KAPITULLI 10 – IMAZHI DHE RREZIQET E MANIPULIMIT TË TIJ

Fuqia e imazhit 

 

“Një fotografi flet më shumë se njëmijë fjalë”.

 

Për disa dekada, përdorimi i imazhit ka zënë një vend të rëndësishëm në shoqëritë tona, qoftë përmes televizionit, medias, reklamave apo më drejtpërdrejt në përditshmërinë tonë me përdorimin e shpeshtë të rrjeteve sociale. Në të vërtetë, ekziston bindja se imazhi është reflektimi i realitetit që na jepet në moment, pothuajse menjëherë, më shpejt se një tekst ose një fjalë. Kështu, kjo mënyrë e komunikimit ose e të shprehurit ka një fuqi të madhe simbolike, sepse mund të përmbledhë shumë gjëra me shumë pak mjete.

 

Një forcë me dy tehe

 

Megjithatë, kjo fuqi e madhe simbolike i ka të metat e veta. Prirja për të menduar se një imazh flet vetvetiu është një kurth që duhet evituar, sepse imazhi mund t’i mashtrojë lehtë shqisat tona dhe, për këtë arsye mund të përdoret për të na mashtruar apo për të na manipuluar. Për shembull, për të njëjtin imazh mund të jepen shumë lehtë interpretime të ndryshme.

 

Me fuqinë e rrjeteve sociale dhe të internetit, një imazh, një fotografi apo një video mund të bëhet virale dhe globale. Nga njëra anë, ky viralitet mund të jetë një gjë e mirë kur përhapja e një imazhi bën të mundur zgjimin e ndërgjegjes, siç ishte fotografia e një çifti të ri serbo-kroat duke u puthur me krenari, secili i mbështjellë me flamurin e vet, fotografi e cila është përhapur gjerësisht në rrjetet sociale. Por në të njëjtën kohë kjo do të thotë që ndonjëherë do të ballafaqohemi me shpërndarje masive dhe të shpejtë të lajmeve të rreme apo edhe të teorive konspirative të ilustruara ose të lidhura drejtpërdrejt me imazhe ose video.

 

Prodhimi dhe manipulimi i imazheve

 

Roli qendror i imazhit dhe ndikimi i tij në shoqëritë tona na ndihmon të kuptojmë pse kanë më shumë efekt dhe janë më të përhapura lajmet e rreme që përdorin anën vizuale (imazhet, fotot, videot). Edhe kur lajmi i rremë nuk është i lidhur drejtpërdrejt me një fotografi, autori i tij, në shumicën e kohës kërkon ta ilustrojë këtë lajm të rremë me një imazh (shpesh i nxjerrë nga konteksti, ose i manipuluar).

 

Ekzistojnë disa lloje të manipulimit të imazheve:

  • Nxjerrja nga konteksti: Është metoda që përdoret më së shumti sepse është shumë e lehtë për t’u zbatuar. Kemi të bëjmë me një proces që riinterpreton kuptimin e një imazhi në mënyrë që, duke e nxjerrë nga konteksti fillestar, ky imazh të shprehë diçka tjetër. Pra, arsyet e vërteta dhe rrethanat në të cilat është bërë fotografia nuk kanë më rëndësi. Qëllimi është të ilustrohet një fakt duke u kufizuar vetëm në aspektin e parë të imazhit dhe duke anashkaluar origjinën e tij, kjo paraqet një lloj tradhtie ndaj kuptimit të imazhit.

Shembull : Në muajin gusht të vitit 2020, një fotografi ka qarkulluar në rrjetet sociale ku pretendohej se ishte vendosur një antenë 5G në çatinë e një minareje të një xhamie në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fakt ishte një fotografi e zakonshme e minares në fjalë, por teksti që lidhej me imazhin theksonte se aty gjendet një antenë 5G e cila emeton rrezatim të fortë valësh magnetike, edhe pse 5G ende nuk është instaluar në atë shtet.

  • Falsifikimi ose fotomontazhi: Kjo metodë përfshin një modifikim artificial të imazhit ose të fotografisë origjinale në mënyrë që të ndryshojë kuptimi i tij (saj). Mund të jetë:
    • një objekt ose një person i shtuar ose i hequr nga një fotografi ose një video.

Shembull : Pas shpërthimit në portin e Bejrutit në gusht 2020, në internet kanë qarkulluar imazhe të modifikuara në të cilat është shtuar një raketë me anë të një softueri video, duke sugjeruar kështu që shpërthimi ishte një sulm ushtarak nga një vend i huaj, specifikisht nga Izraeli.

    • ose një përpunim për të fshehur një pjesë të fotografisë, si për shembull, gjatë një takimi ose një proteste: mund të hiqet pjesa e imazhit ku nuk ka njeri për të dhënë përshtypjen se hapësira ishte e mbushur me njerëz.
  • DeepFake: Është një teknikë falsifikimi që përdor një softuer të inteligjencës artificiale për ta zëvendësuar fytyrën e një personi në një video. Për shembull, ekziston një video me një fjalim të rremë të Barack Obama-s në të cilin ai fyen Donald Trump-in, pasardhësin e tij. Ky falsifikimim është mundësuar duke përdorur teknikën “DeepFake”. Me risitë teknologjike, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të vërehen imazhet e falsifikuara apo fotomontazhet, dhe me shfaqjen e metodave të reja të manipulimit video, do të nevojitet kujdes i shtuar dhe do të duhet të verifikohen burimet.


Lajmet e rreme dhe rrjetet sociale: dy çështje të ndërlidhura

 

Për shumicën dërrmuese të rrjeteve sociale (Facebook, Instagram, Snapchat), shpërndarja e imazheve dhe videove është në thelb të funksionimit të tyre. Nga ky këndvështrim pra, rreziku është i dyfishtë sepse, nga njëra anë çdo individ ka mundësi të publikojë/shpërndajë imazhe te një audiencë të gjerë nëpër rrjete, dhe nga ana tjetër manipulimi i imazheve nuk kërkon ndonjë kompetencë të veçantë teknike (si në rastin e fotografisë së antenës 5G në minare në Bosnjë dhe Hercegovinë).

 

Vizatime të shtypit dhe karikatura

 

Për një kohë të gjatë tashmë, kjo fuqi simbolike e imazhit përdoret nga shtypi për të dërguar mesazhe. Edhe kur fotografia nuk ekzistonte akoma, përdorimi i figurës në shtyp si një formë kritike bëhej përmes vizatimit dhe veçanërisht përmes karikaturave. Është interesante të theksohet se edhe sot, përkundër përdorimit të gjerë të imazheve dhe fotografive, karikaturat përdoren ende në shtyp dhe kjo teknikë, madje, është shndërruar në një profesion dhe në një art më vete.

 

Përkufizim: Mënyrë simbolike e shprehjes që prodhon sintezën e një koncepti, e një problematike ose e një faktit të aktualitetit duke ekzagjeruar tiparet ose aspektet e një personi ose një dukurie. Karikatura zakonisht përdor tonin e humorit për të denoncuar dhe për të kritikuar.

 

Shembul: Në Serbi, në nëntor 2018, karikaturat e karikaturistëve të famshëm Predrag Koraksić Corax dhe Dušan Petričić ishin subjekt i polemikave, duke detyruar bibliotekën e Lazaravacit t’i largonte vizatimet e tyre. Meqenëse këta karikaturistë angazhohen shumë në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, më 22 nëntor në bashkinë e Stari gradit në Beograd u hap një ekspozitë e vizatimeve të shtypit dhe karikaturave të tyre.

