TALMIL

FAKE NEWS & POLITIKË

PËRKUFIZIM

 

Lajmet e rreme me karakter politik janë “pretendime mashtruese që mund të komprometojnë sinqeritetin e zgjedhjeve, të cilat shpërndahen masivisht, qëllimisht, në mënyrë artificiale ose automatike përmes komunikimit online“. Flitet për një “fushatë dezinformimi” kur, nga shkalla e saj, shpërndarja masive e lajmeve të rreme (fake news) përkthen dëshirën për të cenuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve në mënyrë që ta destabilizojë regjimin në vend, duke përdorur frikën, nacionalizmin dhe autoritarizmin.

 

Shfaqja e këtyre metodave të ndërhyrjes është e lidhur ngushtë me rritjen e platformave digjitale, të cilat mundësojnë shpërndarjen e lajmeve të rreme për një kandidat të caktuar, me një viralitet të gjerë dhe me një ndikim të madh në opinionin publik.

 

Edhe pse mund të duken virtuale, lajmet e rreme (fake news) me karakter politik kanë impakte shumë reale. Në veçanti, vitet e fundit, ato kanë destabilizuar proceset zgjedhore në disa vende.

 

Për këtë arsye platformat digjitale, qeveritë dhe bashkësia ndërkombëtare po marrin masa gjithnjë e më serioze në përpjekje për t’i parandaluar këto fushata dezinformuese, veçanërisht përmes kontrollimit të rrjeteve sociale dhe përforcimit të mekanizmit legjislativ.

 

 

ILUSTRIM: FABRIKAT E LAJMEVE TË RREME NË MAQEDONI

 

Gjatë fushatës presidenciale të SHBA-së në vitin 2016, qyteti i Velesit, në Maqedoni, u bë “kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme”. Kështu, nën ndikimin e qeverive, rreth njëqind të rinj maqedonas u angazhuan në “fabrikat e lajmeve të rreme”, që kishin për detyrë shpërndarjen e vazhdueshme të lajmeve të rreme përmes internetit në opinionin publik amerikan për t’ia mundësuar fitoren kandidatit Donald Trump.

 

Këta të rinj fituan afro 10,000 euro në muaj për të krijuar llogari falso dhe për të fabrikuar artikuj. Një nga lajmet e rreme nga më të përhapura ishte diskreditimi i kandidates demokrate Hillary Clinton duke përhapur thashetheme për ta njollosur imazhin e saj. Kështu, pretendimi i rremë se “Barack Obama ka financuar fushatën e Hillary Clinton me fonde të vjedhura nga veteranët“, i ‘pilotuar’ nga Velesi, është bërë veçanërisht viral në Shtetet e Bashkuara.

 

Faqja web”The fake news machine: inside a town gearing up for 2020” dokumenton dhe analizon qindra faqe interneti të krijuara në Veles, që kishin për qëllim kryesor të kontribuonin në fitoren e kandidatit republikan përmes manipulimit të informacionit.

 

Sipas Xhelal Nezirit, nga “Qendra për Gazetari Hulumtuese në Maqedoni” (Scoop), aktivitetet e fabrikave të lajmeve të rreme në Veles u menaxhuan nga distanca prej partisë nacionaliste që ishte më parë në pushtet në këtë vend. “Hulumtimi ynë tregon se ky operacion ishte koordinuar nga qeveria e mëparshme. Është përdorur një platformë rinore e cila tashmë kishte botuar artikuj të rremë në fushën e shëndetësisë për të përhapur opinione politike gjatë zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, mandej gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane”, sqaron ai (burimi:” Velesi, kryeqyteti botëror i lajmeve të rreme, RFI ”- linku).

 

ILUSTRIM: LAJMET E RREME DESTABILIZOJNË ZGJEDHJET NË UKRAINË

 

Fushata presidenciale e Ukrainës në mars 2019, e cila përcaktoi fitoren e aktorit Volodymyr Zelensky – i konsideruar si pro-perëndimor – është karakterizuar nga një fushatë dezinformuese që synonte diskreditimin e këtij kandidati.

 

Kështu, sipas mediave ndërkombëtare DW (linku), “lajmet e rreme në gjuhën ruse gllabëruan peizazhin mediatik të vendit” gjatë periudhës së zgjedhjeve. DW vlerëson se artikujt e rremë më të njohur ishin postuar në llogari facebook me deri 2 milion përdorues.

 

Më 5 janar, menjëherë pasi aktori Volodymyr Zelensky kishte shpallur kandidaturën e tij për president, një faqe Facebook e menaxhuar nga bbccn.co publikoi një fake news për ta dëmtuar reputacionin e kandidatit. Artikulli në fjalë pretendonte se prokurori i Ukrainës, Yuriy Lutsenko, kishte ngritur çeshtje penale kundër Zelensky ngaqë ai kishte planifikuar rrëzimin e rendit kushtetues. Ky artikull ka shkaktuar mbi 20,000 reagime online. Sidoqoftë, është e qartë se ky thashetheme është një manipulim i lajmit: asnjë veprim ligjor nuk ishte ndërmarrë kundër aktorit.

 

Ngjashëm, një faqe web false që paraqitej në mënyrë mashtruese si faqja e kandidatit Zelensky ishte identifikuar nga ‘fact-checkers’-at. Në këtë faqe, ndër të tjera, ishte botuar një deklaratë e sajuar, sipas së cilës Zelensky dëshironte që rusishtja të bëhej gjuha zyrtare e Ukrainës. Ky propozim nuk përfshihej aspak në qëllimet e kandidatit.

 

Artikulli i DW “Is Ukraine’s presidential election threatened by fake news” i përshkruan më në detaje këto fushata dezinformuese që u përpoqën ta pengojnë fitoren e kandidatit të dalë nga shoqëria civile.