MODULI 3 - FUQIA E MEDIAVE

SEANCA 6 – REALIZIMI I NJË MEDIUMI QYTETAR (RADIO, REVISTË, VIDEO)

Fletë edukative 15

KAPITULLI 15 – ANIMOJ NJË WORKSHOP INKUBIMI NË MEDIA

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Trajneri është në gjendje t’i mbështesë të rinjtë në krijimin e një mediumi

Qëllimi 2: Trajneri di të përcaktojë formulën dhe identitetin që i përshtatet grupit dhe qëllimit të tij, si dhe të japë nocionet elementare të medias

Qëllimi 3: Trajneri ka kuptuar se si të jetësojë një media, si për gazetarët e rinj, ashtu edhe për audiencën e synuar

Si të filloni

 

  1. Hapat e parë
    Hapi i parë është krijimi i një ekipi me njerëz shumë të motivuar i cili do të punojë për të nisur projektin dhe për ta realizuar atë. Ky ekip është "bërthama e fortë" e stafit të redaksisë. Mund të afroni edhe bashkëpunëtorë të rastit ose të rregullt të cilët do të marrin përsipër kronikat, fotot, krijimin e efekteve zanore, mikro-trotuaret, intervistat, rrjetet sociale, shpërndarjen online të podcast-eve, programimin e të ftuarve. Pastaj duhet të përpilohet një listë e të gjitha fazave të krijimit të mediumit tuaj dhe të bëhet ndarja e përgjegjësive sipas dëshirave të çdonjërit (çdonjërës).

  2. Përcaktoni formulën, gjeni identitetin 
    Shtroni pyetjen mbi qëllimet e mediumit: a kontribuon në aktivitetet e një shkolle të mesme, të një shoqate? A promovon të shprehurit e sa më shumë të të rinjve? A inkurajon debate midis të rinjve me temën e mediumit?

    - Përcaktoni grup targetin tuaj: Nxënësit e një shkolle? Anëtarët e një shoqate? I gjithë komuniteti?
    - Edhe çështja e tonit është thelbësore: A dëshironi të privilegjoni humorin? Satirën? Një qasje të thelluar dhe të dokumentuar të temave përmbajtësore? Një stil të drejtpërdrejtë apo më shumë letrar?
    - Edhe çështja e zgjedhjes së titullit (dhe logos) duhet të merret seriozisht, sepse do të ndihmojë që të veçohet mediumi juaj e të afirmohet identiteti i tij dhe do të marrë pjesë gjithashtu në reputacionin e tij.
    - Në fund, duhet të vlerësohen kushtet materiale që kanë të bëjnë me mediumin tuaj sipas periodicitetit dhe ritmit të publikimit. Numri i anëtarëve të ekipit tuaj, puna dhe disponueshmëria e tyre janë faktorë të rëndësishëm, por edhe pajisjet dhe buxheti që keni në dispozicion.

  3. Zgjidhni recetën për mediumin tuaj
    Për të ruajtur interesin e audiencës tuaj, për të mobilizuar vëmendjen e saj dhe për të stimuluar kureshtjen ndaj saj, metodat e trajtimit të lajmit duhet të variojnë.

    Në vijim janë caktuar zhanret kryesore gazetareske që janë në dispozicionin tuaj:

    Reportazhi, hulumtimi dhe intervista janë zhanret kryesore të gazetarisë.
    Opinioni, editoriali, lajmi i shkurtër, kronika, kritika, raporti, portreti, mikro-trotuari ju ofrojnë një gamë të larmishme që do t'ju mundësojnë shumëllojshmërinë e mediumit tuaj.

  4. Ndërtoni temën tuaj
    - Përcaktoni këndin
    Zgjedhja e një teme është vetëm hapi i parë. Ju nuk do të jeni në gjendje të përfshini të gjitha aspektet e temës që keni zgjedhur. Do të fitonit një artikull shumë të gjatë, tepër të ngarkuar dhe të vështirë për t’u lexuar, me pak fjalë, do të mund të humbisni audiencën tuaj. Prandaj, është e nevojshme të zgjidhni një kënd, domethënë një këndvështrim, të zgjidhni aspektet e veçanta të temës që dëshironi të theksoni, ndërsa lini anash aspektet tjera.
    Shembull: podcast-i është një temë, pozita e grave në podcast është një kënd.