 

Karikatura është një temë interesante për sa i përket përdorimit të imazheve dhe ndikimit të tyre, por është gjithashtu një mjet pak i përdorur nga të rinjtë. Për shkak të rëndësisë së saj simbolike dhe nga fakti që është e lidhur me një kontekst apo me një temë specifike, kur trajtohet tema me të rinjtë, shpesh nevojitet një punë kontekstualizuese në mënyrë që të jepen instrumentet e nevojshme për të kuptuar çështjet/temat e mobilizuara nga karikatura.

KAPITULLI 9 – PARAQITJET NË EKRAN

“Veprat” audio-vizuale

 

Dokumentar dhe reportazh

 

Përkufizim: I gjendur midis veprës artistike dhe hulumtimit gazetaresk, dokumentari dallohet nga fiksioni, pasi temat e trajtuara janë reale dhe qëllimi kryesor mbetet informimin për këtë realitet. Ndryshe nga reportazhi gazetaresk, dokumentari përdor një gjuhë artistike e cila prek edhe emocionet e spektatorit, për ta shtyrë atë drejt reflektimit. Nga ana tjetër , reportazhi është një hulumtim gazetaresk i bazuar në parimin e objektivitetit, edhe nëse autori i hulumtimit mund të ketë një qëndrim militant dhe të angazhuar. Te reportazhi çdo aspekt i fiksionit braktiset për t’ia lënë vendin elementeve faktualë.

 

Shembuj :

 

– Dokumentari Druga strana svega («Ana tjetër e një historie», 2017) i regjisores serbe Mila Turajlić i kthehet historisë serbe të 70 viteve të fundit përmes perspektivës së Srbijanka Turajlić, që është nëna e regjisores dhe aktiviste e paqes. Regjisorja vendos një dialog në mes historisë familjare dhe historisë së vendit të vet, duke trajtuar çështjen e angazhimit politik të gjeneratave të vjetra përballë zhgënjimit të serbëve të rinj sot.

 

– Një tjetër autor dokumentarësh, kosovari Samir Karahoda paraqet çështjen e migrimit të një pjese të rinisë së Kosovës në veprën e tij Në Mes («In Between», 2019). Përmes këtij dokumentari, Karahoda tregon një aspekt të rëndësishëm të aktualitetit të vendit të tij, siç është, ndër të tjera, mungesa e perspektivës ekonomike për shumë të rinj dhe shpërbërja e familjes e cila është një njësi sociale shumë e rëndësishme në shoqërinë kosovare.

 

– Në kontekstin ballkanik, shumë reportazhe i janë kushtuar, për shembull çështjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar. I tillë është edhe reportazhi i gazetares malazeze Olivera Lakić, autore e një hulumtimi mbi krimin e organizuar, pas publikimit të të cilit, ajo është bërë shënjestër e një sulmi të armatosur.

 

Filmat dhe kinemaja

 

Edhe fiksioni dhe kinemaja mund t’uu qasen temave të njëjta me ato të dokumentarëve dhe reportazheve gazetareske, por pa i ndjekur domosdoshmërisht të njëjtat metoda. Filmat mund të tregojnë rrëfime të trilluara, por duke u frymëzuar nga realiteti. Kinemaja mundëson t’i qasemi me një liri të madhe çështjeve që kanë të bëjnë me shoqërinë dhe ta shtyjë spektatorin drejtreflektimit.

 

Shembull: Në filmin e tij, Honeymoons (2009), regjisori serb Goran Paskaljević, për të trajtuar temën e emigrimit në Evropë përmes një këndvështrimi ironik dhe dramatik, vë në skenë rrëfimin e trilluar tëdy çifteve, njëri serb, tjetri shqiptar, ,.

 

 

Televizioni: edicioni i lajmeve

 

Në historinë e mediave dhe të qasjes në lajm, shfaqja e televizionit ka luajtur një rol të përafërt me atë të rrjeteve sociale sot, në kuptimin që, përdorimi i tij ka paraqitur një lloj revolucioni në mënyrën sesi popullata i konsumon lajmet. Ky medium emblematik mbetet ende i rëndësishëm në shoqëritë tona dhe duhet të na shtyjë të reflektojmë mbi mënyrën sesi mediumi audiovizual është përdorur për të komunikuar lajme.

 

Përkufizim: Edicioni televiziv i lajmeve është një emision informacionesh që zgjat disa dhjetëra minuta, që emetohet në televizion dhe prezantohet nga një ose më shumë prezantues. Ai mund të propozojë reportazhe mbi tema ndërkombëtare, kombëtare ose vendore, ose kronika të përhershme siç janë informacionet për motin.

 

Qëllimi kryesor i edicionit televiziv të lajmeve është të sjellë informacione cilësore të mbledhura nga gazetarët ose nga korrespondentët që punojnë për atë kanal, mbi aktualitetin ose tema bosht. Ndryshe nga radioja, e cila po ashtu propozon emisione “blic” mbi aktualitetin, edicioni i lajmeve i jep imazhit një vend të veçantë, edhe në pamjen e në gjestet e prezantuesit, por edhe gjatë reportazheve, fotografive ose infografive të dhëna në ekran (kodi ngjyrë, fonti i përdorur në tekst, lloji i dekorit për skenën etj.).

 

Shembull: Në vitin 2016 drejtoria e edicionit të lajmeve të kanalit shqiptar Zjarr TV ka vendosur t’ia besojë prezantimin e lajmeve prezantuesve me gjoks të zhveshur nën një xhaketë të hapur që mezi i fsheh gjinjtë e tyre. Kjo zgjedhje, e cila është kritikuar ashpër për shkak të karakterit të saj seksist, është një rast ekstrem, por tregon mirë rëndësinë e menaxhimit të imazhit dhe të vizuales gjatë një edicioni lajmesh.

 

 

Një mjet i kufizuar

 

Edhe pse televizioni është një medium shumë popullor, kanalet e televizionit nuk i ikin logjikës ekonomike dhe, madje ndonjëherë, edhe ndikimit politik (në veçanti, në rastet e kanaleve publike) të cilët mund të rëndojnë në cilësinë e lajmit dhe të kufizojnë imazhin e shumëllojshmërisë së mendimeve dhe të lëvizjeve opozitare. Në Ballkan, në veçanti, temat serioze mund të zëvendësohen nga tema më të lehta duke kopjuar modelin e “tabloideve” dhe të mediave që japin lajme “people”.

 

Shembull : Në mars 2019, protestuesit e Lëvizjes #1od5miliona dhe përfaqësues të tjerë të partive të opozitës kanë protestuar para zyrave të radio-televizionit serb (RTS) për ta kritikuar ndaj mos-përfaqësimit në televizion.

 

Përballë kësaj situate, në Ballkan kanë investuar shumë kanale lajmesh ndërkombëtare , në mënyrë që t’i propozojnë spektatorëve një alternativë, por edhe për arsye gjeopolitike. Kështu, vitet e fundit, kanali i Katarit «Al Jazeera» ka inauguruar zyrën e saj lokale në Sarajevë, kurse kanali Russia Today ka filluar të japë lajme në gjuhën e vendit në radion serbe Studio B.

 

Edicioni i lajmeve në televizion, edhe pse mbetet shumë popullor, megjithatë po zëvendësohet çdo ditë e më shumë nga mediat online dhe nga rrjetet sociale.

