MODULI 3 - FUQIA E MEDIAVE

SEANCA 5 – QYTETARIA ONLINE

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 2 – Analiza e një videoje konspiracioniste

Kohëzgjatja : 0.5 orë
Pajisjet :

Kompjuter, lidhje në internet, lapsa, fletë, videoprojektor

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Qëllimi i këtij ushtrimi është identifikimi në mënyrë kolektive i "mjeteve" të përdorura nga konspiracionistët (zbulimi i një "misteri", retorika, analiza e detajeve), si dhe identifikimi i mekanizmave audiovizuale të videove konspirative (muzikë e frikshme, zë robotësh, montazhi i orientuar, analiza e simboleve, etj.).

 

Preferohet që, paraprakisht, të zgjidhet një video në të cilën mund të gjejmë elemente dhe argumente konspirative të identifikueshme qartë në mënyrë që ta bëjmë ushtrimin më të kuptueshëm.

 

Në vijim janë dhënë disa nga elementet që duhet identifikuar në video:

 

1. Një atmosferë shqetësuese: shpesh vërejmë praninë e një zëri roboti ose zëri misterioz të shoqëruar me muzikë të frikshme (atmosfera e filmave horror, për shembull).

 

2. Efektet speciale: njësoj si atmosfera zanore, edhe efektet vizuale si vizatimet, fotomontazhet ose "morphing"-u (transformimi i një fytyre) mund ta përmbledhin në mënyrë personale teorinë dhe ta bëjnë atë të thjeshtë dhe të paharrueshme.

 

3. Një strukturë e mirë dhe një montazh i mirë i videos: realizimi, shpesh, ndjek një logjikë të caktuar, për shembull, fillon me elementin historik për të dhënë një përmasë shkencore. Përveç kësaj, edhe montazhi (renditja e imazheve) është me shumë interes.

 

4. Citate nga artikuj ose deklarata: për të dekontekstualizuar fjalitë e një artikulli, një reportazhi ose të thënat e një individi (politik, shkencor, etj.) dhe për t'i shërbyer kështu interesave të teorisë që duhet demonstruar.

 

5. Elemente të vërteta që mund të befasojnë: në këtë rast, nuk bëhet fjalë për dekontekstualizimin e një fakti ose një fjalimi, por për përdorimin e një fakti ose një imazhi të vërtetë, sikurse, për shembull, imazhe ose video të maceve që kanë një sjellje të çuditshme.

 

6. Elemente të pasigurta ose plotësisht të rreme: në mesin e pseudo-provave të teorisë së paraqitur, mund të futen disa elemente të trilluara, shumë të pasigurta ose të paprovuara në demonstrimin e teorisë duke forcuar kështu efektin e "mbërthimit argumentues".

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI 

 

1. Para ushtrimit, gjeni një video konspirative në lidhje me një temë aktuale ose një çështje specifike (sulmet, rendi i ri botëror, epidemitë, etj.).

 

2. Përgatitja e sallës: Pjesëmarrësit vendosen përballë tabelës ose ekranit. Videoja transmetohet me anë të një videoprojektori. Pjesëmarrësit udhëzohen të shkruajnë elementet e përdorura në video për të bindur shikuesit dhe të identifikojnë mesazhin kryesor të videos (identifikohen mjetet, forma e videos dhe kuptimi, përmbajtja).

 

3. Mbajtja e shënimeve: Pjesëmarrësit ftohen më pas të mbajnë shënime ndërsa shikojnë videon për t’i raportuar komentet dhe përshtypjet e tyre në fund.

 

4. Analiza kolektive: Pyesni pjesëmarrësit se çfarë elementesh kanë vërejtur dhe tregojuni elementet që ndoshta nuk i kanë parë. Në këtë fazë, diskutimi mund të zgjerohet duke iu referuiar videove që pjesëmarrësit zakonisht shohin në internet: A kanë parë ndonjëherë një video të tillë? Për çfarë temash? A janë bindur nga kjo video? A ishte videoja e drejtuar ndaj një komuniteti të veçantë, cilin armik paraqiste? (Politikat? Bankat? Etj.).

 

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Ky ushtrim mund të realizohet edhe në distancë. Trajnerët dërgojnë me email para seancës videon ose linkun e videos konspirative.

  2. Trajnerët dërgojnë linkun e videokonferencës ZOOM (ose të një platforme tjetër).

  3. Të rinjtë mund të punojnë në distancë përmes Google Drive, Framapad, etj. për të shënuar elementet më të rëndësishëm.

  4. Analiza do të organizohet përmes platformës së konferencës në distancë. Trajneri mund të përdorë një faqe "post it online" për të rikrijuar një efekt tabele (p.sh. https://note.ly/) dhe për të shënuar komentet e të rinjve. Ai pastaj mund të moderojë debatin.