MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT
SEANCA 3 – INFORMACIONI DHE DEZINFORMIMI
Fletë edukative 8KAPITULLI 8 – LUFTA KUNDËR LAJMEVE TË RREME
Niveli : Mënyrë
Qëllimet arsimore
Qëllimi 1: Të përvetësohet koncepti i lajmeve të rreme
Qëllimi 2: Të kuptohet se si të luftohet kundër dezinformimit
Qëllimi 3: Të familjarizohemi me konceptin e “fact-checking»-ut
NOCIONI I INFOX-IT: ELEMENT QENDROR I EMI –së
Përkufizim: Kur flasim për infox, për informata të rreme ose për “Fake News”, kemi të bëjmë me lajme të fabrikuara, të falsifikuara ose të deformuara, të shpërndara qëllimisht nga individë, militantë ose përfaqësues politikë, me qëllim që qytetarët të manipulohen dhe t’i pranojnë këto ide.
Shpërndarja e këtyre lajmeve të rreme mund të ketë pasoja të rrezikshme për shoqërinë: për shembull, kur targetohet apo akuzohet një pakicë apo një komunitet me qëllim të ngjalljes së frikës ose të nxitjes së urrejtjes ndaj tij. Kështu, kur lajmi i rremë përdoret për të krijuar një ndjenje pasigurie për qëllime zgjedhore, manipulimi i lajmeve është një mjet me efikasiteti të lartë.
Shembull : Protestat kundër pranisë së emigrantëve janë rritur me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 21 qershorit në Serbi. Qysh më 2 mars 2020, afërsisht 500 persona janë mbledhur në qytetin e Suboticës, në kufi me Hungarinë në veri të vendit, për të denoncuar “krimet” e kryera nga emigrantet në territorin serb, derisa, sipas të dhënave të policisë, shkeljet e bëra nga refugjatet përbëjnë vetëm 0,06% nga të gjitha veprat penale të regjistruara në vend.
Disa fakte dhe skandale siç është ai i “Cambridge Analytica” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (përdorimi i të dhënave të milionave përdoruesve të cilët bëhen shënjestër e lajmeve të rreme) na kujtojnë se sa impakt kanë lajmet e manipuluara në jetën tonë, në përditshmërinë tonë deri në zgjedhjet presidenciale.
Shembull: Në mars 2020 në Bosnje-Herzegovinë, një grua 51 vjeçare e cila kthehej nga një udhëtim në Itali rezultoi pozitive në testin e Coronavirusit. Ajo ishte bërë viktimë e një linçimit të madh në rrjetet sociale pas publikimeve të lajmeve të rreme nga media të ndryshme. Thuhej se kishte marrë pjesë në një koncert dhe kishte shfrytëzuar transportet publike. Në disa komente në Facebook thuhej se kjo grua meritonte të vritej sepse ishte infektuar, si dhe që nuk do të duhej të kthehej në Bosnje-Herzegovinë.
Duke deformuar, manipuluar dhe falsifikuar realitetin për të nxitur urrejtjen dhe për të bindur qytetarët me argumente të rreme ose me informata që nuk ekzistojnë, lajmet e rreme lëkundin vetë nocionin e së vërtetës dhe të qytetarisë në shoqëritë moderne. Ngaqë infox-at në shumicën e kohës mobilizojnë emocionet dhe paragjykimet tona, ato shpërndahen lehtë dhe gjejnë një jehonë të madhe në rrjetet sociale, duke i përforcuar efektet e tyre të dëmshme mbi cilësinë e lajmit.
Meqenëse lajmi është qenësor në jetën tonë dhe është në zemër të të gjitha vendimeve tona dhe të lidhjes sonë me të tjerët, është tejet e rëndësishme që ta ruajmë besueshmërinë dhe transparencën e tij, dhe, sipas mundësisë, të evitohen të gjitha manipulimet e tij. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj cilësisë së lajmit. Me qëndrim kritik ndaj përmbajtjeve që i konsultojmë dhe që i pranojmë e kufizojmë rrezikun nga manipulimi ose nga ndikimi i jashtëm dhe e formojmë një opinion më të drejtë.
T’U IKIM KURTHEVE TË DEZINFORMIMIT
Për të luftuar kundër dezinformimit janë menduar disa zgjidhje :
- Të kontrollohet më mirë lajmi online duke i përgjegjësuar platformat dhe “gjigantet e internet-it” (Facebook, Google, Twitter, etj.) të cilët kanë marrë masa në këtë drejtim për t’ua mundësuar përdoruesve që të lajmërojnë lajme të rreme, duke hequr llogari të cilat shpërndajnë gjuhë urrejtjeje dhe Fake News ose duke bërë dhe shpërndarë fushata parandalimi. Për shembull, në janar 2020 Facebook ka lajmëruar se do t’i heq dhe do t’i ndalojë videot të llojit “deepfake” në platformën e saj.
