MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT

SEANCA 4 – TË DESHIFROHEN MEDIAT E NDRYSHME

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 1 – HISTORIA BASHKËPUNUESE

Kohëzgjatja : 0.5 orë
Pajisjet :

Tabelë, fleta, lapsa, top

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Ky ushtrim ka për qëllim dekonstruktimin e perceptimeve që kemi për "të tjerët" dhe të stereotipeve. Pjesëmarrësit në trajnim do të shqyrtojnë mënyrën sesi i përfytyrojnë njerëzit e kulturave dhe të grupeve të tjera shoqërore.

 

Për këtë qëllim, pjesëmarrësit do të punojnë në grupe dhe do të bashkëpunojnë në krijimin e një historie të dy personazheve fiktive, bartës të një identiteti (p.sh. Valmir, një i ri kosovar dhe Dragan, një i ri serb).

 

Vërejtje: Meqenëse ky ushtrim trajton stereotipet dhe perceptimet, mund të jetë e dobishme që, në fillim të aktivitetit të rikujtohet se pjesëmarrësit duhet të tregojnë respekt ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj personazheve fiktivë të tregimit të sajuar. Kështu që, nëse një element i historisë duket shumë polemizues ose mosrespektues, atëherë duhet ndërhyrë për ta modifikuar këtë element.

 

Aktiviteti mund të kufizohet edhe në një personazh të vetëm.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

1. Përgatitja e sallës: Pjesëmarrësit vendosen në një rreth të madh në sallë.

 

2. Caktimi i roleve: Një ose më shumë pjesëmarrës do të luajnë rolin e vëzhguesve. Do të qëndrojnë jashtë rrethit dhe do të shkruajnë historinë që do të trillohet.

 

3. Pjesa tjetër e grupit do të bashkëpunojë për të trilluar një tregim. Për ta bërë këtë, ata do të përdorin një top që do të kalojë nga dora në dorë. Pjesëmarrësit që do t’i jepet topi do të shtojë një element në tregim.

 

4. Mund ta filloni tregimin me një fjali të këtij lloji, "Kjo është historia e Valmirit, një i ri kosovar ..." dhe pastaj ta gjuani topin tek një anëtar tjetër i grupit. Ky i fundit do ta vazhdojë historinë duke shtuar elemente të sajuara për personazhin në fjalë. Këto elemente shtesë mund të jenë disa fjalë ose më së shumti një apo dy fjali për çdo person. Pastaj topi duhet të kalojë tek një person tjetër.

 

5. Grupi duhet ta vazhdojë këtë ushtrim në mënyrë që nga ky bashkëpunim të dalë një histori.

 

6. Pas 10 ose 12 gjuajtjeve, në varësi të numrit të elementeve të shtuara nga pjesëmarrësit, kërkoni që topi t'ju kthehet, pastaj thoni: "Valmiri e njeh Draganin, një i ri serb, që ka edhe ai një histori… ". Topi do të kalojë te një anëtar i rrethit. Ai do të vazhdojë me historinë e Draganit, sikurse në pjesën e parë të ushtrimit, duke shtuar një ose dy fjali për person, dhe pastaj do ta kalojë topin.

 

7. Aktiviteti mund të përfundojë kur të dy historitë të jenë mjaft të gjata dhe kur të gjithë të kenë kontribuar në krijimin e të dy tregimeve.

 

8. Analiza kolektive dhe debati: Në fund të ushtrimit, trajneri i kërkon grupit të shpjegojë se çfarë tregojnë historitë e Valmirit dhe Draganit për jetën e tyre përkatëse. Trajneri i shtyn të rinjtë të reflektojnë mbi stereotipet dhe paragjykimet që dalin nga historitë e trilluara prej pjesëmarrësve. Pikat kryesore do të shënohen në tabelë. Pastaj trajneri mund të stimulojë debatin rreth mënyrës sesi e identifikojmë tjetrin dhe rreth stereotipeve.

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Trajneri krijon një link ZOOM dhe ua dërgon të rinjve;

  2. Në një platformë shkrimi si Google Drive, Framapad, etj., të rinjtë mund ta shkruajnë tregimin e tyre bashkëpunues. Ata mund të punojnë kështu në një folder të përbashkët. I pari do të fillojë historinë me një frazë si: "Kjo është historia e Valmirit, një i ri kosovar ...". Grupi do ta vazhdojë këtë ushtrim në mënyrë që nga ky bashkëpunim të dalë një histori.

  3. Pas 10 ose 12 raundeve, në varësi të numrit të elementeve të shtuara nga pjesëmarrësit, trajneri ndërhyn dhe shton një fjali: "Valmiri e njeh Draganin, një i ri serb, që ka edhe ai një histori… ". Pjesëmarrësit do të vazhdojnë me historinë e Draganit, sikurse në pjesën e parë të ushtrimit, duke shtuar një ose dy fjali për person.

  4. Aktiviteti mund të përfundojë kur të dy historitë të jenë mjaft të gjata dhe kur të gjithë të kenë kontribuar në krijimin e të dy tregimeve.

  5. Analiza kolektive dhe debati: Në fund të ushtrimit trajneri i kërkon grupit të shpjegojë se çfarë tregojnë historitë e Valmirit dhe Draganit për jetën e tyre përkatëse. Trajneri i shtyn të rinjtë të reflektojnë mbi stereotipet dhe paragjykimet që dalin nga historitë e trilluara nga pjesëmarrësit. Pikat kryesore do të shënohen në tabelë. Pastaj trajneri mund të stimulojë debatin rreth mënyrës sesi e identifikojmë tjetrin dhe rreth stereotipeve. Mbikëqyrësi mund të përdorë një faqe web "post it online" për të rikrijuar një efekt tabele (p.sh. https://note.ly/), dhe për t’i shënuar vërejtjet e pjesëmarrësve.