MODULI 1 - UNIVERSI MEDIATIK
SEANCA 1 - FUNKSIONET DHE MJETET E INFORMACIONIT
Aktivitetet praktikeAKTIVITETI 1 – SI VERIFIKOHEN BURIMET?
Një ose më shumë kompjutera me internet ose minimumi një smartphone për 2 nxënës
PREZANTIM I AKTIVITETIT
Qëllimet:
- Pjesëmarrësit kryejnë punën gazetareske të verifikimit të fakteve.
- Vlerësojnë cilësinë dhe rëndësinë e një lajmi.
- Analizojnë vështirësinë e formulimit të një lajmi rreth disa çështjeve.
Pjesëmarrësit ndahen në grupe para kompjuterave dhe verifikojnë disa lajme. Përgatiten disa tema për të ditur paraprakisht a janë këto lajme të vërteta apo jo, por qëllimi është që pjesëmarrësit t’i gjejnë vetë faktet.
Verifikimi mund të bëhet për disa lloje informacionesh, prej më të thjeshtit- si data e një ngjarjeje, përmbajtja e një ligji ose zhvillimi i një ndeshjeje futbolli- te më të komplikuarit. Për shembull për të përcaktuar numrin e të papunëve në Kosovë duhet të kemi parasysh përkufizimin e papunësisë (që ndryshon varësisht nga institucioni).
Qëllimi i këtij ushtrimi është që pjesëmarrësit të luajnë rolin e «hetuesit», «mini-gazetarit» dhe të jenë vigjilentë çdo ditë gjatë punës në internet.
SI ZHVILLOHET AKTIVITETI
- Trajneri përgatit afërsisht dhjetë informacione (varësisht nga numri i të rinjve) të gjetura në internet ose në rrjetet sociale, që janë lajme të rreme (të demontuara qysh prej publikimit të tyre) ose informacione të vërteta të cilat mund të verifikohen lehtë. Trajneri i verifikon paraprakisht dhe i korrigjon.
- Pjesëmarrësit ndahen në grupe nga dy ose tri veta, me short i zgjedhin 2 ose 3 informacione.
- Pjesëmarrësit, të ndarë në grupe, vihen para kompjuterave, atyre u jepen disa informacione që duhet t’i verifikojnë.
- Sqarohet procedura e verifikimit të informacionit:
- Cila është natyra e faqes web ku është gjetur informacioni? (shih në «legal mentions» ose tab-in «about» të faqes web)
- A kemi të bëjmë me një faqe web me lajme ndërkombëtare, me një faqe humoristike, me një bllog politik?
- Kush është autori i lajmit? Një politikan, një gazetar, një ekspert, një qytetar, një autor i panjohur? (Të bëhen hulumtime rreth këtij personi?)
- Cili është qëllimi i tij? Frikësimi, informimi, manipulimi, bindja?
- Nga vjen informacioni dhe në cilat burime/dëshmi mbështetet ai?
- Kur është publikuar lajmi?
- A është publikuar lajmi në faqe të tjera web?
- A mund të kryqëzohet- do të thotë të gjendet diku tjetër, në media të tjera?
- Puna e verifikimit të lajmit prezantohet në mënyrë grupore, grupet e tjera japin përshtypjen e tyre mbi prezantimin, trajneri e korrigjon prezantimin.
Konteksti Ballkanik
Për këtë aktivitet, referojuni dokumenteve tematike «Mediat e pavarura» të faqes web pedagogjike. Trajneri, në këtë mënyrë do të ketë akses në informacione të shumta që duhet të verifikohen për të përgatitur ushtrimin e tij.