MODULI 3 - FUQIA E MEDIAVE

SEANCA 5 – QYTETARIA ONLINE

Fletë edukative 14

KAPITULLI 14 – QYTETARIA DIGJITALE

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: T’ i qasemi konceptit të «qytetarisë digjitale»

Qëllimi 2: Të jepen shembuj konkret të praktikave të mira në internet

Qëllimi 3 : Të theksohen kufijtë e «qytetarisë digjitale»

Çfarë është qytetaria digjitale?

 

Sot është e vështirë madje e pamundur të mos e përdorim internetin, si në jetën tonë profesionale, ashtu edhe në atë personale. Nëse interneti është gjithkund, është mirë që të mësohemi ta përdorim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo bëhet me një kontroll më të madh dhe me një njohje më të mirë të jetës sonë digjitale.

 

Përkufizim: Qytetaria digjitale përcakton mënyrën se si përdoruesit e internetit veprojnë dhe ndërveprojnë online. Ajo ka të bëjë kryesisht me sjelljen që e kemi gjatë shkëmbimeve tona online me përdoruesit e tjerë mbi tema të ndjeshme me karakter social ose politik. Të drejtat dhe detyrat që kemi në jetën reale janë identike në Internet. Sjellja jonë dhe ndërveprimet tona përcaktojnë edhe mënyrën se si të tjerët na shohin në Internet. Megjithatë, mënyra se si ndërveprojmë online nuk ka të bëjë vetëm me sjelljen tonë apo me postimet tona, ka të bëjë edhe me mënyrën se si e mbrojmë ne jetën tonë private, qoftë me fjalëkalimet tona, me lokacionin tonë apo me aktivitetin tonë të kaluar online.

 

Kështu që, qytetaria digjitale na fton që të kemi edhe një sy kritik mbi raportin tonë me internetin dhe mbi mënyrën se si e përdorim atë e, veçanërisht përballë informacioneve personale që, ndonjëherë, i ndajmë pa e ditur fare.

 

 

Praktikat e mira digjitale

 

Përkufizim: Termi «praktika të mira» i referohet edhe mënyrës se si do të duhej të sillemi që ta shndërrojmë internetin në një hapësire lirie dhe respekti të ndërsjelltë dhe, gjithashtu, rregullave që na kërkojnë të respektojmë faqet web dhe aplikacionet. Faqe të shumta web dhe shërbimet e internetit vendosin rregulla që e përcaktojnë sjelljen që duhet të kemi dhe të drejtën e përdoruesve.

 

Shembull: Aplikacioni Twitter propozon disa këshilla për përdorimin e mjeteve të tij: “Mendoni se çfarë po publikoni në Twitter: Ju jeni ata që e kontrolloni përmbajtjen e shpërndarë në Twitter apo në cilëndo faqe tjetër web-i. Mos publikoni kurrë informacione që i konsideroni si konfidenciale dhe mendohuni mirë para së ta shpërndani publikisht lokacionin tuaj. Kini kujdes nga bisedat që u kërkojnë koordinatat tuaja, të dhënat personale ose fjalëkalimet. Nëse keni ndonjë dyshim para se të postoni diçka në Twitter, ju këshillojmë që t’i shtroni vetes këto pyetje: Me cilin po i shpërndaj informacionet e mia? Çfarë lloji dhe sa informacione dua t’i shpërndaj tani ?Sa përdorues do të kenë qasje në informacionet e mia?” 

 

Por aplikacioni ka vërë edhe disa rregulla tjera thelbësore :

 

«Dhunë»: Ndalohet kërcënimi me përdorim të dhunës kundër një personi apo një grup personash. Ndalojmë, gjithashtu, çfarëdo apologjie të dhunës. Sjellje urrejtjeje: ndalohet kërcënimi i personave të tjerë, ngacmimi ose nxitja e dhunës kundër tyre në bazë të kritereve të racës, të prejardhjes etnike, të kombësisë, të kastës, të orientimit seksual, të gjinisë, të identitetit seksual, të përkatësisë fetare, të moshës, të handikapit ose të sëmundjes së rëndë.

 

Prandaj, është mirë të përkujtohet sa më shpesh se sjelljet tona virtuale kanë një impakt real mbi individët, dhe që ngacmimi online, për shembull, mund të shpierë në tragjedi në jetën reale.

 

Interneti është gjithashtu një mjet i mirëfilltë për qytetarët. Ai bën të mundur një qytetari më mirë të informuar dhe një demokraci pjesëmarrëse, sikurse edhe një qasje më të lehtë në informacion. Është mjet i cili mundëson debatin e ideve, komunikimin dhe që mund të përdoret për të lajmëruar rreziqe apo ndonjë të keqe të madhe për shoqërinë, siç është rasti i «informatorëve» që përdorin internetin për të denoncuar korrupsionin apo cenimin e lirive (shih filmin/dokumentarin «Citizenfour» të vitit 2014 për rastin Snowden).

 

Të ruhet një gjurmë digjitale dhe një shpirt pozitiv

 

Përkufizim :. Gjurma digjitale është tërësia e informacioneve që ekzistojnë në Internet si pasojë e aktivitetit tonë online. Është një imazh i yni, i ndërtuar nga sjellja jonë, postimet tona dhe zgjedhjet tona personale.

 

Prandaj, është e rëndësishme të ruhet sa më shumë një gjurmë digjitale pozitive ! Mund ta shkruajmë një blog mbi një temë specifike, të shpërndajmë talentet ose të xhirojmë një video tutoriale, të mbledhim fonde për një vepër bamirësie ose të marrim pjesë në organizimin eventesh. Lista e zgjidhjeve për të ndryshuar gjurmën digjitale në mënyrë pozitive është e pafund!

Për më tej

6 këshilla praktike për ta mbrojtur jetën tonë private në internet

“Citizenfour”: film dokumentar i realizuar nga Laura Poitras, i shfaqur në vitin 2014. Ky film flet për zbulimet e Edward Snowden mbi skandalin e spiunimit botëror nga Shërbimi i Inteligjencës Amerikane NSA.