Author Archives: philippe.morlhon@mouvement-up.fr

Aktiviteti 2 – Gara e dezinformimit

PREZANTIM I AKTIVITETIT

 

Qëllimet:

 

  • Të matet aftësia e pjesëmarrësëve për të verifikuar shpejt një informacion të dyshimtë
  • Të identifikohen informacionet që duhet të verifikohen
  • Të familjarizohen pjesëmarrësit me etapat e verifikimit të një lajmi ose të një burimi.

 

Gara kundër dezinformimit është aktivitet stimulues sepse merret në konsideratë shpejtësia e përgjigjes dhe të rinjtë vihen në konkurrencë me njëri-tjetrin.

 

Ky aktivitet i realizueshëm lehtë paraqet thjeshtësinë e zbatimit të masave të verifikimit të lajmit.

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

  1. Formohen grupe me 3/4 pjesëmarrës.
  2. Kërkohet nga pjesëmarrësit të lundrojnë nëpër burimet e tyre të mediave sociale derisa ta gjejnë informacionin që duhet të verifikohet.
  3. Kërkohet nga pjesëmarrësit që të diskutojnë për masat që duhen ndërmarrë.
  4. Zgjidhet pjesëmarrësi që është më i shpejtë në verifikimin e informatës.

AKTIVITETI 1 – “Klasa hulumtuese”: Hulumtim gazetaresk në mënyrë grupore

PREZANTIM I AKTIVITETIT

 

“Klasa hulumtuese” është një lojë që u mundëson pjesëmarrësve të rinj që të kuptojnë ndërtimin e lajmit.

 

Konkretisht, është një hulumtim gazetaresk imersiv ku pjesëmarrësit hynë në lëkurën e gazetarëve.

 

Qëllimet:

  • Të kuptohen bazat e profesionit të gazetarit si dhe rigoroziteti që gazetarët profesionalë duhet te tregojnë për të siguruar vlefshmërinë e lajmit që transmetojnë.
  • Të kuptohet rëndësia e të pasurit mendim kritik kur përballemi me një lajm.
  • Të zbatojmë më lehtë punën e verifikimit të burimeve, pasi të jetë realizuar një pjesë e punës së gazetarit në këtë fushë.

 

Me kohë, të rinjtë mësohen që të veprojnë në këtë mënyrë dhe metoda shndërrohet shumë shpejt në refleks. Kjo i ndihmon që të mos bien në kurthin e dezinformatës.

 

Ky ushtrim e favorizon shpirtin ekipor, mbajtjen e shënimeve, mendjen analitike dhe prezantimin gojor, por, gjithsesi, ky ushtrim këmbëngul në punën e filtrimit që bëjnë gazetarët profesionistë para se ta shpërndajnë një lajm.

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

Ky hulumtim gazetaresk imersiv zhvillohet në disa etapa :

  1. Për gjatë dy orëve, të rinjtë mbledhin rrëfime dhe dokumente.
  2. Këto rrëfime dhe këto dokumente janë përpiluar ose janë regjistruar paraprakisht nga trajneri dhe «bashkëpunëtorët» e tij (anëtarë të ekipit pedagogjik, profesorë, anëtarë të shoqatës…).
  3. Rrëfimet dhe dokumentet flasin të gjithë për të njëjtën ngjarje (për shembull: zhdukjen e mistershme të dy luanëve të vegjël në një kopsht zoologjik), por vijnë nga burime të ndryshme (për shembull: personi përgjegjës i kopshtit zoologjik, pronarja e kafes përballë kopshtit zoologjik…).
  4. Të rinjtë i kryqëzojnë këto dokumente për të kuptuar se si janë zhvilluar ngjarjet, pastaj i intervistojnë dëshmitarët (me prani fizike ose përmes emailit).
  5. Pastaj realizojnë një reportazh aty për aty, ku njëri luan rolin e gazetarit ndërsa një tjetër e regjistron, me smartphone ose me kamera.
  6. Në fund, videot mund të shfaqen në platformë sipas dëshirës tuaj për t’i sensibilizuar të rinjtë e tjerë në këto çështje (dhe t’u mundësohet të rinjve të vlerësojnë cilësinë e performancës së tyre!).

AKTIVITETI 2 – KUIZI

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Përshkrim:

 

Kuizi është një mjet mësimi përmes lojës – nuk ka qëllim vlerësimi. Ushtrimi duhet të ketë – së paku pjesërisht- pyetje të thjeshta dhe të qasshme në mënyrë që pjesëmarrësit të inkurajohen në aftësinë e tyre për ta kuptuar temën dhe që të favorizohet më shumë përfshirja e tyre.

 

Ky ushtrim mundëson, për shembull, që koncepti i lajmeve të rreme të trajtohet përmes praktikës, para se të kërkohet që koncepti të përkufizohet në mënyrë teorike. Kështu angazhohet drejtpërdrejtë mendimi kritik i pjesëmarrësëve.

 

Kuizi shërben edhe për t’i dalluar pjesëmarrësit që mbërrijnë në përfundime të nxituara nga një informacion ose nga një imazh.

 

Konkretisht, ky ushtrim mund të nxisë çfarëdo pyetjeje lidhur me edukimin kritik në media.

 

Qëllimet:

 

– Favorizohet pjesëmarrja gojore, dialogu, argumentimi dhe forcohet pjesa teorike e workshop-it falë një aktiviteti praktik dhe kognitiv.

 

– Krijohet një dinamikë e grupit përmes shpirtit ekipor.

 

– Mundësohet sjellja e shkathët e informatave teorike mbi universin mediatik (liria e shtypit, datat historike, etj.).