 

 

Ekranët e rinj

 

Në të gjitha vendet e botës, koha e kaluar para ekraneve po rritet vazhdimisht çdo vit, veçanërisht te të rinjtë. Nëse televizioni na e merr një pjesë të madhe të kohës sonë, qasja në rrjetet sociale po e rrit më shumë këtë kohë para ekranit. Në vitin 2019, studimi i « BusinessFibre.co.uk” ka bërë listën e vendeve që kalojnë më shumë orë në internet, duke përkujtuar se mesatarja botërore e kohës së kaluar para ekraneve është 6 orë e 42 minuta në ditë (linku gjendet në rubrikën «Për më shumë»).

 

Nga kjo kohë të kaluar në rrjetet sociale, një pjesë e madhe i kushtohet shikimit të videove, të gjithëpranishme në internet dhe, ndër të tjera, falë aplikacionit të «gjigantit» të videos: YouTube-it.

 

Përkufizim : YouTube është një platformë videosh dhe një medium social ku përdoruesit mund të dërgojnë, të shohin, të komentojnë, të vlerësojnë dhe të ndajnë video në streaming. I krijuar në shkurt 2005 nga Steve Chen, Chad Hurley dhe Jawed Karim, tre ish-punëtorë të Pay Pal dhe i blerë nga Google në tetor 2006 për 1,65 miliard dollarë, Youtube është një ndër faqet web më të shikuara në botë (në vitin 2020, çdo muaj, në YouTube hynë më shumë se 2 miliard përdorues ).

 

Është interesante të konstatohet se kjo platformë rimerr disa kode audiovizuale të televizionit. Për shembull, flitet për «kanalin Youtube» dhe «Youtuberat» duhet të kenë kompetencat e njëjta si prezantuesit në televizion: të shprehurit të mirë, një dukje tërheqëse që ta shikosh videon, duke riprodhuar madje edhe skena xhirimi të emisioneve televizive.

 

Shembull: Youtuberat më të ndjekur në vende të ndryshme:

Bosnje Herzegovinë: https://www.youtube.com/user/Seherzad

Serbi: https:/ www.youtube.com/user/SerbianGamesBL2

Mali i Zi : https://www.youtube.com/user/BalkanGamesHD

 

Të vetëdijshme se ky format i tërheq gjeneratat e reja, disa kanale televizive e pushtojnë këtë media duke i ri-transmetuar emisionet ose duke propozuar që këto kanale të shikohen drejtpërdrejtë në Youtube (siç është kanali RTS Sajt – Zvanični kanal në Serbi, që transmeton, për shembull, serialin “Moja generacija Z” – “Gjenerata ime Z”).

 

Suksesi i Youtube në raport me televizionin shpjegohet edhe përmes llojllojshmërisë së përmbajtjes që e propozon. Meqenëse cilido përdorues i internetit mund të prodhojë ose të postojë një video, shijet dhe opinionet e secilit janë shumë më mirë të përfaqësuara se në televizion. Pra, ai është edhe një mjet të cilin mund ta përdorë qytetari për t’u shprehur mbi temat që i interesojnë, për të paraqitur në mënyrë të thjeshtë njohuritë e tij, për të shfaqur idetë e tij, për të dhënë informacione një temë ose për të komunikuar informacione të rëndësishme, sin ë rastet kur protestuesit filmojnë lëvizjet e tyre drejtpërdrejt gjatë një proteste.

 

Duke u pozicionuar si një shtyllë qendrore për emetimin dhe produksionin audiovizual, YouTube dhe mediat sociale që propozojnë video, gëzojnë një pozitë hegjemonike në raportin tonë me informacionin. Atëherë, shtrohen pyetjet qendrore të lirisë së shprehjes, të monopolit dhe të përgjegjësisë lidhur me përmbajtjet e shpërndara, veçanërisht lajmet e rreme, gjuha e urrejtjes dhe teoritë konspirative, fatkeqësisht shumë të pranishme në këtë platformë të konsultuar kryesisht nga të rinjtë.

KAPITULLI 8 – LUFTA KUNDËR LAJMEVE TË RREME

NOCIONI I INFOX-IT: ELEMENT QENDROR I EMI –së

 

Përkufizim: Kur flasim për infox, për informata të rreme ose për “Fake News”, kemi të bëjmë me lajme të fabrikuara, të falsifikuara ose të deformuara, të shpërndara qëllimisht nga individë, militantë ose përfaqësues politikë, me qëllim që qytetarët të manipulohen dhe t’i pranojnë këto ide.

 

Shpërndarja e këtyre lajmeve të rreme mund të ketë pasoja të rrezikshme për shoqërinë: për shembull, kur targetohet apo akuzohet një pakicë apo një komunitet me qëllim të ngjalljes së frikës ose të nxitjes së urrejtjes ndaj tij. Kështu, kur lajmi i rremë përdoret për të krijuar një ndjenje pasigurie për qëllime zgjedhore, manipulimi i lajmeve është një mjet me efikasiteti të lartë.

 

Shembull : Protestat kundër pranisë së emigrantëve janë rritur me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 21 qershorit në Serbi. Qysh më 2 mars 2020, afërsisht 500 persona janë mbledhur në qytetin e Suboticës, në kufi me Hungarinë në veri të vendit, për të denoncuar “krimet” e kryera nga emigrantet në territorin serb, derisa, sipas të dhënave të policisë, shkeljet e bëra nga refugjatet përbëjnë vetëm 0,06% nga të gjitha veprat penale të regjistruara në vend.

 

Disa fakte dhe skandale siç është ai i “Cambridge Analytica” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (përdorimi i të dhënave të milionave përdoruesve të cilët bëhen shënjestër e lajmeve të rreme) na kujtojnë se sa impakt kanë lajmet e manipuluara në jetën tonë, në përditshmërinë tonë deri në zgjedhjet presidenciale.

 

Shembull: Në mars 2020 në Bosnje-Herzegovinë, një grua 51 vjeçare e cila kthehej nga një udhëtim në Itali rezultoi pozitive në testin e Coronavirusit. Ajo ishte bërë viktimë e një linçimit të madh në rrjetet sociale pas publikimeve të lajmeve të rreme nga media të ndryshme. Thuhej se kishte marrë pjesë në një koncert dhe kishte shfrytëzuar transportet publike. Në disa komente në Facebook thuhej se kjo grua meritonte të vritej sepse ishte infektuar, si dhe që nuk do të duhej të kthehej në Bosnje-Herzegovinë.

 

Duke deformuar, manipuluar dhe falsifikuar realitetin për të nxitur urrejtjen dhe për të bindur qytetarët me argumente të rreme ose me informata që nuk ekzistojnë, lajmet e rreme lëkundin vetë nocionin e së vërtetës dhe të qytetarisë në shoqëritë moderne. Ngaqë infox-at në shumicën e kohës mobilizojnë emocionet dhe paragjykimet tona, ato shpërndahen lehtë dhe gjejnë një jehonë të madhe në rrjetet sociale, duke i përforcuar efektet e tyre të dëmshme mbi cilësinë e lajmit.

 

Meqenëse lajmi është qenësor në jetën tonë dhe është në zemër të të gjitha vendimeve tona dhe të lidhjes sonë me të tjerët, është tejet e rëndësishme që ta ruajmë besueshmërinë dhe transparencën e tij, dhe, sipas mundësisë, të evitohen të gjitha manipulimet e tij. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj cilësisë së lajmit. Me qëndrim kritik ndaj përmbajtjeve që i konsultojmë dhe që i pranojmë e kufizojmë rrezikun nga manipulimi ose nga ndikimi i jashtëm dhe e formojmë një opinion më të drejtë.

