TALMIL

3 – ÇFARË ËSHTË LIRIA E SHTYPIT?

NOCIONET KRYESORE

Liria e shtypit u garanton qytetarëve të kenë të gjitha informacionet e nevojshme për të formuar lirshëm një mendim.

 

Roli i gazetave është t’ua qartësojnë lajmet lexuesve dhe të stimulojnë debate midis qytetarëve. Për këtë arsye, gazetarët u binden disa rregullave. Ata mund të flasin për të gjitha temat, por duke e kontrolluar informacionin në mënyrë që të sigurohet cilësia.

 

Në një vend ku garantohet liria e shtypit, gazetarët mund ta ushtrojnë profesionin e tyre në liri të plotë dhe ta ndajnë përmbajtjen e tyre mediatike pa pengesa. Atëherë, ata e kanë hapësirën e nevojshme për të vendosur një proces rigoroz gazetaresk duke bërë një punë hulumtimi, investigimi dhe krahasimi të burimeve. Një gazetar i lirë mbështetet në analizën dhe krahasimin e fakteve dhe shpjegimin e tyre. Besueshmëria dhe cilësia e informacionit bazohet pikërisht në këtë qasje gazetareske.

 

Në disa vende, liria e shtypit mund të pengohet dhe gazetarëve ka gjasa t’u pamundësohet mbulimi i një ngjarjeje të caktuar ose kritika ndaj pushtetit. Çdo vit, OJQ-ja Reporters sans Frontières (Reporterët pa Kufij) publikon një klasifikim të lirisë së shtypit në botë .

 

 

SHEMBULL KONKRET

 

Në gusht 2018, gazetari hulumtues malazez Jovo Martinović ka fituar Çmimin Peter Mackler për vitin 2018. Ky çmim shpërblen guximin dhe etikën gazetareske, si dhe i shpërblen gazetarët për kontributin e tyre për shtypin e lirë dhe të pavarur.

 

Jovo Martinović ka punuar për shumë media ndërkombëtare si BBC dhe gazetat The Economist e The Financial Times. Ai njihet për mbulimin e tij gjithëpërfshirës të krimit të organizuar në Evropë dhe të kriminelëve të luftës në Ballkan. Si rezultat i këtyre hulumtimeve, ka qenë i përfshirë në procedura gjyqësore në lidhje me trafikimin e drogës.

 

Në mënyrë që t’i kuptoni konkretisht çështjet e lirisë së shtypit, mund të jetë e dobishme ta lexoni letrën “Aktakuza e gazetarit malazez Jovo Martinović” (në anglisht) e përpiluar nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Federata Evropiane e Gazetarëve, drejtuar Kryeministrit të Malit të Zi. Kjo letër kërkon që të merren parasysh rrethanat në të cilat gazetari ishte në kontakt me të dyshuarit në mënyrë të fshehtë, që të mund ta kryente hulumtimin e tij gazetaresk.