MODULI 3 - FUQIA E MEDIAVE

SEANCA 5 – QYTETARIA ONLINE

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 1 – Zbuloj një media qytetare

Kohëzgjatja : 0.5 orë
Pajisjet :

Kompjuter, lidhje në internet, ekran i bardhë, PowerPoint, videoprojektor, sistem i zërit, gazeta

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Në këtë ushtrim, pjesëmarrësit trajtojnë temën e medias qytetare. Ata duhet t’i kuptojnë në mënyrë personale - por gjithmonë nën mbikëqyrjen e trajnerëve- ndryshimet dhe ngjashmëritë midis mediave tradicionale dhe mediave qytetare. Për këtë qëllim, ata duhet të krahasojnë në grupe disa lloje të mediave.

 

Secili grup duhet të lexojë dhe të analizojë një medium që trajnerët do t'ua sigurojnë (një gazetë ditore ose një link interneti të një edicion lajmesh, një faqe në internet, një blog, etj.). Nëse grupit të parë do t'i caktohet një media tradicionale (p.sh. një gazetë ditore), atëherë grupi i dytë do të analizojë një media qytetare (p.sh. një blog).

 

Pjesëmarrësit kanë të drejtë të bëjnë kërkime të shpejta në internet me kompjuter (por edhe me telefonat celularë të tyre).

 

Qëllimi i ushtrimit është që të dy grupet të bashkëpunojnë duke u përpjekur të përcaktojnë së bashku një përkufizim të mediave qytetare.

 

Pastaj trajnerët do të jenë në gjendje të thellohen më shumë në temën e mediave qytetare dhe të ndikimit të tyre në botën e informimit.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI ?

 

  1. Përgatitja e sallës : Pjesëmarrësit ndahen në grupe nëpër kompjutera.
  2. Pjesëmarrësit do të analizojnë mjetin që përdoret nga mediumi i propozuar (gazetë e shtypur; një edicion i lajmeve, një faqe web lajmesh, një blog, etj.).
  3. Pjesëmarrësit u përgjigjen disa pyetjeve.

    P.sh. : «përshkruani mediumin: a janë të nënshkruar artikujt? Nga kush? Çfarë informacionesh mund të gjeni? Si trajtohen ato? Cilit informacion i jepet përparësi? A ka reklama? Cilat? Në çfarë mënyre adresohet lajmi (analizoni titullin, tekstet, imazhet, etj.)? »

  4. Analiza kolektive e elementeve të identifikuara dhe krijimi i një përkufizimi të përbashkët bazuar në propozimet e pjesëmarrësve. Duke u nisur nga përgjigjet e pyetjeve, trajneri mund të fillojë të flasë për "media qytetare".

 

NB – Përkufizim: Këto janë media, domethënë mjete (radio, TV, internet, etj.) përmes të cilave lajmi përcillet te një audiencë e gjerë. Në të njëjtën kohë, përdoret mbiemri "qytetare", ngaqë autorët e këtyre artikujve dhe këtyre sondazheve nuk janë gazetarë profesionistë, por qytetarë të zakonshëm, qëllimi i të cilëve është të animojnë debate për çështje specifike ose probleme që kanë të bëjnë me shoqërinë në tërësi.

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Trajneri ua dërgon të rinjve linkun ZOOM (ose në një platformë tjetër).

  2. Pasi të jenë mbledhur, të rinjtë ndahen në “grupe virtuale” dhe u caktohen mediat që duhen deshifruar (duke u dërguar një link të internetit).

  3. Të rinjtë mund të diskutojnë në lidhje me to falë sistemit të "sallave të ndara" që mundëson, për shembull, platforma e videokonferencës ZOOM.

  4. Trajneri dërgon linkun e pyetësorit (të cilin mund ta krijojë online, për shembull në faqen web https://www.dragnsurvey.com/en). Të rinjtë i përgjigjen pyetësorit, në mënyrë grupore.

  5. Analiza do të organizohet përmes platformës së videokonferencës. Trajneri mund të përdorë një faqe web “post it online” për të rikrijuar efektin tabelë (p.sh. https://note.ly/) dhe pastaj të moderojë debatin.