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

1/ Trajneri përgatit rreth pesëmbëdhjetë pyetje (një slajd me pyetje e pastaj një slajd me përgjigje)

2/ Trajneri i ndan pjesëmarrësit në grupe me nga 4 deri në 5 persona

3/ Kërkohet nga secili grup që të përgjigjet në mënyrë kolektive duke zgjedhur vetëm një pyetje në mesin e shumë pyetjeve të propozuara me zgjedhje të shumëfishta

4/ Për secilën përgjigje, trajneri kërkon nga çdo skuadër që ta arsyetojë gojarisht zgjedhjen e vet me një përgjigje të shkurtër.

5/ Trajneri jep përgjigjen e saktë. Pastaj i shënon pikët e fituara për secilen skuadër (për çdo pyetje llogaritet 1 pikë për çdo përgjigje të saktë)

Mënyra më e mirë është të krijohet një kuiz mbi temat e shqyrtuara. Për t’u frymëzuar dhe/ose për t’i sensibilizuar pjesëmarrësit në funksionimin e kuizit, ekzistojnë faqe web, për shembull «quipoquiz.com» i cili propozon kategori të ndryshme (këtu kategoria «shkencë ose fiksion» është e rëndësishme ) dhe kuize në formë loje

Shembull pyetjeje:

Në cilin vend gjendet Serbia në renditjen e vendeve sipas lirisë së mediave në vitin 2020?

  1. 2
  2. 20
  3. 71
  4. 93

Përgjigjja: D (Serbia është në vendin e 93 të renditjes botërore të lirisë së mediave 2020. Serbia vazhdon të jetë një vend shpesh i rrezikshëm për gazetarët ku lajmet e rreme shpërndahen shumë shpejt. Shumica e procedurave hetimore lidhur me sulmet kundër gazetarëve nuk janë kryer ose janë mbyllur pa gjykim.)

AKTIVITETI 1 – SI VERIFIKOHEN BURIMET?

PREZANTIM I AKTIVITETIT

 

Qëllimet:

– Pjesëmarrësit kryejnë punën gazetareske të verifikimit të fakteve.

– Vlerësojnë cilësinë dhe rëndësinë e një lajmi.

– Analizojnë vështirësinë e formulimit të një lajmi rreth disa çështjeve.

Pjesëmarrësit ndahen në grupe para kompjuterave dhe verifikojnë disa lajme. Përgatiten disa tema për të ditur paraprakisht a janë këto lajme të vërteta apo jo, por qëllimi është që pjesëmarrësit t’i gjejnë vetë faktet.

Verifikimi mund të bëhet për disa lloje informacionesh, prej më të thjeshtit- si data e një ngjarjeje, përmbajtja e një ligji ose zhvillimi i një ndeshjeje futbolli- te më të komplikuarit. Për shembull për të përcaktuar numrin e të papunëve në Kosovë duhet të kemi parasysh përkufizimin e papunësisë (që ndryshon varësisht nga institucioni).

Qëllimi i këtij ushtrimi është që pjesëmarrësit të luajnë rolin e «hetuesit», «mini-gazetarit» dhe të jenë vigjilentë çdo ditë gjatë punës në internet.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

  1. Trajneri përgatit afërsisht dhjetë informacione (varësisht nga numri i të rinjve) të gjetura në internet ose në rrjetet sociale, që janë lajme të rreme (të demontuara qysh prej publikimit të tyre) ose informacione të vërteta të cilat mund të verifikohen lehtë. Trajneri i verifikon paraprakisht dhe i korrigjon.
  2. Pjesëmarrësit ndahen në grupe nga dy ose tri veta, me short i zgjedhin 2 ose 3 informacione.
  3. Pjesëmarrësit, të ndarë në grupe, vihen para kompjuterave, atyre u jepen disa informacione që duhet t’i verifikojnë.
  4. Sqarohet procedura e verifikimit të informacionit:

    – Cila është natyra e faqes web ku është gjetur informacioni? (shih në «legal mentions» ose tab-in «about» të faqes web)
    – A kemi të bëjmë me një faqe web me lajme ndërkombëtare, me një faqe humoristike, me një bllog politik?
    – Kush është autori i lajmit? Një politikan, një gazetar, një ekspert, një qytetar, një autor i panjohur? (Të bëhen hulumtime rreth këtij personi?)
    – Cili është qëllimi i tij? Frikësimi, informimi, manipulimi, bindja?
    – Nga vjen informacioni dhe në cilat burime/dëshmi mbështetet ai?
    – Kur është publikuar lajmi?
    – A është publikuar lajmi në faqe të tjera web?
     – A mund të kryqëzohet- do të thotë të gjendet diku tjetër, në media të tjera?

  5. Puna e verifikimit të lajmit prezantohet në mënyrë grupore, grupet e tjera japin përshtypjen e tyre mbi prezantimin, trajneri e korrigjon prezantimin.

AKTIVITETI 3 – LOJË ROLESH NË NDËRTIMIN E LAJMIT

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Në lojën e roleve të ndërtimit të lajmit, pjesëmarrësit luajnë rolin e aktorëve të ndryshëm që marrin pjesë në krijimin e lajmit:

 

  • aktorë, dëshmitarë, gazetarë, redaktorë dhe animatorë-teknikë.

 

Pjesëmarrësit duhet të sensibilizohen për vështirësitë që lidhen me ritranskriptimin besnik dhe objektiv të një fakti, sidomos kur mbështetet në dëshmi.

 

Qëllimet:

– Të rinjtë të kuptojnë, të materializojnë dhe të identifikojnë aktorët e ndërtimit të lajmit.
– Pjesëmarrësit të shndërrohen në aktorë mediatikë (lojë rolesh).

 

Fillimisht duhet të ndahen pjesëmarrësit në 5 grupe. Secili grup do të ketë një rol që do ta luaj në ndërtimin e lajmit që paraqet etapat e ndryshme të prezantuara në pjesën kushtuar ndërtimit të lajmit në dokumentin pedagogjik 3.

Realizimi i mirë i këtij ushtrimi kërkon që grupet e ndryshme të mos hyjnë në kontakt para ndërveprimeve dhe shkëmbimeve të parapara në ushtrim (do të ishte shumë mirë që pjesëmarrësit të nxirren nga salla dhe të kthehen brenda në grupe).

