MODULI 1 - UNIVERSI MEDIATIK

SEANCA 1 - FUNKSIONET DHE MJETET E INFORMACIONIT

Fletë edukative 4

KAPITULLI 4 – MEDIA DHE QYTETARIAA

Niveli : I lehtë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Trajneri mund të përkufizojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, si dhe rolin e tyre në një shoqëri demokratike.

Qëllimi 2: Trajneri mund të shtjellojë parimet e ndryshme deontologjike të gazetarisë

Qëllimi 3: Trajneri mund t’ua shpjegojë nxënëseve rolin kryesor të gazetarëve në shoqëri, të cilët përbëjnë edhe një kundër-pushtet dhe denoncojnë, në rast nevoje, abuzimet e pushtetarëve.

LIRIA E SHPREHJES DHE LIRIA E SHTYPIT

 

  • Liria e shprehjes është një e drejtë, e drejta për të shprehur lirshëm atë që mendon.

Liria e shprehjes duhet t’i mundësojë secilit(ës) të jetë i(e) lirë të mendojë dhe të shprehë opinionet e tij(saj), por liria e shprehjes ka edhe kufijtë e saj: duhet të kemi kujdes që të mos shpifim, të mos fyejmë, të mos bëjmë thirrje për urrejtje ndaj një grupi për shkak të fesë, ngjyrës së lëkurës ose të orientimit seksual, të mos inkurajojmë terrorizmin apo krimet e luftës.

 

  • Liria e shtypit pasqyron të drejtën e lirisë së shprehjes, ajo ua garanton qytetarëve të gjithë informimin e nevojshëm për të formuar lirshëm një opinion.

Roli i gazetarëve është t’i bëjë të qarta çështjet për lexuesin dhe të stimulojë debatet e ideve midis qytetarëve. Për këtë qëllim, gazetarët u binden rregullave. Ata mund të flasin për çdo temë, por duke qenë të kujdesshëm që të kontrollojnë lajmin për të siguruar cilësinë e tij.

Në disa vende, liria e shtypit minohet dhe gazetarët pengohen në mbulimin e disa ngjarjeve ose nuk lejohen ta kritikojnë pushtetin. Çdo vit, OJQ-ja Reporterët pa Kufij (Reporters sans Frontières) boton një klasifikim të lirisë së shtypit në të gjithë botën.

 

DEONTOLOGJIA E GAZETARISË

 

  • Gazetaria është një fushë që merret me hulumtimin e lajmit, kontrollimin e tij, vendosjen e tij në kontekst, hierarkizimin e tij, formësimin e tij, komentimin e tij dhe botimin e një informacioni cilësor. Gazetaria nuk duhet të ngatërrohet me komunikimin.

  • Ushtrimi i profesionit: Nocioni i urgjencës në shpërndarjen e lajmit ose në ekskluzivitetin e tij nuk duhet të prijë para seriozitetit të hulumtimit dhe verifikimit të burimeve. Për të punuar në kushte të mira, gazetari duhet të jetë në gjendje të kryej lirshëm të gjitha veprimet e profesionit të tij (të hetojë, të hulumtojë, të bëëj fotografi dhe incizime audio, etj.), të ketë qasje në të gjitha burimet e informimit në lidhje me faktet që kushtëzojnë jetën publike dhe të marrë parasysh mbrojtjen e garantuar të sekretit të burimeve të tij.

  • Deklarata e Mynihut mbi të Drejtat dhe Detyrimet e Gazetarëve, e përpiluar në vitin 1971 nga të gjitha sindikatat e gazetarëve në nivelin evropian, jep udhëzime për praktikën deontologjike të gazetarisë. Sipas kësaj deklarate, një gazetar i denjë:

  • respekton dinjitetin e personave dhe prezumimin e pafajësisë;
  • konsideron si shtyllat e punës gazetareske mendimin kritik, vërtetësinë, saktësinë, integritetin, barazinë, paanshmërinë;
  • akuzën pa prova, qëllimin për të dëmtuar, ndryshimin e dokumenteve, shtrembërimin e fakteve, shpërdorimin e imazheve, gënjeshtrat, manipulimet, censurimin dhe vetë-censurimin, mos verifikimin e fakteve i konsideron si abuzimet më të rënda profesionale;
  • ushtron vigjilencën maksimale para se të përhapë informacione, pavarësisht nga vijnë ato;
  • ushtron droit de suite për informacionin që ai shpërndan, është i detyruar të korrigjojë shpejt çdo informacion të shpërndarë që rezulton të jetë i pasaktë;
  • mbron lirinë e shprehjes, lirinë e opinionit, lirinë e informimit, lirinë e komentit dhe lirinë e kritikës;
  • përjashton çdo mjet të padrejtë dhe të ulët për të marrë një informacion.
  • nuk paguhet nga shërbimet publike, institucionet apo kompanitë private të cilat mund të shfrytëzojnë cilësitë e tij të gazetarit, ndikimin e tij, të njohurit e tij .