Author Archives: philippe.morlhon@mouvement-up.fr

AKTIVITETI PRAKTIK 1 “Verifikoj besueshmërinë e një faqeje web-i lajmesh”

SHPJEGIMI I AKTIVITETIT

 

Me rritjen e numrit të faqeve web, nuk është e lehtë gjithmonë të dallohen faqet që përmbajnë informacione të vërteta e të verifikuara, me interes për publikun dhe me burime të shfaqura, nga faqet web që përhapin informacione të rreme sensacionale. Këto faqe, që shpesh janë krijuar nga zhvillues profesionistë të rrjetit, duken gjithnjë e më shumë si faqe të vërteta informacioni (kanë cilësi grafike, funksionalitete, etj.).

 

Megjithatë, më shumë vëmendje është gjithmonë e mundur që të kontrolloni besueshmërinë e një faqeje web dhe ne do t’ju tregojmë hap pas hapi si të veproni!

 

 

KËSHILLA PRAKTIKE

 

Etapa 1: Klikoni në tab-et «legal mentions» ose «about»:

 

Zakonisht, ato mundësojnë identifikimin e llojit të faqes web që konsultohet dhe sigurimin e informacionit thelbësor për natyrën e faqes web, përkatësinë, subjektin juridik me të cilin lidhet, qarkullimin financiar, datën e krijimit etj… Sa më shumë që këto tab-e të jenë të dukshme, të lehta për t’u përdorur dhe të pasura me informacion të saktë, aq më e besueshme mund të jetë faqja web.

 

Paralajmërim: Kini kujdes! Në një faqe komerciale, të dhënat ligjore janë thjesht të detyrueshme. S’ka njoftim ligjor, s’ka blerje!

 

Etapa 2: Verifikimi i identitetit dhe i besueshmërisë së redaktorëve të faqes web:

 

Pasi të konsultohen tab-et «legal mentions» dhe “about“, duhet të jeni në gjendje të gjeni lehtë kush është (janë) autori(ët) e faqes web. Tab-et “Kush jemi ne” ose “Kontakte” janë për këtë punë. Nëse nuk i gjeni këto tab-e dhe nëse ky hap ju duket i ndërlikuar, kjo është shenjë e keqe: Autorët e një faqeje web të besueshme nuk kanë asnjë arsye për t’u fshehur! Dhe nëse arrini të gjeni identitetin e kontribuesve të cituar dhe doni të verifikoni identitetin e tyre, mund të bëni një hulumtim të vogël mbi ta për të verifikuar vetë nëse janë me të vërtetë të ligjshëm për të dhënë një informacion ose për të analizuar një temë (gazetarë, ekspertë, shkencëtarë, …).

 

Etapa 3: Shkoni deri te burimet e informacionit: Pastaj pyesni veten nëse i shfaq burimet e saj kjo faqe web? A mund të gjurmohet prejardhja e informacionit të publikuar nga faqja? Sa më shumë citohen dhe njihen burimet, aq më shumë mbështetet dhe është i besueshëm informacioni i transmetuar në publikimet e faqes.

 

Etapa 4: Analizoni mënyrën se si është prezantuar informacioni: Kjo etapë kërkon t’i kushtoni pak më shumë vëmendje përmbajtjes dhe të tregoni distancim dhe mendim kritik duke i bërë vetes këto pyetje: A prezantohet informacioni në mënyrë të ekuilibruar? A e pasqyrojnë titujt përmbajtjen e artikujve? A paraqet faqja informacione faktike apo opinione? A është i matur toni i përgjithshëm i faqes web? A pranon kundërshtime dhe diversitet të pikëpamjeve?

 

Etapa 5: Jini të vëmendshëm në hartën grafike dhe në drejtshkrim: Kjo është gjithnjë e më pak e lehtë pasi, dallimi midis një faqeje web të vërtetë dhe një faqeje të krijuar në një fabrikë të lajmeve të rreme është gjithnjë e më e vështirë, por kjo këshillë mund t’ju ndihmojë në raste të caktuara: nëse grafizmi i i faqes web lë për të dëshiruar dhe nëse artikujt janë plot me gabime drejtshkrimore, kjo shpesh tregon për një cilësi të dobët të informacionit. Në internet, përmbajtja dhe forma janë të lidhura!