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

  1. Fillimisht, grupi i parë sajon një ngjarje të interesit të përgjithshëm. Për shembull, një aksident të një personaliteti politik, një protestë të punëtorëve pas mbylljes së një fabrike ose arrestimi i një VIP-i (yll i humorit ose aktor i njohur). Pasi të bien dakord pa pjesëmarrjen e grupeve të tjera, grupi duhet ta mimojë/luaj/vizatojë ngjarjen në fjalë vetëm përpara grupit të dytë.

  2. Grupi i dytë anëtarët e të cilit luajnë rolin e dëshmitarëve marrin pjesë në shfaqjen e ngjarjes, që aktrohet nga grupi i parë dhe informojnë mediat.
  3. Grupi i tretë, ai i gazetarëve, që atëhere hyn në skenë: anëtarët e tij dëgjojnë dëshmitë e dëshmitarëve (të grupit të 2) dhe verifikojnë lajmin duke i kryqëzuar dëshmitë me intervista të bazuara në atë që gazetarët quajnë 5W (When=Kur? Where=Ku? Who=Kush? What =Çfarë? Why=Pse?).
  4. Grupi i katërt, ai i redaktorëve (që ka qëndruar anash prej fillimit) mbledh raportet e intervistave dhe përpilon një përmbledhje (do të thotë një artikull të shkurtër përmbledhës të ngjarjes duke iu përgjigjur “5W”).
  5. Ky artikull i shkurtër i përcillet anëtarëve të grupit të pestë (animatorë dhe teknikë) të cilët e shpërndajnë informatën ashtu siç u është raportuar, me një incizim audio ose video ose, për shembull, duke simuluar një edicion televiziv lajmesh.

    Katër grupet që do të përcjellin lajmin (prej dëshmitarëve deri te shpërndarja) do të kenë punën e vështirë të përcjelljes sa më të plotë dhe neutrale të mundshme të lajmit. Megjithatë, mund të jetë interesante që të shkaktohet qëllimisht dështimi i realizimit të këtij ushtrimi duke i kërkuar, për shembull, njërit prej dëshmitarëve të grupit të dytë që të gënjejë në lidhje me atë që ka parë ose të sajojë një komplot rreth ngjarjes.

  6. Një analizë e shpejtë e ushtrimit mundëson që të shtrohen këto pyetje:

    – A është transmetuar lajmi në mënyrë besnike? A e raporton grupi i fundit një informacion të afërt me realitetin e fakteve ?
    – Cilat janë vështirësitë e secilës(it) etapë/funksion?
    – Cilat janë përcaktuesit/cila është hapësira për manovrim e secilit grup lidhur me trajtimin e lajmit?

 

AKTIVITETI 2 – PASQYRA E LAJMEVE në fillim të seancës

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Për shembull, për të filluar një seancë workshop-i, i kërkohet pjesëmarrësve të tregojnë një lajm ose një ngjarje nga aktualiteti që u ka lërë përshtypje, së fundi, gjë që do të mundësojë debatin rreth kësaj teme.

 

Duke marrë shembuj konkretë dhe aktualë, pasqyra e lajmeve në fillim të seancës është një ushtrim i mirë për të ushtruar qëllimet e workshop-it dhe mund të ketë interes të shumëfishtë.

 

Ky ushtrim mundëson që:

 

Të përforcohet përmasa e shkëmbimit dhe e bashkëndërtimitworkshopit duke i shtyrë pjesëmarrësit që të flasin për tema të aktualitetit, gjë që favorizon pjesëmarrjen dhe përfshirjen e tyre.

 

– Të integrohen ose të ripërdoren nocione teorike të përdorura më herët, falë aktualitetit (të përkujtohet përkufizimi i lajmit, dallimi në mes një lajmi dhe një opinioni, të qenit i kujdesshëm mbi natyrën e lajmit, të përkujtohet refleksi natyror që na shtyn ndonjëherë të parapëlqejmë një lajm sensacional dhe/ose të afërt me ne).

 

– Të jepen informacione rreth përdorimit të mediave nga të rinjtë dhe raporti i tyre me lajmin. Shpesh konstatohet se rrjetet sociale përbëjnë burimin e tyre kryesor të informimit (kryesisht citohen SnapChat dhe Instagram). Ky ushtrim mund të jetë rast i mirë për t’i inkurajuar ata qe të konsultojnë burime të tjera të informimit ku aktualiteti është i prezantuar në një mënyrë tjetër, më të thelluar, si për shembull faqet e internetit të fact-checking-ut që mund t’i përcjellim në disa rrjete sociale.

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

  1. Secili nxënës gjatë 5 min. kërkon në telefon një lajm ose një ngjarje të aktualitetit që ia ka tërhequr vëmendjen.
  2. Secili nxënës e prezanton këtë lajm para grupit.
  3. Nxënësi e tregon burimin e lajmit (Ku e ka hasur këtë lajm për herë të parë?)
  4. Interesimi i tij për lajmin (Pse ia ka tërhequr vëmendjen?)
  5. Analiza e këndvështrimëve nga trajneri/trajnerja.

AKTIVITETI 1 – RE FJALËSH : Zbulo peizazhin mediatik

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

‘Re fjalësh’ është një ushtrim bashkëpunues në të cilin të rinjtë ftohen të tregojnë njohuritë e tyre për botën e medias dhe t’i bashkojnë ato, duke u nisur nga fjala “media” e shkruar në tabelë.

 

Ky ushtrim u mundëson pjesëmarrësëve që të prezantojnë aktorët kryesorë të mediave ballkanike në mënyrë të qartë dhe të organizuar duke i theksuar dallimet e tyre.

