MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT

SEANCA 3 – INFORMACIONI DHE DEZINFORMIMI

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 1 – Ushtrimi i mendimit kritik: Ndërtimi i një shkalle provash

Kohëzgjatja : 1 orë
Pajisjet :

Tabelë, fletë të printuara (ose post it)

PREZANTIM I AKTIVITETIT

 

Duke përpiluar një "shkallë besueshmërie", të ngjashme me qasjen shkencore, pjesëmarrësit mësojnë t’i rendisin llojet e provave sipas besueshmërisë së tyre. Kështu, analizohet çdo informacion dhe renditen provat sipas kriterit të besueshmërisë, nga provat më të dobëta deri te provat më të pakundërshtueshme.

 

Qëllimi: Pjesëmarrësit kuptojnë se të gjitha të dhënat dhe provat mbi një temë të caktuar nuk kanë vlerë të barabartë.

 

Përkufizim: Çfarë është standardi i provës?

 

Në shkencë, standardi i provës është aftësia e një studimi për t'iu përgjigjur një pyetjeje të shtruar. Në fushën e edukimit mediatik dhe të informacionit, ekzistojnë disa nivele të provave:

 

1. Të dhënat (besueshmëri e ulët):

- Dëshmi individuale e raportuar

- Dëshmi e drejtpërdrejtë individuale

- Opinion i ekspertit

 

2. Provat (besueshmëri e lartë):

- Studim rastesh që vërteton një hipotezë

- Disa studime rastesh që vërtetojnë një hipotezë

- Përmbledhje e studimeve

- Konsensus shkencor

 

Sidoqoftë, edhe në rast të besueshmërisë së lartë (studim shkencor, studim rasti, etj.), është e rëndësishme të kemi mendje kritike dhe të jemi të kujdesshëm në lidhje me informacionin që konsultohet dhe që përdoret.

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

1. Përgatitja e ushtrimit: Zgjidhet një temë shkencore që mund të jetë subjekt i dezinformimit (p.sh. ndryshimet klimatike).

 

2. Përgatitja e sallës: Vizatohet "shkalla e besueshmërisë" në tabelë (shih Shtojcën).

 

3. Shpërndahen propozimet në letër, pjesëmarrësit duhet t'i vendosin ato në tabelë në "shkallën e besueshmërisë".

Shembuj të propozimeve:

- Raporti shkencor i Grupit Ndërkombëtar të Ekspertëve për Klimën

- Xhaxhai më ka thënë se "ngrohja globale nuk ndodh për shkak të aktivitetit njerëzor"

- Një shkencëtar në TV thotë se ndryshimi klimatik po përshpejtohet

- Presidenti i SHBA Donald Trump thotë se "ngrohja globale nuk ekziston"

- etj.

 

4. Korrigjimi: Sapo propozimet të vendosen në tabelë nga pjesëmarrësit, trajneri bën korrigjimin në mënyrë që të klasifikohen propozimet në rendin e duhur.

 

5. Grupimi i provave: pranë shkallës së korrigjuar të besueshmërisë, pjesëmarrësit duhet t’i klasifikojnë propozimet sipas nivelit të provave, siç tregohet në prezantimin e ushtrimit.

 

6. Diskutime: Ushtrimi përfundon me një debat mbi temën e qasjes shkencore dhe të menduarit kritik, mbi dobinë e kësaj qasjeje në kontekstin e një trajtimi kritik të informacionit (shih Dokumenti 7 – Qasja në informacion me mendim kritik.)

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

Në Google Drive: vizatohet shkalla e besueshmërisë dhe shënohen propozimet në mënyrë që pjesëmarrësit të mund t'i rendisin ato. Pastaj përgatitet një tabelë për t’i klasifikuar propozimet sipas llojit të provave.