 

Etapa 6: Mundohuni të lini një koment në faqen web: Në shumicën e faqeve profesionale të informacionit është e mundur të lini një koment për të dhënë mendimin tuaj mbi përmbajtjen e një artikulli. Nëse nuk mund ta gjeni këtë funksion, kjo është për shkak se autorët e faqes nuk janë vërtetë të hapur për kritika, debate dhe kundërshtime e kjo nuk është shenjë e mirë! Në fakt, kur transmetoni lajme të rreme ose teori konspirative, nuk dëshironi të demaskoheni!

Etapa 7: Kontrolloni protokolin https : ! Brenda mundësive, për t’u mbrojtur nga çdo mashtrim në internet, sigurohuni që HTTPS të jetë prezent, sepse i mundëson vizitorit të verifikojë identitetin e faqes webqë po përdor, falë një HYPERLINK “https://fr.wikipedia.org/wiki/Certificat_%C3%A9lectronique”certifikate autentifikimi të lëshuar nga një autoritet i njohur dhe që ka reputacionin e të qenit i besueshëm. Do ta gjeni lehtë në vendin e parë në shiritin e kërkimit. Nëse shkurtesa https nuk shfaqet, ndoshta është më mirë të mos futeni në këtë faqe web!

 

Etapa 8: Përdorni WHOIS: Dhe në fund, nëse dëshironi të jeni të shpejtë dhe efikasë, ekziston faqja web WHOIS, fjalë për fjalë “Kush është”, në anglisht. Në faqen kryesore të saj, ju thjesht duhet të kopjoni dhe ngjisni adresën URL të faqes për të cilën bëhet kjo pyetje dhe, për disa sekonda do të jeni në gjendje të grumbulloni të gjithë informacionin e dobishëm për këtë faqe web.

 

 

TANI ËSHTË RADHA E JUAJ !

 

Tabela për të verifikuar besueshmërinë e një faqeje web:

 

Për t’i zbatuar me lehtësi këto këshilla kur lundroni në internet, në vazhdim jepet një tabelë që do t’ju ndihmojë të vlerësoni besueshmërinë e një faqeje web. Sa më i lartë të jetë vlerësimi i faqes web, aq më e besueshme dhe cilësore do të jetë ajo!

 

Emri i faqes web:

____________________________________________________

Adresa e faqes web:

____________________________________________________

 

 

0/20

Mund t’i gjej lehtë këto informacione në faqen web:

– Zhvilluesit

– Datën e zhvillimit

– Një prezantim të ekipit dhe të projektit

– Informacione financiare dhe ligjore

+3

Kontribuesit e faqes web janë legjitimë për të më informuar për temën që diskutojnë: A janë ata gazetarë apo specialistë të njohur?

+3

Autorët citojnë burime të shumta dhe unë mund t’u qasem lehtë dhe t’i verifikoj

+3

Mund të komentoj lehtë: për t’u shprehur, për të dhënë mendimin tim mbi një artikull

+2

Në faqen web nuk ka gabime drejtshkrimore

+2

Autorët i nuancojnë mendimet e tyre, jepen këndvështrime të ndryshme

+2

Kam mundur të gjej në WHOIS informacione për këtë faqe web

+3

Disa linqe janë të vjetëruara

– 2

Më kërkohet tepër shpejt që t’i bashkohem një grupi, një organizate, një partie politike ose më kërkohet që të bëj blerje

 

-3

Nota

__/20

 

AKTIVITETI PRAKTIK 2 “E KRIJOJ FAKE NEWS-IN MË TË MIRË TË VITIT”

SHPJEGIMI I AKTIVITETIT

 

Përmes mediave sociale qarkullojnë shpejt gjithnjë e më shumë informacione të rreme dhe na pengojnë të formojmë një mendim realist për një çështje ose për aktualitetin. Ndonjëherë, këto lajme të rreme madje targetojnë një komunitet, ushqejnë frikën dhe urrejtjen, ose thjesht përhapim besime të rreme.

