat, ‘shurdhimet e shumicës’ dhe forma të tjera bashkëkohore të censurës në diskursin publik “.

 

 

Angazhimi përmes rrjeteve sociale

 

Rrjetet sociale kanë ndryshuar edhe rrjedhën e informimit nga tradicionalja vertikale dhe nga lart-poshtë në një transmetim më horizontal. Secili prej nesh mund të prodhojë përmbajtje dhe ta shpërndajë brenda rrjetit të tij, por edhe jashtë tij. Kjo mënyrë e të shprehurit nuk është thjeshtë virtuale, por shpesh zhvillohet paralelisht ose paraprakisht ndaj mobilizimeve konkrete në terren. Në kontekstin e revolucioneve arabe, për shembull, rrjetet sociale luajtën një rol të pamohueshëm, por ndryshimet politike ndodhën falë lëvizjeve shoqërore (protesta, bllokada, etj.). Rrjetet sociale mundësojnë qarkullimin e shpejtë të informatave dhe të ideve, por ndryshimet në nivel shoqëror ndodhin kur ky angazhim plotëson realitetin fizik në terren.

 

Shembull: Në Serbi, lëvizja #1of 5milion e cila u shfaq në fund të vitit 2018 ka ditur të përfitojë nga teknologjitë e reja dhe mjetet moderne të komunikimit duke mobilizuar qytetarët përmes shkëmbimit të përmbajtjeve online dhe shkëmbimit të lajmeve përmes rrjeteve sociale. Kështu, lëvizja fitoi shpejt një publik të gjerë dhe Twitter e Facebook mundësuan krijimin e grupeve të debatit dhe mobilizimin e masave të njerëzve për lirinë e shprehjes dhe kundër abuzimeve autoritare të sistemit politik.

 

 

Rreziqet dhe kurthet

 

Duhet pasur parasysh se gazetaria është një profesion që kërkon aftësi specifike si dhe respektim të deontologjisë. Megjithatë, të gjithë mund të aftësohen për gazetari, veçanërisht përmes dialogut midis gazetarëve profesionistë dhe amatorë. Ky shkëmbim i njohurive na mundëson të sigurohemi që mediat qytetare bëhen burim i vërtetë alternativ dhe i besueshëm.

 

Lehtësia me të cilën secili mund ta përvetësojë tani rolin e gazetarit amator paraqet edhe disa rreziqe. Prodhuesit e lajmeve, ndonjëherë, mund t’i injorojnë standardet themelore të deontologjisë gazetareske dhe të shpërndajnë informacione të pasakta ose, ndonjëherë, të manipuluara plotësisht.

 

Tani me praninë e mediave qytetare, kanaleve televizive, shtypit të shkruar apo edhe rrjeteve sociale, sasia dhe llojllojshmëria e lajmeve në dispozicion janë më shumë se kurrë një pasuri që kërkon ruajtjen e mendimit kritik në lidhje me të gjitha këto burime informatash.

 

Për më tepër, interneti është një hapësirë lirie, por edhe një hapësirë shkëmbimesh ekonomike. Logjika e marketingut pushton internetin dhe rrjetet sociale dhe informimi bëhet edhe një burim përfitimi.

 

Qarkullimi i disa lajmeve (veçanërisht ato që ndikojnë emocionalisht te lexuesit) mund të jetë edhe një burim përfitimi në një sistem të financuar nga reklamuesit dhe reklamat. Ky fenomen “ClickBait” është i pranishëm gjithnjë e më shumë dhe i shtyn njerëzit të klikojnë në një link dhe të vizitojnë një faqe të internetit për të lexuar një artikull. Në fakt, autori i artikullit dhe i faqes së internetit në fjalë shpërblehet nga reklamat që gjenden në faqen e tij dhe nga numri i shikimeve që grumbullon. Por kjo është edhe një burim rreziku, pasi, për t’i tërhequr përdoruesit e Internetit mund të përhapen besime të rreme.

KAPITULLI 12 – SENSIBILIZIMI KUNDËR URREJTJES ONLINE

Teoritë konspirative

 

Edhe pse nuk është një dukuri e re, vitet e fundit teoritë konspirative gëzojnë sukses të madh, veçanërisht përmes shpërndarjes së tyre në rrjetet sociale dhe më gjerësisht në internet.