 

Ky ushtrim u jep gjithashtu mundësi trajnerëve të vështrojnë praktikën mediatike të target grupit (çfarë mediash përdorin ata? ku informohen?) dhe kështu të orientojnë punën e workshop-it në bazë të praktikave dhe të opinionëve të tyre. Kërkohet që përgjigjet të saktësohen ose të argumentohen, si dhe inkurajohen pjesëmarrësit të japin mendimin e tyre me qëllim që të thellohen disa tema.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

  1. Shkruhet fjala «media» në një mjet vizual dhe shënohen emrat e mediave ose të mjeteve të informimit (televizion, radio, shtyp i shkruar, rrjete sociale) që u bien ndërmend pjesëmarrësve.

  1. Ndahen mediat e propozuara nga pjesëmarrësit sipas llojit të mjetit të informimit.

  1. Ndahen mediat private nga mediat publike.

  2. Ndahen mediat tradicionale dhe mediat sociale: shumica e pjesëmarrësve i përdorin shpesh rrjetet sociale (Instagram/SnapChat/ Facebook), qoftë për të konsultuar lajme, ose thjesht për të kaluar kohë në këto rrjete. Kështu që, në këtë ushtrim do të shtrohet çështja e rëndësisë së rrjeteve sociale në peizazhin mediatik, qoftë nga pjesëmarrësit, qoftë nga trajneri. Do të jetë një rast i mirë për t’i integruar temat e masivizimit të informacionit në internet dhe të manipulimit potencial të lajmit që mund të bëhet në rrjetet sociale. Për më shumë, duhet të përkujtohet se, një rrjet social nuk ka asnjë redaksi, asnjë gazetar, jemi të gjithë prodhues dhe shpërndarës të lajmit edhe pse nuk jemi profesionistë. Atëhere duhen inkurajuar pjesëmarrësit që të jenë të kujdesshëm, sepse gjithkush mund të shprehet në këto rrjete.

KAPITULLI 18 – REALIZIMI I NJË PROJEKTI VIDEO

REALIZIMI I NJË EDICIONI TELEVIZ LAJMESH

 

Pajisjet: Për të realizuar një edicion televiziv lajmesh, paraprakisht duhet të zgjidhet kamera (me përdorim të lehtë) ose të vendoset që të përdoren telefonat celularë të anëtarëve të grupit. Do të ju duhet edhe një softuer për montazh (shih linqet më poshtë) si dhe tu mësoni nxënësve bazat e montazhit video. Zgjidhni pastaj një ose më shumë kanale të shpërndarjes (youtube, rrjete sociale…).

 

Koha e nevojshme: Realizimi i një edicioni televiziv lajmesh mund të zgjasë disa gjysmë-ditë punë individuale dhe në grup.

 

1. Përzgjedhja e temave:

Gjëja e parë që duhet bërë është të organizohet një mbledhje e redaksisë për të përcaktuar emrin e edicionit të lajmeve, temat që do të trajtohen, por edhe formatet (reportazh, intervistë, debat, blic info) dhe këndvështrimi i zgjedhur.

2. Ndarja e roleve:

Eshtë rasti për të ndarë edhe rolet e “gazetarëve”, të “ekspertëve” të prezantuesit ose të prezantuesve, të “teknikëve” (kameraman, montazher) dhe për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve: kush po e bën këtë punë? si duhet ta përgatisë secili punën e tij (hulumtime, pyetësor, reportazh, ndërhyrje).

3. Plani drejtues dhe skripti :

Më pas nevojitet të përgatitet një plan drejtues (plani i emisionit minutë për minutë) dhe të përcillet prezentuesi apo prezentuesja gjatë përpilimit të tekstit të tij apo të saj, apo të skriptit (çdo gjë duhet të hartohet: hyrja, paralajmërimi i temave, prezantimi i gazetarëve, përfundimi i secilit format, tranzicionet, përfundimi, falënderimet…) dhe të shtyhet ai ose ajo që të ushtrohet të flasë pa i mbajtur sytë te fleta.

4. Xhirimi:

Xhirimi bëhet në para-regjistrim (e jo live) dhe me sekuenca për t’iu shmangur zhurmave të karrigeve, të lëvizjeve dhe të ruhet ritmi, për shembull:

hyrje-prezantim/ tema 1/përfundimi-prezantimi/ tema 2/përfundime ITW/ ITW/ përfundim-prezantim/ tema 3/përfundim i edicionit/ falënderime/

me një sfond neutral, ose të zgjedhur, me dritë të mjaftueshme dhe një kuadrim fiks dhe të përshtatur.

5. Montazhi:

Pastaj duhet të bëhet montazhi i të gjitha elementeve me rend që të duket se edicioni është ‘live’ (apo se është një emetim i rrjedhshëm) duke e respektuar planin e përgatitur paraprakisht në një softuer

6. Emetimi

Në fund edicioni duhet të hidhet online, në youtube, për shembull, por edhe në rrjetet sociale, ose në intranet, duke i saktësuar fjalët kryesore, duke i vërë linqet drejt përmbajtjeve të tjera, pasi të jetëpunuar paraprakisht mbi identitetin vizual (logo, titull) dhe duke shtuar një përshkrim të shkurtër, me qëllim që përdoruesi i internetit të ketë dëshirë të shohë edicionin e lajmeve.

 

REALIZIMI I NJË FILMI ME METRAZH TË SHKURTËR, I NJË DOKUMENTARI OSE I NJË REPORTAZHI

 

Realizimi i një videoje mund të bëhet në formate të ndryshme:

  • metrazh i shkurtër ( fiksion i shkurtër i skenarizuar)
  • dokumentar (video të llojit “hulumtim” mbi një problem të trajtuar në aspekte të ndryshme)
  • reportazh (video që trajton një temë në veçanti dhe me një këndvështrim të vetëm)

 

Pajisje: Realizimi i një videoje nuk kërkon domosdoshmërisht pajisje profesionale: mjaftojnë një aparat digjital, një smartphone, një tablet.