 

Për të kuptuar më mirë se si ndërtohen këto lajme të rreme, do ta vini veten në rolin e manipuluesve të lajmeve dhe do të krijoni një të tillë.

 

 

KËSHILLA PRAKTIKE

 

Përkufizim: Kur flasim për infox, lajm të rremë ose “Fake News”, flasim për lajm të fabrikuar, të falsifikuar ose të deformuar, i cili shpërndahet vullnetarisht nga individë, aktivistë ose udhëheqës (lider) politikë, me qëllim që të manipulohen qytetarët dhe të shtyhen ata që t’i pranojnë idetë e tyre ose të mashtrohen.

 

Karakteristikat e një Fake News-i të mirë :

 

  • Një temë e ndjeshme: Lajmet e rreme shpesh shpërndahen në mënyrë masive sepse trajtojnë tema sensacionale, politike, emocionale, të jashtëzakonshme ose të rrezikshme. Zakonisht, Fake News-et shfrytëzojnë frikën dhe paragjykimet tona
  • Një strukturë e mirë: Edhe nëse lajmi është i rremë, kjo nuk do të thotë se nuk është strukturuar dhe ndërtuar mirë me argumente (false)
  • Një titull i mirë : Kjo është shumë e rëndësishme pasi, shpesh është lajmi ai që i shtyn njerëzit të klikojnë ose të shikojnë artikullin ose postimin në fjalë
  • Një pamje e mirë: Artikujt dhe lajmet në përgjithësi, qoftë të vërtetë apo të rremë, ‘godasin’ më shumë mendjen dhe mbahen mend më lehtë nëse shoqërohen nga një imazh, një fotografi ose një video.
  • Shpërndarja: Që Fake News-i të jetë efektiv duhet të shpërndahet në disa rrjete sociale (Twitter për informacione të rreme politike, Facebook për Fake News-at sensacionale, Instagram për fotot dhe videot të falsifikuara, etj.)

 

 

TANI ËSHTË RADHA E JUAJ!

 

1: Zgjidhni një temë tërheqëse – Zgjedhja e temës do të ketë rëndësi shumë në përcaktimin e impaktit të postimit / artikullit tuaj. Mos hezitoni të filloni nga një temë e përgjithshme dhe pastaj të përsosni kërkimin tuaj.

Shembull : shëndeti => mjekësia => efektet e rrezeve dhe valëve në trupin e njeriut

 

2: Gjeni një titull “goditës”- Ai duhet të përmbledhë informacionin kryesor dhe njëkohësisht të nxisë kureshtjen.

Shembull: “Një mjek kinez ringjall një pacient duke përdorur rrezet gama”

 

3: Renditni disa argumente për të mbështetur / pasuruar “Fake News”-in tuaj – Renditja e argumenteve do të ndihmojë në përpilimin dhe prodhimin e Fake News-it. Për ta bërë këtë ju mund të përdorni teknika të ndryshme të manipulimit të informacionit: Dekontekstualizoni informacionin ose një kuotë / Krijoni një dëshmi të rreme / Bëni lidhje që nuk ekzistojnë midis ngjarjeve ose fakteve reale / …

Shembull: 1. Përkufizimi i rrezeve gama 2. Mundësia e riaktivizimit të zemrës së një pacienti me arrest kardiak 3. Përdorimi i rrezeve gama për terapi (radioterapi dhe radiokirurgji) 4. Përdorimi i një kuote të dekontekstualizuar 5. Dëshmia e rreme e një mjeku kinez 6. Etj.

 

4: Shkruani Fake News-in tuaj – Për ta shkruar lajmin e rremë ju mund të ndiqni dhe të zhvilloni argumentet që keni renditur më parë. Sa i përket stilit të të shkruarit, më mirë imitoni artikuj gazetareskë ose shkencorë për ta bërë Fake News-in tuaj të duket i besueshëm, por mos harroni se qëllimi mbetet që t’i bindni lexuesit.

 

5: Zgjidhni një ilustrim – Zgjidhni një imazh që e përmbledh lajmin tuaj të rremë në mënyrë sa më efektive dhe në mënyrë që të jetë mbresëlënës te individet.

