MODULI 1 - UNIVERSI MEDIATIK
SEANCA 2 – MEDIA E RE
Fletë edukative 6KAPITULLI 6 – MEDIA DIGJITALE: RREZIQET DHE MUNDËSITË
Niveli : I vështirë
Qëllimet arsimore
Qëllimi 1: Identifikimi i rreziqeve dhe mundësive që lidhen me përdorimin e internetit nga të rinjtë.
Qëllimi 2: Ndërgjegjësimi për ndikimin e algoritmeve në mënyrën sesi lundrojmë në internet.
Qëllimi 3: Kuptimi i rolit të edukimit mediatik në ndërgjegjësimin e të rinjve rreth praktikave të mira të internetit dhe rreth qytetarisë online.
Mundësitë dhe rreziqet e internetit për të rinjtë
Interneti dhe telefoni celular, përtej natyrës së tyre argëtuese, ofrojnë një formë të re të socializimit, të shkëmbimit dhe të qasjes në njohuritë e domosdoshme për fëmijët dhe adoleshentët sot. Këto teknologji të reja paraqesin mundësi të jashtëzakonshme për të përmirësuar cilësinë e jetesës së të rinjve në të gjithë botën dhe për të ofruar vetëm me një klik një sasi të pakufizuar njohurish në të gjitha fushat thelbësore të ekzistencës së tyre (arsimi, shëndetësia, shkenca, kultura, etj.). Por, progresi i epokës digjitale e ka çmimin e vet. Ky revolucion virtual ka krijuar rreziqe shpesh të ngjashme me ato të botës reale, me të cilat përballen të rinjtë në internet.
UNESCO i ka identifikuar dhe klasifikuar këto rreziqe me të cilat përballen të rinjtë në internet. Këtu përfshihen ekspozimi ndaj përmbajtjes pedofile, gjuhës së urrejtjes, lajmeve të rreme. Këto rreziqe janë të lidhura edhe me reklamat e papërshtatshme, mashtrimet komerciale ose manipulimin e të dhënave personale.
Edukimi është mënyra më e mirë për t'iu përgjigjur këtyre rreziqeve me të cilat përballet çdo përdorues i ri që lundron në botën digjitale. Përmes edukimit mediatik, është thelbësore që prindërit dhe mësimdhënësit t’ua transmetojnë të rinjëve praktikat më të mira në mënyrë që ata të jenë jashtë rreziqeve në internet.
Në veçanti me menaxhimin e duhur të identitetit digjital online, përmes vendosjes së parametrave në rrjetet e tyre sociale ose përmes mbrojtjes së të dhënave personale. Rritja e ndërgjegjësimit për qytetarinë online është po aq e rëndësishme: respektimi i privatësisë së të tjerëve, të menduarit para postimit të përmbajtjeve, respektimi i të drejtës së imazhit të shokëve... Të gjitha këto janë rregulla thelbësore për të parandaluar abuzime, siç janë ‘ngacmimet kibernetike’.
Rritja e ndërgjegjësimit tek të rinjtë për flluskat e filtrimit
Platformat digjitale si Google dhe Facebook përdorin algoritma për të na ofruar përmbajtje duke u bazuar në sjelljen tonë të përdoruesit, d.m.th. në veprimet tona të kaluara (klikime, pëlqime, blerje, historia e lundrimit në web.) Përmes algoritmeve, kompanitë digjitale na ofrojnë lundrim të personalizuar, bazuar në një analizë që synon t’u paraprijë pritjeve tona. Gjigandët e internetit synojnë të ndikojnë në sjelljen tonë për qëllime komerciale.
Ndikimi i algoritmeve nuk është i parëndësishëm. Kështu, përdoruesit e internetit dhe konsumatorët- dhe në veçanti më të rinjtë -, ballafaqohen me çështjen e flluskave të filtrimit. Flluska e filtrimit është "gjendja në të cilën ndodhet një përdorues i internetit kur informacionet në të cilat ka qasje në Internet janë rezultat i një personalizimi që bëhet pa dijeninë e tij". Termi "flluskë e filtrimit" i referohet izolimit që krijohet nga ky mekanizëm: secili përdorues i internetit hyn në një version të ndryshëm dhe unik të rrjetit. Prandaj ekziston rreziku i qëndrimit të mbyllur në një univers digjital të ngushtë që vazhdimisht ofron lloje të njëjta të përmbajtjes. Ky izolim algoritmik varfëron në mënyrë të konsiderueshme burimet e informacionit, si dhe zvogëlon vëmendjen dhe aftësinë e mendimit kritik. Atëherë, përdoruesi privohet nga hapja teorike e premtuar nga interneti dhe nuk përfiton më nga një ballafaqim me shumësinë e ideve dhe mendimeve, një element në zemër të zhvillimit intelektual.
Për këtë arsye, edukimi mediatik duhet t’u mundësojë qytetarëve ndërgjegjësimin ndaj çështjeve dhe rreziqeve të izolimit algoritmik. Duhet të kuptohet mekanika e tij si një hap thelbësor për të shmangur ato rreziqe dhe për t’i pasuruar burimet tona. Ky është një kusht kryesor në mënyrë që interneti ta përmbush premtimin e tij fillestar të emancipimit dhe të lirisë.
Aktivitetet praktike
▶ AKTIVITETI 1 – MINI KUIZ “Rrjetet sociale, si i keni marrëdhëniet me to?”