FAKE NEWS & HISTORI
PËRKUFIZIM
Nocioni i historisë zyrtare, që lëkund themelet e historiografisë, lidhet me konceptin e manipulimit të fakteve, dhe rrjedhimisht, me “lajmet e rreme”.
Historia zyrtare, si “kujtesë kolektive” ose “kujtesë kombëtare”, është narrativa historike mbi të cilin një komb ndërton të kaluarën e tij. Kjo histori zyrtare lundron midis fakteve, gënjeshtrave dhe mitit. Sipas Pierre Nora, dy vektorë kontribuojnë në shfaqjen e një historie zyrtare: programet arsimore dhe ritet politike (përkujtimet, monumentet, vendet e kujtesës, …) 2. Historitë zyrtare i bashkojnë kombet, por ato kontribuojnë edhe në forcimin e lëvizjeve armiqësore nacionaliste.
Për shembull, deri në vitet 1980, historia zyrtare e Izraelit pohonte se krijimi i Shtetit Hebre në vitin 1948 ishte rezultat i luftës heroike të Davidit (komuniteti hebre) kundër Goliath-it (komunitetet arabe). Ky version zyrtar u rishikua më vonë nga historianët e rinj, të cilët theksuan se realiteti historik ishte shumë më i nuancuar dhe se lufta e vitit 1948 kishte shkaktuar dëbimin e popullsive arabe nga territori.
Një formë tjetër e interpretimit të historisë ka të bëjë me lajmet e rreme: negacionizmi. Kjo rrymë ideologjike konsideron se historia e Holokaustit ose e gjenocidit armen është vetëm rezultat i një tregimi mashtrues që rrëfen në mënyrë të rreme ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë. Duke kontestuar vetë ekzistencën e dhomave të gazit, negacionistët janë në kundërshtim me shumicën e historianëve. Pra, në këtë aspekt, negacionizmi nuk përdor metodën shkencore dhe mund të asociohet më shumë me një teori konspirative.
Para pak kohe, negacionizmi ka qenë kryetitull i lajmeve, pasi të mbijetuarit e Holokaustit kërkuan nga Mark Zuckerberg, CEO i Facebook-ut që të largojë përmbajtjet revizioniste që po shpërndahen në rrjetet sociale.
ILUSTRIM: RETORIKA HEGJEMONISTE E PERENDIMIT NË LIDHJE ME BALLKANIN
Historianja Maria Todorova ka studiuar zbulimin e Ballkanit nga perëndimorët dhe zhvillimin e “ballkanizmit”, si dhe retorikën hegjemoniste perëndimore të alter egos së saj orientale[1]. Studiuesja tregon se perëndimorët kanë zhvilluar një “mit historik”, që mund të krahasohet me një lajm të rremë ose me gjuhë të urrejtjes, i cili ka zënë vend në media dhe në mendjet e qytetërimit perëndimor. Sipas kësaj retorike, të iniciuar nga udhëtarë evropianë që nga fundi i shekullit të 18-të, Ballkani është krejt “ndryshe”, në kuptimin ekzotik, ose thënë ndryshe “i pacivilizuar” dhe “barbar”. Sipas këtij vizioni, popujt e Ballkanit karakterizohen me këto tipare: “mizori, brutalitet, paqëndrueshmëri, paparashikueshmëri“[2].
Në vazhdën e luftërave ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore, ky stereotip çoi në krijimin e neologjizmit “ballkanizim”. Pastaj, gjatë viteve 1990, u rishfaq fuqimisht gjatë luftërave në Jugosllavi. Gjatë këtyre luftërave, me të vërtetë, në perëndim u përhap një valë e re karikaturash ose lajmesh të rreme për Ballkanin, që pretendonin, për shembull, që serbët “luajnë futboll me koka të prera“, sipas fjalëve të Ministrit gjerman të Mbrojtjes, të cilat ishin përsëritur nëpër media (Le Monde diplomatique, Prill 2019); thuhet gjithashtu se serbët i kishin djegur viktimat e tyre në “furra, të ngjajshme me ato që ishin përdorur në Aushvic” (The Daily Mirror, 7 korrik).
Këto lajme të rreme janë dekonstruktuar një nga një, – por pas përfundimit të konfliktit – veçanërisht pas hulumtimit të gazetarit amerikan Daniel Pearl (The Wall Street Journal, 31 Dhjetor 1999).