Të lihen Gjigantet e Internetit (GAFA-t) të menaxhojnë përmbajtjen e këtyre platformave mund të jetë problematike për shkak të lirisë së shprehjes dhe cenzurës, në një kontekst ku hegjemonia e këtyre “Gjigantëve të Internet-it” të bën të mendohesh. Në këtë aspekt, në disa vende ekzistojnë agjenci të pavarura që kontrollojnë veprimin e mediave tradicionale dhe që njëkohësisht bëjnë kontrollimin e informatës dhe mbrojtjen e përdoruesve në këto platforma online.
- Shumë shtete marrin edhe masa urgjente dhe ushtrojnë rolin e tyre në kontrollin e besueshmërisë të informatave që qarkullojnë brenda vendit të tyre duke kaluar përmes aparatit ligjvënës në të shumtën e rasteve. Megjithatë, duhet të kihet kujdes që masat e ndërmarra për të kufizuar dezinformimin dhe për t’i përforcuar mjetet e kontrollit të mos e kufizojnë në mënyrë paradoksale lirinë e shprehjes së mediave dhe të qytetarëve, duke pamundësuar punën e gazetarit.
- Gjithashtu mund të përgatitet popullata që do të përballet çdo herë e më shumë me lajme të rreme, me manipulimin e imazheve ose me shpërndarjen në rritje dhe të shpejtë të teorive konspirative. Kështu që aksionet si edukimi kritik për media dhe informacion do të shtynë popullatën që të mbrohet kundër këtyre manipulimeve, me prurje të njohurive dhe me zhvillimin e autonomisë intelektuale dhe të mendimit kritik.
- Vetëdijësimi bëhet edhe te mediat tradicionale. Një mënyrë e re e trajtimit gazetaresk është paraqitur para pak kohësh në disa vende, por edhe në një shkallë më ndërkombëtare, për t’i kufizuar rreziqet e dezinformimit: Fact Checking
FACT CHECKING
Origjina dhe Përkufizimi
Përballë rritjes së lajmeve të rreme, imazheve dhe videove të falsifikuara, ndër të tjera në internet, metodat gazetareske të konfrontimit dhe të verifikimit të informatave janë bërë të domosdoshme në atë pikë sa media të shumta kanë zhvilluar shërbime të specializuar në verifikimin e fakteve.
E quajtur shpesh fact-checking, kjo mënyrë e re e trajtimit gazetaresk kishte të bënte, fillimisht, me verifikimin në mënyrë sistematike të deklaratave të liderëve politikë ose të elementeve të debatit publik (shifra, përmbajtja legjislative, etj.). Por me rritjen e infox-ave dhe të rreziqeve të dezinformimeve, fact-checking ka të bëjë sot më shumë me verifikimin e shpejtë të vërtetësisë së një fakti, të një imazhi apo të një thashethemi dhe më gjërësisht të çdo lloj informacioni që qarkullon në Internet.
Kufijtë e fact-checking-ut
Megjithatë, nëse fact-checking është një mënyrë e dobishme për verifikimin e informatave, nuk duhet të shndërrohet në një diktat të pandryshueshëm të së vërtetës. Disa çështje nuk mund të zgjidhen me një fakt checking të thjeshtë, si çështje politike, të mendimit ose të moralit, për shembull. Ashtu siç e tregon emërtimi, duhet mbetur “faktual” dhe të verifikohen fakte të sakta.
Gjithashtu, elementet për verifikimin e një lajmi mund të mungojnë ndonjëhere ose të varen nga elemente tjera. Për shembull, të llogaritet numri i personave të pranishëm në një protestë do ta detyrojë fact-cheker t’u besojë shifrave të komunikuara qoftë nga autoritetet, qoftë nga organizatorët e protestës, gjë që shpie në dallime të mëdha.
Duhet pra gjithashtu të bëhet kujdes dhe të ruhet një mendje kritike duke ditur kur një media duhet t’i besojë fact-cheker-it dhe kur meriton një çështje të trajtohet duke e shqyrtuar me distancë.
Aktivitetet praktike
▶ AKTIVITETI 1 – Të dallohet e vërteta nga gënjeshtra: Fake News apo Jo Fake News
Vlerësim
Për më tej
Skandali i Cambridge Analytica
Roli i Maqedonisë së Veriut gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë
Lufta kundër Fake News-ave në Ballkan
Heqja dhe ndalimi i « deepfake » në Facebook
Publikimi i “’European Union External Action” mbi Fact-Checking në Ballkan
Qendrat e Fact-Checking në Ballkan (në partneritet me Faceook-un) :
- Raskrinkavanje.ba – Bosnia and Herzegovina
- Raskrinkavanje.me (Centre for Democratic Transition) – Montenegro
- Metamorphosis Foundation and Truthmeter – North Macedonia
- Istinomer (Centre for research transparency and accountability) – Serbia