MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT

SEANCA 4 – TË DESHIFROHEN MEDIAT E NDRYSHME

Fletë edukative 10

KAPITULLI 10 – IMAZHI DHE RREZIQET E MANIPULIMIT TË TIJ

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Të distancohemi nga rëndësia e imazhit në shoqëritë tona

Qëllimi 2: Të parandalojmë manipulimin me anë të imazheve

Qëllimi 3: Të shfrytëzojmë imazhin si formë kritike dhe pozitive

Fuqia e imazhit 

 

“Një fotografi flet më shumë se njëmijë fjalë”.

 

Për disa dekada, përdorimi i imazhit ka zënë një vend të rëndësishëm në shoqëritë tona, qoftë përmes televizionit, medias, reklamave apo më drejtpërdrejt në përditshmërinë tonë me përdorimin e shpeshtë të rrjeteve sociale. Në të vërtetë, ekziston bindja se imazhi është reflektimi i realitetit që na jepet në moment, pothuajse menjëherë, më shpejt se një tekst ose një fjalë. Kështu, kjo mënyrë e komunikimit ose e të shprehurit ka një fuqi të madhe simbolike, sepse mund të përmbledhë shumë gjëra me shumë pak mjete.

 

Një forcë me dy tehe

 

Megjithatë, kjo fuqi e madhe simbolike i ka të metat e veta. Prirja për të menduar se një imazh flet vetvetiu është një kurth që duhet evituar, sepse imazhi mund t’i mashtrojë lehtë shqisat tona dhe, për këtë arsye mund të përdoret për të na mashtruar apo për të na manipuluar. Për shembull, për të njëjtin imazh mund të jepen shumë lehtë interpretime të ndryshme.

 

Me fuqinë e rrjeteve sociale dhe të internetit, një imazh, një fotografi apo një video mund të bëhet virale dhe globale. Nga njëra anë, ky viralitet mund të jetë një gjë e mirë kur përhapja e një imazhi bën të mundur zgjimin e ndërgjegjes, siç ishte fotografia e një çifti të ri serbo-kroat duke u puthur me krenari, secili i mbështjellë me flamurin e vet, fotografi e cila është përhapur gjerësisht në rrjetet sociale. Por në të njëjtën kohë kjo do të thotë që ndonjëherë do të ballafaqohemi me shpërndarje masive dhe të shpejtë të lajmeve të rreme apo edhe të teorive konspirative të ilustruara ose të lidhura drejtpërdrejt me imazhe ose video.

 

Prodhimi dhe manipulimi i imazheve

 

Roli qendror i imazhit dhe ndikimi i tij në shoqëritë tona na ndihmon të kuptojmë pse kanë më shumë efekt dhe janë më të përhapura lajmet e rreme që përdorin anën vizuale (imazhet, fotot, videot). Edhe kur lajmi i rremë nuk është i lidhur drejtpërdrejt me një fotografi, autori i tij, në shumicën e kohës kërkon ta ilustrojë këtë lajm të rremë me një imazh (shpesh i nxjerrë nga konteksti, ose i manipuluar).

 

Ekzistojnë disa lloje të manipulimit të imazheve:

  • Nxjerrja nga konteksti: Është metoda që përdoret më së shumti sepse është shumë e lehtë për t’u zbatuar. Kemi të bëjmë me një proces që riinterpreton kuptimin e një imazhi në mënyrë që, duke e nxjerrë nga konteksti fillestar, ky imazh të shprehë diçka tjetër. Pra, arsyet e vërteta dhe rrethanat në të cilat është bërë fotografia nuk kanë më rëndësi. Qëllimi është të ilustrohet një fakt duke u kufizuar vetëm në aspektin e parë të imazhit dhe duke anashkaluar origjinën e tij, kjo paraqet një lloj tradhtie ndaj kuptimit të imazhit.

Shembull : Në muajin gusht të vitit 2020, një fotografi ka qarkulluar në rrjetet sociale ku pretendohej se ishte vendosur një antenë 5G në çatinë e një minareje të një xhamie në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fakt ishte një fotografi e zakonshme e minares në fjalë, por teksti që lidhej me imazhin theksonte se aty gjendet një antenë 5G e cila emeton rrezatim të fortë valësh magnetike, edhe pse 5G ende nuk është instaluar në atë shtet.

