MODULI 1 - UNIVERSI MEDIATIK

SEANCA 1 - FUNKSIONET DHE MJETET E INFORMACIONIT

Fletë edukative 3

KAPITULLI 3 – LAJMI DHE MEDIAT

Niveli : I lehtë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Trajneri është në gjendje të përkufizojë termat «media» dhe  »lajm»

Qëllimi 2: Trajneri është në gjendje të shpjegojë tri llojet e komunikimit të lajmit

Qëllimi 3: Trajneri e njeh rrugën e lajmit

PERKUFIZIM

 

1/ Një media është para se gjithash një mjet material që bën të mundur transmetimin masiv të lajmeve të tilla si shtypi i shkruar, radioja, interneti ose televizioni.

 

Rritja dhe diversifikimi i ofertës së lajmëve

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, shohim një dendësim të lajmeve dhe një rritje të mjeteve mediatike: shtëpitë pajisen me televizorë, rritet numri i kanaleve të radios dhe botohen shumë revista. Flitet, atëherë, për media “masive”. Që në atë kohë, lajmi i disponueshëm është bërë më i rëndësishëm dhe më i shumëllojshëm nga sa që ishte më herët dhe fenomeni është theksuar deri në ditët e sotme me epokën e digjitalizmit e cila i ka ndryshuar rrënjësisht mënyrat e të informuarit.

 

Modifikimi i raportit me informacionin

 

Me rritjen dhe diversifikimin e kësaj oferte të lajmeve, vetë raporti ynë me informacionin po ndryshon, veçanërisht prej shfaqjes së internetit në fillim të viteve ‘90. Duke qenë kundër-pushtet i vërtetë demokratik, mediat bëhen të domosdoshme për jetën e qytetarëve. Gjatë kohës së zgjedhjeve, për shembull, por edhe gjatë tërë vitit, mediat janë burim kryesor i transmetimit të propozimeve, debateve dhe programeve politike të përfaqësuesve dhe të liderëve politikë.

 

Gjithashtu, ky evoluim i ofertës mediatike dhe veçanërisht zhvillimi i internetit ka bërë të mundur përhapjen më të gjërë të ideve dhe të opinioneve të cilat ishin dikur margjinale,- apo më pak të shkrira në opinionin publik- të tilla si teoritë konspirative ose ideologjitë ekstremiste, duke e bërë më të lehtë transmetimin e tyre te publiku i gjerë.

 

Por mediat kanë të bëjnë edhe me një përmasë strukturore dhe profesionale më pak të dukshme, do të thotë që ato përfaqësojnë një sistem të organizuar ekonomikisht (financimi, pagesa e gazetarëve) dhe shoqërisht (që nënkupton njohjen e profesionit të gazetarit, praktikat, shprehitë profesionale, edukimin për gazetari).

 

2/ Një lajm, në kontekstin e edukimit kritik mediatik, është një fakt i raportuar që rrjedh nga burime të identifikuara, të verifikuara dhe të kryqëzuara. Kësaj mund t’i shtohet një vënie në perspektivë që shpjegon ose interpreton faktin në fjalë në një përmasë sociale, kulturore dhe politike. Gjithashtu një lajm duhet të përmbushë tri kritere:

 

  1. Të jetë me interes publik: Që një fakt të konsiderohet si lajm, në kuptimin mediatik dhe shoqëror të fjalës, ai duhet të jetë me interes publik. Për shembull, nëse ka të bëjë me praninë e cilitdo qytetari në një ndeshje futbolli, kjo nuk përbën një lajm, i cili mund të ketë rëndësi për shumicën e qytetarëve të tjerë.
  2. Të jetë faktual: Një lajm duhet të ketë të bëjë me një fakt, të jetë faktual. Do të thotë, për të vazhduar me shembullin tonë, rezultati i ndeshjes ose lëndimi i lojtarit në teren përbëjnë lajme të mirëfillta sepse kemi të bëjmë me fakte, me veprime dhe rezultate që mund të shihen. Përkundrazi, thashethemet lidhur me transferimin e një lojtari te një klub tjetër, ose tensionet e mundshme që do të mund të ekzistonin brenda një skuadre nuk përbëjnë ende lajm.
  3. Të jetë i verifikuar dhe i verifikueshëm: Për ta konfirmuar statutin e tij si lajm, një fakt duhet të jetë i verifikuar dhe i verifikueshëm. Me fjalë të tjera, këtu duhet të jemi të vëmendshëm ndaj nocionit të provës e cila e miraton faktin.

 

NË ÇFARË MËNYRE KOMUNIKOHET LAJMI NGA MEDIAT

 

Në shtypin e shkruar, një lajm mund të raportohet në tri mënyra, që do të thotë se do të përdoren zhanre gazetareske të ndryshme :

  1. Lajmi i shpjeguar: Gazetari analizon faktet, ai e deshifron lajmin dhe ia jep lexuesit informacionin në lidhje me faktet. Ky lloj shkrimi përdoret për analiza, hulumtime, dosje dhe intervista gazetareske.
  2. Lajmi i komentuar: Është një lloj shkrimi më i lirë ku gazetari bën interpretimin dhe mundohet t’i deshifrojë faktet duke luajtur mbi humorin, duke e dhënë mendimin e vet ose duke gjykuar faktin. Ky lloj shkrimi përdoret për tribuna, për artikull të shkurtër të ditës, për editoriale, karikatura ose kritika.
  3. Lajmi i raportuar: Është një stil gazetaresk shumë narrativ ku gazetari i paraqet dhe i raporton faktet në detaje. Ky lloj shkrimi përdoret për lajmin e shkurtër, për informatë të shpejtë, për kronikë, për raport, për reportazh apo për rrëfim.

 

NDËRTIMI I LAJMIT:

 

Rruga e lajmit përbëhet nga disa etapa :

  1. Fakti
  2. Lajmërimi (një gazetar informohet nga burimet e tij)
  3. Verifikimi (mobilizohen disa gazetarë, pyesin organizatat, personat ose institucionet në fjalë duke shkuar në vendin e ngjarjes )
  4. Një mbledhje e redaksisë mund të organizohet nga mediumi. Kryeredaktori mbledh shefat e rubrikave, vendoset për dërgimin e gazetarëve në teren dhe për trajtimin nga kënde të ndryshme: karakteristikat, hipotezat, precedentët, reportazhet, raportimi i ditës…
  5. Gjatë përpilimit, gazetari e shkruan artikullin ose komentin e tij, pastaj redaktorët e lexojnë dhe e korrigjojnë, i vendosin legjenda fotove…
  6. Pas kryqëzimit të informacioneve bëhet publikimi. Publikohet në formën e një lajmi të shkurtër, të një lajmërimi ose një informate të shpejtë, varësisht nga rëndësia e lajmit.

Vini re: Të kesh një lajm sensacional (‘scoop’), do të thotë të publikosh lajmin i pari. Mediat e tjera mund ta rimarrin atë, por duke saktësuar nga vjen ai.