 

Përkufizim: Një teori konspirative është një narrativë ose një diskurs teorik që duket koherent dhe “logjik”, dhe që mundohet të demonstrojë, të zbulojë ekzistencën e një grupi të vogël njerëzish të fuqishëm, të cilët planifikojnë fshehurazi veprime të paligjshme dhe/ose të dëmshme që ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve ose që synojnë sundimin e botës.

 

Teoria konspirative dallon nga lajmet e rreme prej faktit që bazohet në një tërësi të strukturuar hipotezash dhe argumentesh të manipuluara për të nxitur një teori në veçanti. Lajmet e rreme, nganjëherë shërbejnë si argument konspirativ, por nuk janë gjithmonë të lidhura me një teori.

 

Megjithatë, media dhe lajmet e rreme luajnë një rol vendimtar në shkallën e fenomenit. Nga njëra anë, mosbesimi, madje edhe mosbesueshmëria ndaj mediave rrisin besimin dhe besueshmërinë që u jepet teorive konspirative, veçanërisht në vendet ku mediat perceptohen si të korruptuara ose në shërbim të sistemit politik. Dhe nga ana tjetër, lajmet e rreme përdorin të njëjtat mekanizma sikurse teoritë konspirative (përdorimi i frikës, manipulimi i fakteve etj.), dhe shpesh kanë të bëjnë me të njëjtat tema.

 

Disa shembuj të teorive konspirative më të njohura:

 

– Illuminati janë një shoqëri sekrete, në të cilën bëjnë pjesë figurat më të fuqishme në këtë botë – Toka nuk është e rrumbullakët, por e sheshtë – Njeriu kurrë nuk ka shkuar në Hënë – Jugosllavia është shpërbërë për shkak të një komploti midis Gjermanisë dhe Vatikanit. Ekzistojnë edhe teori konspirative të momentit si ato të 5G, koronavirusit ose vaksinave.

Gjuha e urrejtjes dhe moderimi i përmbajtjes së urrejtjes

 

Teoritë konspirative përbëjnë një element thelbësor në marrëdhëniet tona me informacionin dhe shoqërinë. Ato gjenden diku në mes të paragjykimeve, konsideratave politike, besimeve dhe, gjithashtu, mund të lidhen ngushtë me gjuhën e urrejtjes. Kështu, shpërndarja e tyre mund të krijojë me shpejtësi një mjedis konfliktual. I tillë është, për shembull, rastime teoritë konspirative të një komploti hebre në shkallë globale.

 

Përkufizim: Kur flasim për gjuhën e urrejtjes, i referohemi një shprehjeje të urrejtjes e cila mund të mishërohet nga një fjali, një tekst, një tingull ose një imazh që shpreh refuzimin e tjetrit, dhe që mund të ofendojë, duke inkurajuar kështu ndjenjën e urrejtjes. Kur kjo shprehje e urrejtjes bëhet publike, dëshmitarët e saj nxiten edhe ata të ndiejnë urrejtje për njërën apo tjetrën palë, të zgjedhin njërën anë dhe nganjëherë ata mund të nxisin shprehjen e urrejtjes me një shkallë të ngjashme ose më të madhe të dhunës nga efekti i grupit. Atëherë kemi të bëjmë me nxitje të urrejtjes.

 

Kur këtyre përmbajtjeve të bazuara në stereotipe ose në besime të rreme u shtohet mungesa e mendimit kritik, fitojmë fjalime përçarëse dhe dhunë, duke eksponuar ekzistencën e një komuniteti ‘mish për top’, përgjegjës dhe fajtor dhe duke nxitur kështu amalgama dhe ndjenjë paranoje.

 

Shembull: Komuniteti rom është shpesh në shënjestër të diskriminimit dhe të paragjykimeve që e përshkruajnë atë si të pandershëm ose hajdut, duke u pamundësuar, kështu, që të ketë qasje në vende të punës të kualifikuara. Romët kanë dy herë më shumë gjasa të jenë të papunë se banorët e tjerë dhe shumë prej tyre ende jetojnë nëpër zona që nuk janë të mbuluara nga rrjeti i ujësjellësit.

