MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT
SEANCA 4 – TË DESHIFROHEN MEDIAT E NDRYSHME
Fletë edukative 11KAPITULLI 11 – NARRATIVA NË IMAGJINAREN KOLEKTIVE TË BALLKANIT
Niveli : I vështirë
Qëllimet arsimore
Qëllimi 1: Thellim i çështjes së miteve dhe të funksionit të tyre
Qëllimi 2: Diskutim mbi shembuj mitesh nga rajoni
Qëllimi 3: Diskutim mbi rolin e kinemasë si vektor miti dhe si mjet i dekonstruktimit të mitit
MITET NË DISKURSET POLITIKE
Tipologjia dhe funksioni i miteve
Përkufizim: Miti është konstruksion imagjinar që shërben si shpjegim, si bazë për disa praktika sociale dhe paraqet faktorë mobilizimi. Por ai është edhe një mënyrë e veçantë diskursi, e ngjashme me ëndrrën dhe me legjendën. Sipas historianit Raoul Girardet, roli i imagjinares në historinë e ideve politike është i rëndësishëm sepse ajo shpjegon ndonjëherë tërheqjen e fuqishme që kanë ushtruar disa sisteme politike pa bazë fetare.
Te secila republikë e re post-jugosllave gjejmë çështjen e përhapjes së miteve nacionale dhe të simboleve që synojnë krijimin e një ndjenje kolektive të përkatësisë një kombi ose një komuniteti. Historiani Raoul Girardet propozon katër tema që i gjejmë te shumica e miteve dhe që tregojnë rëndësinë themelore të imagjinares në evoluimin e ideve politike dhe të shoqërisë :
- Miti i unitetit: ka të bëjë me lartësimin e atdheut, të kolektives dhe të komunitetit, i përfaqësuar nga vetëm një grup individësh të ngjashëm mes njëri-tjetrit ( përforcim i logjikës së kundërshtimit «ata/ne» ).
- Miti i shpëtimtarit: ka të bëjë me vënien përpara të figurës së heroit, të udhëheqësit me të cilin identifikohemi si model dhe i cili ofron legjitimet.
- Miti i kohës së artë: ka të bëjë me idealizimin e së kaluarës, nostalgjinë për një kohë të shkuar dhe lidhjen e fortë me elemente të së kaluarës për të kërkuar një stabilitet të tanishëm dhe të ardhshëm.
- Miti i komplotit/i konspiracionit: ka të bëjë me denoncimin e një fajtori të jashtëm, vënien në pah të armikut përgjegjës për të këqijat e komunitetit dhe i cili i nxit njerëzit që të mobilizohen kundër tij.
Mitet dhe përdorimi i tyre politik shfaqen zakonisht në periudha kritike, në momente të krizës së identitetit ose të preokupimeve lidhur me ndryshimet e shoqërisë dhe të mënyrës së jetesës. Kur rriten tensionet e brendshme, miti bëhet i nevojshëm, imagjinarja reagon ndaj ndryshimeve, kundër humbjes së pikë referimeve ose kundër lëkundjes së traditave. Prandaj këto mite kanë një funksion politik të qartë: mobilizimin e popullatës rreth një narrative dhe rreth pikë referimeve të përbashkëta.
Ashtu siç ndodh me një imazh, që mund ta përmbledhë një koncept ose një ngjarje, edhe miti e ushqen imagjinaren e individëve. Ky fenomen mund të intensifikohet varësisht nga grupet e njerëzve, veçanërisht te të rinjtë që janë në kërkim të një identiteti, ose të shpjegimeve për botën që i rrethon, ose që përballen me një të ardhme të pasigurtë.
SHEMBUJ TË MITEVE TË RËNDËSISHME NË BALLKAN
Në të gjitha kulturat ekzistojnë mite të ndryshme dhe të gjitha nuk kanë të njëjtin funksion, por pasuria kulturore e Ballkanit e bën të mundur zhvillimin dhe transmetimin e shumë miteve nga ky rajon.
Shembull: “Pasardhësit e Aleksandrit të Madh ”
Në Maqedoninë e Veriut, miti sipas të cilit maqedonët janë pasardhësit e Aleksandrit të Madh është shumë i përhapur, edhe pse është e pamundur të bëhet përafrimi i territorit të Maqedonisë së sotme me atë të asaj kohe, apo edhe të gjendet një lidhje gjaku në mes popullatave që jetonin atëhere në ato toka me popullatat e sotme. Maqedonia e Veriut mbulon pjesërisht trevat që i kontrollonte Filipi II kur vdiq në vitin 333 p.e.s., por zemra e mbretërisë së Aleksandrit të Madh gjendet kryesisht në Greqi afër Verginës. Për më shumë, qytetarët e shteteve të Ballkanit të sotëm janë rezultat i përzierjeve komplekse, të ushqyera nga pushtime dhe migrime të njëpasnjëshme që e kanë përfshirë këtë rajon për më shumë se dy mijëvjeçarë.
Por këto mite ushqejnë diskurset e lëvizjeve nacionaliste bashkëkohore të Ballkanit, të cilat mundohen të afirmojnë që populli i tyre ishte i pari në një territor të caktuar, me qëllim që të dëshmojnë legjitimitetin e pretendimeve të tyre.
Shpërndarja e një miti mund të shkaktojë atëherë «acarimin» e marrëdhënieve në mes komuniteteve ose popujve në rajon. Kështu, çështja e trashëgimisë maqedonase të Aleksandrit të Madh ka rindezur tensione në mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut gjatë debateve mbi ndryshimin e emrit të vendit në vitin 2018. Lëvizjet nacionaliste greke që vlerësonin se termi «Maqedoni» i përket trashëgimisë helene, refuzonin që ish- republika jugosllave ta përdorte këtë emër, duke shkaktuar protesta të dhunshme në të dy vendet.
