MODULI 3 - FUQIA E MEDIAVE

SEANCA 5 – QYTETARIA ONLINE

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 1 – Telefoni i prishur

Kohëzgjatja : 0.5 orë
Pajisjet :

Kompjuter ose tabletë, lidhje në internet, fletë, lapsa, tabelë

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

"Telefoni i prishur" është një aktivitet në të cilin pjesëmarrësit luajnë dhe vërejnë së bashku deformimet që një fjalim ose një ngjarje mund të pësojë përmes shpërndarjes dhe transmetimit, në rrjetet sociale si dhe në jetën e përditshme. Ky ushtrim bën të mundur adresimin e çështjes së deformimit të opinioneve që qarkullojnë në internet dhe shpjegimin e këtyre deformimeve, si dhe pasojat që ato mund të shkaktojnë, veçanërisht nëse këto opinione u drejtohen drejtpërdrejt njerëzve ose një komuniteti.

 

Fillimisht, një person trillon një tregim, e pëshpërit atë në veshin e fqinjit të tij, i cili bën të njëjtën gjë, e kështu me radhë, derisa të gjithë pjesëmarrësit të kenë dëgjuar dhe formuluar versionin e tyre të tregimit.

 

Gjatë një debati në fund të ushtrimit, trajnerët do të jenë në gjendje të adresojnë çështjen e interpretimit dhe paragjykimeve subjektive në shpërndarjen e informacionit.

 

Variantet e ushtrimit:

Pjesëmarrësit të parë mund t'i jepet një fotografi, një imazh ose një video e shkurtër, në mënyrë që ai t'i tregojë fqinjit të tij atë që sheh, ndërsa tjetri nuk e sheh imazhin pastaj ia tregon informacionin pjesëmarrësit tjetër dhe kështu me radhë. Në fund të ushtrimit, imazhi fillestar do t'i zbulohet grupit dhe do të analizohen ndryshimet që ka pësuar.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

1. Përgatitja e aktivitetit: Trajnerët duhet së pari të përgatisin një ose më shumë tregime për ‘telefonin e prishur’, ose të gjejnë fotografi që ilustrojnë një veprim ose një ngjarje në mënyrë që të ketë sa më shumë elemente për t’u marrë në konsideratë. Kompleksiteti i tregimit ose imazhit do ta bëjë ushtrimin më të vështirë.

 

2. Fillimi i lojës: Trajnerët japin udhëzimet dhe i tregojnë versionin e tyre të tregimit personit të parë, ose i tregojnë atij imazhin e zgjedhur

 

3. Organizimi: Fillimisht, pjesëmarrësit janë ulur dhe formojnë një rreth të madh. Pjesëmarrësi i parë e pëshpërit tregimin e tij (ose përshkruan një foto) në veshin e personit që është i ulur në anën e djathtë të tij. Ky i fundit pëshpërit versionin e tij në veshin e personit që është i ulur pranë tij derisa të gjithë ta kenë dëgjuar tregimin. Personi i fundit përsërit atë që ka dëgjuar me zë të lartë. Kështu që grupi krahason këtë version me atë që u tha nga personi i parë që filloi historinë duke trajtuar ndryshimet.

 

4. Analiza e përbashkët /debati kolektiv përmes përgjigjeve të pyetjeve (të shkruara në tabelë): Në çfarë mënyre ndryshoi historia pasi u tregua disa herë? Çfarë ndikon në mënyrën se si e dëgjojmë dhe interpretojmë lajmin? Si ndikojnë përvojat dhe interesat tona në opinionet tona? A ndodh ndonjëherë që njerëzit të dëgjojnë disa interpretime të ndryshme të së njëjtës histori dhe të fillojnë të pyesin se cili version është më i saktë? Nëse secili sheh dhe dëgjon gjithçka me pak ndryshime, në çfarë mënyr mund të kuptohet se cila histori është e saktë? Si ndiheni për ndryshimet që ka pësuar tregimi? Krahasoni ndjenjën e personit që nisi historinë me ndjenjën e pjesës tjetër të grupit. Po sikur ky tregim të jetë një histori personale dhe kuptimi i historisë të jetë modifikuar? A do të ishit të gatshëm të ndani historinë e këtij aktiviteti në internet?