 

 

T’U IKIM KURTHEVE TË DEZINFORMIMIT

 

Për të luftuar kundër dezinformimit janë menduar disa zgjidhje :

  • Të kontrollohet më mirë lajmi online  duke i përgjegjësuar platformat dhe “gjigantet e internet-it” (Facebook, Google, Twitter, etj.) të cilët kanë marrë masa në këtë drejtim për t’ua mundësuar përdoruesve që të lajmërojnë lajme të rreme, duke hequr llogari të cilat shpërndajnë gjuhë urrejtjeje dhe Fake News ose duke bërë dhe shpërndarë fushata parandalimi. Për shembull, në janar 2020 Facebook ka lajmëruar  se do t’i heq dhe do t’i ndalojë videot të llojit “deepfake” në platformën e saj.

 

Të lihen Gjigantet e Internetit (GAFA-t) të menaxhojnë përmbajtjen e këtyre platformave mund të jetë problematike për shkak të lirisë së shprehjes dhe cenzurës, në një kontekst ku hegjemonia e këtyre “Gjigantëve të Internet-it” të bën të mendohesh. Në këtë aspekt, në disa vende ekzistojnë agjenci  të pavarura që kontrollojnë veprimin e mediave tradicionale dhe që njëkohësisht bëjnë kontrollimin e informatës dhe mbrojtjen e përdoruesve në këto platforma online.

  • Shumë shtete marrin edhe masa urgjente dhe ushtrojnë rolin e tyre në kontrollin e besueshmërisë të informatave që qarkullojnë brenda vendit të tyre duke kaluar përmes aparatit ligjvënës në të shumtën e rasteve. Megjithatë, duhet të kihet kujdes që masat e ndërmarra për të kufizuar dezinformimin dhe për t’i përforcuar mjetet e kontrollit të mos e kufizojnë në mënyrë paradoksale lirinë e shprehjes së mediave dhe të qytetarëve, duke pamundësuar punën e gazetarit.
  • Gjithashtu mund të përgatitet popullata që do të përballet çdo herë e më shumë me lajme të rreme, me manipulimin e imazheve ose me shpërndarjen në rritje dhe të shpejtë të teorive konspirative. Kështu që aksionet si edukimi kritik për media dhe informacion do të shtynë popullatën që të mbrohet kundër këtyre manipulimeve, me prurje të njohurive dhe me zhvillimin e autonomisë intelektuale dhe të mendimit kritik.
  • Vetëdijësimi bëhet edhe te mediat tradicionale. Një mënyrë e re e trajtimit gazetaresk është paraqitur para pak kohësh në disa vende, por edhe në një shkallë më ndërkombëtare, për t’i kufizuar rreziqet e dezinformimit: Fact Checking

 

 

FACT CHECKING

 

Origjina dhe Përkufizimi

 

Përballë rritjes së lajmeve të rreme, imazheve dhe videove të falsifikuara, ndër të tjera në internet, metodat gazetareske të konfrontimit dhe të verifikimit të informatave janë bërë të domosdoshme në atë pikë sa media të shumta kanë zhvilluar shërbime të specializuar në verifikimin e fakteve.

 

E quajtur shpesh fact-checking, kjo mënyrë e re e trajtimit gazetaresk kishte të bënte, fillimisht, me verifikimin në mënyrë sistematike të deklaratave të liderëve politikë ose të elementeve të debatit publik (shifra, përmbajtja legjislative, etj.). Por me rritjen e infox-ave dhe të rreziqeve të dezinformimeve, fact-checking ka të bëjë sot më shumë me verifikimin e shpejtë të vërtetësisë së një fakti, të një imazhi apo të një thashethemi dhe më gjërësisht të çdo lloj informacioni që qarkullon në Internet.

 

Kufijtë e fact-checking-ut

 

Megjithatë, nëse fact-checking është një mënyrë e dobishme për verifikimin e informatave, nuk duhet të shndërrohet në një diktat të pandryshueshëm të së vërtetës. Disa çështje nuk mund të  zgjidhen me një fakt checking të thjeshtë, si çështje politike, të mendimit ose të moralit, për shembull.  Ashtu siç e tregon emërtimi, duhet mbetur “faktual” dhe të verifikohen fakte të sakta.

 

Gjithashtu, elementet për verifikimin e një lajmi mund të mungojnë ndonjëhere ose të varen nga elemente tjera. Për shembull, të llogaritet numri i personave të pranishëm në një protestë do ta detyrojë fact-cheker t’u besojë shifrave të komunikuara qoftë nga autoritetet, qoftë nga organizatorët e protestës, gjë që shpie në dallime të mëdha.

 

Duhet pra gjithashtu të bëhet kujdes dhe të ruhet një mendje kritike duke ditur kur një media duhet t’i besojë fact-cheker-it dhe kur meriton një çështje të trajtohet duke e shqyrtuar me distancë.

KAPITULLI 4 – MEDIA DHE QYTETARIAA

LIRIA E SHPREHJES DHE LIRIA E SHTYPIT

 

  • Liria e shprehjes është një e drejtë, e drejta për të shprehur lirshëm atë që mendon.

Liria e shprehjes duhet t’i mundësojë secilit(ës) të jetë i(e) lirë të mendojë dhe të shprehë opinionet e tij(saj), por liria e shprehjes ka edhe kufijtë e saj: duhet të kemi kujdes që të mos shpifim, të mos fyejmë, të mos bëjmë thirrje për urrejtje ndaj një grupi për shkak të fesë, ngjyrës së lëkurës ose të orientimit seksual, të mos inkurajojmë terrorizmin apo krimet e luftës.

 

  • Liria e shtypit pasqyron të drejtën e lirisë së shprehjes, ajo ua garanton qytetarëve të gjithë informimin e nevojshëm për të formuar lirshëm një opinion.

Roli i gazetarëve është t’i bëjë të qarta çështjet për lexuesin dhe të stimulojë debatet e ideve midis qytetarëve. Për këtë qëllim, gazetarët u binden rregullave. Ata mund të flasin për çdo temë, por duke qenë të kujdesshëm që të kontrollojnë lajmin për të siguruar cilësinë e tij.

Në disa vende, liria e shtypit minohet dhe gazetarët pengohen në mbulimin e disa ngjarjeve ose nuk lejohen ta kritikojnë pushtetin. Çdo vit, OJQ-ja Reporterët pa Kufij (Reporters sans Frontières) boton një klasifikim të lirisë së shtypit në të gjithë botën.

 

DEONTOLOGJIA E GAZETARISË

 