  • Falsifikimi ose fotomontazhi: Kjo metodë përfshin një modifikim artificial të imazhit ose të fotografisë origjinale në mënyrë që të ndryshojë kuptimi i tij (saj). Mund të jetë:
    • një objekt ose një person i shtuar ose i hequr nga një fotografi ose një video.

Shembull : Pas shpërthimit në portin e Bejrutit në gusht 2020, në internet kanë qarkulluar imazhe të modifikuara në të cilat është shtuar një raketë me anë të një softueri video, duke sugjeruar kështu që shpërthimi ishte një sulm ushtarak nga një vend i huaj, specifikisht nga Izraeli.

    • ose një përpunim për të fshehur një pjesë të fotografisë, si për shembull, gjatë një takimi ose një proteste: mund të hiqet pjesa e imazhit ku nuk ka njeri për të dhënë përshtypjen se hapësira ishte e mbushur me njerëz.

  • DeepFake: Është një teknikë falsifikimi që përdor një softuer të inteligjencës artificiale për ta zëvendësuar fytyrën e një personi në një video. Për shembull, ekziston një video me një fjalim të rremë të Barack Obama-s në të cilin ai fyen Donald Trump-in, pasardhësin e tij. Ky falsifikimim është mundësuar duke përdorur teknikën "DeepFake". Me risitë teknologjike, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të vërehen imazhet e falsifikuara apo fotomontazhet, dhe me shfaqjen e metodave të reja të manipulimit video, do të nevojitet kujdes i shtuar dhe do të duhet të verifikohen burimet.


Lajmet e rreme dhe rrjetet sociale: dy çështje të ndërlidhura

 

Për shumicën dërrmuese të rrjeteve sociale (Facebook, Instagram, Snapchat), shpërndarja e imazheve dhe videove është në thelb të funksionimit të tyre. Nga ky këndvështrim pra, rreziku është i dyfishtë sepse, nga njëra anë çdo individ ka mundësi të publikojë/shpërndajë imazhe te një audiencë të gjerë nëpër rrjete, dhe nga ana tjetër manipulimi i imazheve nuk kërkon ndonjë kompetencë të veçantë teknike (si në rastin e fotografisë së antenës 5G në minare në Bosnjë dhe Hercegovinë).

 

Vizatime të shtypit dhe karikatura

 

Për një kohë të gjatë tashmë, kjo fuqi simbolike e imazhit përdoret nga shtypi për të dërguar mesazhe. Edhe kur fotografia nuk ekzistonte akoma, përdorimi i figurës në shtyp si një formë kritike bëhej përmes vizatimit dhe veçanërisht përmes karikaturave. Është interesante të theksohet se edhe sot, përkundër përdorimit të gjerë të imazheve dhe fotografive, karikaturat përdoren ende në shtyp dhe kjo teknikë, madje, është shndërruar në një profesion dhe në një art më vete.

 

Përkufizim: Mënyrë simbolike e shprehjes që prodhon sintezën e një koncepti, e një problematike ose e një faktit të aktualitetit duke ekzagjeruar tiparet ose aspektet e një personi ose një dukurie. Karikatura zakonisht përdor tonin e humorit për të denoncuar dhe për të kritikuar.

 

Shembul: Në Serbi, në nëntor 2018, karikaturat e karikaturistëve të famshëm Predrag Koraksić Corax dhe Dušan Petričić ishin subjekt i polemikave, duke detyruar bibliotekën e Lazaravacit t’i largonte vizatimet e tyre. Meqenëse këta karikaturistë angazhohen shumë në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, më 22 nëntor në bashkinë e Stari gradit në Beograd u hap një ekspozitë e vizatimeve të shtypit dhe karikaturave të tyre.

 

Karikatura është një temë interesante për sa i përket përdorimit të imazheve dhe ndikimit të tyre, por është gjithashtu një mjet pak i përdorur nga të rinjtë. Për shkak të rëndësisë së saj simbolike dhe nga fakti që është e lidhur me një kontekst apo me një temë specifike, kur trajtohet tema me të rinjtë, shpesh nevojitet një punë kontekstualizuese në mënyrë që të jepen instrumentet e nevojshme për të kuptuar çështjet/temat e mobilizuara nga karikatura.

Konteksti Ballkanik

Rubrika “Mediat në Ballkan”, veçanërisht: Dokumentet Info vs Infox : “Lajmet e rreme shkencore”