TALMIL

FAKE NEWS & PROPAGANDË

PËRKUFIZIM

 

Propaganda i referohet teknikave të bindjes që përdoren për të përhapur një ideologji ose një doktrinë dhe për të stimuluar disa sjellje brenda një audience të synuar. Gjatë shekullit XX, disa regjime e kanë institucionalizuar propagandën për t’i manipuluar masat.

 

Aktualisht, propaganda përdoret nga Qeveritë veçanërisht për të shtypur lirinë e shtypit. Kështu, në një raport të vitit 2017 (linku), UNESCO-ja ka shprehur shqetësimin e saj për sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj mediave në formën e propagandës dhe lajmeve të rreme. Thuhet se, disa shtete i përdorin këto teknika dezinformuese për t’i “denigruar, frikësuar dhe kërcënuar mediat, veçanërisht duke pretenduar se këto të fundit përfaqësojnë opozitën ose përhapin gënjeshtra“.

 

Kjo propagandë shtetërore kundër mediave është vërejtur veçanërisht në rajonin e Ballkanit. Kështu, Le Courrier des Balkans konstaton se, në disa vende, “manipulimi i fakteve përdoret si armë kundër gazetarëve të pavarur, shoqërisë civile dhe kundërshtarëve politikë për t’i diskredituar ata”.

 

 

ILUSTRIM: LAJME TË RREME KUNDËR GAZETARËVE NË MOLDAVI

 

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019 në Moldavi, disa zyrtarë të lartë kontribuan në fushata propagandistike dhe dezinformuese që shenjestronin mediat e pavarura. Sipas Le Courrier des Balkans, këto lajme të rreme shtetërore prekën 54,000 përdorues të internetit, përmes llogarive false në Facebook dhe Instagram.

 

Këto lajme të rreme kishin për shënjestër, në mes tjerash Cornelia Cozonac, Drejtoreshën e Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Moldavisë (ICMG), që merret me çështjet e korrupsionit. “Trolls”-at e kishin klonuar llogarinë e saj dhe kishin postuar disa mesazhe në emër të saj, për të diskredituar punën gazetareske që ajo bënte. Po kështu, sulmet kibernetike janë kryer kundër platformes web të CIJM, e cila publikon sondazhe mbi kandidatët e ndryshëm për zgjedhjet në Moldavi.

 

Madje, fushata propaganduese bëri që kompania Facebook të reagojë, duke lëshuar një deklaratë për shtyp ku shpjegonte se “njerëzit që qëndronin mbrapa llogarive të rreme ishin përpjekur të fshinin identitetin e tyre, por procedurat tona të verifikimit kishin zbuluar se një pjesë e këtij aktiviteti dezinformues ishte i lidhur me punonjësit e qeverisë së Moldavisë“.