TALMIL

7 – ÇFARË ËSHTË TEORIA KONSPIRATIVE?

NOCIONE KRYESORE

 


Një teori konspirative është një grup i strukturuar hipotezash dhe argumentesh, të manipuluara me qëllim që të ushqejnë një narrativë, një ideologji apo një diskurs dhe t’i japin atij një aspekt koherent dhe logjik. Ky diskurs kërkon të demonstrojë ekzistencën e një grupi të vogël njerëzish të fuqishëm që planifikojnë fshehurazi veprime të paligjshme dhe të dëmshme që ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve.

 

Teoria e konspiracionit pretendon se qëllimi i saj është zbulimi i “të vërtetës” dhe zgjidhja e një “misteri”. Në realitet, shpesh, kjo është një formë e kundërshtimit të diskursit zyrtar dhe të “sistemit”, një diskurs “në kundërshtim”, një mosbesueshmëri. Këto teori adoptojnë një vizion të vetëm dhe të thjeshtuar (E Mira kundrejt së Keqes) e cila harron kompleksitetin e botës.

 

Zakonisht, teoritë e konspiracionit shfaqen pas ngjarjeve të rëndësishme apo edhe traumatike (sulme, aksidente, luftë, epidemi, krizë ekonomike) për t’u dhënë atyre një shpjegim të thjeshtë dhe të kënaqshëm.

 

 


SHEMBULL KONKRET


Shembull i një teorieje konspirative: shpërbërja e Jugosllavisë

 

Në Ballkan qarkullojnë thashetheme nga më të ndryshmet për të shpjeguar shpërbërjen e Jugosllavisë në vitin 1991. Kështu, në disa vende, miti sipas të cilit kjo shpërbërje është shkaktuar nga ndërhyrja dhe vullneti i fuqive të huaja është shumë i përhapur. Disa fajësojnë CIA-n, dhe sipas tyre CIA e kishte vazhduar luftën e saj kundër regjimeve socialiste në Ballkan pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989. Teori të tjera akuzojnë Gjermaninë madje edhe Vatikanin, që ishte bërë aleat i Kroacisë Katolike për arsye të ndryshme. Në këtë rast, teoria konspirative mundëson:

  • Të shpjegohen ngjarjet në një mënyrë të thjeshtuar, të kuptueshme dhe të pranueshme për të gjithë.
  • Të paraqesë anën e saj si viktimë e ngjarjeve botërore dhe rajonale, duke krijuar kështu një ndjenjë padrejtësie dhe indinjate.
  • Që ngjarjeve të rëndësishme politike t’u jepet një origjinë e jashtme, duke u pastruar kështu nga të gjitha format e përgjegjësive.

 

Sipas historianëve, në fakt, sikurse për shumicën e ngjarjeve politiko-historike të kësaj rëndësie, kemi të bëjmë me një përzierje të shkaqeve të shumta, shumica e të cilave janë të brendshme: kriza ekonomike që kishte prekur vendin qysh nga goditja e dytë e naftës e vitit 1979, rivalitetet midis republikave që ishin përkeqësuar etj..