MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT

SEANCA 3 – INFORMACIONI DHE DEZINFORMIMI

Fletë edukative 7

KAPITULLI 7 – QASJA NË INFORMACION ME MENDIM KRITIK

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Mendimi kritik si koncept në thelb të edukimit mediatik

 

Në kuadër të edukimit mediatik, nocioni i mendimit kritik do të thotë ekzaminimi i vëmendshëm i informacioneve që disponohen duke i dokumentuar dhe duke ia nënshtruar analizës së provës. Është një analizë kritike që refuzon amalgamet, përgjithësimet e shpejta, paragjykimet dhe fjalët pa dëshmi. Në përgjithësi, është një aftësi për të rezonuar në mënyrë autonome, racionale dhe të vetëdijshme. Është gjithashtu një aftësi për të analizuar dhe për të kuptuar përmbajtjen mediatike, duke marrë parasysh synimet e autorëve.

 

Mendimi kritik bazohet në tri parime:

 

  • Parimi i autonomisë: të qenit të aftë për të menduar në mënyrë personale, pavarësisht nga njerëzit që na rrethojnë, pavarësisht nga rrethi ynë.
  • Parimi introspektiv: të qenit të vetëdijshëm për limitet tona në kuptimin e fenomeneve, si dhe nga ndikimi i paragjykimeve tona kognitive, i emocioneve tona dhe të të tjerëve mbi gjykimin dhe besimet tona.
  • Parimi i të mësuarit : mendimi kritik mësohet dhe fitohet përmes prurjes së njohurive dhe të pyetjeve që e pasojnë zgjimin intelektual. Mund të ketë forma konkrete të tij siç janë krahasimi i hipotezave ose verifikimi i burimeve të lajmit.

 

Konkretisht, mendimi kritik në qasjen ndaj medias do të thotë:

 

  • Të informohesh: të gjendet kohë për t’u informuar, për t’i përballur informacionet njërin me tjetrin dhe për ta kuptuar informacionin para se ta gjykojmë, komentojmë ose shpërndajmë.
  • Të vlerësohet informacioni: të identifikohen dhe të verifikohen burimet e informacionit para se të aprovohen ato.
  • Të ndahen faktet nga interpretimet: të ndahen faktet e vërteta nga interpretimi i ngjarjeve.
  • Të krahasohen interpretimet: të gjejmë interpretimet e ndryshme që mund të ketë mbi një informacion dhe t’i pranojmë si të dhëna të shumta.
  • Të hierarkizohen interpretimet: interpretimet miratohen nga përvoja dhe hulumtimi, nga hipotezat dhe opinionet që lidhen me ato që ne besojmë. Pastaj i rendisim sipas rendit të legjitimitetit.

 

 

Puna gazetareske e verifikimit të informacionit

 

Mendimi kritik është në thelb të punës gazetareske dhe kërkon përpunimin rigoroz të informacionit para se të shpërndahet. Gazetari bën një punë kërkimi, investigimi, krahasimi të burimeve: duhet të mbështetet në analizën dhe në vënien në perspektivë të fakteve dhe të shpjegimeve të mundshme.

 

Puna gazetareske është edhe më esenciale në kohën e shoqërisë digjitale, ku kemi një rritje të lajmeve të rreme, imazheve dhe videove të falsifikuara në internet.

 

Në kuadër të edukimit mediatik, puna gazetareske e verifikimit të lajmit është thjeshtësuar dhe i është përshtatur praktikave të të rinjve në formën e një liste të praktikave të mira:

  • Verifikohet lloji i faqes web ku është konsultuar informacioni. Tab-et «legal mentions» ose «about» mundësojnë, zakonisht, identifikimin e llojit të faqes web që konsultojmë (blog, faqe humoristike, institucionale, etj…);
  • Shkohet deri në burim të informacionit. Shpesh, në internet lajmet ndahen, shpërndahen, dhe ndonjëherë deformohen, dekontekstualizohen ose interpretohen. Prandaj është e rëndësishme të gjendet nga vjen informacioni.
  • Shikohet data e publikimit të informacionit. Sot, një lajm e humb shpejt aktualitetin ose shpesh ndodh që është verifikuar ose demontuar më parë.
  • Verifikohet identiteti dhe besueshmëria e autorit të lajmit. A është gazetar? A është specialist i temës që e trajton.
  • Identifikohet qëllimi dhe synimet e autorit të lajmit. A ka për qëllim të na informojë? Të na manipulojë? Të na shesë diçka?
  • Bëhen pyetjet e duhura. Të qenit kureshtar dhe të qenit në gjendje ta vësh në dyshim autorin, pa përfunduar në mosbesim apo paranojë.

 

 

Rëndësia e aprovimit të burimeve

 

Burimi është vendi nga vjen informacioni, pikënisja e tij, thuhet ‘të shkojmë deri te burimi për të gjetur nga vjen një informacion’.

 

Verifikimi i dyfishtë i informacionit është njëra nga rregullat bazike më të rëndësishme të gazetarisë. Fatkeqësisht, shpejtësia në rritje e informimit, e lidhur pjesërisht me shfaqjen e rrjeteve sociale dhe me presionin ekonomik mbi audiencën, e kanë lëkundur këtë parim.

 

Një burim i besueshëm është më së shpeshti një person ose një strukturë e kualifikuar (një ekspert ose një person që ka njohuri në lidhje me temën) mbi një temë, që jep informacione mbi të.

 

Për të qenë më i besueshëm dhe që të ketë gjasa të konsiderohet si korrekt, një lajm duhet të jetë gjetur, konfirmuar nga burime të tjera lajmesh dhe/ose duhet të konsultohet në media të tjera. Thuhet atëhere që lajmi duhet të kryqëzohet për të qenë i verifikuar.

 

Ekzistojnë katër lloje kryesore burimesh:

  • Burimet institucionale: autoritetet publike, qeveritë;
  • Burimet e ndërmjetshme: shoqatat, organizatat profesionale, partitë politike, sindikatat;
  • Burimet personale: burime diskrete, madje, sekrete, që gazetari i ka brenda rretheve të pushtetit dhe rretheve profesionale;
  • Burimet e rastësishme: burime spontane, rrëfime të propozuara ose të kërkuara sipas rrethanave, dëshmitarë të një ngjarjeje;

Konteksti Ballkanik

Qëllimi 1: Të kuptohet nocioni i mendimit kritik dhe rëndësia e një trajtimi kritik të informacionit

Qëllimi 2: Të njihen dhe të zbatohen parimet e praktikës gazetareske të kërkimit të informacionit

Qëllimi 3: Të kuptohet çështja esenciale e verifikimit të burimeve