 

Koha e nevojshme: Realizimi i një filmi me metrazh të shkurtër, në grup, mund të kërkojë disa gjysmë-dite pune individuale dhe në grupe. Koha e realizimit mund të shkurtohet nëse përgatitet një plan sekuence, do të thotë, duke e xhiruar një video për një here, gjë që nuk do të kërkojë montim.

 

1. Përzgjedhja e temës:

Para se të fillohet me etapat e nevojshme për realizimin e filmit, është mirë të sensibilizohen nxënësit me temën duke vënë në dispozicion dokumente, materiale për të krijuar një ambient të mirë për bisedë mbi temën duke përcaktuar disa drejtime të mundshme  me të rinjtë; duke eksploruar dhe përdorur burime ekzistuese; duke e përpunuar një mesazh.

Duke u nisur nga ky mesazh, është mirë të shkruhet bashkërisht një tekst i shkurt (një faqe) i cili përmbledh se çka duam të tregojmë në film. Ky është sinopsisi, ai i përmbahet skemës narrative dhe e shpjegon fundin.

 

2. Forma:

  • Formati: Një film maksimumi dy minutësh, duhet të jetë i shkurtër dhe efikas. Duhet të zgjidhet formati: video informuese, reklamë, skeç, trailer, fiksion, reportazh.
  • Skenari: Duhet të jetë sa më i detajuar për një realizim të shpejtë. Pastaj, ngjarja duhet të ndahet në disa sekuenca narrative, më pasdisa sekuenca në disa plane dhe në fund të përgatitet një story-board apo një skenar-imazh.

 

3. Para xhirimit:

  • Duhet të gjenden vendet e xhirimit dhe dekoret, tekstet, dialogët, kostumet dhe aksesorët.
  • Duhet gjithashtu të ndahen rolet brenda ekipit: kameramani, montazheri, skripti, regjisori, tonisti (regjistrimi i zërit, muzika), aktorët.

Po ashtu duhet të bihet dakord mbi teknikat e përdorura:

  • për imazhet: film standard (aktorë që i interpretojnë skenat), animacion sendesh (plastelinë, lego, playmobil, forma më fotografi të prera…), pixele (fotografi imazh/imazh), diaporama të sonorizuara dhe të animuara.
  • për zërin: regjistrim i zërit drejtpërdrejtë gjatë xhirimit, zërimi pas xhirimeve (riregjistrim i zërave), kolona zanore (zëri off, komentet, muzika).

 

Lejet për të përdorur incizimet e zërave dhe videove duhet të merren paraprakisht dhe në fund të realizohet xhirimi.

 

Për ta lehtësuar montazhin, mund të fillohet çdo xhirim me një plan të bërë në një ‘klap’ duke e treguar numrin ose emrin e sekuencës, numrin e xhirimit.

 

4. Gjatë xhirimit, duhen zgjedhur imazhet më interesante dhe duhen ruajtur të gjitha xhirimet në memory card ose në një kompjuter.

 

5. Montazhi përbëhet nga disa etapa :

  • Bartja e materialeve video dhe audio, montazhi audio dhe video, shtimi i efekteve, nëse është e nevojshme, shtimi i muzikës (pa të drejta autoriale), i titrave (nëse është e nevojshme), i një hapje në fillim dhe në fund.
  • Materiali i montazhit i finalizuar pastaj duhet të bartet për emetim. Prej materialit filmik të përfunduar janë të mundshme të gjitha emetimet (web, videoprojeksion, televizor, etj).

KAPITULLI 17 – REALIZIMI I NJË REVISTE ONLINE PËR TË RINJTË

PREZANTIM

 

Krijimi i një reviste i mundëson të rinjve që të fitojnë njohuri themelore dhe njëkohësisht të zhvillojnë aftësitë (mendimin kritik, punën ekipore) dhe cilësitë e tyre (kureshtjen dhe këmbënguljen).

 

ETAPAT E KRIJIMIT TË NJË REVISTE ONLINE

  1. Hapat e parë

    Etapa e parë është formimi i një ekipi të përbërë nga individë shumë të motivuar që do të angazhohet për ta krijuar projektin dhe për ta udhëhequr.

    Ata janë “bërthama” e redaksisë dhe do të kenë për detyrë që:
    – Të zgjedhin dhe të shkruajnë artikuj
    – Të bëjnë/të gjejnë foto dhe video për ta ilustruar revistën
    – Të gjejnë bashkëbisedues për t’i intervistuar dhe t’i transkriptojnë intervistat
    – Të shpërndajnë revistën në rrjetet sociale

    Dhe për ta bërë këtë punë, s’ka gjë më efikase se një mbledhje redaksie e cila organizohet në mënyrë të rregullt, në mënyrë që secili t’i dijë përgjegjësitë që ka në realizimin e revistës sipas dëshirave dhe sipas aftësive të tij.

  2. Përcaktimi i formulës së mediumit, gjetja e identitetit 
    – Të shtrohet pyetja e mbi qëllimet e mediumit: a ka për qëllim të kontribuojë në gjallërimin e jetës së një shkolle të mesme, të një shoqateje ? Të favorizojë të shprehurin e një numri të madh të rinjsh? Të inkurajojë debatet në mes tyre mbi një tematike në veçanti?
    – Të përcaktohet target grupi: Nxënësit e një shkolle? Anëtarët e një shoqate? Një komunitet i tërë?
    – Të mendohet çështja e vijes editoriale: Në pak reshta, mundohuni të përcaktoni orientimin e revistës suaj: ambicien e saj, temat e preferuara, stilin e saj (serioz, i lehtë, humoristik?), natyrën e përmbajtjes dhe mënyrën se si do të trajtohen temat sipas target grupit.
    – Të gjeni një titull për revistën tuaj i cili do të kontribuojë që ta veçojë, ta afirmojë identitetin e saj dhe t’i ndihmojë që të bëhet e njohur.
    – Dhe në fund duhet t’i vlerësoni kushtet materiale të lidhura me mediumin e juaj sipas frekuencës dhe ritmit të publikimit të tij. Numri i anëtarëve, angazhimi i tyre dhe disponueshmëria e tyre janë faktorë të rëndësishëm, ashtu sikurse edhe pajiset që keni në dispozicion.