    - Gjashtë pyetjet themelore
    Për të shkruar një artikull, studenti në gazetari duhet t'i bëjë vetes këto pyetje: kush? çfarë? kur? ku? në çfarë mënyre? pse?

 

Krijimi dhe jetësimi i një mediumi

 

  • Simuloni një Mbledhje të Redaksisë:
    - Duke organizuar një mbledhje të redaksisë, së pari do t’i mblidhni dhe do t’i prezantoni aktorët e ndryshëm të mediumit tuaj dhe do të përcaktoni edhe emrin e edicionit të lajmeve.
    - Kjo, pastaj, ju mundëson të diskutoni rreth vijës editoriale, temave që do të trajtohen, këndeve të ndryshme të mundshme, por edhe formateve (reportazhe, intervista, debate, lajme flash).
    - Kjo redaksi duhet të takohet, në rastin më të mirë një herë në javë ose të mbahen takime të rregullta për të favorizuar angazhimin e secilit.
  • Ndarja e roleve:

    Kjo do të jetë edhe një mundësi për të:
    - Ndarë rolet e "gazetarëve", "ekspertëve", “prezantues(e)ve”, "teknikëve" (kameraman, montazher), për të përcaktuar detyrat e secilit.
    - Orientuar aktivitetin e secilit person, për t'i ndihmuar që të përgatisin detyrat e tyre (hulumtim, pyetësor, reportazh, ndërhyrje).
    - Formuar grupe (dyshe, treshe) sipas dëshirave dhe shkathtësive të secilit.
    - Të rinjtë, pastaj, duhet të krijojnë identitetin vizual të mediumit të tyre.
     -Trajneri mund të hyjë bashkë me të rinjtë në faqen e internetit “Canva” (https://www.canva.com/) (logo, banner, ilustrim ...). 
    - Trajneri mund t'i referohet edhe mjeteve të ofruara nga Madmagz, i cili është i specializuar në krijimin e gazetave (të shtypura dhe online) për të rinj: https://madmagz.com/ (shih dokumentin 17).
    - Shpërndarja dhe valorizimi i një lajmi: Për ta bërë përmbajtjen tuaj të dukshme në faqet e internetit si Wordpress, është e rëndësishme t'i kushtoni vëmendje elementeve shtesë të valorizimit të artikullit, siç janë: titulli, kapitujt, fotot, ekstraktet e shkurtra që do të shfaqen në motorët e kërkimit.
    - Këto elemente duhet të jenë tërheqëse për të kapur shpejt vëmendjen dhe kureshtjen e lexuesit.
    - Tag-ët (fjalët kyçe që lidhen me tematikat dhe temat e trajtuara në artikull) janë gjithashtu të rëndësishme, sepse mundësojnë një referencë më të mirë.
    - Rrjetet sociale mund të jenë hapësira për t’u shprehur dhe për të shpërndarë përmbajtje online, por edhe hapësira për valorizim. Mos hezitoni të jeni të pranishëm në disa media sociale në mënyrë që përmbajtja të jetë e qasshme për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Tekstet e valorizimit duhet të jenë të shkurtra dhe të qarta.
  • Pavarësisht llojit apo mjetit të mediumit (foto, video ose audio), janë të domosdoshme linqet për faqe tjera.

    Një artikull që përmban një ose më shumë nga këto elemente shihet shumë më tepër sesa një artikull që përmban vetëm tekst dhe nuk mundëson ndërveprimin me hapësira të tjera.
  • Duhet gjithashtu të kemi kujdes ndaj nivelit të gjuhës që nuk duhet të jetë as shumë letrare dhe as shumë e thjeshtë.

Për më tej

Për të krijuar identitetin vizual të një mediumi si dhe shumë lloje të mjeteve vizuale (logo, banner, ilustrim …) të nevojshme për krijimin e mediave, ju mund të përdorni faqen Canva: https://support.canva.com/account-basics/nonprofit-program/apply-for-nonprofit/

 

Në faqen e saj web, “Center for Media Literacy” ofron burime (artikuj, arkiva, etj.) ku do të gjeni aspekte të ndryshme të EMI si dhe praktikat e përdorura në këtë fushë: http://www.medialit.org/student-made-media