 

Moderimi i disa përmbajtjeve tepër urrejtëse, veçanërisht në rrjetet sociale, duke propozuar edukim më gjithëpërfshirës në qytetari dhe në media e teknologji digjitale mund ta kufizojë këtë rrëshkitje drejt dhunës fizike ose morale.

 

Përkufizim: Moderimi konsiston në heqjen, censurimin apo edhe ndëshkimin e autorëve të përmbajtjeve urrejtëse në mënyrë që të parandalohet përhapja e tyre. Mund të jetë një koment i dhunshëm nën një publikim, shpërndarja e një artikulli, videoje, fotoje ose infografi që stigmatizon një kategori të caktuar njerëzish, apo edhe një shkëmbim privat përmes postës elektronike ose sms-eve.

 

Lufta kundër konspiracionizmit

 

Përkufizim: Konspiracionizmi i referohet prirjes për t’i paraqitur ngjarjet ose dukuritë në mënyrë abuzive si pasoja të një komploti të organizuar. Është një mënyrë e të menduarit ose një qëndrim që mohon shpjegimet e fakteve të cilat pranohen zakonisht për t’i zëvendësuar ato me ekzistencën e një komploti i cili ka një qëllim të fshehtë dhe të errët.

 

Pasojat e konspiracionizmit:

  • Gjenerimi i gjuhës së urrejtjes.
  • Aderimi në teori të padëshmuara.
  • Mbyllja në një logjikë të dyshimit dhe të besimit të rremë, duke i kufizuar kështu debatet e ideve.
  • Vështirësimi i procedurës së kundër-pushtetit që përpiqet të zbulojë keqbërjet e vërteta politike ose konfliktet e interesit që mund të ekzistojnë.

 

Mjetet për të kufizuar konspiracionizmin

 

1. Përmes kontrollit dhe kufizimit të përmbajtjeve urrejtëse dhe lajmeve të rreme (fact-checking, përgjegjësi e platformave të rrjeteve sociale, etj.).

2. Duke zhvilluar mendimin kritik të qytetarëve përmes edukimit për media dhe informacion, në mënyrë që:

  • Të analizohet qasja konspirative: A janë provat vërtetë të mjaftueshme?
  • Të inkurajohet kujdesi për t’i bërë qytetarët vigjilentë (Të mos ngatërrojmë kujdesin me mosbesimin dhe mosbesueshmërinë me dyshimin.).
  • Të kanalizohet kritika dhe të mundësohet informimi më i mirë falë një qasjeje logjike dhe të verifikueshme – Dhe në fund të relativizohet bota përreth nesh.

KAPITULLI 11 – NARRATIVA NË IMAGJINAREN KOLEKTIVE TË BALLKANIT

MITET NË DISKURSET POLITIKE

 

Tipologjia dhe funksioni i miteve

 

Përkufizim: Miti është konstruksion imagjinar që shërben si shpjegim, si bazë për disa praktika sociale dhe paraqet faktorë mobilizimi. Por ai është edhe një mënyrë e veçantë diskursi, e ngjashme me ëndrrën dhe me legjendën. Sipas historianit Raoul Girardet, roli i imagjinares në historinë e ideve politike është i rëndësishëm sepse ajo shpjegon ndonjëherë tërheqjen e fuqishme që kanë ushtruar disa sisteme politike pa bazë fetare.

 

Te secila republikë e re post-jugosllave gjejmë çështjen e përhapjes së miteve nacionale dhe të simboleve që synojnë krijimin e një ndjenje kolektive të përkatësisë një kombi ose një komuniteti. Historiani Raoul Girardet propozon katër tema që i gjejmë te shumica e miteve dhe që tregojnë rëndësinë themelore të imagjinares në evoluimin e ideve politike dhe të shoqërisë :

 

  • Miti i unitetit: ka të bëjë me lartësimin e atdheut, të kolektives dhe të komunitetit, i përfaqësuar nga vetëm një grup individësh të ngjashëm mes njëri-tjetrit ( përforcim i logjikës së kundërshtimit «ata/ne» ).
  • Miti i shpëtimtarit: ka të bëjë me vënien përpara të figurës së heroit, të udhëheqësit me të cilin identifikohemi si model dhe i cili ofron legjitimet.
  • Miti i kohës së artë: ka të bëjë me idealizimin e së kaluarës, nostalgjinë për një kohë të shkuar dhe lidhjen e fortë me elemente të së kaluarës për të kërkuar një stabilitet të tanishëm dhe të ardhshëm.
  • Miti i komplotit/i konspiracionit: ka të bëjë me denoncimin e një fajtori të jashtëm, vënien në pah të armikut përgjegjës për të këqijat e komunitetit dhe i cili i nxit njerëzit që të mobilizohen kundër tij.