  • Gazetaria është një fushë që merret me hulumtimin e lajmit, kontrollimin e tij, vendosjen e tij në kontekst, hierarkizimin e tij, formësimin e tij, komentimin e tij dhe botimin e një informacioni cilësor. Gazetaria nuk duhet të ngatërrohet me komunikimin.
  • Ushtrimi i profesionit: Nocioni i urgjencës në shpërndarjen e lajmit ose në ekskluzivitetin e tij nuk duhet të prijë para seriozitetit të hulumtimit dhe verifikimit të burimeve. Për të punuar në kushte të mira, gazetari duhet të jetë në gjendje të kryej lirshëm të gjitha veprimet e profesionit të tij (të hetojë, të hulumtojë, të bëëj fotografi dhe incizime audio, etj.), të ketë qasje në të gjitha burimet e informimit në lidhje me faktet që kushtëzojnë jetën publike dhe të marrë parasysh mbrojtjen e garantuar të sekretit të burimeve të tij.
  • Deklarata e Mynihut mbi të Drejtat dhe Detyrimet e Gazetarëve, e përpiluar në vitin 1971 nga të gjitha sindikatat e gazetarëve në nivelin evropian, jep udhëzime për praktikën deontologjike të gazetarisë. Sipas kësaj deklarate, një gazetar i denjë:
  • respekton dinjitetin e personave dhe prezumimin e pafajësisë;
  • konsideron si shtyllat e punës gazetareske mendimin kritik, vërtetësinë, saktësinë, integritetin, barazinë, paanshmërinë;
  • akuzën pa prova, qëllimin për të dëmtuar, ndryshimin e dokumenteve, shtrembërimin e fakteve, shpërdorimin e imazheve, gënjeshtrat, manipulimet, censurimin dhe vetë-censurimin, mos verifikimin e fakteve i konsideron si abuzimet më të rënda profesionale;
  • ushtron vigjilencën maksimale para se të përhapë informacione, pavarësisht nga vijnë ato;
  • ushtron droit de suite për informacionin që ai shpërndan, është i detyruar të korrigjojë shpejt çdo informacion të shpërndarë që rezulton të jetë i pasaktë;
  • mbron lirinë e shprehjes, lirinë e opinionit, lirinë e informimit, lirinë e komentit dhe lirinë e kritikës;
  • përjashton çdo mjet të padrejtë dhe të ulët për të marrë një informacion.
  • nuk paguhet nga shërbimet publike, institucionet apo kompanitë private të cilat mund të shfrytëzojnë cilësitë e tij të gazetarit, ndikimin e tij, të njohurit e tij .

KAPITULLI 3 – LAJMI DHE MEDIAT

PERKUFIZIM

 

1/ Një media është para se gjithash një mjet material që bën të mundur transmetimin masiv të lajmeve të tilla si shtypi i shkruar, radioja, interneti ose televizioni.

 

Rritja dhe diversifikimi i ofertës së lajmëve

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, shohim një dendësim të lajmeve dhe një rritje të mjeteve mediatike: shtëpitë pajisen me televizorë, rritet numri i kanaleve të radios dhe botohen shumë revista. Flitet, atëherë, për media “masive”. Që në atë kohë, lajmi i disponueshëm është bërë më i rëndësishëm dhe më i shumëllojshëm nga sa që ishte më herët dhe fenomeni është theksuar deri në ditët e sotme me epokën e digjitalizmit e cila i ka ndryshuar rrënjësisht mënyrat e të informuarit.

 

Modifikimi i raportit me informacionin

 

Me rritjen dhe diversifikimin e kësaj oferte të lajmeve, vetë raporti ynë me informacionin po ndryshon, veçanërisht prej shfaqjes së internetit në fillim të viteve ‘90. Duke qenë kundër-pushtet i vërtetë demokratik, mediat bëhen të domosdoshme për jetën e qytetarëve. Gjatë kohës së zgjedhjeve, për shembull, por edhe gjatë tërë vitit, mediat janë burim kryesor i transmetimit të propozimeve, debateve dhe programeve politike të përfaqësuesve dhe të liderëve politikë.

 

Gjithashtu, ky evoluim i ofertës mediatike dhe veçanërisht zhvillimi i internetit ka bërë të mundur përhapjen më të gjërë të ideve dhe të opinioneve të cilat ishin dikur margjinale,- apo më pak të shkrira në opinionin publik- të tilla si teoritë konspirative ose ideologjitë ekstremiste, duke e bërë më të lehtë transmetimin e tyre te publiku i gjerë.

 

Por mediat kanë të bëjnë edhe me një përmasë strukturore dhe profesionale më pak të dukshme, do të thotë që ato përfaqësojnë një sistem të organizuar ekonomikisht (financimi, pagesa e gazetarëve) dhe shoqërisht (që nënkupton njohjen e profesionit të gazetarit, praktikat, shprehitë profesionale, edukimin për gazetari).

 

2/ Një lajm, në kontekstin e edukimit kritik mediatik, është një fakt i raportuar që rrjedh nga burime të identifikuara, të verifikuara dhe të kryqëzuara. Kësaj mund t’i shtohet një vënie në perspektivë që shpjegon ose interpreton faktin në fjalë në një përmasë sociale, kulturore dhe politike. Gjithashtu një lajm duhet të përmbushë tri kritere:

 

  1. Të jetë me interes publik: Që një fakt të konsiderohet si lajm, në kuptimin mediatik dhe shoqëror të fjalës, ai duhet të jetë me interes publik. Për shembull, nëse ka të bëjë me praninë e cilitdo qytetari në një ndeshje futbolli, kjo nuk përbën një lajm, i cili mund të ketë rëndësi për shumicën e qytetarëve të tjerë.
  2. Të jetë faktual: Një lajm duhet të ketë të bëjë me një fakt, të jetë faktual. Do të thotë, për të vazhduar me shembullin tonë, rezultati i ndeshjes ose lëndimi i lojtarit në teren përbëjnë lajme të mirëfillta sepse kemi të bëjmë me fakte, me veprime dhe rezultate që mund të shihen. Përkundrazi, thashethemet lidhur me transferimin e një lojtari te një klub tjetër, ose tensionet e mundshme që do të mund të ekzistonin brenda një skuadre nuk përbëjnë ende lajm.
  3. Të jetë i verifikuar dhe i verifikueshëm: Për ta konfirmuar statutin e tij si lajm, një fakt duhet të jetë i verifikuar dhe i verifikueshëm. Me fjalë të tjera, këtu duhet të jemi të vëmendshëm ndaj nocionit të provës e cila e miraton faktin.

 

NË ÇFARË MËNYRE KOMUNIKOHET LAJMI NGA MEDIAT

 

Në shtypin e shkruar, një lajm mund të raportohet në tri mënyra, që do të thotë se do të përdoren zhanre gazetareske të ndryshme :

  1. Lajmi i shpjeguar: Gazetari analizon faktet, ai e deshifron lajmin dhe ia jep lexuesit informacionin në lidhje me faktet. Ky lloj shkrimi përdoret për analiza, hulumtime, dosje dhe intervista gazetareske.
  2. Lajmi i komentuar: Është një lloj shkrimi më i lirë ku gazetari bën interpretimin dhe mundohet t’i deshifrojë faktet duke luajtur mbi humorin, duke e dhënë mendimin e vet ose duke gjykuar faktin. Ky lloj shkrimi përdoret për tribuna, për artikull të shkurtër të ditës, për editoriale, karikatura ose kritika.
  3. Lajmi i raportuar: Është një stil gazetaresk shumë narrativ ku gazetari i paraqet dhe i raporton faktet në detaje. Ky lloj shkrimi përdoret për lajmin e shkurtër, për informatë të shpejtë, për kronikë, për raport, për reportazh apo për rrëfim.

 

NDËRTIMI I LAJMIT:

 

Rruga e lajmit përbëhet nga disa etapa :

  1. Fakti
  2. Lajmërimi (një gazetar informohet nga burimet e tij)
  3. Verifikimi (mobilizohen disa gazetarë, pyesin organizatat, personat ose institucionet në fjalë duke shkuar në vendin e ngjarjes )
  4. Një mbledhje e redaksisë mund të organizohet nga mediumi. Kryeredaktori mbledh shefat e rubrikave, vendoset për dërgimin e gazetarëve në teren dhe për trajtimin nga kënde të ndryshme: karakteristikat, hipotezat, precedentët, reportazhet, raportimi i ditës…
  5. Gjatë përpilimit, gazetari e shkruan artikullin ose komentin e tij, pastaj redaktorët e lexojnë dhe e korrigjojnë, i vendosin legjenda fotove…
  6. Pas kryqëzimit të informacioneve bëhet publikimi. Publikohet në formën e një lajmi të shkurtër, të një lajmërimi ose një informate të shpejtë, varësisht nga rëndësia e lajmit.

