TALMIL

FAKE NEWS & PANDEMI

PËRKUFIZIM

 

Përhapja e lajmeve të rreme që kanë të bëjnë me pandeminë Covid-19 ka qenë kaq masive sa që një term i ri është shfaqur për këtë fenomen të dezinformimit: “infodemia“.

 

Kështu, infodemia i referohet valës së lajmeve mashtruese në lidhje me koronavirusin e cila është përhapur kohët e fundit nëpër rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit. Në kontekstin e krizës shëndetësore, Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se “lajmet e rreme që lidhen me Covid-19 përhapen më shpejt dhe më lehtë se ky virus dhe janë po aq të rrezikshme ”.

 

Pandemia është shoqëruar me lajme të rreme dhe dashakeqe që rrjedhin nga teoritë konspirative. Këto Fake news-e kanë qenë veçanërisht virale në nivel botëror: “Virusi që shkakton COVID-19 është një armë biologjike e krijuar nga njeriu”; “Qeveria italiane nuk u krijon mundësi emigrantëve të testohen për COVID-19”; “Pandemia e COVID-19 ishte parashikuar në një simulim”.

 

Në këtë kontekst, mediat, qeveritë dhe bashkësia ndërkombëtare kanë krijuar mekanizma për fact-checking, për të luftuar dezinformimin rreth virusit dhe për t’i rikthyer të vërtetat shkencore mbi sëmundjen. Në mesin e këtyre operatorëve që kontrollojnë faktet, për shembull, mund të citojmë: Mekanizmi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë; Platforma NewsGuard; Uebsajti UE VS Desinfo.

 

ILUSTRIM: BALLKANI NË KOHËN E KORONAVIRUSIT

 

Ballkani Perëndimor është prekur rëndë nga lajmet e rreme në lidhje me Covid-19. Një platformë e Fact-Checking-ut, e dedikuar për verifikimin e fakteve është përqendruar në veçanti në dekonstruktimin e lajmeve të rreme në lidhje me pandeminë që qarkullojnë në rajon: RASKRIKAVANJE.RS.

 

Ka shumë shembuj që ilustrojnë përhapjen e infodemisë në Ballkan. Në Bosnjë, veçanërisht, në internet është shfaqur gjuha e urrejtjes . Kështu, një grua 51-vjeçare boshnjake që ishte kthyer nga një udhëtim në Itali dhe ishte testuar pozitive në koronavirus, ishte bërë viktimë e një linçimi në rrjetet sociale pas publikimit të informacionit të gabuar nga disa media, ku thuhej se ajo kishte marrë pjesë në një koncert dhe kishte përdorur transportin publik (çka nuk ishte e vërtetë).

 

Sipas Marija Vuçiqit nga faqja hulumtuese Raskrikavanje, “Këto publikime të papërgjegjshme janë shumë të rrezikshme në kontekstin aktual, veçanërisht për njerëzit që jetojnë në qytete të vogla. Ata as nuk guxojnë të dalin në rrugë sepse vendasit i konsiderojnë përgjegjës për përhapjen e sëmundjes. Kjo me të vërtetë mund të rrezikojë sigurinë e disave ”.

 

Siç shpjegon Le Courrier des Balkans, “tabloidët e këtij rajoni i kanë përcjellë mediat sociale duke përhapur informacione të paverifikuara në lidhje me pandeminë”.

 

Për shembull, tabloidi serb Alo! (https://www.alo.rs/) njoftoi gabimisht se numri i të infektuarve po zvogëlohet në botë. Kjo nuk është e vërtetë: kjo prirje është vërejtur vetëm në një numër të vogël vendesh. Përmbajtje të rreme të tilla e kanë shtyrë Sandra Bašić Hrvatin, profesoreshë në Fakultetin e shkencave humane të Sllovenisë, të thotë se “orteku i lajmeve të rreme në rrjetet sociale ka krijuar një klimë mosbesimi ndaj shkencës, ekspertëve dhe institucioneve. Mediat nuk duhet t’i nënshtrohen sensacionalizmit, përkundrazi, roli i tyre duhet të jetë shpjegimi i natyrës së virusit dhe parashtrimi i masave parandaluese përmes informacioneve zyrtare dhe profesionale “.

 

MEKANIZMAT PSIKOLOGJIKË DHE SHOQËRORË TË INFODEMISË

 

Gjatë zhvillimit të pandemisë Covid-19, në botë është shfaqur rritja e teorive konspirative, lajmeve të rreme dhe dyshimeve rreth versionit zyrtar të origjinës dhe përhapjes së sëmundjes, si dhe të rrezikshmërisë së saj. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, në vendet e prekura më shumë, por edhe në vendet e prekura më pak, ka rënë në kurthin e teorive të ndryshme konspirative dhe të mashtrimeve. Kjo nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh që sëmundja nuk asociohet vetëm me ekspertizën mjekësore, por nxit edhe dinamikën sociale e psikologjike që ka të bëjë me konspiracionet.

 

Këto teori zhvillohen kur njerëzit përpiqen t’i japin kuptim një ngjarjeje e cila, përndryshe duket e pakuptimtë. Këto çështje shpjegohen me anë të teorive konspiracioniste.

 

Kjo prirje është veçanërisht e theksuar kur ka disonancë kognitive të madhe midis shkakut dhe efektit. Për shembull, pandemia është shkaktuar nga infeksioni i rastësishëm i disa njerëzve nga kafshët dhe ka shkaktuar miliona raste e gati gjysmë milioni vdekjeje në nivel global në mesin e qershorit 2020.

 

Teoritë konspirative potencojnë gjithmonë një konspiracion qëllimkeq që, shpesh, kryhet nga një grup i vogël njerëzish kundër botës ose kundër një kombi, gjë që i shfajëson individët duke ua hequr atyre përgjegjësinë.

 

Konspiracionet përhapen veçanërisht kur ngjarjet i prekin njerëzit personalisht, siç është pandemia, dhe kur është e ulët besueshmëria në njohuritë e caktuara dhe ndaj atyre që i përcjellin ato njohuri, siç janë Qeveria, Shkenca dhe Media.