 

Shembull :

 

6: Krahasoni Fake News-in tuaj: Tani që e keni kryer lajmin tuaj të rremë, mund t’ia tregoni metodën miqve tuaj dhe krahasoni rezultatet tuaja (kush e ka Fake News-in më të besueshëm? Më origjinalin? Më qesharakun? Etj.). Ju madje mund të provoni t’i mashtroni miqtë tuaj, por kujdes, ua kujtoni gjithsesi atyre se ky është një ushtrim për të mësuar të njohësh më mirë këtë teknikë manipulimi dhe për t’i zbuluar lajmet e rreme. Nëse keni qenë i suksesshëm, dijeni se ka mijëra njerëz të tjerë që mund t’ju dërgojnë lajme të rreme çdo ditë, dhe ata nuk janë miqtë tuaj.

AKTIVITETI PRAKTIK 3 “SHKRUAJ ARTIKULLIN TIM”

SHPJEGIMI I AKTIVITETIT

 

Shkrimi i një artikulli nuk është detyrë e lehtë. Ju propozojmë disa ide që të jeni në gjendje të shkruani shpejt një artikull mbi një temë që ju intereson dhe që mund t’i interesojë edhe një publiku më të gjerë.

 

KËSHILLA PRAKTIKE

 

Çfarë është një artikull? Një artikull është një tekst që ofron informacione dhe tregon një fakt me interes të përgjithshëm, ndërsa përpiqet të paraqesë sa më shumë elemente që të jetë e mundur për të kuptuar më mirë temën e trajtuar.

 

Ju mund të shkruani një artikull për të dinamizuar blogun tuaj ose rrjetet tuaja sociale, ose për të shpërndarë analizën tuaj të një ngjarjeje duke shkruar për gazetën tuaj lokale! Për shembull, ju mund të shkruani për disa probleme të lagjes tuaj ose, në të kundërt, për të nxjerrë në pah histori pozitive. Zgjidhni nga cili kënd do ta trajtoni temën tuaj!

 

Në përgjithësi, një artikull duhet t’u përgjigjet pyetjeve thelbësore vijuese:

 

Kush ? Cilët janë aktorët e përfshirë në ngjarje?

Çfarë? Çfarë ndodhi ?

Ku? Ku ndodhi ngjarja?

Kur? Kur ndodhi ngjarja?

Pse? Cilat janë shkaqet që shkaktuan ngjarjen?

 

Madhësia e një artikulli mund të ndryshojë, por ajo që është më e rëndësishmja është që lexuesi të kuptojë temën që trajtohet. Këtu, ne ju ofrojmë disa ide për të shkruar një tekst gazetaresk.

 

Ekzistojnë lloje të ndryshme artikujsh, varësisht nga qëllimi i autorit:

 

  • Artikulli që pasqyron informacionin e fundit (përmbledhja, artikulli i shkurtër, artikulli përmbledhës, montimi i lajmeve të agjencive dhe raporti)
  • Artikulli që bën një analizë të thelluar të një teme (hulumtimi, reportazhi dhe intervista)
  • Artikulli i opinionit që shpreh mendimin e një personi për një temë (vështrimi, kolona, kritika, portreti, etj.)

 

Në çdo rast, para se të shkruani një artikull duhet të gjeni burime (nga institucione, gazetarë të tjerë, dëshmitarë të drejtpërdrejtë, etj.).

 

 

TANI ËSHTË RADHA JUAJ !



Pasi të keni mbledhur informacionet (dhe t’i keni verifikuar burimet!), përgatitni një skicë me strukturën e artikullit tuaj. Shkruani artikullin sipas hapave të mëposhtëm:

 

I/ Titulli

 

Titulli është shumë i rëndësishëm sepse duhet të jetë i shkurtër, i mprehtë dhe duhet t’i japë lexuesit një pasqyrë të temës që trajtohet, si dhe pikëpamjen e gazetarit.

 

Një “hyrje”, d.m.th. një tekst i shkurtër që prezanton artikullin, i cili mund të shtohet pas titullit.

 

II/ Këndi

 

Fillimi i tekstit është shumë i rëndësishëm sepse e tërheq vëmendjen e lexuesit për pjesën tjetër të artikullit. Prandaj këndi i zgjedhur i jep arsyet për trajtimin e temës në fjalë.