Vini re: Të kesh një lajm sensacional (‘scoop’), do të thotë të publikosh lajmin i pari. Mediat e tjera mund ta rimarrin atë, por duke saktësuar nga vjen ai.

KAPITULLI 1 – ÇFARË ËSHTË EDUKIMI MEDIATIK?

ÇËSHTJET E EDUKIMIT PËR MEDIA DHE INFORMACION

 

Në përgjithësi, edukimi për media dhe informacion promovon njohjen dhe kuptimin e mediave dhe të informacionit nga këndvështrimi i debatit qytetar dhe i pjesëmarrjes sociale.

 

EMI kombinon dy fusha të ndara: përvetësimi i informacionit thekson rëndësinë e qasjes ndaj lajmeve, si dhe rëndësinë e vlerësimit dhe përdorimit etik të tyre. Edukimi mediatik potencon aftësinë për t’i kuptuar funksionet e mediave, për të vlerësuar se si kryhen këto funksione dhe për t’i shfrytëzuar racionalisht këto media për t’u shprehur.

 

Kjo fushë, u mundëson atyre që e transmetojnë:

 

  • Të theksojnë rolin dhe funksionin e mediave në shoqëri, si dhe kushtet në të cilat mediat i përmbushin këto funksione.
  • Të përfshijnë dhe të transmetojnë instrumentet për vlerësimin kritik të përmbajtjes së mediave
  • Të krijojnë media cilësore informative për audiencën e targetuar.

Për të kuptuar plotësisht shtrirjen globale të EMI-së, duhet të theksohet se një shoqëri që i zotëron mediat dhe informacionin dhe që promovon zhvillimin e mediave të lira, të pavarura dhe pluraliste, ka prirjen ta nxisë pjesëmarrjen e duhur të qytetarëve.

 

 

MËSIMDHËNIA E EMI-së: QASJET E NDRYSHME

 

Mësimdhënësi i EMI duhet të përdorë qasje të ndryshme pedagogjike:

  • Qasja “problematikë – hulumtim” përbën identifikimin e problematikës; njohjen e qëndrimeve dhe bindjeve themelore; qartësimin e fakteve dhe parimeve që lidhen me këtë çështje; organizimin dhe analizën e qasjeve të mundshme ndaj çështjes; interpretimin dhe zgjidhjen e çështjes; ndërmarrjen e masave dhe rishqyrtimin e pasojave e rezultateve të secilës fazë. Kjo i mundëson nxënësit të zhvillojë aftësinë e të menduarit kritik. Kjo qasje mund të privilegjohet për analizën e lajmeve të rreme (fake news) ose teorive konspirative.
  • Studimi i rasteve përfshin ekzaminimin e thellë të një situate apo të një ngjarjeje të vetme. Kjo qasje siguron një metodë sistematike të shqyrtimit të ngjarjeve, të mbledhjes së të dhënave, të analizës së informacionit dhe raportimit të rezultateve.
  • Mësimnxënia ndërvepruese, mund të organizohet me punë të thjeshtë në çifte, por edhe në mënyrë më komplekse, për shembull, me anë të projekteve, me puzzle, me pyetje të drejtuara nga kolegët dhe me mësimdhënie reciproke.
  • Me analizën e teksteve, nxënësit mësojnë të identifikojnë se si përdoren kodet dhe standardet gjuhësore për të krijuar lloje të veçanta të paraqitjeve që targetojnë një audiencë të caktuar (standardet “teknike”, “simbolike” dhe “narrative” për cilindo tekst mediatik).
  • Analiza kontekstuale synon t’i ndihmojë nxënësit që të mësojnë temat, të tilla si – sistemet e klasifikimit për kinemanë, televizionin dhe lojërat video – lidhjet midis pronësisë dhe përqendrimit të mediave, si dhe – çështjet e demokracisë dhe lirisë së shprehjes.
  • Me rishkrimet, nxënësit mund të mbledhin, për shembull, një seri dokumentesh vizuale ekzistuese që kanë të bëjnë me jetën e një personi dhe t’i përdorin ato si pikënisje për të përgatitur dhe për të realizuar një dokumentar të shkurtër për atë person.
  • Me simulimet, nxënësit, për shembull, mund të marrin rolin e një ekipi televiziv që prodhon një emision për të rinjë. Strategjia diskutohet me nxënësit si një proces arsimor.
  • Dhe, në fund, produksioni u ofron nxënësëve mundësinë që të zhyten në mësimnxënje përmes zbulimit dhe praktikës. Përmes prodhimit të teksteve mediatike (audio, video dhe/ose të shtypura), nxënësit mund të zbulojnë krijimtarinë dhe të shprehin opinionet, idetë dhe perspektivat e tyre.

FAKE NEWS & KONSPIRACIONIZËM

PËRKUFIZIM

Një teori konspirative është një shpjegim historik ose politik që supozon ekzistencën e një “të vërtete të fshehur”. Lajmet e rreme konspirative plotësojnë 6 karakteristika kryesore:

 

1. ato fabrikohen nga një grup sekret shumë i fuqishëm që vepron në hije (Reptilians, Illuminati, Trilateral, NASA, Freemason, etj);

 

2. ky grup punëson një numër shumë të madh njerëzish (të vendosur në vende strategjike) në të gjithë sektorët e shoqërisë – në qeveri, media, polici, universitete, etj. – në mënyrë që “sekreti” të mbetet … sekret;

 

3. i kundërshtojnë versionet zyrtare, domethënë versionet që kanë konsensusin e shkencës ose që pranohen nga shumica në media ose në qeveri;

 

4. shpjegojnë një ngjarje përmes një shkaku të vetëm. Për shembull, lufta në Irak ka ndodhur … sepse i ka shërbyer interesave të Reptilianëve!

 

5. nuk mund të hidhen poshtë. Pavarësisht sa të forta janë kritikat që i bëjmë, mbrojtësit e tyre gjithmonë do të pretendojnë se ata që kritikojnë janë pjesë e konspiracionit … ose janë naivë.

 

6. bëhen të gjitha llojet e amalgameve. Për shembull: dihet që qeveria amerikane gënjeu për luftën në Irak, atëherë është e qartë që ka gënjyer edhe për misionet në hënë. Mbrojtësit e këtyre teorive, me kalimin e kohës, mund të zhvillojnë njohuri enciklopedike argumentetesh që mbështesin këto teori edhe nëse asnjë prej këtyre argumenteve nuk e vërteton vlefshmërinë e tyre.

 

 

ILUSTRIM : NJË FAQE INTERNETI KONSPIRACIONISTE NË MAQEDONI TË VERIUT

 

Natural News është një faqe webe ekstremit të djathtë në Maqedoninë e Veriut e njohur për përhapjen e lajmeve të rreme që nxisin teori të ndryshme konspirative.