Shembull : Miti i «vëllazërisë ortodokse»
Në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut, në mendjen e shumë banorëve vazhdon të ekzistojë një lidhje e fortë me Rusinë , e ushqyer nga ndjenja e një «vëllazërie ortodokse» që mundt’i lidhë në një mënyrë të veçantë me këtë vend. Sipas një studimi të bërë në fund të vitit 2017 nga qeveria serbe, një e katërta e banorëve (24%) njohin Rusinë si donator kryesor (ndihmë financiare dhe donacione materiale) të vendit të tyre, derisa 75% të donacioneve dhe të ndihmës vijnë nga Bashkimi Evropian ose nga vendet anëtare. Po ashtu, më shumë se 70% e investimeve të huaja në mes vitit 2010 dhe 2017 kanë ardhur nga BE-ja, kundër afërsisht 10% nga Rusia, sipas shifrave të Bankës kombëtare serbe.
Ky mit, pra, bazohet mbi një lidhje më shumë emocionale se sa racionale e cila vazhdon, e ushqyer nga disa politikanë, si presidenti serb Aleksandar Vučić ose Milorad Dodik i Republikës Srpska.
Për ta kufizuar impaktin e tyre negativ, dekonstruktimi i miteve kalon domosdoshmërish përmes një pune hulumtuese dhe një thellimi në hulumtim historik dhe/ose gazetaresk. Megjithatë, nuk është gjithmonë e lehtë të bëhet një punë hulumtuese mbi tema ende të ndjeshme për individët dhe për qeveritë e vendeve të përfshira. Mungesa e mjeteve për gazetarët, mungesa e interesimit të mediave për hulumtim historik dhe shpërndarja e shpejtë e teorive konspirative në internet mund ta ngadalësojnë përparimin e hulumtimit dhe dekonstruktimin e disa miteve që ende po vazhdojnë të ekzistojnë.
Lidhur me këtë, asociacioni « Krokodil» ka ndërmarrë një iniciativë në Beograd në qershor 2020 kundër instrumentalizimit të historisë për qëllime politike. Synimi i saj ishte të krijohej një hapësirë dialogu historik dhe ndërkulturor në vendet e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe të inkurajohet një kulturë më gjithëpërfshirëse e kujtesës.
Disa kanale të shpërndarjes së informacionit mund të shërbejnë për tejkalimin e kësaj problematike të studimit historik dhe të rëndësisë së pakët që mediat i japin kësaj tematike serioze, siç është rasti i kinemasë.
KINEMAJA : NË MES SHPREHJES QYTETARE DHE VEKTORIT TË MITIT
Promovimi i miteve nacionale bëhet ndonjëhere edhe përmes kinemasë e cila gjen aty një burim frymëzimi dhe i siguron vetes një impakt të madh mbi imagjinaren e njerëzve. Përveç rasteve kur kemi një kulturë historike të madhe dhe specifike mbi temën në fjalë, ndonjëherë është e vështirë të vlerësohet vërtetësia e ngjarjeve të paraqitura në një vepër kinematografike. Kështu që, nuk është e rrallë që disa filma propozojnë një lexim të anshëm të ngjarjeve, madje edhe i ushqejnë e i përhapin disa mite, legjenda dhe paragjykime.
Shembull: Në fund të vitit 2017, RTS-ja (televizioni nacional serb) ndërmerr produksionin dhe emeton serialin Senke nad Balkanom («Hije mbi Ballkan») të regjisorit Dragan Bjelogrlić. Ngjarja zhvillohet në Beograd, kryeqytet i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, pastaj i Mbretërisë së Jugosllavisë, në vitet 1920-1930. Kjo seri e paraqet këtë periudhë si një kohë të artë për vendin. Në mes viteve 2008 dhe 2014 ishte shfaqur përshtatja për televizion e trilogjisë Mir-Jam, (Ranjeni orao, Nepobedivo srce, Samac u braku) dhe filmi që është bërë serial Montevideo, Bog te video (2012-2014), një histori familjare ndër breza e cila trajton me nostalgji të njëjtën periudhë të historisë kombëtare.
Por kinemaja mund të përdoret edhe si një mjet i fuqishëm dekonstruktimi dhe si një mënyrë e shprehjes së shoqërisë civile që bën të mundur trajtimin e shumë çështjeve që lidhen me shoqërinë dhe aktualitetin.
Shembull : Filmi me metrazh të shkurtër “Take me somewhere nice” i vitit 2019, i realizuar nga një regjisore e re me prejardhje boshnjake, Ena Sendijarević, flet për një grua të re boshnjake e cila jeton në Holandë (The Nederlands) me familjen e saj dhe kthehet në vendlindje. Kjo vepër trajton çështjen e emigrimit, të ndërkulturalitetit, të nacionalizmit dhe të një kthimi te rrënjët, kthim që ndonjëherë është i vështirë për brezat e rinj.
Shembull: Filmi «Before the Rain» i regjisorit maqedon Milcho Manchevski i cili e ka fituar Luanin e artë në festivalin e Venecias në vitin 1994 flet për luftën dhe për tensionet etnike në mes maqedonëve dhe shqiptarëve.
Aktivitetet praktike
▶ AKTIVITETI 1 – HISTORIA BASHKËPUNUESE