 

Mitet dhe përdorimi i tyre politik shfaqen zakonisht në periudha kritike, në momente të krizës së identitetit ose të preokupimeve lidhur me ndryshimet e shoqërisë dhe të mënyrës së jetesës. Kur rriten tensionet e brendshme, miti bëhet i nevojshëm, imagjinarja reagon ndaj ndryshimeve, kundër humbjes së pikë referimeve ose kundër lëkundjes së traditave. Prandaj këto mite kanë një funksion politik të qartë: mobilizimin e popullatës rreth një narrative dhe rreth pikë referimeve të përbashkëta.

 

Ashtu siç ndodh me një imazh, që mund ta përmbledhë një koncept ose një ngjarje, edhe miti e ushqen imagjinaren e individëve. Ky fenomen mund të intensifikohet varësisht nga grupet e njerëzve, veçanërisht te të rinjtë që janë në kërkim të një identiteti, ose të shpjegimeve për botën që i rrethon, ose që përballen me një të ardhme të pasigurtë.

 

 

SHEMBUJ TË MITEVE TË RËNDËSISHME NË BALLKAN

 

Në të gjitha kulturat ekzistojnë mite të ndryshme dhe të gjitha nuk kanë të njëjtin funksion, por pasuria kulturore e Ballkanit e bën të mundur zhvillimin dhe transmetimin e shumë miteve nga ky rajon.

 

Shembull:Pasardhësit e Aleksandrit të Madh ”

 

Në Maqedoninë e Veriut, miti sipas të cilit maqedonët janë pasardhësit e Aleksandrit të Madh është shumë i përhapur, edhe pse është e pamundur të bëhet përafrimi i territorit të Maqedonisë së sotme me atë të asaj kohe, apo edhe të gjendet një lidhje gjaku në mes popullatave që jetonin atëhere në ato toka me popullatat e sotme. Maqedonia e Veriut mbulon pjesërisht trevat që i kontrollonte Filipi II kur vdiq në vitin 333 p.e.s., por zemra e mbretërisë së Aleksandrit të Madh gjendet kryesisht në Greqi afër Verginës. Për më shumë, qytetarët e shteteve të Ballkanit të sotëm janë rezultat i përzierjeve komplekse, të ushqyera nga pushtime dhe migrime të njëpasnjëshme që e kanë përfshirë këtë rajon për më shumë se dy mijëvjeçarë.

 

Por këto mite ushqejnë diskurset e lëvizjeve nacionaliste bashkëkohore të Ballkanit, të cilat mundohen të afirmojnë që populli i tyre ishte i pari në një territor të caktuar, me qëllim që të dëshmojnë legjitimitetin e pretendimeve të tyre.

 

Shpërndarja e një miti mund të shkaktojë atëherë «acarimin» e marrëdhënieve në mes komuniteteve ose popujve në rajon. Kështu, çështja e trashëgimisë maqedonase të Aleksandrit të Madh ka rindezur tensione në mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut gjatë debateve mbi ndryshimin e emrit të vendit në vitin 2018. Lëvizjet nacionaliste greke që vlerësonin se termi «Maqedoni» i përket trashëgimisë helene, refuzonin që ish- republika jugosllave ta përdorte këtë emër, duke shkaktuar protesta të dhunshme në të dy vendet.

 

Shembull : Miti i «vëllazërisë ortodokse»

 

Në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut, në mendjen e shumë banorëve vazhdon të ekzistojë një lidhje e fortë me Rusinë , e ushqyer nga ndjenja e një «vëllazërie ortodokse» që mundt’i lidhë në një mënyrë të veçantë me këtë vend. Sipas një studimi të bërë në fund të vitit 2017 nga qeveria serbe, një e katërta e banorëve (24%) njohin Rusinë si donator kryesor (ndihmë financiare dhe donacione materiale) të vendit të tyre, derisa 75% të donacioneve dhe të ndihmës vijnë nga Bashkimi Evropian ose nga vendet anëtare. Po ashtu, më shumë se 70% e investimeve të huaja në mes vitit 2010 dhe 2017 kanë ardhur nga BE-ja, kundër afërsisht 10% nga Rusia, sipas shifrave të Bankës kombëtare serbe.

