MODULI 2 - DESHIFRIMI I LAJMIT

SEANCA 3 – INFORMACIONI DHE DEZINFORMIMI

Aktivitetet praktike

AKTIVITETI 1 – Të dallohet e vërteta nga gënjeshtra: Fake News apo Jo Fake News

Kohëzgjatja : 1 orë
Pajisjet :

Kompjuter, lidhje interneti, videoprojektor (fakultative)

PREZANTIMI I AKTIVITETIT

 

Qëllimi i këtij ushtrimi është që pjesëmarrësit të përvetësojnë mjetet e verifikimit të informacionit dhe të inkurajohen që t'i bëjnë vetes pyetjet e duhura kur përballen me informacione sensacionale.

 

Gjatë këtij ushtrimi pjesëmarrësëve do t’u propozohen disa artikuj/ lajme në internet dhe ata do të identifikojnë cilët janë të manipuluar dhe mund të klasifikohen si "Fake News" dhe cilët kanë të bëjnë me lajme të pranuara dhe të verifikuara. Në fund, ata do të shpjegojnë natyrën e këtyre lajmeve të rreme duke iu përgjigjur disa pyetjeve, në mënyrë që të hapin një diskutim më të përgjithshëm mbi manipulimin e lajmit.

 

Variantet e mundshme:

 

  • Puna e verifikimit mund të bëhet në grupe, ose individualisht.
  • Artikujt mund t'u shpërndahen drejtpërdrejt pjesëmarrësve në kompjutera (me çelës usb, ose me email) ose të shfaqen në një ekran me një video projektor (pjesëmarrësit duhet të gjejnë artikullin përpara se të vazhdojnë në klasifikimin "Fake News apo jo Fake News ").

 

SI ZHVILLOHET AKTIVITETI

 

1. Përgatitja e artikujve: Për këtë ushtrim, faza e hulumtimit dhe e përzgjedhjes së artikujve është e rëndësishme sepse do të përcaktojë suksesin e aktivitetit. Artikujt e propozuar do t’i inkurajojnë pjesëmarrësit të tregojnë mendim analitik, reflektim dhe mendim kritik. Është mirë që të merren lajme "reale" që janë mjaft befasuese apo edhe sensacionale, në mënyrë që pjesëmarrësit të kuptojnë që gjërat nuk janë gjithmonë të sigurta dhe ata duhet të kenë mendje kritike. Preferohet, gjithashtu, të zgjidhen disa informacione të rreme të ndryshme, si për shembull, një lajm i rremë mbi shkencën, një mbi politikën, një në lidhje me një VIP etj.. Preferohet që të mos ketë më shumë se 6 artikuj për t’u analizuar, në mënyrë që të mos rëndohet ushtrimi.

 

2. Përgatitja e sallës: pjesëmarrësit ndahen në grupe ose individualisht nëpër kompjutera.

 

3. Shpërndarja e artikujve: pjesëmarrësve u caktohen artikujt. Këta artikuj do t'i klasifikojnë në kategoritë e ndryshme (lajm i rremë ose lajm i verifikuar dhe i besueshëm).

 

4. Puna e verifikimit: Pjesëmarrësit duhet të zbatojnë metodën e verifikimit të lajmit dhe procesit gazetaresk (shih "DOKUMENTI 7 – Qasja në informacion me mendim kritik). Metoda mund të prezantohet para ushtrimit, ose të lihen pjesëmarrësit të lirë në mënyrën e verifikimit të informacionit. Metoda mund të vijë natyrshëm në mendjen e të rinjve. Sidoqoftë, nëse metoda nuk shpjegohet në fillim të ushtrimit, atëherë duhet të bëhet në fund të ushtrimit. Përveç kësaj, meqenëse tani egzistojnë shumë faqe interneti për “fact-checking”, mund të ndodhë që disa lajme të rreme të jenë verifikuar. Pjesëmarrësit mund t’i përdorin ato, por duhet të kuptojnë se si është verifikuar informacioni dhe, në rastin e një lajmi të rremë, çfarë metode është përdorur.

 

5. Komentimi: Pas përfundimit të kësaj pune, të gjithë japin vlerësimin e tyre: "Fake News apo jo Fake News" (mund të shfaqen artikujt në ekran dhe të lihen grupet të thonë "Fake News" për një artikull me lajm të rremë dhe "Jo Fake News" për lajm të vërtetë). Pjesëmarrësit duhet të kuptojnë pse kanë gabuar dhe atëhere bëhet një verifikim/korrigjim. Përveç kësaj, mund të përdoret varianti i përgjigjës që i vë studentët në lëvizje, për shembull, duke kërkuar nga pjesëmarrësit të pozicionohen në sallë sipas përgjigjes së tyre (ata që mendojnë se është Fake News vendosen në anën e djathtë, të tjerët në anën e majtë) ose të jepen fleta me ngjyra që të rinjtë i ngrisin lart, sipas përgjigjeve të tyre (fletë e kuqe për Fake News, fletë jeshile për lajm të verifikuar).

 

6. Përfundim: Pastaj, për të vazhduar më tej punën e reflektimit dhe për të hapur diskutimin, këshillohet që t'u shtroni pjesëmarrësve disa pyetje. Për shembull:

  • Cili ishte qëllimi i këtij lajmi të rremë (mashtrimi, nxitja e urrejtjes, promovimi i një personaliteti, qëllimi elektoral ...)?
  • Çfarë metode është përdorur në këtë lajm të rremë (manipulimi i imazhit, dekontekstualizimi, modifikimi i një lajmi të vërtetë ...)?
  • A ka qenë e gjatë puna dhe a mund ta bëni në jetën e përditshme?

Këto pyetje mund të përdoren për të prezantuar koncepte të tjera të pranishme në dokumentet pedagogjike, sikurse ‘Fact-Checking’, për shembull.

 

PËRSHTATJA E AKTIVITETIT ONLINE

 

  1. Trajneri duhet të krijojë një link në platformën e videokonferencës ZOOM dhe t'ua dërgojë të rinjve (mund të përdoret një platformë tjetër nëse trajneri e preferon).

  2. Pasi të mblidhen në të njëjtën "sallë virtuale", të rinjtë vendosen në grupe nga trajneri.

  3. Trajneri i shpërndan artikujt te grupet e studentëve.

  4. Grupet dalin nga salla kryesore dhe hyjnë në "sallat private" (që mundësohet nga platforma ZOOM). Këtu, grupe mund të kryejnë kërkimet e tyre në internet dhe të klasifikojnë artikujt në kategoritë "lajm i rremë" ose "lajm i verifikuar dhe i besueshëm". Të gjithë mund të punojnë vetë dhe të komunikojnë me pjesëmarrësit tjerë të grupit përmes chat-it ose videokonferencës

  5. Raportimi bëhet në "dhomën virtuale" kryesore. Në këtë fazë, zëdhënësit e grupeve, të zgjedhur më parë nga trajneri, i japin përgjigjet dhe shpjegimet e tyre në emër të grupit.

  6. Trajneri mund të drejtojë debatin duke u bazuar në gabimet e bëra. Ai mund të hapë çështjen e Fake News-eve, mekanizmave me të cilët krijohen dhe shpërndahen si dhe qëllimet dhe impakti i tyre.