 

‘Natural News’ ka qenë, në mes tjerash, një nga faqet web më aktive në shpërndarjen e një videoje konspirative, e cila pohonte në mërë të rreme se një grup i errët i elitave po e përdorte virusin dhe një vaksinë të mundshme për përfitime dhe pushtet. Në videon 26-minutëshe të titulluar “Plandemic” shfaqej një shkencëtare e diskredituar, Judy Mikovits, e cila tregonte se hulumtimet e saj në lidhje me dëmet e vaksinave ishin fshehur. “Plandemic” është lëshuar online më 4 maj kur autori i saj, Mikki Willis, e postoi atë në mediat sociale. Për tre ditë, kjo video është shpërndarë në faqet e Facebook-ut kushtuar teorive konspirative dhe lëvizjes anti-vaksinë. Pastaj ajo hyri në rrjedhën dominuese dhe u bë virale. Kështu, sipas New York Times, “pak më shumë se një javë pas publikimit të ‘Plandemic’, videoja ishte shikuar më shumë se tetë milion herë në YouTube, Facebook, Twitter dhe Instagram” (burimi: link).

 

FAKE NEWS & POLITIKË

PËRKUFIZIM

 

Lajmet e rreme me karakter politik janë “pretendime mashtruese që mund të komprometojnë sinqeritetin e zgjedhjeve, të cilat shpërndahen masivisht, qëllimisht, në mënyrë artificiale ose automatike përmes komunikimit online“. Flitet për një “fushatë dezinformimi” kur, nga shkalla e saj, shpërndarja masive e lajmeve të rreme (fake news) përkthen dëshirën për të cenuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve në mënyrë që ta destabilizojë regjimin në vend, duke përdorur frikën, nacionalizmin dhe autoritarizmin.

 

Shfaqja e këtyre metodave të ndërhyrjes është e lidhur ngushtë me rritjen e platformave digjitale, të cilat mundësojnë shpërndarjen e lajmeve të rreme për një kandidat të caktuar, me një viralitet të gjerë dhe me një ndikim të madh në opinionin publik.

 

Edhe pse mund të duken virtuale, lajmet e rreme (fake news) me karakter politik kanë impakte shumë reale. Në veçanti, vitet e fundit, ato kanë destabilizuar proceset zgjedhore në disa vende.

 

Për këtë arsye platformat digjitale, qeveritë dhe bashkësia ndërkombëtare po marrin masa gjithnjë e më serioze në përpjekje për t’i parandaluar këto fushata dezinformuese, veçanërisht përmes kontrollimit të rrjeteve sociale dhe përforcimit të mekanizmit legjislativ.

 

 

ILUSTRIM: FABRIKAT E LAJMEVE TË RREME NË MAQEDONI

 

Gjatë fushatës presidenciale të SHBA-së në vitin 2016, qyteti i Velesit, në Maqedoni, u bë “kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme”. Kështu, nën ndikimin e qeverive, rreth njëqind të rinj maqedonas u angazhuan në “fabrikat e lajmeve të rreme”, që kishin për detyrë shpërndarjen e vazhdueshme të lajmeve të rreme përmes internetit në opinionin publik amerikan për t’ia mundësuar fitoren kandidatit Donald Trump.

 

Këta të rinj fituan afro 10,000 euro në muaj për të krijuar llogari falso dhe për të fabrikuar artikuj. Një nga lajmet e rreme nga më të përhapura ishte diskreditimi i kandidates demokrate Hillary Clinton duke përhapur thashetheme për ta njollosur imazhin e saj. Kështu, pretendimi i rremë se “Barack Obama ka financuar fushatën e Hillary Clinton me fonde të vjedhura nga veteranët“, i ‘pilotuar’ nga Velesi, është bërë veçanërisht viral në Shtetet e Bashkuara.

 

Faqja web”The fake news machine: inside a town gearing up for 2020” dokumenton dhe analizon qindra faqe interneti të krijuara në Veles, që kishin për qëllim kryesor të kontribuonin në fitoren e kandidatit republikan përmes manipulimit të informacionit.

 

Sipas Xhelal Nezirit, nga “Qendra për Gazetari Hulumtuese në Maqedoni” (Scoop), aktivitetet e fabrikave të lajmeve të rreme në Veles u menaxhuan nga distanca prej partisë nacionaliste që ishte më parë në pushtet në këtë vend. “Hulumtimi ynë tregon se ky operacion ishte koordinuar nga qeveria e mëparshme. Është përdorur një platformë rinore e cila tashmë kishte botuar artikuj të rremë në fushën e shëndetësisë për të përhapur opinione politike gjatë zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, mandej gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane”, sqaron ai (burimi:” Velesi, kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme, RFI ”- linku).

 

ILUSTRIM: LAJMET E RREME DESTABILIZOJNË ZGJEDHJET NË UKRAINË

 

Fushata presidenciale e Ukrainës në mars 2019, e cila përcaktoi fitoren e aktorit Volodymyr Zelensky – i konsideruar si pro-perëndimor – është karakterizuar nga një fushatë dezinformuese që synonte diskreditimin e këtij kandidati.

 

Kështu, sipas mediave ndërkombëtare DW (linku), “lajmet e rreme në gjuhën ruse gllabëruan peizazhin mediatik të vendit” gjatë periudhës së zgjedhjeve. DW vlerëson se artikujt e rremë më të njohur ishin postuar në llogari facebook me deri 2 milion përdorues.

 

Më 5 janar, menjëherë pasi aktori Volodymyr Zelensky kishte shpallur kandidaturën e tij për president, një faqe Facebook e menaxhuar nga bbccn.co publikoi një fake news për ta dëmtuar reputacionin e kandidatit. Artikulli në fjalë pretendonte se prokurori i Ukrainës, Yuriy Lutsenko, kishte ngritur çeshtje penale kundër Zelensky ngaqë ai kishte planifikuar rrëzimin e rendit kushtetues. Ky artikull ka shkaktuar mbi 20,000 reagime online. Sidoqoftë, është e qartë se ky thashetheme është një manipulim i lajmit: asnjë veprim ligjor nuk ishte ndërmarrë kundër aktorit.

 

Ngjashëm, një faqe web false që paraqitej në mënyrë mashtruese si faqja e kandidatit Zelensky ishte identifikuar nga ‘fact-checkers’-at. Në këtë faqe, ndër të tjera, ishte botuar një deklaratë e sajuar, sipas së cilës Zelensky dëshironte që rusishtja të bëhej gjuha zyrtare e Ukrainës. Ky propozim nuk përfshihej aspak në qëllimet e kandidatit.

 

Artikulli i DW “Is Ukraine’s presidential election threatened by fake news” i përshkruan më në detaje këto fushata dezinformuese që u përpoqën ta pengojnë fitoren e kandidatit të dalë nga shoqëria civile.

FAKE NEWS & PROPAGANDË

PËRKUFIZIM

 

Propaganda i referohet teknikave të bindjes që përdoren për të përhapur një ideologji ose një doktrinë dhe për të stimuluar disa sjellje brenda një audience të synuar. Gjatë shekullit XX, disa regjime e kanë institucionalizuar propagandën për t’i manipuluar masat.

 

Aktualisht, propaganda përdoret nga Qeveritë veçanërisht për të shtypur lirinë e shtypit. Kështu, në një raport të vitit 2017 (linku), UNESCO-ja ka shprehur shqetësimin e saj për sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj mediave në formën e propagandës dhe lajmeve të rreme. Thuhet se, disa shtete i përdorin këto teknika dezinformuese për t’i “denigruar, frikësuar dhe kërcënuar mediat, veçanërisht duke pretenduar se këto të fundit përfaqësojnë opozitën ose përhapin gënjeshtra“.

 

Kjo propagandë shtetërore kundër mediave është vërejtur veçanërisht në rajonin e Ballkanit. Kështu, Le Courrier des Balkans konstaton se, në disa vende, “manipulimi i fakteve përdoret si armë kundër gazetarëve të pavarur, shoqërisë civile dhe kundërshtarëve politikë për t’i diskredituar ata”.

