TALMIL

FAKE NEWS & SHKENCË

PËRKUFIZIM

 

Sot shkenca dhe metoda e saj e demonstrimit logjik kontestohen në kontekstin e përhapjes së lajmeve të rreme në internet. Këto lajme të rreme sulmojnë dhe krijojnë hutim rreth konsensuseve shkencore të rëndësishme, si në fushën e mjedisit, ashtu edhe në atë të shëndetit dhe të ushqimit.

 

Interneti është bërë sot eldorado e prodhuesve të fake news-eve, të cilët përfitojnë nga karakteri i çastit i internetit për të propozuar përmbajtje të cilat nuk kanë kurrfarë baze shkencore. Këta prodhues të lajmeve të rreme janë grupe industriale me ndikim, apo edhe teoricienë të komplotit, sikurse edhe mashtrues që premtojnë shitjen e «zgjidhjeve terapeutike që bëjnë mrekullira».

 

Të gjithë këta janë manipulues të informatave të cilët instrumentalizojnë frikën dhe mungesën e kulturës shkencore të popullatës. Kjo demagogji është edhe më e rrezikshme, sepse lajmet e rreme shpërndahen shpesh- qëllimisht apo jo- nga politikanët dhe mediat. Po hymë kështu në një epokë të post-së vërtetës, ku po bëhet e vështirë të dallohet e vërteta nga e pavërteta, opinioni nga faktet, e dhëna shkencore nga manipulimi i saj.

 

 

ILUSTRIM: A KA RRËZUAR 5G DRURË NË SERBI ?

 

Nëse i besojmë kësaj fotoje të bërë në qytetin e Aleksinacit në Serbi dhe të postuar te grupi në Facebook Udruženi građani Srbije: «janë rrëzuar drurë për shkak të 5G». Kjo fotografi është shpërndarë edhe në grupe të tjera në Serbi si grupi Facebook «STOP 5G mreži u Srbiji”.

 

Ky «lajm», megjithatë, është i rremë. Sipas faqes së internetit Raskrikavanje.rs që e ka zbuluar lajmin e rremë, këta drurë nuk janë rrëzuar për shkak të 5G. Në fakt, kjo fotografi është shkrepur gjatë rinovimit të një rruge në kuadër të punimeve që i ka ndërmarrë komuna e qytetit të Aleksinacit në Serbi. Deri më sot, asnjë studim nuk vërteton se 5G është e dëmshme për shëndetin tonë dhe për shëndetin e planetit.

 

5G është gjithashtu burim i një teorie komploti që sheh një lidhje në mes kësaj teknologjie dhe pandemisë Covid-19. Ky konspiracion, masiv në shkallë botërore, pretendon se ekziston një lidhje në mes të teknologjisë 5G dhe paraqitjes së virusit. Përderderisa disa postime në Facebook e bëjnë lidhjen vetëm në mes 5G dhe sëmundjes, disa pohojnë se teknologjia shërben për të «aktivizuar një virus të prodhuar në një laborator në Wuhan», ose shohin në këtë pandemi një ‘pretekst për të zhvilluar një vaksinë vdekjeprurëse që do të aktivizohet nga rrezet 5G’. Të gjitha këto narrativa evoluojnë. Nisen nga një imagjinare e përbashkët, por kanë evoluar përgjatë shpërndarjes së tyre në mbarë botën.

 

Hulumtues të Universitetit të Teknologjisë të Queenslandit në Australi kanë ndjekur rrugën e përhapjes të kësaj teorie prej muajit janar, deri me 12 prill 2020. Pas analizës së bërë, hulumtuesit kanë arritur të tregojnë evoluimin e këtij thashethemi prej origjinës së saj nëpër grupe konspiracioniste që kanë ekzistuar më herët, me impakt të kufizuar, deri te rritja e tij nga VIP-at, yje të sportit dhe të mediave, duke kaluar përmes një shpërndarjeje më të madhe në komunitetet më të ndryshme.

 

Organizata Botërore e shëndetësisë, përmes sistemit të fact checking-ut, të krijuar për të luftuar kundër lajmeve të rreme që kanë të bëjnë me Covid-19, i bën thirrje opinionin publik për kujdes nga ky thashethem. Ajo e demonton dhe e dekonstrukton konspiracionin duke shpjeguar se: «viruset nuk qarkullojnë në valët e radios ose përmes rrjeteve mobile. COVID-19 përhapet në shumë vende të cilat nuk kanë rrjet mobil 5G. COVID-19 përhapet përmes spërklave të frymëmarrjes, siç janë ato të gjeneruara kur një person i infektuar kollitet, teshtin ose flet. Mund të infektohemi edhe duke prekur një sipërfaqe të kontaminuar e pastaj duke prekur hundën, sytë apo buzët. » (burimi : Coronavirus disease advice for the public: Mythbusters).