MODULI 3 - FUQIA E MEDIAVE

SEANCA 6 – REALIZIMI I NJË MEDIUMI QYTETAR (RADIO, REVISTË, VIDEO)

Fletë edukative 17

KAPITULLI 17 – REALIZIMI I NJË REVISTE ONLINE PËR TË RINJTË

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Trajneri mund t’i ndihmojë të rinjtë në krijimin e një reviste online

Qëllimi 2: Trajneri mund t’i shoqërojë të rinjtë në etapat e ndryshme të realizimit të një reviste online

Qëllimi 3: Trajneri njeh në thelb specifikat e aplikacionit Madmagz

PREZANTIM

 

Krijimi i një reviste i mundëson të rinjve që të fitojnë njohuri themelore dhe njëkohësisht të zhvillojnë aftësitë (mendimin kritik, punën ekipore) dhe cilësitë e tyre (kureshtjen dhe këmbënguljen).

 

ETAPAT E KRIJIMIT TË NJË REVISTE ONLINE

  1. Hapat e parë

    Etapa e parë është formimi i një ekipi të përbërë nga individë shumë të motivuar që do të angazhohet për ta krijuar projektin dhe për ta udhëhequr.

    Ata janë “bërthama” e redaksisë dhe do të kenë për detyrë që:
    - Të zgjedhin dhe të shkruajnë artikuj
    - Të bëjnë/të gjejnë foto dhe video për ta ilustruar revistën
    - Të gjejnë bashkëbisedues për t’i intervistuar dhe t’i transkriptojnë intervistat
    - Të shpërndajnë revistën në rrjetet sociale

    Dhe për ta bërë këtë punë, s’ka gjë më efikase se një mbledhje redaksie e cila organizohet në mënyrë të rregullt, në mënyrë që secili t’i dijë përgjegjësitë që ka në realizimin e revistës sipas dëshirave dhe sipas aftësive të tij.

  2. Përcaktimi i formulës së mediumit, gjetja e identitetit 
    - Të shtrohet pyetja e mbi qëllimet e mediumit: a ka për qëllim të kontribuojë në gjallërimin e jetës së një shkolle të mesme, të një shoqateje ? Të favorizojë të shprehurin e një numri të madh të rinjsh? Të inkurajojë debatet në mes tyre mbi një tematike në veçanti?
    - Të përcaktohet target grupi: Nxënësit e një shkolle? Anëtarët e një shoqate? Një komunitet i tërë?
    - Të mendohet çështja e vijes editoriale: Në pak reshta, mundohuni të përcaktoni orientimin e revistës suaj: ambicien e saj, temat e preferuara, stilin e saj (serioz, i lehtë, humoristik?), natyrën e përmbajtjes dhe mënyrën se si do të trajtohen temat sipas target grupit.
    - Të gjeni një titull për revistën tuaj i cili do të kontribuojë që ta veçojë, ta afirmojë identitetin e saj dhe t’i ndihmojë që të bëhet e njohur.
    - Dhe në fund duhet t’i vlerësoni kushtet materiale të lidhura me mediumin e juaj sipas frekuencës dhe ritmit të publikimit të tij. Numri i anëtarëve, angazhimi i tyre dhe disponueshmëria e tyre janë faktorë të rëndësishëm, ashtu sikurse edhe pajiset që keni në dispozicion.

  3. Përzgjedhja e përmbajtjes
    Për ta ruajtur interesimin e publikut tuaj, për t’ia mobilizuar vëmendjen dhe për t’ia stimuluar kureshtjen , duhet të kihet kujdes që të variohen mënyrat e trajtimit të informacionit.

    Zhanret gazetareske kryesore që keni në dispozicionin tuaj: Reportazhi, hulumtimi dhe intervista, opinioni, kritika, raporti, portreti.

