Praktikat e mira
TALMIL

Praktikat e mira

Trajnerët nga Ballkani, të interesuar në edukimin mediatik, kanë mundësinë të frymëzohen nga raste konkrete të projekteve të fundit, veçanërisht inovative dhe efektive të EMI. 

Për këtë arsye, me qëllim që të zgjojmë entuziazmin dhe ambicien e përdoruesve të platformës TALMIL, ne ofrojmë më poshtë disa shembuj të projekteve të edukimit mediatik në rajon dhe në botë, të cilat janë veçuar për suksesin e tyre.

Evropa Lindore: t'i shndrrojmë rrjetet sociale në një mjet për edukimin mediatik

Projekti BTMSET (“Building Trust in Media in South East Europe and Turkey/Ndërtimi i Besimit në Media në Evropën Juglindore dhe Turqi”), i udhëhequr nga UNESCO në Evropën Lindore, synon të forcojë aftësinë e të rinjve në rajon për të deshifruar informacionin përballë përhapjes së lajmeve të rreme. Është më shumë një çështje e zhvillimit të mendimit kritik të gjeneratës së re përmes krijimit të një platforme arsimore digjitale inovative: MIL CLICKS.  

Kjo platformë argëtuese dhe bashkëpunuese ka për qëllim t’i mësojë përdoruesit e rinj të internetit që t’i përdorin rrjetet sociale (facebook, instagram, twitter) si instrumente trajnimi për të përvetësuar aftësi të reja në qasjen dhe deshifrimin e lajmit.

Finlandë: një agjenci e mediave për të promovuar një vizion pozitiv të të rinjve

Qendra e Informimit «Zëri i të Rinjve» i Departamentit të Rinisë së Qytetit të Helsinkit në Finlandë funksionon si një agjenci lajmesh. Kjo agjenci pioniere e drejtuar nga të rinjtë ofron reportazhe dhe artikuj për media të ndryshme kryesore në të gjithë vendin. Vija editoriale e agjencisë “Zëri i të Rinjve” synon, në veçanti, të promovojë një imazh pozitiv të të rinjve në shtyp. Ajo ka gjithashtu për qëllim që të dëgjohen idetë e të rinjve për çështjet kryesore shoqërore, në mënyrë që gjenerata e re të kontribuojë plotësisht në debatin demokratik.

Ky projekt inovativ për edukim mediatik është shumë i suksesshëm. Në vitin 2009, agjencia “Zëri i të Rinjve” i publikoi artikujt e saj në gazetën më të madhe të Finlandës, Helsingin Sanomat. Ajo ka publikuar edhe sondazhe të opinioneve dhe mjete krahasimi të kandidatëve gjatë periudhës elektorale për IRC-Galleria, komuniteti më i popullarizuar në internet për finlandezët e rinj.

Francë: përfshirja e të rinjve në trajnimin e të rinjve të tjerë

Në vitin 2019, rrjeti i bibliotekave të Toulouse në Francë rekrutoi dhe trajnoi në edukimin mediatik 10 vullnetarë të rinj të shërbimit civil të moshës 18 deri në 23 vjeç. Pasi i fituan njohuritë dhe aftësitë për të dhënë mësim EMI, këta të rinj punuan në 7 biblioteka të vendosura kryesisht në lagje të varfra. Ata më pas u ofruan adoleshentëve që i frekuentuan këto biblioteka një numër të madh workshop-esh origjinale dhe argëtuese: “trajtimi i gazetave”, “identifikimi i T & C-ve të rrjeteve sociale”, “café intox”, “inicimi radios”, etj …

Mathilde Espil, përgjegjëse e projektit pedagogjik, foli për këtë eksperiment: “Suksesi i projektit arrihet përmes trajnimit të vullnetarëve në shërbim civil, ambasadorë të vërtetë të edukimit mediatik, por edhe përmes raportit të besueshmërisë që ndërtojnë këta të fundit me frekuentuesit e bibliotekave. Ky eksperiment konfirmoi se “përfshirja e të rinjve në sensibilizimin e të rinjve të tjerë mbi çështjet e medias ishte veçanërisht e rëndësishme”.