MODULI 3 - FUQIA E MEDIAVE

SEANCA 5 – QYTETARIA ONLINE

Fletë edukative 12

KAPITULLI 12 – SENSIBILIZIMI KUNDËR URREJTJES ONLINE

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Të përvetësohet koncepti i teorisë konspirative

Qëllimi 2:Të bëhet lidhja ndërmjet konspiracionizmit dhe gjuhës së urrejtjes

Qëllimi 3: Të kuptohet roli i EMI-së në luftën kundër konspiracionizmit

Teoritë konspirative

 

Edhe pse nuk është një dukuri e re, vitet e fundit teoritë konspirative gëzojnë sukses të madh, veçanërisht përmes shpërndarjes së tyre në rrjetet sociale dhe më gjerësisht në internet.

 

Përkufizim: Një teori konspirative është një narrativë ose një diskurs teorik që duket koherent dhe "logjik", dhe që mundohet të demonstrojë, të zbulojë ekzistencën e një grupi të vogël njerëzish të fuqishëm, të cilët planifikojnë fshehurazi veprime të paligjshme dhe/ose të dëmshme që ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve ose që synojnë sundimin e botës.

 

Teoria konspirative dallon nga lajmet e rreme prej faktit që bazohet në një tërësi të strukturuar hipotezash dhe argumentesh të manipuluara për të nxitur një teori në veçanti. Lajmet e rreme, nganjëherë shërbejnë si argument konspirativ, por nuk janë gjithmonë të lidhura me një teori.

 

Megjithatë, media dhe lajmet e rreme luajnë një rol vendimtar në shkallën e fenomenit. Nga njëra anë, mosbesimi, madje edhe mosbesueshmëria ndaj mediave rrisin besimin dhe besueshmërinë që u jepet teorive konspirative, veçanërisht në vendet ku mediat perceptohen si të korruptuara ose në shërbim të sistemit politik. Dhe nga ana tjetër, lajmet e rreme përdorin të njëjtat mekanizma sikurse teoritë konspirative (përdorimi i frikës, manipulimi i fakteve etj.), dhe shpesh kanë të bëjnë me të njëjtat tema.

 

Disa shembuj të teorive konspirative më të njohura:

 

- Illuminati janë një shoqëri sekrete, në të cilën bëjnë pjesë figurat më të fuqishme në këtë botë - Toka nuk është e rrumbullakët, por e sheshtë - Njeriu kurrë nuk ka shkuar në Hënë - Jugosllavia është shpërbërë për shkak të një komploti midis Gjermanisë dhe Vatikanit. Ekzistojnë edhe teori konspirative të momentit si ato të 5G, koronavirusit ose vaksinave.

Gjuha e urrejtjes dhe moderimi i përmbajtjes së urrejtjes

 

Teoritë konspirative përbëjnë një element thelbësor në marrëdhëniet tona me informacionin dhe shoqërinë. Ato gjenden diku në mes të paragjykimeve, konsideratave politike, besimeve dhe, gjithashtu, mund të lidhen ngushtë me gjuhën e urrejtjes. Kështu, shpërndarja e tyre mund të krijojë me shpejtësi një mjedis konfliktual. I tillë është, për shembull, rastime teoritë konspirative të një komploti hebre në shkallë globale.

 

Përkufizim: Kur flasim për gjuhën e urrejtjes, i referohemi një shprehjeje të urrejtjes e cila mund të mishërohet nga një fjali, një tekst, një tingull ose një imazh që shpreh refuzimin e tjetrit, dhe që mund të ofendojë, duke inkurajuar kështu ndjenjën e urrejtjes. Kur kjo shprehje e urrejtjes bëhet publike, dëshmitarët e saj nxiten edhe ata të ndiejnë urrejtje për njërën apo tjetrën palë, të zgjedhin njërën anë dhe nganjëherë ata mund të nxisin shprehjen e urrejtjes me një shkallë të ngjashme ose më të madhe të dhunës nga efekti i grupit. Atëherë kemi të bëjmë me nxitje të urrejtjes.

 

Kur këtyre përmbajtjeve të bazuara në stereotipe ose në besime të rreme u shtohet mungesa e mendimit kritik, fitojmë fjalime përçarëse dhe dhunë, duke eksponuar ekzistencën e një komuniteti ‘mish për top’, përgjegjës dhe fajtor dhe duke nxitur kështu amalgama dhe ndjenjë paranoje.

 

Shembull: Komuniteti rom është shpesh në shënjestër të diskriminimit dhe të paragjykimeve që e përshkruajnë atë si të pandershëm ose hajdut, duke u pamundësuar, kështu, që të ketë qasje në vende të punës të kualifikuara. Romët kanë dy herë më shumë gjasa të jenë të papunë se banorët e tjerë dhe shumë prej tyre ende jetojnë nëpër zona që nuk janë të mbuluara nga rrjeti i ujësjellësit.

 

Moderimi i disa përmbajtjeve tepër urrejtëse, veçanërisht në rrjetet sociale, duke propozuar edukim më gjithëpërfshirës në qytetari dhe në media e teknologji digjitale mund ta kufizojë këtë rrëshkitje drejt dhunës fizike ose morale.

 

Përkufizim: Moderimi konsiston në heqjen, censurimin apo edhe ndëshkimin e autorëve të përmbajtjeve urrejtëse në mënyrë që të parandalohet përhapja e tyre. Mund të jetë një koment i dhunshëm nën një publikim, shpërndarja e një artikulli, videoje, fotoje ose infografi që stigmatizon një kategori të caktuar njerëzish, apo edhe një shkëmbim privat përmes postës elektronike ose sms-eve.

 

Lufta kundër konspiracionizmit

 

Përkufizim: Konspiracionizmi i referohet prirjes për t’i paraqitur ngjarjet ose dukuritë në mënyrë abuzive si pasoja të një komploti të organizuar. Është një mënyrë e të menduarit ose një qëndrim që mohon shpjegimet e fakteve të cilat pranohen zakonisht për t'i zëvendësuar ato me ekzistencën e një komploti i cili ka një qëllim të fshehtë dhe të errët.

 

Pasojat e konspiracionizmit:

  • Gjenerimi i gjuhës së urrejtjes.
  • Aderimi në teori të padëshmuara.
  • Mbyllja në një logjikë të dyshimit dhe të besimit të rremë, duke i kufizuar kështu debatet e ideve.
  • Vështirësimi i procedurës së kundër-pushtetit që përpiqet të zbulojë keqbërjet e vërteta politike ose konfliktet e interesit që mund të ekzistojnë.

 

Mjetet për të kufizuar konspiracionizmin

 

1. Përmes kontrollit dhe kufizimit të përmbajtjeve urrejtëse dhe lajmeve të rreme (fact-checking, përgjegjësi e platformave të rrjeteve sociale, etj.).

2. Duke zhvilluar mendimin kritik të qytetarëve përmes edukimit për media dhe informacion, në mënyrë që:

  • Të analizohet qasja konspirative: A janë provat vërtetë të mjaftueshme?
  • Të inkurajohet kujdesi për t’i bërë qytetarët vigjilentë (Të mos ngatërrojmë kujdesin me mosbesimin dhe mosbesueshmërinë me dyshimin.).
  • Të kanalizohet kritika dhe të mundësohet informimi më i mirë falë një qasjeje logjike dhe të verifikueshme - Dhe në fund të relativizohet bota përreth nesh.

Konteksti Ballkanik

Dokumentet e rubrikës “Media në Ballkan” dhe veçanërisht: Dokumenti Info vs Infox : “Lajme të rreme konspirative”