MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT

SEANCA 4 – TË DESHIFROHEN MEDIAT E NDRYSHME

Fletë edukative 9

KAPITULLI 9 – PARAQITJET NË EKRAN

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Të dallohen formate të ndryshme të informacionit dhe qëllimet e tyre.

Qëllimi 2:  Të kuptohet roli i imazhit në formate të ndryshme audiovizuale.

Qëllimi 3: Të gjenden shembuj emblematikë për t’ju qasur çështjes së paraqitjeve në ekran.

“Veprat” audio-vizuale

 

Dokumentar dhe reportazh

 

Përkufizim: I gjendur midis veprës artistike dhe hulumtimit gazetaresk, dokumentari dallohet nga fiksioni, pasi temat e trajtuara janë reale dhe qëllimi kryesor mbetet informimin për këtë realitet. Ndryshe nga reportazhi gazetaresk, dokumentari përdor një gjuhë artistike e cila prek edhe emocionet e spektatorit, për ta shtyrë atë drejt reflektimit. Nga ana tjetër , reportazhi është një hulumtim gazetaresk i bazuar në parimin e objektivitetit, edhe nëse autori i hulumtimit mund të ketë një qëndrim militant dhe të angazhuar. Te reportazhi çdo aspekt i fiksionit braktiset për t’ia lënë vendin elementeve faktualë.

 

Shembuj :

 

- Dokumentari Druga strana svega («Ana tjetër e një historie», 2017) i regjisores serbe Mila Turajlić i kthehet historisë serbe të 70 viteve të fundit përmes perspektivës së Srbijanka Turajlić, që është nëna e regjisores dhe aktiviste e paqes. Regjisorja vendos një dialog në mes historisë familjare dhe historisë së vendit të vet, duke trajtuar çështjen e angazhimit politik të gjeneratave të vjetra përballë zhgënjimit të serbëve të rinj sot.

 

- Një tjetër autor dokumentarësh, kosovari Samir Karahoda paraqet çështjen e migrimit të një pjese të rinisë së Kosovës në veprën e tij Në Mes («In Between», 2019). Përmes këtij dokumentari, Karahoda tregon një aspekt të rëndësishëm të aktualitetit të vendit të tij, siç është, ndër të tjera, mungesa e perspektivës ekonomike për shumë të rinj dhe shpërbërja e familjes e cila është një njësi sociale shumë e rëndësishme në shoqërinë kosovare.

 

- Në kontekstin ballkanik, shumë reportazhe i janë kushtuar, për shembull çështjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar. I tillë është edhe reportazhi i gazetares malazeze Olivera Lakić, autore e një hulumtimi mbi krimin e organizuar, pas publikimit të të cilit, ajo është bërë shënjestër e një sulmi të armatosur.

 

Filmat dhe kinemaja

 

Edhe fiksioni dhe kinemaja mund t’uu qasen temave të njëjta me ato të dokumentarëve dhe reportazheve gazetareske, por pa i ndjekur domosdoshmërisht të njëjtat metoda. Filmat mund të tregojnë rrëfime të trilluara, por duke u frymëzuar nga realiteti. Kinemaja mundëson t’i qasemi me një liri të madhe çështjeve që kanë të bëjnë me shoqërinë dhe ta shtyjë spektatorin drejtreflektimit.

 

Shembull: Në filmin e tij, Honeymoons (2009), regjisori serb Goran Paskaljević, për të trajtuar temën e emigrimit në Evropë përmes një këndvështrimi ironik dhe dramatik, vë në skenë rrëfimin e trilluar tëdy çifteve, njëri serb, tjetri shqiptar, ,.

 

 

Televizioni: edicioni i lajmeve

 

Në historinë e mediave dhe të qasjes në lajm, shfaqja e televizionit ka luajtur një rol të përafërt me atë të rrjeteve sociale sot, në kuptimin që, përdorimi i tij ka paraqitur një lloj revolucioni në mënyrën sesi popullata i konsumon lajmet. Ky medium emblematik mbetet ende i rëndësishëm në shoqëritë tona dhe duhet të na shtyjë të reflektojmë mbi mënyrën sesi mediumi audiovizual është përdorur për të komunikuar lajme.

 

Përkufizim: Edicioni televiziv i lajmeve është një emision informacionesh që zgjat disa dhjetëra minuta, që emetohet në televizion dhe prezantohet nga një ose më shumë prezantues. Ai mund të propozojë reportazhe mbi tema ndërkombëtare, kombëtare ose vendore, ose kronika të përhershme siç janë informacionet për motin.

 

Qëllimi kryesor i edicionit televiziv të lajmeve është të sjellë informacione cilësore të mbledhura nga gazetarët ose nga korrespondentët që punojnë për atë kanal, mbi aktualitetin ose tema bosht. Ndryshe nga radioja, e cila po ashtu propozon emisione “blic” mbi aktualitetin, edicioni i lajmeve i jep imazhit një vend të veçantë, edhe në pamjen e në gjestet e prezantuesit, por edhe gjatë reportazheve, fotografive ose infografive të dhëna në ekran (kodi ngjyrë, fonti i përdorur në tekst, lloji i dekorit për skenën etj.).

 

Shembull: Në vitin 2016 drejtoria e edicionit të lajmeve të kanalit shqiptar Zjarr TV ka vendosur t’ia besojë prezantimin e lajmeve prezantuesve me gjoks të zhveshur nën një xhaketë të hapur që mezi i fsheh gjinjtë e tyre. Kjo zgjedhje, e cila është kritikuar ashpër për shkak të karakterit të saj seksist, është një rast ekstrem, por tregon mirë rëndësinë e menaxhimit të imazhit dhe të vizuales gjatë një edicioni lajmesh.