 

III/ Brendia

 

Brendia e tekstit është zemra e artikullit. Gjithmonë dalloni faktin nga opinionet! Interpretimi objektiv nuk egziston. Megjithatë, nëse i marrim parasysh të gjitha aspektet e temës që trajtohet, mund të sigurojmë një prezantim të plotë të temës dhe ta lëmë lexuesin të formojë mendimin e tij.

 

IV/ Përfundimi

 

Kemi përfundimin e artikullit. Kjo sintezë mund të paraqesë edhe mendimet personale të autorit, edhe propozime për të ardhmen (gjithmonë për temën në fjalë).

 

 

Nëse është e nevojshme, përdorni mjetet e dhëna më poshtë për t’ju ndihmuar të planifikoni dhe të krijoni draftin e parë të artikullit tuaj:

 

MODELI PËR PËRGATITJEN E SHKRIMIT TË NJË ARTIKULLI

   

KËNDI

Fillimi i tekstit është shumë i rëndësishëm sepse duhet ta tërheqë lexuesin që të vazhdojë pjesën tjetër të artikullit.

 

BRENDIA E TEKSTIT

Një artikull duhet, pra, t’u përgjigjet pyetjeve thelbësore të mëposhtme:

Kush? Çfarë? Ku? Kur? Pse?

Gjithmonë dalloni faktin nga opinionet!

 

PËRFUNDIMI

Përfundimi i shkurtër i artikullit

 

 

Artikullin tuaj mund ta ilustroni me foto, video, etj. Megjithatë, gjithmonë duhet të shkruani një legjendë për ilustrimin (një fjali që përshkruan imazhin ose videon dhe burimin e tyre)

 

Mos harroni të korrigjoni artikullin tuaj! Mund t’i kërkoni dikujt tjetër që t’ju ndihmojë të përmirësoni artikujt e juaj.

TESTONI NJOHURITË TUAJA MBI MEDIAN DHE INFORMACIONIN

INFO APO INFOX ?

1 – SI MUND TË PËRSHKRUHET PUNA E GAZETARIT?

NOCIONET KRYESORE

 

Misioni i gazetarit është të hulumtojë dhe verifikojë lajmin, ta shkruajë atë dhe pastaj ta shpërndajë në çdo lloj mediumi. Prandaj ai është mbi të gjitha një shkrues, një specialist i të shkruarit. Por gazetari duhet edhe të dëshmojë, filmojë, intervistojë, incizojë, fotografojë, montojë imazhet, të bëjë faqosjen … Ky profesion mbulon një larmi të madhe funksionesh: kryeredaktor, reporter, montazher, gazetar, reporter i imazheve. … Në të njëjtën kohë, gazetari mund të zgjedhë të specializohet (gazetar i lajmeve lokale, gazetar i sportit/ i ekonomisë /i financave / i politikës …) ose jo.

 

Pavarësisht nga mediumi ose punëdhënësi, gazetarët duhet të respektojnë disa rregulla themelore (kontrollohen gjithmonë burimet dhe informacionet e tyre; zgjidhet një kënd për t’i renditur informacionet; tërhiqet vëmendja e lexuesit me një stil të thjeshtë, të zgjuar dhe të drejtpërdrejtë) dhe i nënshtrohen rregullave deontologjike strikte dhe precize (respektohet dinjiteti i personave, ushtrohet të menduarit kritik, verifikohen burimet, etj.).

 

Statusi i gazetarit profesionist i atribuohet atij që, për punë kryesore, të rregullt dhe të paguar ka ushtrimin e profesionit të tij në një ose më shumë media ditore ose javore, në një ose më shumë agjenci lajmesh, në radio, në televizion ose në internet dhe nga i cili nxjerr burimet e tij kryesore të jetesës.

 

Puna e gazetarëve është thelbësore për t’u mundësuar njerëzve që të informohen. Gazetaria, shpesh konsiderohet si pushteti i katërt përballë pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Disa qeveri po mundohen t’i kontrollojnë mediat në vendet e tyre edhe për shkak se mediat kanë bërë që të shpërthejnë shumë skandale politike.

