TALMIL

5 – SI IDENTIFIKOHEN FAKE NEWS-ET?

NOCIONET KRYESORE

 

Për të identifikuar një fake news, duhet të përdoren sa më shpesh mjetet për verifikimin e informacionit duke ndjekur këto rregulla:

 

1. Kontrolloni llojin e faqes web ku është gjetur informacioni. Tab-et “legal mentions” dhe “about“, zakonisht përdoren për të identifikuar llojin e faqes web që konsultohet (blog, faqe me humor, institucionale, etj.). Nëse është rrjet social, kontrolloni llojin e llogarisë që e ka shpërndarë/transmetuar informacionin (llogari për parodi, llogari institucionale, etj.).

 

2. Shikoni datën e publikimit të informacionit. Në ditët e sotme, informacioni vjetërohet shpejt dhe, shpesh ndodh që është kundërshtuar/verifikuar më parë.

 

3. Verifikoni identitetin e autorit të lajmit (a është gazetar? Ekspert i temës që po trajtohet? Apo qytetar i thjeshtë?). Cili është qëllimi i tij, a dëshiron të na informojë, të na japë pikëpamjen e tij apo të na manipulojë?

 

4. Gjurmoni origjinën e lajmit. Në cilin medium është publikuar për herë të parë? Shumë shpesh, në internet, lajmet shpërndahen, transmetohen dhe nganjëherë edhe deformohen, dekontekstualizohen ose interpretohen. Prandaj është e rëndësishme të zbulohet se nga ka ardhur ky lajm.

 

5. Shtroni pyetjet e duhura, bëhuni kureshtar dhe dyshoni. Mendimi kritik është mënyra më efektive që kemi për ta mbrojtur veten nga lajmet e rreme dhe teoritë e konspiracionit.

 


SHEMBULL KONKRET

 

Gjatë fushatës presidenciale amerikane në vitin 2016, qyteti i Velesit, në Maqedoni, u bë “kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme”. Në të vërtetë, nën ndikimin e pushteteve shtetërore, rreth njëqind të rinj maqedonas krijuan një “fabrikë të lajmeve të rreme”, objekti i së cilës ishte shpërndarja përmes internetit e shumë lajmeve të rreme në opinionin publik amerikan, për të kontribuar në fitoren e kandidatit Donald Trump.

 

Këta të rinj fituan gati 10,000 euro në muaj për të krijuar llogari të rreme dhe për të trilluar artikuj nga e para. Një nga lajmet e rreme më të zakonshme kishte për qëllim diskreditimin e kandidates demokrate Hillary Clinton, duke përhapur thashetheme për ta njollosur imazhin e saj. Lajmi i rremë se “Barack Obama financoi fushatën e Hillary Clinton me fonde të vjedhura nga veteranët“, e orkestruar nga Velesi, ishte bërë veçanërisht viral në Shtetet e Bashkuara.