MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT

SEANCA 4 – TË DESHIFROHEN MEDIAT E NDRYSHME

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 2 – Krijoj një tregim duke u bazuar në një imazh

Kohëzgjatja : 0.5 orë
Pajisjet :

Për ta shfaqur imazhin: Kompjuter ose foto e printuar, ose videoprojektor dhe ekran i bardhë ose tabelë.
Për ta shkruar historinë: Kompjuter ose fletë dhe lapsa

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Qëllimet:

  • Të kuptohen përparësitë dhe kufizimet e imazhit si burim informacioni
  • Të mobilizohen perceptimet që kemi ndaj realitetit për t’i vënë ato në pikëpyetje dhe për t’i dekonstruktuar.

 

Ky aktivitet propozon të punohet rreth imazhit dhe interpretimeve të tij të mundshme. Pjesëmarrësve do t'u kërkohet të shkruajnë një histori duke u nisur nga një fotografi ose një video e shkurtër.

 

I njëjti imazh do t'u tregohet disa grupeve (në format letre ose me videoprojektor). Secili grup do të propozojë një mbishkrim dhe/ose do të tregojë historinë e kësaj fotoje, pa u konsultuar me të tjerët.

 

Variante të mundshme të ushtrimit:

 

- Kur jepen udhëzimet e ushtrimit mund të sqarohen shkurt rregullat për historitë që do të sajohen. Për shembull, një grup duhet t'i japë imazhit një interpretim pozitiv, simpatik, kurse grupi tjetër duhet ta paraqesë fotografinë si diçka negative, ose të trishtuar.

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI ?

 

1. Përzgjedhja e imazheve: trajnerët duhet të përgatiten paraprakisht për ushtrimin duke kërkuar foto ose video që mund t'i nënshtrohen interpretimit ose që janë manipuluar ose falsifikuar në aktualitetin e kohëve të fundit. Mund të zgjidhni edhe fotografi emblematike dhe potencialisht të panjohura nga pjesëmarrësit e rinj (për shembull, fotoja e një burri që qëndron para tankeve të ushtrisë kineze gjatë demonstratave në Sheshin Tian'anmen, në vitin 1989, në Republikën Popullore të Kinës).

 

2. Përgatitja e sallës: Formohen grupe pjesëmarrësish dhe vendosen sa më larg që të jetë e mundur nga njëri-tjetri, në mënyrë që të mos ndikojnë te njëri-tjetri.

 

3. Shikimi i fotos: Aktiviteti mund të bëhet në dy mënyra, ose duke projektuar imazhin në një ekran në mënyrë që secili grup ta shohë atë dhe më pas të shkruaj historinë në letër, ose në kompjuter. Ose mund të jepet imazhi individualisht për secilin grup, në letër ose në një kompjuter.

 

4. Trillimi i një tregimi: Pjesëmarrësit do të jenë të lirë ta bëjnë interpretimin e imazhit dhe të trillojnë/shkruajnë një histori pak a shumë të shkurtër sipas frymëzimit të tyre ose sipas emocionit të dëshiruar (qoftë në formën e një artikulli gazetaresk, ose në formën e një tregimi).

 

5. Analiza kolektive: në këtë pikë të ushtrimit, secili grup do t’ia paraqesë me radhë historinë e tij pjesës tjetër të pjesëmarrësve, ku do të mund të analizohet dhe reagohet ndaj rezultateve të ndryshme të arritura.

 

6. Verifikimi i burimit: pasi të ketë mbaruar secili grup, do të zbulohet historia e vërtetë që qëndron pas fotos duke kujtuar kontekstin real në të cilin është shkrepur ajo foto (dhe ku do të jetë e mundur një fazë e fact-checking-ut). (shih "DOKUMENTI 8 - Lufta kundër lajmeve të rreme" dhe "dokumenti 7 – Qasja në informacion me mendim kritik")

 

7. Ushtrimi mund të përfundojë me një debat kolektiv rreth përdorimit të imazhit si provë dhe rreth manipulimeve dhe interpretimeve të mundshme të tij.

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Trajnerët duhet të përgatisin ushtrimin paraprakisht. Ata duhet të kërkojnë fotografi dhe t'ua dërgojnë ato të rinjve me email.

  2. Trajneri krijon një link ZOOM (ose në një platformë tjetër) dhe ua dërgon të rinjve.

  3. Të mbledhur në një videokonferencë me trajnerin, të rinjtë do ta shikojnë përsëri foton.

  4. Trajneri formon grupet me të rinjtë. Secili grup do të takohet me sistemin "salla të ndara" që mundësohet nga shumica e platformave për konferenca në distancë (p.sh. ZOOM). Pjesëmarrësit do të jenë të lirë ta bëjnë interpretimin e imazhit dhe të trillojnë/shkruajnë një histori pak a shumë të shkurtër sipas fr4ymëzimit të tyre ose sipas emocionit të dëshiruar (qoftë në formën e një artikulli gazetaresk, ose në formën e një tregimi). Ata punojnë në një skedar të përbashkët në Google Drive, Framapad ose platforma të tjera.

  5. Pasi të ketë përfunduar puna e shkrimit të tregimit, të rinjtë hyjnë të gjithë në "sallën kryesore". Këtu, secili grup do të paraqesë me radhë historinë e tij për pjesën tjetër të pjesëmarrësve. Në këtë rast do të mund të bëhet analiza dhe reagimi ndaj rezultateve të ndryshme të arritura.

  6. Pasi të ketë mbaruar secili grup, do të zbulohet historia e vërtetë që qëndron pas fotos duke kujtuar kontekstin real në të cilin është shkrepur ajo foto.

  7. Ushtrimi mund të përfundojë me një debat kolektiv rreth përdorimit të imazhit si provë dhe rreth manipulimeve dhe interpretimeve të mundshme të tij.