  3. Përzgjedhja e përmbajtjes
    Për ta ruajtur interesimin e publikut tuaj, për t’ia mobilizuar vëmendjen dhe për t’ia stimuluar kureshtjen , duhet të kihet kujdes që të variohen mënyrat e trajtimit të informacionit.

    Zhanret gazetareske kryesore që keni në dispozicionin tuaj: Reportazhi, hulumtimi dhe intervista, opinioni, kritika, raporti, portreti.

    Për secilën temë, një kënd
    Që të mos ju dalë një artikull (apo një portret) tepër i gjatë dhe i vështirë për t’u lexuar, është absolutisht e nevojshme që të zgjidhni një kënd, do të thotë, një këndvështrim, të përzgjidhni aspektet e veçanta të temës që doni të vini në pah dhe t’i lini anash të tjerat.
    Shembull: Hapja e një kinemaje është një temë.
    Ndikimi turistik i kinemasë së re në qytet është një këndvështrim.

  4. Ndarja e detyrave
    Brenda një redaksie, nuk bëjnë të gjithë të njëjtën punë. Modeli Madmagz propozon ndarjen e grupit në 3:
    – 1 super kryeredaktor
    – kryeredaktorë
    – redaktorë

    (Shih dokumentin 17 shtojcë). Ju mund t’i përshtatni detyrat nëse nuk doni të ndiqni modelin Madmagz.

    Të gjithë redaktorët duhet t’i kenë në mendje gjashtë pyetjet kryesore për të shkruar një artikull. Gazetari ose redaktori duhet gjithmonë t’i bëjë vetes pyetjen: kush? çfarë? kur? ku? si? pse?

    Gjithashtu duhet të bini në një mendje për gjatësinë e artikullit dhe nivelin e gjuhës të revistës, para se të fillohet shkrimi i tij (jo tepër akademik, as tepër e thjeshtë).

    Në mesin e punëve të tjera që mund të bëhen, kemi:

    – Ilustruesin / ilustruesen, i cili/e cila merr, vizaton ose shkarkon foto, imazhe, zëra, ilustrime ose video (pa të drejta autoriale ose duke e treguar burimin) për të ilustruar revistën.
    – “Community manager” i cili kërkon linqe në lidhje me përmbajtjen e krijuar nga redaktorët për ta drejtuar lexuesin drejt faqeve të tjera web. Ai është gjithashtu përgjegjës i rrjeteve sociale dhe duhet ta favorizojë shpërndarjen e revistës te një publik sa më i gjerë, duke e pasur vëmendjen në elementet që i japin vlerë shtesë artikullit, siç janë: titulli, përmbledhja, fotot, inserte të shkurta që do të shfaqen në motorët e kërkimit.

  5. Publikimi i revistës

    Posa ta përfundoni revistën, mund të vendosni ta publikoni në versionin online ose në letër (shih dokumentin 17 shtojcë) sipas dëshirës, ambicieve dhe fokusit tuaj.

APLIKACIONI MADMAGZ

Për ta krijuar revistën tuaj online, ju mund të përdorni aplikacionin Madmagz. Aspekti i tij bashkëpunues dhe ndërfaqja e tij mundësojnë një punë ekipore, lehtësimin e faqosjes dhe të elementeve grafike të revistës.

 

Madmagz (https://madmagz.com/ ) është aplikacion online i cili mundëson krijimin e një gazete në mënyrë të lehtë dhe bashkëpunuese. Ky mjet ofron një fleksibilitet që mundëson krijimin e çfarëdo lloji reviste (ditar klase, gazetë informimi, ditar udhëtimi, ditar shoqate, etj…) I vetmi kufi është imagjinata e juaj!

Aplikacioni Madmagz u mundëson përdoruesve të tij që të krijojnë në grupe një revistë online e cila, në fund të procesit do të mund të shndërrohet në revistë letër.

Falë mjeteve të ndryshme të platformës, ju do të mund:

  • Të zgjidhni një model reviste që i përshtatet përmbajtës suaj
  • Të krijoni kategori faqesh (kopertina, tabelë përmbajtjeje, editorial, artikuj…)
  • Të shkruani artikuj dhe t’i verifikoni duke përdorur funksionet e bashkëpunimit hierarkik
  • Të shtoni, të modifikoni, të editoni dhe të hiqni faqe
  • Të zgjidhni opsione të faqosjes
  • Të shtoni foto, audio, video dhe të fusni linqe nga faqe të tjera web.
  • Të publikoni revistën tuaj online ose në versionin letër, pasi ta keni verifikuar tërë përmbajtjen.

Të gjitha këto etapa janë të shpjeguara dhe të detajuara në dokumentin 17 shtojcë

KAPITULLI 16 – KRIJIMI I NJË PODCAST-i

RRUGA E REALIZIMIT TË NJË PODCAST-i

 

Podcast-i dhe emisionet radio

 

Podcast-i dallon nga emisionet radio në atë që është krijuar vetëm për t’u transmetuar online (në internet) dhe jo në radio.

 

Kujdes: mos i ngatërroni replay radio-t, shpesh të quajtura “podcast” të cilat ju mundësojnë t’i dëgjoni përsëri programet e radios të transmetuara më parë dhe ‘native podcast’-in, i cili nuk transmetohet nëpër valët radiofonike.

 

Specifikat e podcast-it

 

Ndryshe nga emisioni i radio-s, podcast-i nuk ka asnjë afat kohor dhe mund të trajtojë një larmi temash (tema për publik të gjerë si dhe tema për audiencë të caktuar). Prandaj, producentët kanë një liri më të madhe editoriale dhe mund ta zgjedhin grup targetin e tyre duke e përshtatur përmbajtjen. Një podcast mund të përmbajë një numër të pakufizuar sekuencash dhe të ndahet në sezone (tematike ose kronologjike).

