MODULI 1 - UNIVERSI MEDIATIK

SEANCA 2 – MEDIA E RE

Fletë edukative 5

KAPITULLI 5 – NGA MEDIA TRADICIONALE NË MEDIAT E REJA

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Të kuptojmë dallimin në mes mediave tradicionale dhe mediave të reja

Qëllimi 2: Të kuptojmë se si po e ndryshojnë peizazhin mediatik mediat sociale

Qëllimi 3: T’i njohim rreziqet dhe mundësitë e “gazetarisë qytetare”

Mediat tradicionale


Mediat tradicionale janë media që kanë ekzistuar para internetit; këto janë radioja, televizioni dhe mediat e shkruara. Nga vitet 1990 dhe me shfaqjen e teknologjisë digjitale, metodat e "konsumit/shpërndarjes së informacionit" evoluan, duke i detyruar këto media tradicionale ta përshtatin përmbajtjen e tyre për të qëndruar sa më afër audiencave të veta dhe thjesht për të mbijetuar. Si rezultat, shtypi i shkruar, radioja dhe televizioni janë rinovuar në strukturë për të ofruar versione "online" si dhe versione për smartphone dhe tableta. Përkundër këtyre mënyrave të reja të informimit, kemi parasysh se, qëllimi i medias tradicionale mbetet i njëjti: shpërndarja e të njëjtit lajm te një grup i madh njerëzish në të njëjtën kohë. I përket pranuesit të lajmit të zgjedhë nëse do ose jo t'i kushtojë vëmendje të veçantë lajmit që i drejtohet.

 

Këto media tradicionale dhe historike, të cilat karakterizohen nga një praktikë profesionale e gazetarisë dhe nga ngurtësia në formatet e tyre (kufizimet editoriale, periodiciteti), kanë reputacionin e tyre si aset kryesor. Ato konsiderohen ende sot si një burim i besueshëm informacioni, veçanërisht përballë shfaqjes së shpërndarjes së lajmeve përmes mediave sociale.

 

 

Mediat sociale

 

Nga viti 2004, janë shfaqur aktorë të rinj mediatik të cilët konkurrojnë me mediat tradicionale: media sociale (new media). Këto janë platforma digjitale, përmbajtja e të cilave gjenerohet nga përdoruesit dhe ku është thelbësor parimi i ndërveprimit ndërmjet përdoruesve të ndryshëm të internetit. Kjo logjikë bashkëpunimi është specifike për ueb 2.0: përdoruesit e internetit që dikur ishin spektatorë të faqeve të internetit, tani janë aktorë. Ndër mediat më të rëndësishme sociale sot kemi: Facebook, Youtube, Instagram, Twitter, Pinterest, Snapchat dhe Linkedin.

 

Mediat sociale, të cilat po bëhen një nga burimet kryesore të informimit për publikun, dhe veçanërisht për të rinjtë, dallohen nga karakteristikat specifike që e ndryshojnë thellësisht mjedisin mediatik. Këto platforma, në radhë të parë favorizojnë ndërveprimin: tani programet e lajmeve krijohen për t'u komentuar në rrjetet sociale dhe në veçanti në Twitter, që promovon shkëmbimin e ideve dhe reflektimin. Mediat sociale gjithashtu bartin fuqinë e çastit. Sot, me mjete si "LiveTweet", përdoruesi mund të ndjekë një ngjarje ‘live’ pa qenë i pranishëm fizikisht. Ai e di se çfarë ka ndodhur shumë kohë para shfaqjes së pamjeve në lajmet e mbrëmjes. Mediat sociale kanë thyer edhe monopolin e fabrikës së lajmeve që dikur mbahej nga mediat tradicionale. Me platforma si Facebook, çdokush mund të jetë dëshmitar i një ngjarjeje dhe ta ndajë atë me botën brenda një sekonde. Prej kësaj praktike ka lindur "gazetaria qytetare", e cila e shndërron çdo përdorues të medias sociale në një prodhues të mundshëm të lajmeve.

 

 

Informacioni në epokën digjitale: rreziqet dhe mundësitë

 

Shfaqja e formave të reja digjitale të informacionit (lajmet online, blogjet, Wikipedia, YouTube, rrjetet sociale, etj.) favorizon qasje më të gjerë në njohuri, në lirinë e shprehjes dhe në pjesëmarrjen qytetare. Sot verejmë se bashkëjetesa e mediave të shtypit, audiovizuale dhe online përmes mjeteve të shumta bën të mundur rritjen e qasjes në informim dhe krijimin e një kulture pjesëmarrëse, ku qytetarëve nuk u mjafton të konsumojnë lajmin, por ata tani kontribuojnë në mënyrë aktive në prodhimin dhe shpërndarjen e tij.

 

Rreziku kryesor i këtij peizazhi të ri mediatik është dezinformimi. Në të vërtetë, përdorimi masiv i rrjeteve sociale çon në reflektim mbi vërtetësinë e lajmit. Çfarë besueshmërie ka një individ kur flet për një temë? A i kontribuon ai thellimit të konfuzionit rreth çështjes së lajmeve të rreme, duke vështirësuar edhe më tej dallimin në mes të vërtetës dhe të pavërtetës në internet? Nga ky këndvështrim, gazetaria "klasike" ruan gjithë rëndësinë e saj. Misioni i përzgjedhjes, analizës dhe deshifrimit të lajmit mbetet kryesor për të.