 

 

Një mjet i kufizuar

 

Edhe pse televizioni është një medium shumë popullor, kanalet e televizionit nuk i ikin logjikës ekonomike dhe, madje ndonjëherë, edhe ndikimit politik (në veçanti, në rastet e kanaleve publike) të cilët mund të rëndojnë në cilësinë e lajmit dhe të kufizojnë imazhin e shumëllojshmërisë së mendimeve dhe të lëvizjeve opozitare. Në Ballkan, në veçanti, temat serioze mund të zëvendësohen nga tema më të lehta duke kopjuar modelin e “tabloideve” dhe të mediave që japin lajme “people”.

 

Shembull : Në mars 2019, protestuesit e Lëvizjes #1od5miliona dhe përfaqësues të tjerë të partive të opozitës kanë protestuar para zyrave të radio-televizionit serb (RTS) për ta kritikuar ndaj mos-përfaqësimit në televizion.

 

Përballë kësaj situate, në Ballkan kanë investuar shumë kanale lajmesh ndërkombëtare , në mënyrë që t’i propozojnë spektatorëve një alternativë, por edhe për arsye gjeopolitike. Kështu, vitet e fundit, kanali i Katarit «Al Jazeera» ka inauguruar zyrën e saj lokale në Sarajevë, kurse kanali Russia Today ka filluar të japë lajme në gjuhën e vendit në radion serbe Studio B.

 

Edicioni i lajmeve në televizion, edhe pse mbetet shumë popullor, megjithatë po zëvendësohet çdo ditë e më shumë nga mediat online dhe nga rrjetet sociale.

 

 

Ekranët e rinj

 

Në të gjitha vendet e botës, koha e kaluar para ekraneve po rritet vazhdimisht çdo vit, veçanërisht te të rinjtë. Nëse televizioni na e merr një pjesë të madhe të kohës sonë, qasja në rrjetet sociale po e rrit më shumë këtë kohë para ekranit. Në vitin 2019, studimi i « BusinessFibre.co.uk” ka bërë listën e vendeve që kalojnë më shumë orë në internet, duke përkujtuar se mesatarja botërore e kohës së kaluar para ekraneve është 6 orë e 42 minuta në ditë (linku gjendet në rubrikën «Për më shumë»).

 

Nga kjo kohë të kaluar në rrjetet sociale, një pjesë e madhe i kushtohet shikimit të videove, të gjithëpranishme në internet dhe, ndër të tjera, falë aplikacionit të «gjigantit» të videos: YouTube-it.

 

Përkufizim : YouTube është një platformë videosh dhe një medium social ku përdoruesit mund të dërgojnë, të shohin, të komentojnë, të vlerësojnë dhe të ndajnë video në streaming. I krijuar në shkurt 2005 nga Steve Chen, Chad Hurley dhe Jawed Karim, tre ish-punëtorë të Pay Pal dhe i blerë nga Google në tetor 2006 për 1,65 miliard dollarë, Youtube është një ndër faqet web më të shikuara në botë (në vitin 2020, çdo muaj, në YouTube hynë më shumë se 2 miliard përdorues ).

 

Është interesante të konstatohet se kjo platformë rimerr disa kode audiovizuale të televizionit. Për shembull, flitet për «kanalin Youtube» dhe «Youtuberat» duhet të kenë kompetencat e njëjta si prezantuesit në televizion: të shprehurit të mirë, një dukje tërheqëse që ta shikosh videon, duke riprodhuar madje edhe skena xhirimi të emisioneve televizive.

 

Shembull: Youtuberat më të ndjekur në vende të ndryshme:

Bosnje Herzegovinë: https://www.youtube.com/user/Seherzad

Serbi: https:/ www.youtube.com/user/SerbianGamesBL2

Mali i Zi : https://www.youtube.com/user/BalkanGamesHD

 

Të vetëdijshme se ky format i tërheq gjeneratat e reja, disa kanale televizive e pushtojnë këtë media duke i ri-transmetuar emisionet ose duke propozuar që këto kanale të shikohen drejtpërdrejtë në Youtube (siç është kanali RTS Sajt - Zvanični kanal në Serbi, që transmeton, për shembull, serialin “Moja generacija Z” - “Gjenerata ime Z”).

 

Suksesi i Youtube në raport me televizionin shpjegohet edhe përmes llojllojshmërisë së përmbajtjes që e propozon. Meqenëse cilido përdorues i internetit mund të prodhojë ose të postojë një video, shijet dhe opinionet e secilit janë shumë më mirë të përfaqësuara se në televizion. Pra, ai është edhe një mjet të cilin mund ta përdorë qytetari për t’u shprehur mbi temat që i interesojnë, për të paraqitur në mënyrë të thjeshtë njohuritë e tij, për të shfaqur idetë e tij, për të dhënë informacione një temë ose për të komunikuar informacione të rëndësishme, sin ë rastet kur protestuesit filmojnë lëvizjet e tyre drejtpërdrejt gjatë një proteste.

 

Duke u pozicionuar si një shtyllë qendrore për emetimin dhe produksionin audiovizual, YouTube dhe mediat sociale që propozojnë video, gëzojnë një pozitë hegjemonike në raportin tonë me informacionin. Atëherë, shtrohen pyetjet qendrore të lirisë së shprehjes, të monopolit dhe të përgjegjësisë lidhur me përmbajtjet e shpërndara, veçanërisht lajmet e rreme, gjuha e urrejtjes dhe teoritë konspirative, fatkeqësisht shumë të pranishme në këtë platformë të konsultuar kryesisht nga të rinjtë.