 

Ky mit, pra, bazohet mbi një lidhje më shumë emocionale se sa racionale e cila vazhdon, e ushqyer nga disa politikanë, si presidenti serb Aleksandar Vučić ose Milorad Dodik i Republikës Srpska.

 

Për ta kufizuar impaktin e tyre negativ, dekonstruktimi i miteve kalon domosdoshmërish përmes një pune hulumtuese dhe një thellimi në hulumtim historik dhe/ose gazetaresk. Megjithatë, nuk është gjithmonë e lehtë të bëhet një punë hulumtuese mbi tema ende të ndjeshme për individët dhe për qeveritë e vendeve të përfshira. Mungesa e mjeteve për gazetarët, mungesa e interesimit të mediave për hulumtim historik dhe shpërndarja e shpejtë e teorive konspirative në internet mund ta ngadalësojnë përparimin e hulumtimit dhe dekonstruktimin e disa miteve që ende po vazhdojnë të ekzistojnë.

 

Lidhur me këtë, asociacioni « Krokodil» ka ndërmarrë një iniciativë në Beograd në qershor 2020 kundër instrumentalizimit të historisë për qëllime politike. Synimi i saj ishte të krijohej një hapësirë dialogu historik dhe ndërkulturor në vendet e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe të inkurajohet një kulturë më gjithëpërfshirëse e kujtesës.

 

Disa kanale të shpërndarjes së informacionit mund të shërbejnë për tejkalimin e kësaj problematike të studimit historik dhe të rëndësisë së pakët që mediat i japin kësaj tematike serioze, siç është rasti i kinemasë.

 

 

KINEMAJA : NË MES SHPREHJES QYTETARE DHE VEKTORIT TË MITIT

 

Promovimi i miteve nacionale bëhet ndonjëhere edhe përmes kinemasë e cila gjen aty një burim frymëzimi dhe i siguron vetes një impakt të madh mbi imagjinaren e njerëzve. Përveç rasteve kur kemi një kulturë historike të madhe dhe specifike mbi temën në fjalë, ndonjëherë është e vështirë të vlerësohet vërtetësia e ngjarjeve të paraqitura në një vepër kinematografike. Kështu që, nuk është e rrallë që disa filma propozojnë një lexim të anshëm të ngjarjeve, madje edhe i ushqejnë e i përhapin disa mite, legjenda dhe paragjykime.

 

Shembull: Në fund të vitit 2017, RTS-ja (televizioni nacional serb) ndërmerr produksionin dhe emeton serialin Senke nad Balkanom («Hije mbi Ballkan») të regjisorit Dragan Bjelogrlić. Ngjarja zhvillohet në Beograd, kryeqytet i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, pastaj i Mbretërisë së Jugosllavisë, në vitet 1920-1930. Kjo seri e paraqet këtë periudhë si një kohë të artë për vendin. Në mes viteve 2008 dhe 2014 ishte shfaqur përshtatja për televizion e trilogjisë Mir-Jam, (Ranjeni orao, Nepobedivo srce, Samac u braku) dhe filmi që është bërë serial Montevideo, Bog te video (2012-2014), një histori familjare ndër breza e cila trajton me nostalgji të njëjtën periudhë të historisë kombëtare.

 

Por kinemaja mund të përdoret edhe si një mjet i fuqishëm dekonstruktimi dhe si një mënyrë e shprehjes së shoqërisë civile që bën të mundur trajtimin e shumë çështjeve që lidhen me shoqërinë dhe aktualitetin.

 

Shembull : Filmi me metrazh të shkurtër “Take me somewhere nice” i vitit 2019, i realizuar nga një regjisore e re me prejardhje boshnjake, Ena Sendijarević, flet për një grua të re boshnjake e cila jeton në Holandë (The Nederlands) me familjen e saj dhe kthehet në vendlindje. Kjo vepër trajton çështjen e emigrimit, të ndërkulturalitetit, të nacionalizmit dhe të një kthimi te rrënjët, kthim që ndonjëherë është i vështirë për brezat e rinj.