 


SHEMBULL KONKRETË



KRIK: Shembulli i një mediumi hulumtues në Serbi: https://www.krik.rs/

 

Në Serbi, gazetarët nga media hulumtuese KRIK kanë bërë investigime të shumta e të dokumentuara për korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendin e tyre. Ashtu siç e dëshmon Jelena Radivojević, një nga gjashtë gazetarët e KRIK-ut, në një intervistë dhënë për “Courrier des Balkans”, kryeredaktori, Stevan Dojcinović, është rregullisht në shënjestër të sulmeve të shumta, veçanërisht të ashpra nga ana e tabloideve serbe, të financuara nga pushteti.

 

Sipas kësaj gazetareje dhe kolegëve të saj, qeveria, përmes mediave të caktuara, po punon për të diskredituar stafin editorial në përgjithësi dhe njerëz të caktuar personalisht, duke i akuzuar, për shembull, se janë “agjentë të fshehtë që punojnë për vende të tjera” ose duke postuar foto private të tyre.

 

Gazetarët nuk janë sulmuar kurrë fizikisht, por apartamenti i njërit prej tyre u shkatërrua dhe gazetarëve iu dërguan kërcënime me vdekje përmes Facebook-ut, ndërsa autorët nuk janë ndëshkuar.

 

Rasti i medias KRIK tregon rreziqet e të qenit gazetar dhe shkeljet që i bëhen lirisë së shtypit në Serbi dhe në botë.

2 – CILA ËSHTË HISTORIA E MEDIAS?

NOCIONET KYÇE

 

Mediat tradicionale janë media që kanë ekzistuar para internetit; aëto janë radio, televizioni dhe shtypi i shkruar. Nga vitet 1990 dhe me shfaqjen e teknologjisë digjitale, këto media historike po rinovohen duke ofruar versione “online” si dhe versione të adaptuara për telefona të zgjuar dhe tableta.

 

Nga viti 2004 shfaqen aktorë të rinj të mediave dhe hyjnë në konkurrencë me mediat tradicionale: mediat sociale (Facebook, Youtube, Instagram, etj …). Këto janë platforma digjitale, përmbajtja e të cilave gjenerohet nga përdoruesit dhe ku është kryesor parimi i ndërveprimit ndërmjet përdoruesve të ndryshëm të internetit. Kjo logjikë bashkëpunimi është specifike për Web 2.0: dikur konsumatorë të informacionit, përdoruesit e internetit tani janë aktorë.

 

Evolucioni i universit mediatik është një mundësi. Në të vërtetë, shfaqja e formave të reja digjitale (blogje, Wikipedia, YouTube, rrjetet sociale, etj.) favorizon një qasje më të gjerë në njohuri, në lirinë e shprehjes dhe në pjesëmarrjen qytetare.

 

Lidhur me rolin e medias, qoftë tradicionale apo online, UNESCO ofron një tipologji interesante. Mediat mund të kryejnë një ose më shumë funksione nga të mëposhtmet:

  • Kanal informacionesh dhe njohurish
  • Organ i kundër-pushtetit dhe i kontrollit të qeverisë
  • Animator procesesh demokratike dhe lehtësuesh debatesh
  • Përcjellës shprehjesh kulturore
  • Bashkues i një komuniteti

 

 

SHEMBULL KONKRET

 

Rruga e Ballkanit po përdoret gjithnjë e më shumë nga migrantet sirianë ose afganë që duan të mbërrijnë në Evropë.

 

Mediat sociale luajnë një rol të rëndësishëm në trajtimin e këtij lajmi.
Kështu, tweet-et dhe postimët në instagram të publikuara nga azilkërkuesit në Rrugën e Ballkanit na mundësojnë të kuptojmë më mirë realitetin që po e jetojnë këta njerëz.

 

Mediumi francez “LeFigaro.fr” (link) ka arritur, kështu – falë këtyre postimeve të nxjerra live – të përshkruaj rrugën që bëjnë migrantët për të arritur në Austri, në Gjermani ose në Suedi përmes Greqisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Hungarisë.

 

Udhëtimi i migrantëve në Rrugën e Ballkanit, i përshkruar dhe i dokumentuar falë rrjeteve sociale të protagonistëve.

