TALMIL

8 – SI PËRHAPET GJUHA E URREJTJES NË MEDIA?

NOCIONE KRYESORE

 

Gjuhë e urrejtjes quhet një shprehje urrejtjeje që mund të marrë formën e një fjalie, një teksti, një tingulli, një imazhi ose një videoje që shpreh refuzimin, urrejtjen ose frikën ndaj tjetrit dhe që ofendon njerëzit e targetuar, duke bërë kështu që të nxitet një ndjenjë urrejtjeje.

 

Kur shprehja bëhet publikisht, kjo mund t’i shtyjë dëshmitarët e këtij diskursi që të ndiejnë urrejtje ndaj disa personave, të zgjedhin një anë dhe nganjëherë të nxisin përsëri shprehjen e urrejtjes me një nivel të ngjashëm të dhunës ose me një nivel të rritur nga efekti i grupit. Atëherë, flitet për nxitje të urrejtjes.

 

Zakonisht, gjuha e urrejtjes online stigmatizon origjinën, ngjyrën e lëkurës, gjininë, orientimin seksual, përkatësinë fetare ose botëkuptimin e një pakice, për të gjeneruar rreth saj armiqësi dhe diskriminim. Interneti dhe rrjetet sociale kontribuojnë në përhapjen masive të kësaj gjuhe të urrejtjes përmes mungesës së konfrontimit të drejtpërdrejtë (virtual). Për më tepër, përmbajtja e urrejtjes në internet merr më shumë vëmendje dhe përhapet më gjerësisht.

 

Këto përmbajtje të bazuara në paragjykime, frikë dhe besime të rreme, bashkë me mungesën e të menduarit kritik, shpien në një gjuhë gjithnjë e më të dhunshme, duke theksuar ekzistencën e një komuniteti ‘mish për top’, përgjegjës dhe fajtor, dhe pastaj duke ushqyer amalgame dhe një ndjenjë të paranojës. Lajmet e rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale luajnë një rol të madh në përhapjen e këtij diskursi të urrejtjes dhe të dhunshëm.

 


SHEMBULL KONKRET


Në vitin 2019, gati të gjitha mediat e Bosnjë-Hercegovinës kanë shpërndarë një thashethem që qarkullonte në rrjetet sociale: “Migrantë kanë sulmuar një të mitur afër stacionit të trenave të Sarajevës”. Por hetimet e policisë së Sarajevës kanë treguar se ky lajm ishte rezultat i një manipulim lajmi që kishte për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj komunitetit të migrantëve të pranishëm në vend. Në të vërtetë, njerëzit, duke filluar nga babai i viktimës, kishin thënë se sulmi ishte kryer nga migrantë edhe pse nuk ka qenë e mundur që ta dinë, duke përhapur kështu thashethemet.

Kjo gjuhë urrejtjeje e rreme është paraqitur së pari kur njëra nga faqet web më të vizituara në vend, Klix.ba, e ka dhënë lajmin e sulmit të prezumuar të një 17 vjeçari në Sarajevë nga migrantët. Ky lajm ishte shoqëruar nga një fotografi ku shihej një person i rrahur në një ngushticë të errët. Por, pas hetimeve, policia ka treguar jo vetëm se sulmi nuk ishte vepër e «migrantëve», por edhe që nuk kishte ndodhur aty ku thoshte faqja web, afër stacionit të trenave.

 

Ky stigmatizim i migrantëve përmes lajmeve të rreme është i shpeshtë në Ballkan, si në mediat e shkruara, ashtu edhe në rrjetet sociale.