    Për secilën temë, një kënd
    Që të mos ju dalë një artikull (apo një portret) tepër i gjatë dhe i vështirë për t’u lexuar, është absolutisht e nevojshme që të zgjidhni një kënd, do të thotë, një këndvështrim, të përzgjidhni aspektet e veçanta të temës që doni të vini në pah dhe t’i lini anash të tjerat.
    Shembull: Hapja e një kinemaje është një temë.
    Ndikimi turistik i kinemasë së re në qytet është një këndvështrim.

  4. Ndarja e detyrave
    Brenda një redaksie, nuk bëjnë të gjithë të njëjtën punë. Modeli Madmagz propozon ndarjen e grupit në 3:
    - 1 super kryeredaktor
    - kryeredaktorë
    - redaktorë

    (Shih dokumentin 17 shtojcë). Ju mund t’i përshtatni detyrat nëse nuk doni të ndiqni modelin Madmagz.

    Të gjithë redaktorët duhet t’i kenë në mendje gjashtë pyetjet kryesore për të shkruar një artikull. Gazetari ose redaktori duhet gjithmonë t’i bëjë vetes pyetjen: kush? çfarë? kur? ku? si? pse?

    Gjithashtu duhet të bini në një mendje për gjatësinë e artikullit dhe nivelin e gjuhës të revistës, para se të fillohet shkrimi i tij (jo tepër akademik, as tepër e thjeshtë).

    Në mesin e punëve të tjera që mund të bëhen, kemi:

    - Ilustruesin / ilustruesen, i cili/e cila merr, vizaton ose shkarkon foto, imazhe, zëra, ilustrime ose video (pa të drejta autoriale ose duke e treguar burimin) për të ilustruar revistën.
    - “Community manager” i cili kërkon linqe në lidhje me përmbajtjen e krijuar nga redaktorët për ta drejtuar lexuesin drejt faqeve të tjera web. Ai është gjithashtu përgjegjës i rrjeteve sociale dhe duhet ta favorizojë shpërndarjen e revistës te një publik sa më i gjerë, duke e pasur vëmendjen në elementet që i japin vlerë shtesë artikullit, siç janë: titulli, përmbledhja, fotot, inserte të shkurta që do të shfaqen në motorët e kërkimit.

  5. Publikimi i revistës

    Posa ta përfundoni revistën, mund të vendosni ta publikoni në versionin online ose në letër (shih dokumentin 17 shtojcë) sipas dëshirës, ambicieve dhe fokusit tuaj.


APLIKACIONI MADMAGZ

Për ta krijuar revistën tuaj online, ju mund të përdorni aplikacionin Madmagz. Aspekti i tij bashkëpunues dhe ndërfaqja e tij mundësojnë një punë ekipore, lehtësimin e faqosjes dhe të elementeve grafike të revistës.

 

Madmagz (https://madmagz.com/ ) është aplikacion online i cili mundëson krijimin e një gazete në mënyrë të lehtë dhe bashkëpunuese. Ky mjet ofron një fleksibilitet që mundëson krijimin e çfarëdo lloji reviste (ditar klase, gazetë informimi, ditar udhëtimi, ditar shoqate, etj...) I vetmi kufi është imagjinata e juaj!

Aplikacioni Madmagz u mundëson përdoruesve të tij që të krijojnë në grupe një revistë online e cila, në fund të procesit do të mund të shndërrohet në revistë letër.

Falë mjeteve të ndryshme të platformës, ju do të mund:

  • Të zgjidhni një model reviste që i përshtatet përmbajtës suaj
  • Të krijoni kategori faqesh (kopertina, tabelë përmbajtjeje, editorial, artikuj...)
  • Të shkruani artikuj dhe t’i verifikoni duke përdorur funksionet e bashkëpunimit hierarkik
  • Të shtoni, të modifikoni, të editoni dhe të hiqni faqe
  • Të zgjidhni opsione të faqosjes
  • Të shtoni foto, audio, video dhe të fusni linqe nga faqe të tjera web.
  • Të publikoni revistën tuaj online ose në versionin letër, pasi ta keni verifikuar tërë përmbajtjen.

Të gjitha këto etapa janë të shpjeguara dhe të detajuara në dokumentin 17 shtojcë