 

Nëse producenti dëshiron që dëgjuesit të jenë besnik podcast-eve, ai duhet të marrë parasysh rëndësinë e rregullsisë së transmetimit, identitetin vizual dhe zanor me një theks të veçantë në cilësinë e zërit. Për më tepër, meqenëse synohet që podcast-i të qarkullojë në internet, është thelbësore që të shpërndahet në sa më shumë platforma dhe të promovohet në internet, veçanërisht në rrjetet sociale.

 

1. Përzgjedhja e temës

  • Mbledhja e redaksisë është hapi i parë në përcaktimin e temës së podcast-it tuaj me ekipin e plotë.
  • Mund të zgjidhni një temë:
  • Shumë të thjeshtë, për shembull: “Jeta në mediatekën e qytetit tuaj ”
  • Një temë e gjerë, por jo domosdoshmërish e lehtë për t’u trajtuar, për shembull: “Çfarë do të thotë të jesh i ri sot?”
  • Ose një temë më specifike, për shembull: «Kupa botërore e futbollit», «Seksizmi», etj.
  • Pjesëmarrësit duhet të vendosin edhe për emrin e emisionit.

2. Duhet të dakordoheni edhe për:

  • Kohëzgjatjen e emisionit (20 minuta, për shembull)
  • Ndarjen e roleve për secilin (prezantuesi, gazetari, eksperti…)
  • Përcaktimi i përmbajtjes së secilës pjesë të emisionit (reportazh, debat, intervista)
  • Përcaktimin e kronometrit, ose “dirigjenti” i sekuencës minutë për minutë

3. Formati i animimit të podcast-it: Për të animuar një podcast, mund të përdorni intervista, debate, reportazhe ose këto tre formate njëkohësisht.

  • Teknikat e intervistës:
  • Në bazë të tematikës së zgjedhur, pjesëmarrësi/pjesëmarrësja duhet të gjejë personin për ta kontaktuar.
  • Personi që zhvillon intervistën mban kontrollin e shkëmbimit. Ai duhet të ndjekë rendin e pyetjeve të përgatitura paraprakisht. Këto pyetje ndjekin një rrugë logjike.
  • Kjo kërkon një punë të madhe hulumtuese paraprake. Pyetjet duhet të jenë precize.
  • Personi që interviston di si të reagojë në përgjigjet e dhëna dhe të shkëputet nga pyetjet e tij, kur është e nevojshme.
  • Përgatitja e debatit:
  • Qëllimi i debatit është diskutimi rreth një teme specifike ku është e nevojshme shumëllojshmëria e pikëpamjeve, për shkak të kompleksitetit të temës ose për shkak se kjo temë ka hapur debat.

Prezantuesi ka një rol të veçantë:

  • Ai do ta udhëheqë tryezën e rrumbullakët duke bërë pyetje specifike rreth temës dhe duke ua dhënë fjalën pjesëmarrësëve. Ai duhet të sigurojë që do të respektohet koha e shprehjes për secilin.

Disa pjesëmarrës do ta luajnë rolin e ekspertëve:

  • Secili duhet të ketë një rol specifi. (sociologu, prindi i një studenti …).
  • Ekspertët punojnë në argumentet e tyre.
  • E studiojnë temën së bashku, shkëmbejnë ide dhe e ndihmojnë prezantuesin(en) që t’i përgatisë pyetjet.
  • Në fund të këtij hapi, pjesëmarrësit duhet ta kenë të përgatitur rrjedhën e debatit të tyre dhe duhet të jenë të gatshëm për të regjistruar!
  • Reportazhi: Reporteri kërkon lajmet aty ku janë: në terren. Prandaj, reporteri është një gazetar që i përcjell ngjarjet e aktualitetit për t’i transmetuar ato te dëgjuesit.

Për ta përgatitur transmetimin, ai duhet:

  • të mbledhë të dhëna rreth temës
  • t’i përgatisë pajisjet
  • të përzgjedhë bashkëbiseduesit
  • t’i regjistrojë informatat që dëshiron të mbledhë.

Në terren, ai duhet :

  • të gjejë bashkëbiseduesit e duhur
  • të dijë të prezantohet
  • të bëjë pyetjet e duhura, të vëzhgojë, të marrë shënime.
  • të regjistrojë një intervistë, të përzgjedhë çaste të atmosferës, të ruaj elemente të zërit
  1. Regjistrim jashtë-transmetimit

Intervistë ose regjistrim i zërit jashtë:

  • Reporteri duhet të ketë një telefon celular të tipit smartphone (ose një mikrofon, nëse është e mundur).
  • Përdoret funksioni “regjistrim” (butonet “rec”, “stop” dhe “save”) për t’i regjistruar pyetjet dhe më pas përgjigjet e bashkëbiseduesit, duke u siguruar që mjedisi të mos jetë shumë i zhurmshëm.
  • Nëse bëhet fjalë për regjistrimin e tingujve të ambientit (për shembull: zhurma e një turme që demonstron), do të mjaftojë që telefoni celular ose mikrofoni të kthehet drejt turmës.

 

4. Montazhi në fazën e parë

  • Pasi të jenë regjistruar sekuencat e ndryshme, mund të fillojë faza e montazhit, që konsiston në nxjerrjen e tingujve nga telefoni (duke ia dërguar vetes me email ose me anë të një çelësi USB).

Vërejtje: sekuencat, për siguri, i dërgohen edhe trajnerit para se të fshihen nga telefoni ose mikrofoni.

  • Pastaj duhet të shkarkohen në një kompjuter të pajisur me një program të montazhit Audacity ( www.audacity.sourceforge.net), Netia ose me një tjetër program për montazhin e zërit.
  • Për të treguar si instalohet një sesion montazhi në një kompjuter dhe si bëni montazhin e tingujve janë në dispozicion tutoriale të ndryshme (https://manual.audacityteam.org/index.html).
  • Ju mbetet tani t’i trajnoni të rinjtë e grupit tuaj në disa përdorime (mjaft të thjeshta në realitet!) të cilat do t’u mundësojnë atyre të shkarkojnë dhe të bëjnë montazhin e tingujve për të krijuar një reportazh audio.

