Fletë edukative 2

KAPITULLI 2 – QËLLIMET PEDAGOGJIKE TË TRAJNIMIT

Niveli : Mënyrë

Qëllimet arsimore

Qëllimi 1: Trajneri është në gjendje të përcaktojë se çfarë është Edukimi Mediatik

Qëllimi 2: Trajneri i ka përvetësuar kompetencat që do të fitojnë pjesëmarrësit

Qëllimi 3: Trajneri i ka kuptuar kompetencat që ai/ajo duhet të përvetësojë për t’i trajnuar pjesëmarrësit në EMI në kushtet më të mira të mundshme

PËRKUFIZIMI I EDUKIMIT MEDIATIK

 

Sipas përkufizimit të dhënë nga UNESCO, edukimi mediatik ka për synim çdo qytetar ta bëjë aktiv, autonom dhe kritik ndaj çdo dokumenti apo mekanizmi mediatik, të cilin e pranon apo e shfrytëzon. Kjo disiplinë ka të bëjë me të gjitha mediat e shkruara, audiovizuale ose digjitale, pavarësisht mjetit teknologjik (shtyp i shkruar, radio, kinema, TV, media online, rrjete sociale, platforma digjitale). Nuk kufizohet në asnjë zhanër mediatik dhe prandaj mbulon të gjithë spektrin e komunikimeve: informues, ndikues, argëtues ose miqësor.

 

Gjithnjë sipas UNESCO-s, edukimi mediatik duhet t'i mundësojë çdo qytetari të përvetësojë gjuhën e medias dhe të trajnohet në mjetet e interpretimit, shprehjes dhe komunikimit përmes mediave. Në këtë kuptim, edukimi mediatik i përgatit individët që të jenë qytetarë të përgjegjshëm, të aftë për të kontribuar në zhvillimin e një shoqërie demokratike.

 

Kështu, shihet se edukimi mediatik është i lidhur ngushtë me edukimin qytetar. Përdorimi i mediave te të rinjtë - qytetarë të ardhshëm - në të vërtetë, kushtëzon në masë të madhe marrëdhëniet e tyre me shoqërinë, lirinë e shprehjes dhe kulturën. Për këtë arsye, edukimi mediatik mundëson që të vihen në pikëpyetje stereotipet, kurthet e diskursit, paragjykimet ose interpretimi i mesazheve. Në fund, disiplina synon të frymëzojë trajnerë dhe të rinj në zhvillimin e aftësive kryesore për t’i kuptuar çështjet bashkëkohore dhe për t’u pozicionuar si qytetarë aktivë, kritikë, krijues dhe solidar.

 

Por, mbase janë vetë studentët ata që e përkufizojnë më së miri edukimin mediatik. Kështu për shembull, një klasë që përfitoi nga një program EMI në Lycée Pierre de Coubertin në Francë e përmblodhi mësimin në këtë mënyrë: “Ne jetojmë në një shoqëri ku jehona e botës është e menjëhershme dhe shpesh e gabuar. Gjithçka kalon shumë shpejt, ndonjëherë tepër shpejt. Për shkak të shpejtësisë së shpërndarjes së rrjeteve sociale, po zgjerohet hendeku midis mediave tradicionale dhe popullsisë. Zakonisht, ne, të rinjtë të ‘hiperkonektuar’, jemi të parët që marrim dhe më pas transmetojmë informacionet. Prandaj ne jemi ata që duhet të mësojnë t’i deshifrojnë mediat dhe lajmet. Kështu që, ne jemi ata që duhet të edukohemi për mediat "

 

 

QËLLIMET PEDAGOGJIKE TË EDUKIMIT MEDIATIK

 

Aftësitë që duhen përvetësuar nga të rinjtë

 

UNESCO ka përcaktuar 6 afësitë kryesore që çdo i ri duhet të përvetësojë përmes edukimit mediatik:

  1. Të kuptojë punën e gazetarëve dhe funksionimin e mediave
  2. Të ketë njohuri mbi mënyrën e qasjes në informacion të besueshëm dhe mbi identifikimin e burimeve të këtij informacioni
  3. Të zhvillojë aftësitë e të menduarit kritik dhe aftësinë për të deshifruar informacionin
  4. Të ketë kujdes nga lajmet e rreme, konspiracionizmi dhe gjuha e urrejtjes
  5. Të zotërojë mjetet digjitale në mënyrë të arsyeshme dhe të përgjegjshme
  6. Të kuptojë sfidat e shoqërisë për të bërë zgjedhje demokratike të mirëmenduara.

 

Aftësitë që duhen përvetësuar nga trajneret

 

Prandaj, trajnimi i trajnerëve në edukimin mediatik synon këto qëllime pedagogjike si vijojnë:

  1. Të kuptojnë se si EMI u mundëson qytetarëve të bëhen më aktivë, autonomë dhe kritikë ndaj mediave dhe mjeteve tjera të komunikimit ndaj të cilave ata janë të ekspozuar.

  2. Të kuptojnë se si EMI na mundëson të vëmë në pikëpyetje stereotipet, kurthet e diskursit, paragjykimet ose interpretimin e mesazheve.

  3. Të kuptojnë faktin se EMI mund të frymëzojë të rinjtë me prejardhje të ndryshme që të kuptojnë çështjet bashkëkohore dhe t'u mundësojë atyre që të pozicionohen si qytetarë aktivë, kritikë, krijues dhe solidarë.

  4. Të kuptojnë evolucionin e peizazhit mediatik, të dinë si t'i qasen çështjes së mediave me të rinjtë dhe të dinë të rrisin ndërgjegjësimin për përdorimin e përgjegjshëm dhe të mençur të “mediave të reja”.

  5. Të përvetësojnë njohuritë pedagogjike të nevojshme për të praktikuar EMI-në (udhëzime, koncepte kryesore dhe evolucionin e disiplinës) duke iu përshtatur të rinjve në veçanti. 

  6. Të zhvillojnë aktivitete praktike pjesëmarrëse specifike për EMI, për të lehtësuar përvetësimin e aftësive nga të rinjtë dhe organizimin e ushtrimeve pozitive për zhvillimin e shprehjes qytetare (fushata mediatike online, për shembull).