 

 

ILUSTRIM: LAJME TË RREME KUNDËR GAZETARËVE NË MOLDAVI

 

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019 në Moldavi, disa zyrtarë të lartë kontribuan në fushata propagandistike dhe dezinformuese që shenjestronin mediat e pavarura. Sipas Le Courrier des Balkans, këto lajme të rreme shtetërore prekën 54,000 përdorues të internetit, përmes llogarive false në Facebook dhe Instagram.

 

Këto lajme të rreme kishin për shënjestër, në mes tjerash Cornelia Cozonac, Drejtoreshën e Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Moldavisë (ICMG), që merret me çështjet e korrupsionit. “Trolls”-at e kishin klonuar llogarinë e saj dhe kishin postuar disa mesazhe në emër të saj, për të diskredituar punën gazetareske që ajo bënte. Po kështu, sulmet kibernetike janë kryer kundër platformes web të CIJM, e cila publikon sondazhe mbi kandidatët e ndryshëm për zgjedhjet në Moldavi.

 

Madje, fushata propaganduese bëri që kompania Facebook të reagojë, duke lëshuar një deklaratë për shtyp ku shpjegonte se “njerëzit që qëndronin mbrapa llogarive të rreme ishin përpjekur të fshinin identitetin e tyre, por procedurat tona të verifikimit kishin zbuluar se një pjesë e këtij aktiviteti dezinformues ishte i lidhur me punonjësit e qeverisë së Moldavisë“.

FAKE NEWS & PANDEMI

PËRKUFIZIM

 

Përhapja e lajmeve të rreme që kanë të bëjnë me pandeminë Covid-19 ka qenë kaq masive sa që një term i ri është shfaqur për këtë fenomen të dezinformimit: “infodemia“.

 

Kështu, infodemia i referohet valës së lajmeve mashtruese në lidhje me koronavirusin e cila është përhapur kohët e fundit nëpër rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit. Në kontekstin e krizës shëndetësore, Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se “lajmet e rreme që lidhen me Covid-19 përhapen më shpejt dhe më lehtë se ky virus dhe janë po aq të rrezikshme ”.

 

Pandemia është shoqëruar me lajme të rreme dhe dashakeqe që rrjedhin nga teoritë konspirative. Këto Fake news-e kanë qenë veçanërisht virale në nivel botëror: “Virusi që shkakton COVID-19 është një armë biologjike e krijuar nga njeriu”; “Qeveria italiane nuk u krijon mundësi emigrantëve të testohen për COVID-19”; “Pandemia e COVID-19 ishte parashikuar në një simulim”.

 

Në këtë kontekst, mediat, qeveritë dhe bashkësia ndërkombëtare kanë krijuar mekanizma për fact-checking, për të luftuar dezinformimin rreth virusit dhe për t’i rikthyer të vërtetat shkencore mbi sëmundjen. Në mesin e këtyre operatorëve që kontrollojnë faktet, për shembull, mund të citojmë: Mekanizmi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë; Platforma NewsGuard; Uebsajti UE VS Desinfo.

 

ILUSTRIM: BALLKANI NË KOHËN E KORONAVIRUSIT

 

Ballkani Perëndimor është prekur rëndë nga lajmet e rreme në lidhje me Covid-19. Një platformë e Fact-Checking-ut, e dedikuar për verifikimin e fakteve është përqendruar në veçanti në dekonstruktimin e lajmeve të rreme në lidhje me pandeminë që qarkullojnë në rajon: RASKRIKAVANJE.RS.

 

Ka shumë shembuj që ilustrojnë përhapjen e infodemisë në Ballkan. Në Bosnjë, veçanërisht, në internet është shfaqur gjuha e urrejtjes . Kështu, një grua 51-vjeçare boshnjake që ishte kthyer nga një udhëtim në Itali dhe ishte testuar pozitive në koronavirus, ishte bërë viktimë e një linçimi në rrjetet sociale pas publikimit të informacionit të gabuar nga disa media, ku thuhej se ajo kishte marrë pjesë në një koncert dhe kishte përdorur transportin publik (çka nuk ishte e vërtetë).

 

Sipas Marija Vuçiqit nga faqja hulumtuese Raskrikavanje, “Këto publikime të papërgjegjshme janë shumë të rrezikshme në kontekstin aktual, veçanërisht për njerëzit që jetojnë në qytete të vogla. Ata as nuk guxojnë të dalin në rrugë sepse vendasit i konsiderojnë përgjegjës për përhapjen e sëmundjes. Kjo me të vërtetë mund të rrezikojë sigurinë e disave ”.

 

Siç shpjegon Le Courrier des Balkans, “tabloidët e këtij rajoni i kanë përcjellë mediat sociale duke përhapur informacione të paverifikuara në lidhje me pandeminë”.

 

Për shembull, tabloidi serb Alo! (https://www.alo.rs/) njoftoi gabimisht se numri i të infektuarve po zvogëlohet në botë. Kjo nuk është e vërtetë: kjo prirje është vërejtur vetëm në një numër të vogël vendesh. Përmbajtje të rreme të tilla e kanë shtyrë Sandra Bašić Hrvatin, profesoreshë në Fakultetin e shkencave humane të Sllovenisë, të thotë se “orteku i lajmeve të rreme në rrjetet sociale ka krijuar një klimë mosbesimi ndaj shkencës, ekspertëve dhe institucioneve. Mediat nuk duhet t’i nënshtrohen sensacionalizmit, përkundrazi, roli i tyre duhet të jetë shpjegimi i natyrës së virusit dhe parashtrimi i masave parandaluese përmes informacioneve zyrtare dhe profesionale “.

 

MEKANIZMAT PSIKOLOGJIKË DHE SHOQËRORË TË INFODEMISË

 

Gjatë zhvillimit të pandemisë Covid-19, në botë është shfaqur rritja e teorive konspirative, lajmeve të rreme dhe dyshimeve rreth versionit zyrtar të origjinës dhe përhapjes së sëmundjes, si dhe të rrezikshmërisë së saj. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, në vendet e prekura më shumë, por edhe në vendet e prekura më pak, ka rënë në kurthin e teorive të ndryshme konspirative dhe të mashtrimeve. Kjo nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh që sëmundja nuk asociohet vetëm me ekspertizën mjekësore, por nxit edhe dinamikën sociale e psikologjike që ka të bëjë me konspiracionet.

 

Këto teori zhvillohen kur njerëzit përpiqen t’i japin kuptim një ngjarjeje e cila, përndryshe duket e pakuptimtë. Këto çështje shpjegohen me anë të teorive konspiracioniste.

 

Kjo prirje është veçanërisht e theksuar kur ka disonancë kognitive të madhe midis shkakut dhe efektit. Për shembull, pandemia është shkaktuar nga infeksioni i rastësishëm i disa njerëzve nga kafshët dhe ka shkaktuar miliona raste e gati gjysmë milioni vdekjeje në nivel global në mesin e qershorit 2020.

 

Teoritë konspirative potencojnë gjithmonë një konspiracion qëllimkeq që, shpesh, kryhet nga një grup i vogël njerëzish kundër botës ose kundër një kombi, gjë që i shfajëson individët duke ua hequr atyre përgjegjësinë.

 

Konspiracionet përhapen veçanërisht kur ngjarjet i prekin njerëzit personalisht, siç është pandemia, dhe kur është e ulët besueshmëria në njohuritë e caktuara dhe ndaj atyre që i përcjellin ato njohuri, siç janë Qeveria, Shkenca dhe Media.