AKTIVITETI PRAKTIK 3 “SHKRUAJ ARTIKULLIN TIM”
SHPJEGIMI I AKTIVITETIT
Shkrimi i një artikulli nuk është detyrë e lehtë. Ju propozojmë disa ide që të jeni në gjendje të shkruani shpejt një artikull mbi një temë që ju intereson dhe që mund t’i interesojë edhe një publiku më të gjerë.
KËSHILLA PRAKTIKE
Çfarë është një artikull? Një artikull është një tekst që ofron informacione dhe tregon një fakt me interes të përgjithshëm, ndërsa përpiqet të paraqesë sa më shumë elemente që të jetë e mundur për të kuptuar më mirë temën e trajtuar.
Ju mund të shkruani një artikull për të dinamizuar blogun tuaj ose rrjetet tuaja sociale, ose për të shpërndarë analizën tuaj të një ngjarjeje duke shkruar për gazetën tuaj lokale! Për shembull, ju mund të shkruani për disa probleme të lagjes tuaj ose, në të kundërt, për të nxjerrë në pah histori pozitive. Zgjidhni nga cili kënd do ta trajtoni temën tuaj!
Në përgjithësi, një artikull duhet t’u përgjigjet pyetjeve thelbësore vijuese:
Kush ? Cilët janë aktorët e përfshirë në ngjarje?
Çfarë? Çfarë ndodhi ?
Ku? Ku ndodhi ngjarja?
Kur? Kur ndodhi ngjarja?
Pse? Cilat janë shkaqet që shkaktuan ngjarjen?
Madhësia e një artikulli mund të ndryshojë, por ajo që është më e rëndësishmja është që lexuesi të kuptojë temën që trajtohet. Këtu, ne ju ofrojmë disa ide për të shkruar një tekst gazetaresk.
Ekzistojnë lloje të ndryshme artikujsh, varësisht nga qëllimi i autorit:
- Artikulli që pasqyron informacionin e fundit (përmbledhja, artikulli i shkurtër, artikulli përmbledhës, montimi i lajmeve të agjencive dhe raporti)
- Artikulli që bën një analizë të thelluar të një teme (hulumtimi, reportazhi dhe intervista)
- Artikulli i opinionit që shpreh mendimin e një personi për një temë (vështrimi, kolona, kritika, portreti, etj.)
Në çdo rast, para se të shkruani një artikull duhet të gjeni burime (nga institucione, gazetarë të tjerë, dëshmitarë të drejtpërdrejtë, etj.).
TANI ËSHTË RADHA JUAJ !
Pasi të keni mbledhur informacionet (dhe t’i keni verifikuar burimet!), përgatitni një skicë me strukturën e artikullit tuaj. Shkruani artikullin sipas hapave të mëposhtëm:
I/ Titulli
Titulli është shumë i rëndësishëm sepse duhet të jetë i shkurtër, i mprehtë dhe duhet t’i japë lexuesit një pasqyrë të temës që trajtohet, si dhe pikëpamjen e gazetarit.
Një “hyrje”, d.m.th. një tekst i shkurtër që prezanton artikullin, i cili mund të shtohet pas titullit.
II/ Këndi
Fillimi i tekstit është shumë i rëndësishëm sepse e tërheq vëmendjen e lexuesit për pjesën tjetër të artikullit. Prandaj këndi i zgjedhur i jep arsyet për trajtimin e temës në fjalë.
III/ Brendia
Brendia e tekstit është zemra e artikullit. Gjithmonë dalloni faktin nga opinionet! Interpretimi objektiv nuk egziston. Megjithatë, nëse i marrim parasysh të gjitha aspektet e temës që trajtohet, mund të sigurojmë një prezantim të plotë të temës dhe ta lëmë lexuesin të formojë mendimin e tij.
IV/ Përfundimi
Kemi përfundimin e artikullit. Kjo sintezë mund të paraqesë edhe mendimet personale të autorit, edhe propozime për të ardhmen (gjithmonë për temën në fjalë).
Nëse është e nevojshme, përdorni mjetet e dhëna më poshtë për t’ju ndihmuar të planifikoni dhe të krijoni draftin e parë të artikullit tuaj:
MODELI PËR PËRGATITJEN E SHKRIMIT TË NJË ARTIKULLI
KËNDI Fillimi i tekstit është shumë i rëndësishëm sepse duhet ta tërheqë lexuesin që të vazhdojë pjesën tjetër të artikullit. |
|
BRENDIA E TEKSTIT Një artikull duhet, pra, t’u përgjigjet pyetjeve thelbësore të mëposhtme: Kush? Çfarë? Ku? Kur? Pse? Gjithmonë dalloni faktin nga opinionet! |
|
PËRFUNDIMI Përfundimi i shkurtër i artikullit |
Artikullin tuaj mund ta ilustroni me foto, video, etj. Megjithatë, gjithmonë duhet të shkruani një legjendë për ilustrimin (një fjali që përshkruan imazhin ose videon dhe burimin e tyre)
Mos harroni të korrigjoni artikullin tuaj! Mund t’i kërkoni dikujt tjetër që t’ju ndihmojë të përmirësoni artikujt e juaj.