5. Incizimi i emisionit

Pjesëmarrësit ulen me radhë rreth një tavoline të vogël.

Në qendër të kësaj tavoline regjistron një smartphone me mikrofon.

Për të shmangur zhurmën e karrigeve, të vajtje-ardhjeve dhe për të mbajtur ritmin e emisionit, duhet të regjistrohet në disa pjesë sipas rrjedhës së emisionit.

Për shembull:

  • Moderatori bën hapjen e programit
  • Editoriali
  • Prezantimi i temave
  • Intervistat
  • Falënderimet, fundi i emisionit

Vërejtje: Nëse dëshironi të transmetoni një reportazh, duhet ta shtoni në fazën përfundimtare të montazhit.

6. Montazhi i regjistrimeve dhe transmetimi i podcast-it

  • Trajneri ka për detyrë të vendosë regjistrimet njëri pas tjetrit për t’i shndërruar në një sekuencë dhe të shtojë “presje zanore” (pjesë muzikore më të shkurtra se 5 sekonda) për ta bërë atë më të rrjedhshme si dhe për t’i lidhur pauzat.

 

  • Pastaj duhet të transmetohet në një platformë falas (soundcloud, për shembull https://soundcloud.com/discover) duke shkruar përmbledhjen e podcast-it (tema, formati, prodhuesi, origjinaliteti).
  • Në fund, mund të organizoni një seancë ku grupi do ta dëgjojë podcast-in.

 

NB : Mund të thjeshtohet ushtrimi duke përdorur vetëm një nga formatet (intervistë, debat, reportazh)

 

PROGRAMI FAKE NEWS FACTORY

 

Programi Fake News Factory u krijua për t’i tërhequr vëmendjen studentëve mbi rreziqet që lidhen me qarkullimin e lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit në media, veçanërisht online.

 

Ky program u krijua për t’u mundësuar të rinjve të marrin pjesë në një lojë rolesh, në të cilën disa do të luajnë rolin e komplotistëve dhe të tjerët, të gazetarëve Kështu ata do të fitojnë disa nocione teorike qendrore mbi këto tema problematike.

 

Programi zhvillohet në disa faza :

 

1. Ndarja e roleve:

  • Gazetarët dhe komplotistët (në numër të njëjtë)
  • Prezantuesi (ja)
  • Eksperti (ja)
  • Inxhinieri (ja) e zërit, i/e cili(a) monitoron regjistrimin dhe kalon mikrofonin
  • Montazheri (ja)

2. Komplotistët

  • Duke përdorur mekanizmat dhe strukturën e një teorie konspiracioni (të shtjelluara në dokumentet pedagogjike të seancës 3 “Informacioni dhe Dezinformata”), komplotistët kanë për detyrë ta shkruajnë teorinë e tyre të konspiracionit në lidhje me temën e zgjedhur (ose të zgjedhin një teori ekzistuese).
  • Sapo të jetë krijuar teoria, komplotistët ua zbulojnë atë gazetarëve.

3. Gazetarët

  • Gazetarët duhet të kryejnë një hulumtim rigoroz duke respektuar rregullat kryesore të trajtimit gazetaresk (të detajuara në dokumentet pedagogjike të seancës 3): verifikimin, krahasimin, kontrollin e kryqëzuar të informacionit.
  • Më pas, gazetarët do të përgjigjen dhe do të zbërthejnë teorinë e konspiracionit, argument pas argumenti.

4. Eksperti

  • Të caktohet një i ri i cili do të luajë rolin e ekspertit, specialist i teorive të konspiracionit dhe fake news-eve, i cili tregon mënyrat sesi mund të zbulohen lajmet e rreme.

5. Regjistrimi

  • Zëri mund të regjistrohet me një mikrofon në një kartelë zanore ose me një laptop, pastaj bëhet montazhi me një softuer (Audacity ose Netia).
  • Sekuenca duhet të ndjekë një rrjedhë të përcaktuar paraprakisht dhe të gjitha ndërhyrjet duhet të shkruhen më parë.

6. Rrjedha e sekuencës

PJESA 1

  • Sekuenca fillon me një hyrje nga prezantuesi: emri i radiostacionit, emri i strukturës, emri i emisionit, fillimi i emisionit.
  • Udhëheqësi i programit më pas prezanton të ftuarin e parë (komplotistin) dhe i kërkon atij të shpjegojë teorinë e tij, të japë provat e tij.
  • Udhëheqësi i programit pastaj prezanton gazetarin e parë, kundër-argumentet e tij, provat e tij.
  • Udhëheqësi i programit falënderon bashkëbiseduesit dhe vazhdon në pjesën e dytë.

PJESA 2

Udhëheqësi i programit ia jep fjalën një eksperti, specialist i teorive të konspiracionit dhe lajmeve të rreme, i cili tregon mënyrat sesi mund të zbulohen lajmet e rreme, përkatësisht:

  • Kontrolloni llojin e faqes web ku është gjetur lajmi.
  • Kontrolloni identitetin e autorit të lajmit: A është gazetar, specialist i temës që diskuton? Cili është qëllimi i tij?
  • Shikoni datën e publikimit të lajmit (lajmi vjetërohet shpejt).
  • Burimet: Lajmi duhet të vërtetohet gjithmonë nga 3 burime të ndryshme para se të shpërndahet.
  • Përkujtojeni audiencën që gjithmonë duhet bërë kërkime, të kihet kurreshtje dhe të dyshohet.
  • Përkujtojeni audiencën që mendimi kritik është arma më efektive që kemi të gjithë kundër lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit.

Udhëheqësi i programit falenderon ekspertin, të ftuarit, ekipin dhe bën mbylljen e programit.