MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT

SEANCA 4 – TË DESHIFROHEN MEDIAT E NDRYSHME

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 1 – FILM-DEBAT

Kohëzgjatja : 1 orë
Pajisjet :

Ekran ose mur i bardhë + videoprojektor, ose televizor, lexues DVD ose kompjuter
Internet, fletë, lapsa
Modeli i Formularit që duhet të plotësohet nga pjesëmarrësit

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Ushtrimi film-debat i inkurajon të rinjtë të marrin fjalën dhe të shprehen në lidhje me çështjet shoqërore (emigrimi i rinisë së Ballkanit, tensionet ndëretnike, diskriminimi ndaj komunitetit LGBT+, korrupsioni i përhapur, etj.) përmes shikimit të një reportazhi ose një videoje. Debati që do të zhvillohet pas shikimit do t'u japë pjesëmarrësve mundësinë të formulojnë pikëpamjet e tyre dhe do t’u mundësojë, gjithashtu, të rinjve të përballen, me respekt dhe vëmendje, me ide të ndryshme nga të tyret dhe, kështu, të përfitojnë këndvështrime të ndryshme.

 

Nga ana tjetër, ky aktivitet do të mundësojë adresimin e çështjes së identifikimeve në ekran dhe përdorimin e imazheve për të trajtuar një problematikë - nëse është një film, për shembull-, si dhe për të analizuar mjetet mediatike audiovizuale, siç janë dokumentarët dhe reportazhet.

 

Më gjerësisht, ky ushtrim do të nxisë mendimin kritik tek të rinjtë duke sjellë elemente njohurish të trajtuara në reportazh ose film, duke kuptuar mekanizmat për shpërndarjen e informacionit përmes imazheve dhe, në fund, përmes shkëmbimeve dhe diskutimeve.

 

Për më tepër, ky aktivitet ka përparësinë që përdor mjetin audiovizual që pëlqehet zakonisht nga të rinjtë dhe e mobilizon më lehtë vëmendjen e tyre.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

1.Përgatitja e film-debatit: Trajneret identifikojnë një reportazh, një film ose një dokumentar mbi çështjet që duan t’i diskutojnë me pjesëmarrësit.

 

2. Përgatitja e materialit që duhet të plotësohet nga të rinjtë: trajnerët duhet të sigurojnë material për pjesëmarrësit në trajnim. Përmes këtij materiali, pjesëmarrësit kuptojnë elementet e nevojshme në lidhje me filmin (në veçanti, të dhëna për regjisorin dhe elemente të kontekstit për të kuptuar motivet që e kanë shtyrë autorin të realizojë veprën). Shembull i një tabele për analizë (që do të përshtatet sipas nevojës): SHIH SEKSIONIN "SHTOJCË".

 

3. Përgatitja e sallës dhe pajisjeve të nevojshme (videoprojektor, pajisje për zërin, karrige/ tavolina).

 

4. Shpërndarja e materialit: gjatë shikimit pjesëmarrësit do të plotësojnë pjesën e parë të formularëve.

 

5. Shikimi i filmit/dokumentarit

 

6. Para se të filloni debatin, gjatë një prezantimi hyrës paraprak, është e rëndësishme që, së bashku me pjesëmarrësit, të identifikoni mekanizmat e përdorur për të përcjellë informacionin (Intervistë? Kamerë e fshehtë? A është historia e treguar plot trishtim apo plot shpresë? Imazhe pozitive/negative? etj.).

 

7. Moderimi i debatit të ideve duke përdorur pjesën e dytë të materialit të përgatitur më parë nga trajneret "Pyetje për pjesëmarrësit në trajnim". Ky debat duhet t'i shtyjë pjesëmarrësit që t'i bëjnë vetes pyetje të ndryshme në lidhje me problematikën e zgjedhur.

 

Shembull: Trajneri mund të shfrytëzojë një citat ose një skenë nga filmi që mund të sjellë disa interpretime. Ai e tregon këndvështrimin e tij dhe u kërkon të rinjve të shprehin opinionet e tyre, dhe më pas t'i shpjegojnë dhe t’i arsyetojnë. Pozicionimi bëhet fizikisht, përmes lëvizjes së të rinjve në sallë me stilin e debatit lëvizës (varësisht nga këndvështrimi që mbrojnë, pjesëmarrësit vendosen në anën e majtë, në anën e djathtë ose në mes të sallës). Pasi të kenë kaluar në anën që kanë zgjedhur, të rinjtë inkurajohen ta shprehin këndvështrimin e tyre. Ata mund ta ndërrojnë pozizionin e tyre, por nuk mund të qëndrojnë në mes.

 

8. Përfundim dhe komente: Ky është edhe momenti kur pjesëmarrësit duhet të pyeten se si ndiehen në lidhje me ushtrimin (a u ka pëlqyer debati, filmi?) dhe të inkurajohen që ta përdorin më shumë këtë lloj media, e cila, zakonisht është më e thelluar dhe më e besueshme sesa informacionet që gjenden shpejt në internet.

 

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Trajneret duhet t'u sigurojnë të rinjve folderin video ose qasjen në një platformë për shikim të filmave/dokumentarëve, si dhe formularët (shih shtojcën: tabela për analizë për debatin).

  2. Të rinjtë mund ta shikojnë filmin në distancë.

  3. Të rinjtë u përgjigjen pyetjeve në formularë.

  4. Trajneri krijon një link në platformën e videokonferencës ZOOM (ose një platformë tjetër) dhe ua dërgon të rinjve.

  5. Pasi të mblidhen në të njëjtën "sallë virtuale", të rinjtë ndahen në grupe nga trajneri (sipas numrit të pjesëmarrësve).

  6. Falë ndarjes së ekranit, e cila është e mundur në shumicën e këtyre platformave, të rinjtë do të jenë në gjendje t’i shënojnë përgjigjet dhe opinionet e tyre në shënimet virtuale post-it përmes faqes https://note.ly/ .

  7. Trajneri mund t'i përdorë këto vërejtje/përgjigje për të moderuar debatin.

 

SHTOJCË: TABELA E ANALIZËS PËR FILM-DEBATIN

 

1/ Regjisori: historia e tij personale; cilat janë filmat tjerë që ka realizuar?

2/Personazhet e filmit: kush janë këto personazhe? cilat janë veprimet e tyre? çfarë po tregojnë?

3/ Stili vizual i filmit: të përshkruhen elementet vizuale (imazhet, atmosfera, etj.); pse regjisori e bëri këtë përzgjedhje vizuale?

4/ Qëllimi i filmit: a dëshiron regjisori të afirmojë diçka përmes veprës së tij? Pse e ka zgjedhur filmin/dokumentarin si mjet për ta bërë këtë?