FAKE NEWS & MJEDISI
PËRKUFIZIM
Tema e mjedisit shenjëstrohet veçanërisht nga lajmet e rreme. Këto fake news shpesh hartohen tërësisht nga lëvizja “klimatiko-skeptike”. Kjo lëvizje mohuese hedh poshtë realitetin e ngrohjes globale, i cili është demonstruar për më shumë se 20 vjet nga komuniteti shkencor ndërkombëtar.
Kështu, për sa i përket ekologjisë, faktet shkencore aktualisht mbeten të mbytura në një rrjedhë të pafundme lajmesh të rreme dhe përafrimesh. Përhapja virale e këtyre lajmeve të rreme në lidhje me mjedisin është e qartë: gjysma e lajmeve të shpërndara në internet në lidhje me këtë temë vlerësohen si të rreme, mashtruese ose nuk bazohen në asnjë provë (burimi: Stéphane Foucart, ”L’avenir du climat: enquête sur les climato-sceptiques”, 2015).
Pas fushatave të dezinformimit mjedisor, zakonisht qëndrojnë lobet industriale ose qeveritë që i mbrojnë ato. Në të vërtetë, kompanitë e mëdha (të naftës, automobilave, industrisë ushqimore, etj.) nuk janë të gatshme për tranzicionin ekologjik, të cilin e shohin si një bllokues të rritjes. Këto fuqi industriale më pas ndikojnë në debatin publik, shpesh duke i veshur rrobat e shkencës diskursit të tyre klimatiko-skeptik. Të organizuar në grupe ndikimi, ato shpërndajnë nëpër media dhe institucione raporte, shënime, grafika të cilat mundohen të vënë në dyshim origjinën njerëzore, si dhe rëndësinë e krizës ekologjike. Këto teori, të shpërndara me qëllim manipulimi, gjejnë jehonë në opinionin publik, i cili, shpesh ka pak kulturë shkencore.
Kjo rrymë klimatiko-skeptike gjen përfaqësues në mesin e liderëve më të fuqishëm në botë. Për shembull, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se “nuk ka dëshmi që aktiviteti njerëzor është shkaku i ndryshimit klimatik“. Homologu i tij amerikan Donald Trump shkon edhe më larg pasi, sipas tij, ngrohja globale është një “farsë“.
Përballë këtij manipulimi të informacionit, konstatimi i aktivistes suedeze Greta Thunberg është i qartë: “konspiracionizmi, mohimi i fakteve, gënjeshtrat, urrejtja ndaj fëmijëve që veprojnë mbi baza shkencore: e gjithë kjo ndodh pasi disa të rritur, të tmerruar nga ndryshimi, nuk duan të flasin absolutisht për krizën ekologjike ”.
ILUSTRIM: LAJM I RREMË RUS NË LIDHJE ME GRETA THUNBERG
Rusia dhe mediat pro-Kremlin po përhapin akuza të rreme që synojnë diskreditimin e një prej figurave kryesore në lëvizjen mjedisore: aktivisten suedeze Greta Thunberg.
Kështu, Argumenty i fakty, një tabloid rus i njohur, ka përhapur një teori konspiracioniste dhe antisemite kundër aktivistes suedeze, duke pretenduar se “veprimtaria e Thunberg është financuar dhe mbështetur nga fondacionet e Shoqërisë së Hapur të George Soros” por edhe se “jahti pa emetim që çoi Thunbergun në Nju Jork ishte ndërtuar me urdhër të një prej përfaqësuesve të klanit Rothschild“. Faqja web e RadioFreeEurope, në artikullin e saj “The Russian Bear Is Spooked By Greta The Eco-Activist” (linku), i shtjellon në mënyrë më të detajuar këto teori konspirative që targetojnë ikonën e re të lëvizjes mjedisore.
MEKANIZMI I LAJMEVE TË RREME KLIMATO-SKEPTIKE
Klimatiko-skeptikët vënë në dyshim ekzistencën, shkaqet dhe pasojat e ngrohjes globale. Ata akuzohen për shpërndarjen e lajmeve të rreme, por vazhdojnë të depërtojnë në debatin publik (media, politikë, arsim …) dhe të ndikojnë në trajtimin e krizës ekologjike. Ata transmetojnë disa lloje lajmesh të rreme mbi temën e mjedisit:
- Lajme të rreme që synojnë diskualifikimin e kredibilitetit të një bashkëbiseduesi ose të një mediaje pro-mjedisore
- Lajme të rreme që kanë për qëllim të dezinformojnë, duke fshehur ose interpretuar kontekstin e një ngjarjeje që ka të bëjë me klimën
- Lajme të rreme që bëjnë interpretimin e një fakti në mënyrë reduktuese. Për shembull, kur flitet për krizën mjedisore, marrin për bazë vetëm një kriter, siç është ngrohja globale, duke mos përmendur biodiversitetin dhe ndërvarësitë (oqeanet, atmosferën, biodiversitetin, klimën, ujin, etj.).