 

Shembull: Filmi «Before the Rain» i regjisorit maqedon Milcho Manchevski i cili e ka fituar Luanin e artë në festivalin e Venecias në vitin 1994 flet për luftën dhe për tensionet etnike në mes maqedonëve dhe shqiptarëve.

KAPITULLI 10 – IMAZHI DHE RREZIQET E MANIPULIMIT TË TIJ

Fuqia e imazhit 

 

“Një fotografi flet më shumë se njëmijë fjalë”.

 

Për disa dekada, përdorimi i imazhit ka zënë një vend të rëndësishëm në shoqëritë tona, qoftë përmes televizionit, medias, reklamave apo më drejtpërdrejt në përditshmërinë tonë me përdorimin e shpeshtë të rrjeteve sociale. Në të vërtetë, ekziston bindja se imazhi është reflektimi i realitetit që na jepet në moment, pothuajse menjëherë, më shpejt se një tekst ose një fjalë. Kështu, kjo mënyrë e komunikimit ose e të shprehurit ka një fuqi të madhe simbolike, sepse mund të përmbledhë shumë gjëra me shumë pak mjete.

 

Një forcë me dy tehe

 

Megjithatë, kjo fuqi e madhe simbolike i ka të metat e veta. Prirja për të menduar se një imazh flet vetvetiu është një kurth që duhet evituar, sepse imazhi mund t’i mashtrojë lehtë shqisat tona dhe, për këtë arsye mund të përdoret për të na mashtruar apo për të na manipuluar. Për shembull, për të njëjtin imazh mund të jepen shumë lehtë interpretime të ndryshme.

 

Me fuqinë e rrjeteve sociale dhe të internetit, një imazh, një fotografi apo një video mund të bëhet virale dhe globale. Nga njëra anë, ky viralitet mund të jetë një gjë e mirë kur përhapja e një imazhi bën të mundur zgjimin e ndërgjegjes, siç ishte fotografia e një çifti të ri serbo-kroat duke u puthur me krenari, secili i mbështjellë me flamurin e vet, fotografi e cila është përhapur gjerësisht në rrjetet sociale. Por në të njëjtën kohë kjo do të thotë që ndonjëherë do të ballafaqohemi me shpërndarje masive dhe të shpejtë të lajmeve të rreme apo edhe të teorive konspirative të ilustruara ose të lidhura drejtpërdrejt me imazhe ose video.

 

Prodhimi dhe manipulimi i imazheve

 

Roli qendror i imazhit dhe ndikimi i tij në shoqëritë tona na ndihmon të kuptojmë pse kanë më shumë efekt dhe janë më të përhapura lajmet e rreme që përdorin anën vizuale (imazhet, fotot, videot). Edhe kur lajmi i rremë nuk është i lidhur drejtpërdrejt me një fotografi, autori i tij, në shumicën e kohës kërkon ta ilustrojë këtë lajm të rremë me një imazh (shpesh i nxjerrë nga konteksti, ose i manipuluar).

 

Ekzistojnë disa lloje të manipulimit të imazheve:

  • Nxjerrja nga konteksti: Është metoda që përdoret më së shumti sepse është shumë e lehtë për t’u zbatuar. Kemi të bëjmë me një proces që riinterpreton kuptimin e një imazhi në mënyrë që, duke e nxjerrë nga konteksti fillestar, ky imazh të shprehë diçka tjetër. Pra, arsyet e vërteta dhe rrethanat në të cilat është bërë fotografia nuk kanë më rëndësi. Qëllimi është të ilustrohet një fakt duke u kufizuar vetëm në aspektin e parë të imazhit dhe duke anashkaluar origjinën e tij, kjo paraqet një lloj tradhtie ndaj kuptimit të imazhit.

Shembull : Në muajin gusht të vitit 2020, një fotografi ka qarkulluar në rrjetet sociale ku pretendohej se ishte vendosur një antenë 5G në çatinë e një minareje të një xhamie në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fakt ishte një fotografi e zakonshme e minares në fjalë, por teksti që lidhej me imazhin theksonte se aty gjendet një antenë 5G e cila emeton rrezatim të fortë valësh magnetike, edhe pse 5G ende nuk është instaluar në atë shtet.

