MODULI 1 - UNIVERSI MEDIATIK

SEANCA 1 - FUNKSIONET DHE MJETET E INFORMACIONIT

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 1 – SI VERIFIKOHEN BURIMET?

Kohëzgjatja : 0.5 orë
Pajisjet :

Një ose më shumë kompjutera me internet ose minimumi një smartphone për 2 nxënës

PREZANTIM I AKTIVITETIT

 

Qëllimet:

- Pjesëmarrësit kryejnë punën gazetareske të verifikimit të fakteve.


- Vlerësojnë cilësinë dhe rëndësinë e një lajmi.

- Analizojnë vështirësinë e formulimit të një lajmi rreth disa çështjeve.

Pjesëmarrësit ndahen në grupe para kompjuterave dhe verifikojnë disa lajme. Përgatiten disa tema për të ditur paraprakisht a janë këto lajme të vërteta apo jo, por qëllimi është që pjesëmarrësit t’i gjejnë vetë faktet.

Verifikimi mund të bëhet për disa lloje informacionesh, prej më të thjeshtit- si data e një ngjarjeje, përmbajtja e një ligji ose zhvillimi i një ndeshjeje futbolli- te më të komplikuarit. Për shembull për të përcaktuar numrin e të papunëve në Kosovë duhet të kemi parasysh përkufizimin e papunësisë (që ndryshon varësisht nga institucioni).

Qëllimi i këtij ushtrimi është që pjesëmarrësit të luajnë rolin e «hetuesit», «mini-gazetarit» dhe të jenë vigjilentë çdo ditë gjatë punës në internet.

 

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

  1. Trajneri përgatit afërsisht dhjetë informacione (varësisht nga numri i të rinjve) të gjetura në internet ose në rrjetet sociale, që janë lajme të rreme (të demontuara qysh prej publikimit të tyre) ose informacione të vërteta të cilat mund të verifikohen lehtë. Trajneri i verifikon paraprakisht dhe i korrigjon.
  2. Pjesëmarrësit ndahen në grupe nga dy ose tri veta, me short i zgjedhin 2 ose 3 informacione.
  3. Pjesëmarrësit, të ndarë në grupe, vihen para kompjuterave, atyre u jepen disa informacione që duhet t’i verifikojnë.
  4. Sqarohet procedura e verifikimit të informacionit:

    - Cila është natyra e faqes web ku është gjetur informacioni? (shih në «legal mentions» ose tab-in «about» të faqes web)
    - A kemi të bëjmë me një faqe web me lajme ndërkombëtare, me një faqe humoristike, me një bllog politik?
    - Kush është autori i lajmit? Një politikan, një gazetar, një ekspert, një qytetar, një autor i panjohur? (Të bëhen hulumtime rreth këtij personi?)
    - Cili është qëllimi i tij? Frikësimi, informimi, manipulimi, bindja?
    - Nga vjen informacioni dhe në cilat burime/dëshmi mbështetet ai?
    - Kur është publikuar lajmi?
    - A është publikuar lajmi në faqe të tjera web?
     - A mund të kryqëzohet- do të thotë të gjendet diku tjetër, në media të tjera?

  5. Puna e verifikimit të lajmit prezantohet në mënyrë grupore, grupet e tjera japin përshtypjen e tyre mbi prezantimin, trajneri e korrigjon prezantimin.

Konteksti Ballkanik

Për këtë aktivitet, referojuni dokumenteve tematike «Mediat e pavarura» të faqes web pedagogjike. Trajneri, në këtë mënyrë do të ketë akses në informacione të shumta që duhet të verifikohen për të përgatitur ushtrimin e tij.