 

Ky përdorim i rrjeteve sociale tregon evoluimin e peizazhit mediatik dhe rolin e mediave. Sot, çdokush mund të jetë dëshmitar i një ngjarjeje dhe ta ndajë atë me tërë botën brenda një sekonde. Kjo praktikë krijoi “gazetarinë qytetare“, e cila e bën çdo përdorues të mediave sociale një prodhues të mundshëm lajmesh.

3 – ÇFARË ËSHTË LIRIA E SHTYPIT?

NOCIONET KRYESORE

Liria e shtypit u garanton qytetarëve të kenë të gjitha informacionet e nevojshme për të formuar lirshëm një mendim.

 

Roli i gazetave është t’ua qartësojnë lajmet lexuesve dhe të stimulojnë debate midis qytetarëve. Për këtë arsye, gazetarët u binden disa rregullave. Ata mund të flasin për të gjitha temat, por duke e kontrolluar informacionin në mënyrë që të sigurohet cilësia.

 

Në një vend ku garantohet liria e shtypit, gazetarët mund ta ushtrojnë profesionin e tyre në liri të plotë dhe ta ndajnë përmbajtjen e tyre mediatike pa pengesa. Atëherë, ata e kanë hapësirën e nevojshme për të vendosur një proces rigoroz gazetaresk duke bërë një punë hulumtimi, investigimi dhe krahasimi të burimeve. Një gazetar i lirë mbështetet në analizën dhe krahasimin e fakteve dhe shpjegimin e tyre. Besueshmëria dhe cilësia e informacionit bazohet pikërisht në këtë qasje gazetareske.

 

Në disa vende, liria e shtypit mund të pengohet dhe gazetarëve ka gjasa t’u pamundësohet mbulimi i një ngjarjeje të caktuar ose kritika ndaj pushtetit. Çdo vit, OJQ-ja Reporters sans Frontières (Reporterët pa Kufij) publikon një klasifikim të lirisë së shtypit në botë .

 

 

SHEMBULL KONKRET

 

Në gusht 2018, gazetari hulumtues malazez Jovo Martinović ka fituar Çmimin Peter Mackler për vitin 2018. Ky çmim shpërblen guximin dhe etikën gazetareske, si dhe i shpërblen gazetarët për kontributin e tyre për shtypin e lirë dhe të pavarur.

 

Jovo Martinović ka punuar për shumë media ndërkombëtare si BBC dhe gazetat The Economist e The Financial Times. Ai njihet për mbulimin e tij gjithëpërfshirës të krimit të organizuar në Evropë dhe të kriminelëve të luftës në Ballkan. Si rezultat i këtyre hulumtimeve, ka qenë i përfshirë në procedura gjyqësore në lidhje me trafikimin e drogës.

 

Në mënyrë që t’i kuptoni konkretisht çështjet e lirisë së shtypit, mund të jetë e dobishme ta lexoni letrën “Aktakuza e gazetarit malazez Jovo Martinović” (në anglisht) e përpiluar nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Federata Evropiane e Gazetarëve, drejtuar Kryeministrit të Malit të Zi. Kjo letër kërkon që të merren parasysh rrethanat në të cilat gazetari ishte në kontakt me të dyshuarit në mënyrë të fshehtë, që të mund ta kryente hulumtimin e tij gazetaresk.

4 – SI VERIFIKOHEN BURIMET ?

NOCIONET KRYESORE


Sot, lajmet online shpërndahen po aq nga burime të besueshme dhe gazetarë profesionistë sa edhe nga manipulues të fakteve që prodhojnë lajme të rreme. Prandaj, në botën digjitale, është bërë e domosdoshme të jesh në gjendje ta dallosh të vërtetën nga e pavërteta.

 

Ekzistojnë disa pyetje të thjeshta që i duhen bërë vetes për ta vlerësuar cilësinë dhe rëndësinë e një lajmi, por edhe besueshmërinë e burimit të tij. Pra, para se ta lexoni një artikull ose të shikoni një video, duhet të merrni pak kohë për të menduar, për ta ushtruar mendimin tuaj kritik dhe për ta pyetur veten:

 

  • Kush është autori i dokumentit, a është ekspert i temës?
  • Cila është natyra e faqes web ose e publikuesit?
  • Nga vijnë informacionet? A citohen burimet?
  • Kur daton informacioni?
  • Cilat janë qëllimet e faqes web: të shesë, të informojë, të bindë, të trembë?