  • Falsifikimi ose fotomontazhi: Kjo metodë përfshin një modifikim artificial të imazhit ose të fotografisë origjinale në mënyrë që të ndryshojë kuptimi i tij (saj). Mund të jetë:
    • një objekt ose një person i shtuar ose i hequr nga një fotografi ose një video.

Shembull : Pas shpërthimit në portin e Bejrutit në gusht 2020, në internet kanë qarkulluar imazhe të modifikuara në të cilat është shtuar një raketë me anë të një softueri video, duke sugjeruar kështu që shpërthimi ishte një sulm ushtarak nga një vend i huaj, specifikisht nga Izraeli.

    • ose një përpunim për të fshehur një pjesë të fotografisë, si për shembull, gjatë një takimi ose një proteste: mund të hiqet pjesa e imazhit ku nuk ka njeri për të dhënë përshtypjen se hapësira ishte e mbushur me njerëz.
  • DeepFake: Është një teknikë falsifikimi që përdor një softuer të inteligjencës artificiale për ta zëvendësuar fytyrën e një personi në një video. Për shembull, ekziston një video me një fjalim të rremë të Barack Obama-s në të cilin ai fyen Donald Trump-in, pasardhësin e tij. Ky falsifikimim është mundësuar duke përdorur teknikën “DeepFake”. Me risitë teknologjike, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të vërehen imazhet e falsifikuara apo fotomontazhet, dhe me shfaqjen e metodave të reja të manipulimit video, do të nevojitet kujdes i shtuar dhe do të duhet të verifikohen burimet.


Lajmet e rreme dhe rrjetet sociale: dy çështje të ndërlidhura

 

Për shumicën dërrmuese të rrjeteve sociale (Facebook, Instagram, Snapchat), shpërndarja e imazheve dhe videove është në thelb të funksionimit të tyre. Nga ky këndvështrim pra, rreziku është i dyfishtë sepse, nga njëra anë çdo individ ka mundësi të publikojë/shpërndajë imazhe te një audiencë të gjerë nëpër rrjete, dhe nga ana tjetër manipulimi i imazheve nuk kërkon ndonjë kompetencë të veçantë teknike (si në rastin e fotografisë së antenës 5G në minare në Bosnjë dhe Hercegovinë).

 

Vizatime të shtypit dhe karikatura

 

Për një kohë të gjatë tashmë, kjo fuqi simbolike e imazhit përdoret nga shtypi për të dërguar mesazhe. Edhe kur fotografia nuk ekzistonte akoma, përdorimi i figurës në shtyp si një formë kritike bëhej përmes vizatimit dhe veçanërisht përmes karikaturave. Është interesante të theksohet se edhe sot, përkundër përdorimit të gjerë të imazheve dhe fotografive, karikaturat përdoren ende në shtyp dhe kjo teknikë, madje, është shndërruar në një profesion dhe në një art më vete.

 

Përkufizim: Mënyrë simbolike e shprehjes që prodhon sintezën e një koncepti, e një problematike ose e një faktit të aktualitetit duke ekzagjeruar tiparet ose aspektet e një personi ose një dukurie. Karikatura zakonisht përdor tonin e humorit për të denoncuar dhe për të kritikuar.

 

Shembul: Në Serbi, në nëntor 2018, karikaturat e karikaturistëve të famshëm Predrag Koraksić Corax dhe Dušan Petričić ishin subjekt i polemikave, duke detyruar bibliotekën e Lazaravacit t’i largonte vizatimet e tyre. Meqenëse këta karikaturistë angazhohen shumë në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, më 22 nëntor në bashkinë e Stari gradit në Beograd u hap një ekspozitë e vizatimeve të shtypit dhe karikaturave të tyre.

 

Karikatura është një temë interesante për sa i përket përdorimit të imazheve dhe ndikimit të tyre, por është gjithashtu një mjet pak i përdorur nga të rinjtë. Për shkak të rëndësisë së saj simbolike dhe nga fakti që është e lidhur me një kontekst apo me një temë specifike, kur trajtohet tema me të rinjtë, shpesh nevojitet një punë kontekstualizuese në mënyrë që të jepen instrumentet e nevojshme për të kuptuar çështjet/temat e mobilizuara nga karikatura.