MODULI 3 - FUQIA E MEDIAVE

SEANCA 5 – QYTETARIA ONLINE

Fletë edukative 13

KAPITULLI 13 – PËR NJË PËRDORIM QYTETAR TË MEDIAVE

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Të përvetësohen konceptet kryesore të “kiber-qytetarisë” dhe të “mediave qytetare ”

Qëllimi 2: Të jepen shembuj suksesi të mediave qytetare

Qëllimi 3: Të vlerësohen rreziqet dhe kurthet e mediave qytetare

Çfarë është media qytetare?

 

Përkufizim: Në togfjalëshin «media qytetare» gjejmë fjalët «media» dhe «qytetar». Në të vërtetë, bëhet fjalë për media, domethënë mjeti (radio, TV, internet, etj.) përmes së cilit transmetohen lajmet te një audiencë e gjerë. Përdoret gjithashtu mbiemri "qytetar", ngaqë autorët e këtyre artikujve dhe e këtyre hulumtimeve nuk janë gazetarë profesionistë, por qytetarë të thjeshtë që synojnë udhëheqjen e debateve mbi çështje specifike ose probleme që kanë të bëjnë me tërë shoqërinë.

 

Prandaj, lexuesi braktis qëndrimin e tij krejt pasiv dhe futet në ndërtimin dhe shpërndarjen e lajmit. Pra, pjesëmarrja është një element shumë i rëndësishëm në mediat qytetare. Kjo realizohet nëpërmjet radiove (online ose jo), por edhe blogjeve, vlogjeve (blogje që bëhen kryesisht përmes videove), podcast, etj. Kështu që, qytetarët e thjeshtë, studiuesit ose profesionistët e botës ndërvepruese mund ta marrin fjalën dhe të kenë qasje në një audiencë të gjerë.

 

Shembull: Në Shqipëri, blogu si angazhim qytetar, i krijuar në vitin 2007, nga Ardian Vehbiu, blogu "Peizazhe të Fjalës", paraqitet si një hapësirë më vete dhe e pavarur, një model i qëndrueshëm në një peizazh mediatik shqiptar që përballet me ndryshime të shpejta, me reduktime progresive të burimeve financiare, me ulje të besueshmërisë dhe me politizim të madh. Sipas autorit të këtij blogu, "Blogu ishte menduar që në fillim si një "shenjtërore" e mendimit të lirë shqiptar, e mbrojtur nga frikësimet, fajësimet, poshtërimet, stigmatizimet, gjykimet, akuzat, 'shurdhimet e shumicës' dhe forma të tjera bashkëkohore të censurës në diskursin publik ".

 

 

Angazhimi përmes rrjeteve sociale

 

Rrjetet sociale kanë ndryshuar edhe rrjedhën e informimit nga tradicionalja vertikale dhe nga lart-poshtë në një transmetim më horizontal. Secili prej nesh mund të prodhojë përmbajtje dhe ta shpërndajë brenda rrjetit të tij, por edhe jashtë tij. Kjo mënyrë e të shprehurit nuk është thjeshtë virtuale, por shpesh zhvillohet paralelisht ose paraprakisht ndaj mobilizimeve konkrete në terren. Në kontekstin e revolucioneve arabe, për shembull, rrjetet sociale luajtën një rol të pamohueshëm, por ndryshimet politike ndodhën falë lëvizjeve shoqërore (protesta, bllokada, etj.). Rrjetet sociale mundësojnë qarkullimin e shpejtë të informatave dhe të ideve, por ndryshimet në nivel shoqëror ndodhin kur ky angazhim plotëson realitetin fizik në terren.

 

Shembull: Në Serbi, lëvizja #1of 5milion e cila u shfaq në fund të vitit 2018 ka ditur të përfitojë nga teknologjitë e reja dhe mjetet moderne të komunikimit duke mobilizuar qytetarët përmes shkëmbimit të përmbajtjeve online dhe shkëmbimit të lajmeve përmes rrjeteve sociale. Kështu, lëvizja fitoi shpejt një publik të gjerë dhe Twitter e Facebook mundësuan krijimin e grupeve të debatit dhe mobilizimin e masave të njerëzve për lirinë e shprehjes dhe kundër abuzimeve autoritare të sistemit politik.

 

 

Rreziqet dhe kurthet

 

Duhet pasur parasysh se gazetaria është një profesion që kërkon aftësi specifike si dhe respektim të deontologjisë. Megjithatë, të gjithë mund të aftësohen për gazetari, veçanërisht përmes dialogut midis gazetarëve profesionistë dhe amatorë. Ky shkëmbim i njohurive na mundëson të sigurohemi që mediat qytetare bëhen burim i vërtetë alternativ dhe i besueshëm.

 

Lehtësia me të cilën secili mund ta përvetësojë tani rolin e gazetarit amator paraqet edhe disa rreziqe. Prodhuesit e lajmeve, ndonjëherë, mund t’i injorojnë standardet themelore të deontologjisë gazetareske dhe të shpërndajnë informacione të pasakta ose, ndonjëherë, të manipuluara plotësisht.

 

Tani me praninë e mediave qytetare, kanaleve televizive, shtypit të shkruar apo edhe rrjeteve sociale, sasia dhe llojllojshmëria e lajmeve në dispozicion janë më shumë se kurrë një pasuri që kërkon ruajtjen e mendimit kritik në lidhje me të gjitha këto burime informatash.

 

Për më tepër, interneti është një hapësirë lirie, por edhe një hapësirë shkëmbimesh ekonomike. Logjika e marketingut pushton internetin dhe rrjetet sociale dhe informimi bëhet edhe një burim përfitimi.

 

Qarkullimi i disa lajmeve (veçanërisht ato që ndikojnë emocionalisht te lexuesit) mund të jetë edhe një burim përfitimi në një sistem të financuar nga reklamuesit dhe reklamat. Ky fenomen "ClickBait" është i pranishëm gjithnjë e më shumë dhe i shtyn njerëzit të klikojnë në një link dhe të vizitojnë një faqe të internetit për të lexuar një artikull. Në fakt, autori i artikullit dhe i faqes së internetit në fjalë shpërblehet nga reklamat që gjenden në faqen e tij dhe nga numri i shikimeve që grumbullon. Por kjo është edhe një burim rreziku, pasi, për t’i tërhequr përdoruesit e Internetit mund të përhapen besime të rreme.