 

Për më tepër, për të fituar besueshmëri dhe për t’u konsideruar i saktë, informacioni duhet të konfirmohet nga burime tjera të informimit dhe/ose të jetë i disponueshëm në media të tjera. Kjo procedurë quhet kryqëzimi i informacionit me qëllim verifikimin e tij.

 

 

SHEMBULL KONKRET

 

Konsultimi i mediave të pavarura është një nga mënyrat më të mira për t’u informuar nga informacione të besueshme. Mediat e pavarura janë aktorë profesionistë të gazetarisë, domethënë, ato janë të angazhuara në prodhimin e “informacionit cilësor, gjithëpërfshirës, të lirë, të pavarur dhe pluralist”.

 

Në Rajonin e Ballkanit, disa media të pavarura i plotësojnë këto kritere, ndër të tjera:

 

 

Për të gjetur më shumë media të pavarura në rajonin e Ballkanit, mund të vizitoni platformën Tamil, në tab-in “Media e Pavarur” (linku).

5 – SI IDENTIFIKOHEN FAKE NEWS-ET?

NOCIONET KRYESORE

 

Për të identifikuar një fake news, duhet të përdoren sa më shpesh mjetet për verifikimin e informacionit duke ndjekur këto rregulla:

 

1. Kontrolloni llojin e faqes web ku është gjetur informacioni. Tab-et “legal mentions” dhe “about“, zakonisht përdoren për të identifikuar llojin e faqes web që konsultohet (blog, faqe me humor, institucionale, etj.). Nëse është rrjet social, kontrolloni llojin e llogarisë që e ka shpërndarë/transmetuar informacionin (llogari për parodi, llogari institucionale, etj.).

 

2. Shikoni datën e publikimit të informacionit. Në ditët e sotme, informacioni vjetërohet shpejt dhe, shpesh ndodh që është kundërshtuar/verifikuar më parë.

 

3. Verifikoni identitetin e autorit të lajmit (a është gazetar? Ekspert i temës që po trajtohet? Apo qytetar i thjeshtë?). Cili është qëllimi i tij, a dëshiron të na informojë, të na japë pikëpamjen e tij apo të na manipulojë?

 

4. Gjurmoni origjinën e lajmit. Në cilin medium është publikuar për herë të parë? Shumë shpesh, në internet, lajmet shpërndahen, transmetohen dhe nganjëherë edhe deformohen, dekontekstualizohen ose interpretohen. Prandaj është e rëndësishme të zbulohet se nga ka ardhur ky lajm.

 

5. Shtroni pyetjet e duhura, bëhuni kureshtar dhe dyshoni. Mendimi kritik është mënyra më efektive që kemi për ta mbrojtur veten nga lajmet e rreme dhe teoritë e konspiracionit.

 


SHEMBULL KONKRET

 

Gjatë fushatës presidenciale amerikane në vitin 2016, qyteti i Velesit, në Maqedoni, u bë “kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme”. Në të vërtetë, nën ndikimin e pushteteve shtetërore, rreth njëqind të rinj maqedonas krijuan një “fabrikë të lajmeve të rreme”, objekti i së cilës ishte shpërndarja përmes internetit e shumë lajmeve të rreme në opinionin publik amerikan, për të kontribuar në fitoren e kandidatit Donald Trump.

 

Këta të rinj fituan gati 10,000 euro në muaj për të krijuar llogari të rreme dhe për të trilluar artikuj nga e para. Një nga lajmet e rreme më të zakonshme kishte për qëllim diskreditimin e kandidates demokrate Hillary Clinton, duke përhapur thashetheme për ta njollosur imazhin e saj. Lajmi i rremë se “Barack Obama financoi fushatën e Hillary Clinton me fonde të vjedhura nga veteranët“, e orkestruar nga Velesi, ishte bërë veçanërisht viral në Shtetet e Bashkuara.