TALMIL

1 – SI MUND TË PËRSHKRUHET PUNA E GAZETARIT?

NOCIONET KRYESORE

 

Misioni i gazetarit është të hulumtojë dhe verifikojë lajmin, ta shkruajë atë dhe pastaj ta shpërndajë në çdo lloj mediumi. Prandaj ai është mbi të gjitha një shkrues, një specialist i të shkruarit. Por gazetari duhet edhe të dëshmojë, filmojë, intervistojë, incizojë, fotografojë, montojë imazhet, të bëjë faqosjen … Ky profesion mbulon një larmi të madhe funksionesh: kryeredaktor, reporter, montazher, gazetar, reporter i imazheve. … Në të njëjtën kohë, gazetari mund të zgjedhë të specializohet (gazetar i lajmeve lokale, gazetar i sportit/ i ekonomisë /i financave / i politikës …) ose jo.

 

Pavarësisht nga mediumi ose punëdhënësi, gazetarët duhet të respektojnë disa rregulla themelore (kontrollohen gjithmonë burimet dhe informacionet e tyre; zgjidhet një kënd për t’i renditur informacionet; tërhiqet vëmendja e lexuesit me një stil të thjeshtë, të zgjuar dhe të drejtpërdrejtë) dhe i nënshtrohen rregullave deontologjike strikte dhe precize (respektohet dinjiteti i personave, ushtrohet të menduarit kritik, verifikohen burimet, etj.).

 

Statusi i gazetarit profesionist i atribuohet atij që, për punë kryesore, të rregullt dhe të paguar ka ushtrimin e profesionit të tij në një ose më shumë media ditore ose javore, në një ose më shumë agjenci lajmesh, në radio, në televizion ose në internet dhe nga i cili nxjerr burimet e tij kryesore të jetesës.

 

Puna e gazetarëve është thelbësore për t’u mundësuar njerëzve që të informohen. Gazetaria, shpesh konsiderohet si pushteti i katërt përballë pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Disa qeveri po mundohen t’i kontrollojnë mediat në vendet e tyre edhe për shkak se mediat kanë bërë që të shpërthejnë shumë skandale politike.

 


SHEMBULL KONKRETË



KRIK: Shembulli i një mediumi hulumtues në Serbi: https://www.krik.rs/

 

Në Serbi, gazetarët nga media hulumtuese KRIK kanë bërë investigime të shumta e të dokumentuara për korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendin e tyre. Ashtu siç e dëshmon Jelena Radivojević, një nga gjashtë gazetarët e KRIK-ut, në një intervistë dhënë për “Courrier des Balkans”, kryeredaktori, Stevan Dojcinović, është rregullisht në shënjestër të sulmeve të shumta, veçanërisht të ashpra nga ana e tabloideve serbe, të financuara nga pushteti.

 

Sipas kësaj gazetareje dhe kolegëve të saj, qeveria, përmes mediave të caktuara, po punon për të diskredituar stafin editorial në përgjithësi dhe njerëz të caktuar personalisht, duke i akuzuar, për shembull, se janë “agjentë të fshehtë që punojnë për vende të tjera” ose duke postuar foto private të tyre.

 

Gazetarët nuk janë sulmuar kurrë fizikisht, por apartamenti i njërit prej tyre u shkatërrua dhe gazetarëve iu dërguan kërcënime me vdekje përmes Facebook-ut, ndërsa autorët nuk janë ndëshkuar.

 

Rasti i medias KRIK tregon rreziqet e të qenit gazetar dhe shkeljet që i bëhen lirisë së shtypit në Serbi dhe në botë.