MODULI 1 - UNIVERSI MEDIATIK

SEANCA 1 - FUNKSIONET DHE MJETET E INFORMACIONIT

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 1 – RE FJALËSH : Zbulo peizazhin mediatik

Kohëzgjatja : 0.5 orë
Pajisjet :

Një tabelë, stilografa dhe/ose markera

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

‘Re fjalësh’ është një ushtrim bashkëpunues në të cilin të rinjtë ftohen të tregojnë njohuritë e tyre për botën e medias dhe t'i bashkojnë ato, duke u nisur nga fjala "media" e shkruar në tabelë.

 


Ky ushtrim u mundëson pjesëmarrësëve që të prezantojnë aktorët kryesorë të mediave ballkanike në mënyrë të qartë dhe të organizuar duke i theksuar dallimet e tyre.

 

Ky ushtrim u jep gjithashtu mundësi trajnerëve të vështrojnë praktikën mediatike të target grupit (çfarë mediash përdorin ata? ku informohen?) dhe kështu të orientojnë punën e workshop-it në bazë të praktikave dhe të opinionëve të tyre. Kërkohet që përgjigjet të saktësohen ose të argumentohen, si dhe inkurajohen pjesëmarrësit të japin mendimin e tyre me qëllim që të thellohen disa tema.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

  1. Shkruhet fjala «media» në një mjet vizual dhe shënohen emrat e mediave ose të mjeteve të informimit (televizion, radio, shtyp i shkruar, rrjete sociale) që u bien ndërmend pjesëmarrësve.

  1. Ndahen mediat e propozuara nga pjesëmarrësit sipas llojit të mjetit të informimit.

  1. Ndahen mediat private nga mediat publike.

  2. Ndahen mediat tradicionale dhe mediat sociale: shumica e pjesëmarrësve i përdorin shpesh rrjetet sociale (Instagram/SnapChat/ Facebook), qoftë për të konsultuar lajme, ose thjesht për të kaluar kohë në këto rrjete. Kështu që, në këtë ushtrim do të shtrohet çështja e rëndësisë së rrjeteve sociale në peizazhin mediatik, qoftë nga pjesëmarrësit, qoftë nga trajneri. Do të jetë një rast i mirë për t’i integruar temat e masivizimit të informacionit në internet dhe të manipulimit potencial të lajmit që mund të bëhet në rrjetet sociale. Për më shumë, duhet të përkujtohet se, një rrjet social nuk ka asnjë redaksi, asnjë gazetar, jemi të gjithë prodhues dhe shpërndarës të lajmit edhe pse nuk jemi profesionistë. Atëhere duhen inkurajuar pjesëmarrësit që të jenë të kujdesshëm, sepse gjithkush mund të shprehet në këto rrjete.

Konteksti Ballkanik

Për këtë aktivitet, referojuni dokumentit me temë «Mediat e pavarura» në seksionin «të informohesh”të faqes sonë pedagogjike (LINK). Trajneri ka, kështu, në dispozicion mediat kryesore referuese të cilat e strukturojnë peizazhin mediatik të Ballkanit.